Ibn Tejmije rahimehull-llah thotë: “Kur të hyje koha e namazit dhe gruaja është e pastër, pastaj i vijnë të përmuajshmet, a e ka detyrë t’a fale këtë namaz kur të pastrohet?
Ka dy mendime:
Më i qartë në argument është mendimi i Ebu Hanifes dhe imam Malikut, sepse nuk ka argument që e obligon gruan t’a fale namazin në këtë lloj rasti. Gruaja vërtet e ka vonuar namazin, por ajo e ka vonuar brenda kohës së lejuar. I lejohet t’a bëjë këtë gjë. Nuk ka asnjë argument që e obligon faljen e namazit në fillim të kohës së tij medoemos. E rëndësishme është të falet namazi pa i dalë koha, se a e fal në fillim, në mes apo afër fundit të kohës, kjo është e lejuar. Gruaja nuk konsiderohet neglizhente në këtë rast.”
Mendimi i dijetarëve të cilët thonë se e ka detyrë t’a fale namazin kur të pastrohet, bazohet te argumenti se kur hyri koha e namazit gruaja ishte e pastër. Dhe dihet që kur hy koha e namazit, obligohet falja e tij. Duke qenë se ajo ishte e pastër kur hyri koha, atëherë ajo e ka obligim faljen e namazit, por meqë nuk e ka falur namazin deri kur i erdhën të përmuajshmet, atëherë ajo e ka obligim t’a fale atë namaz pasi të pastrohet nga të përmuajshmet. Këtë mendim e ka Ibn Uthejmini rahimehull-llah.
Mendimi i dijetarëve të cilët thonë se nuk e ka detyrë faljen e namazit, ka të bëjë me faktin se me të vërtetë obligohet falja e namazit në kohën e tij, ama falja e namazit duhet bërë brenda kohës së lejuar e cila është nga fillimi deri në fund të kohës dhe nuk ka argument që e obligon gruan t’a fale namazin në fillim të kohës. Si argument sjellin fjalën e Profetit صلى الله عليه وسلم ku thotë:
“Kush e arrin një rekat të namazit para se të linde dielli, ai e ka arritur namazin e sabahut.”
Koha është prej kur hyn deri në një rekat para se të dale koha. Pra, gruaja e ka të lejuar t’a fale namazin qoftë në fillim apo në fund të kohës së tij dhe nuk ka asnjë argument që e obligon faljen e namazit sapo të hyje koha e namazit, ose 10 minuta më pas, 20 minuta më pas etj. Nuk ka argument!
Përderisa nuk e ka obligim t’a fale namazin në fillim të kohës apo gjatë saj, por e ka obligim t’a fale para se t’i dale koha namazit, atëherë ajo nuk e ka obligim t’a fale namazin edhe pasi të pastrohet nga cikli.
Pra, kur gruaja nuk e kishte obligim faljen e namazit në fillim të kohës sa ishte e pastër, atëherë si e ka obligim faljen e namazit pasi të pastrohet?
Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah thotë: “Më e përafërta është që gruaja nuk obligohet t’a fale namazin pasi të pastrohet, sepse ajo ka qenë brenda kohës së lejuar dhe nuk e ka patur detyrë faljen e namazit kur ishte e pastër në fillim të kohës. Nëse e fal nuk ka problem, porse nuk e ka detyrë.”
Të njejtën gjë thotë edhe shejkh Feuzani All-llahu e ruajt: “Nuk obligohet me gjë.”
Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: “Nuk obligohet me e fal namazin pasi të pastrohet dhe as nuk është gjynahqare pse nuk e ka falur atë. Madje nëse ka bërë nijet me e bashku namazin e drekës me ikindinë dhe të përmuajshmet i vijnë në kohën e ikindisë, nuk ka gjynah dhe as nuk obligohet me e fal as namazin e drekës dhe as të ikindisë kur të pastrohet.”
Arsyeja është se kur bëri nijetin për t’a bashkuar namazin e drekës me të ikindisë, atëherë këto dy kohë u bënë një kohë dhe marrin të njejtin gjykim. Përderisa nuk falet namazi i ikindisë pasi të pastrohet, atëherë nuk falet as namazi i drekës i cili u fut te namazi i ikindisë me nijetin e bashkimit.
Rregull: Dijetarët thonë se llogaritet te koha më afër ndodhisë. Këtë rregull e përmend Zerkhashi në librin e tij ‘fil menthuri fil kauaid’ dhe Sujuti në librin e tij ‘el eshbe ue nedhair’.
Shembull: një grua bie gjumë para kohës së drekës. Ajo zgjohet nga gjumi në kohën e ikindisë, pak para akshamit. Kur zgjohet nga gjumi ajo shikon që i kanë ardhur të përmuajshmet. Atëherë ajo do llogarise se periodat i kanë ardhur në kohën kur u zgjua nga gjumi e cila është koha e ikindisë, sepse kjo është koha më afër ndodhisë (periodave).
Meqë periodat i shikoi në kohën e ikindisë dhe drekën nuk e ka falur akoma, atëherë pasi të pastrohet do e fale vetëm namazin e drekës dhe jo të ikindisë. Sepse për namazin e drekës konsiderohet që është e pastër dhe namazi i drekës i iku për shkak të gjumit (i cili është justifikim sheriatik), kështu që e fal namazin e drekës pasi të pastrohet.
Me të njejtin rregull gjykohet edhe agjërimi.
Shembull: gruaja bie në gjumë pasi fal namazin e drekës dhe ngrihet nga gjumi pasi ka hyrë akshami. Ajo është agjërueshëm dhe kur ngrihet shikon që i kanë ardhur periodat.
Rregulli thotë se ndodhia (periodat) llogaritet te koha më e afërt. Koha më e afërt është koha e akshamit sepse atëherë e shikoi gruaja që i kanë ardhur të përmuajshmet. Meqë të përmuajshmet i kanë ardhur pas akshamit, atëherë agjërimi i saj është i saktë. Kështu thotë edhe shejkh Ibn Uthejmini rahimehull-llah.
Kur gruaja pastrohet pasi ka hyrë koha e agimit (sabahut), atëherë ajo obligohet t’a fale vetëm namazin e sabahut dhe jo namazet që kanë kaluar. Ka unanimitet tek dijetarët.
Nëse gruaja pastrohet pasi ka lindur dielli, atëherë ajo nuk fal asnjë namaz, sepse sabahut i ka dal koha. Ka unanimitet tek dijetarët.
Nëse gruaja pastrohet kur të hyje koha e namazit të drekës, ajo e ka detyrë të fale namazin e drekës, por jo namazet që kanë kaluar para drekës. Ka unanimitet tek dijetarët.
Nëse gruaja pastrohet pasi ka hyrë koha e namazit të akshamit, ajo e ka detyrë të fale namazin e akshamit dhe jo namazet që kanë kaluar. Ka unanimitet tek dijetarët.
Nëse gruaja pastrohet pasi ka hyrë koha e namazit të ikindisë dhe para namazit të akshamit, ka mospajtim tek dijetarët.
Mendimi i parë është mendimi i shumicës së dijetarëve të cilët thonë:
Ibn Tejmije rahimehull-llah thotë: “Thonë sahabët si Abdurrahman ibn Auf dhe të tjerë: nëse gruaja me të përmuajshme pastrohet para lindjes së agimit (sabahut), ajo fal akshamin dhe jacinë. Nëse pastrohet para akshamit, fal drekën dhe ikindinë.
Vazhdon Ibn Tejmije duke thënë: Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve si Imam Malik, Shafi’u dhe Ahmedi.”
Këta dijetarë, në realitet, ata bazohen në faktin se koha e namazit të dytë është koha e namazit të parë në rast nevoje dhe kur ka arsye.
Shembull: në udhëtim koha e namazit të drekës dhe ikindisë bëhen një kohë për atë i cili do t’i bashkoje namazet. E njejta vlen dhe për kohën e namazit të akshamit dhe jacisë. Këto dy kohë, bëhen një kohë dhe gruaja me të përmuajshme konsiderohet me justifikim sheriatik sipas dijetarëve që kanë këtë mendim.
Disa dijetarë thonë se nuk ka prej sahabëve që e kanë kundërshtuar këtë fjalë (All-llahu e di më së miri nëse kjo është e saktë) dhe në këtë rast kemi të bëjmë me unanimitet të heshtur – kjo do të thotë se të gjithë sahabët kanë mendimin se nëse gruaja pastrohet para sabahut, ajo duhet t’a fale namazin e akshamit dhe jacisë dhe nëse ajo pastrohet para akshamit, duhet t’a fale namazin e drekës dhe ikindisë.
Mendimi i dytë është mendimi i dijetarëve të cilët thonë se gruaja obligohet të fale vetëm namazin e kohës në të cilën ajo u pastrua.
Thotë Ibn Uthejmini: “Nëse pastrohet në kohën e jacisë, ajo obligohet t’a fale vetëm namazin e jacisë dhe jo të akshamit. Nëse pastrohet në kohën e ikindisë, ajo fal namazin e ikindisë dhe jo namazin e drekës. Gruaja obligohet të fale vetëm namazin në kohën e të cilit ajo është pastruar!”
Mendimi i dytë, i pakicës së dijetarëve është më afër të saktës duke u bazuar:
Gruaja me të përmuajshme, pasi të pastrohet, e ka obligim të fale vetëm namazin në kohën e të cilit u pastrua.
Edhe pse shumica e dijetarëve thonë të kundërtën, tek mendimi i tyre nuk qetësohet zemra dhe sqarimi u bë më sipër.
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم