:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Ka disa të cilët udhëtojnë për në Medine me qëllimin kryesor që të vizitojnë xhaminë Kuba, për të falur dy rekate të cilat kanë shpërblimin e umres.
Ky udhëtim me këtë qëllim nuk është i lejuar, ashtu sikurse udhëtimi për të vizituar varrin e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Sepse hadithi ‘’Nuk lejohet udhëtimi përveç në tre xhamia..’’ siç përmenda në temën para kësaj, ndalon udhëtimin për te xhamitë e tjera, dhe në këtë ndalesë futet edhe xhamia Kuba.
Thotë Ibn Tejmije:
بل لو سافر الى قباء من دويرة أهله لم يجز، و لكن لو سافر الى المسجد النبوي ثم ذهب منه الى قباء فهذا مستحب ، كما يستحب زيارة قبور أهل البقيع و شهداء أحد.
“Nëse udhëton nga shtëpia e tij për në xhaminë Kuba, nuk lejohet.
E nëse udhëton për në xhaminë e Profetit, pastaj nga aty shkon për te xhamia Kuba, kjo është e pëlqyer, ashtu sikurse është e pëlqyer vizita e varreve të Baki-es dhe dëshmorëve te Uhudit.”
Pra, udhëtimi për të vizituar Medinen duhet të jetë me nijetin dhe qëllimin kryesor për të vizituar xhaminë e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem. Dhe jo me qëllimin për të vizituar varrin e Profetit, apo Xhaminë Kuba, apo xhamitë tjera në Medine, apo për të shkuar në Uhud.
Nëse pas qëllimit kryesor që është vizita e xhamisë së Profetit, bën nijetin edhe për të vizituar varrin e Profetit, xhaminë Kuba, dhe dëshmorët e Uhudit lejohet.
Thotë Shejkh Bin Bazi:
فتدخل زيارة القبر الشريف و قبر أبي بكر و عمر و الشهداء و أهل البقيع تبعا لذلك، و إن نواهما جاز ؛ لأنه يجوز تبعا ما لا يجوز استقلالا.
“Vizita e varrit të Profetit, të Ebu Bekrit dhe Umerit, dëshmorëve të Uhudit dhe varreve të Baki-as futet si pasuese (e nijetit që është vizita e xhamisë së Profetit). Nëse bën nijet për t’i vizituar edhe ato, lejohet.
Lejohet në formë pasimi (dhe ndjekje), ajo ç’farë nuk lejohet në formë të pavarur (të veçantë).’’
Nijeti në formë të pavarur dhe të veçantë në këtë rast, është nijeti dhe qëllimi kryesor për të cilin udhëton, që është vizita e xhamisë.
Nëse këtë nijet (qëllim kryesor) e pason me mendimin dhe nijetin që kur të vizitoj xhaminë e Profetit, do vizitoj edhe varrin e Profetit dhe xhaminë Kuba, lejohet.
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم