:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me këtë çështje.
Një pjesë e dijetarëve thonë se nuk është detyrë përmendja e emrit të All-llahut kur therim bagëtinë (atë kafshë apo shpend mishi i të cilit lejohet të hahet). Por është e pëlqyeshme.
Që do të thotë se: lejohet ai mish që e ther besimtari qoftë edhe pa Bismil-lah. Këta bazohen në disa argumente që do i përmendim më poshtë:
Hadithi të cilin e transmeton Bukhari (hadith i saktë) ku tregon:
‘’Një skllave e Ke’ab bin Malik po ruante delet e Ke’abit. Një dele u dëmtua dhe gati po ngordhte. Ajo mori një rrasë guri dhe e theri. Ke’abi tha: mos hani deri sa të pyesim Profetin ﷺ. Profeti ju tha: Hani prej saj.’’
Këta dijetarë thonë: në këtë hadith nuk përmendet që skllavja ka thënë Bismil-lah kur e theri delen dhe kjo do të thotë se nuk është detyrë përmendja e emrit të All-llahut kur therim bagëtinë.
Përgjigjja në lidhje me këtë është:
Me të vërtetë në hadith nuk përmendet që ajo ka thënë Bismil-lah, ama nuk përmendet edhe që nuk e ka thënë. Fakti që nuk tregohet se e ka thënë, nuk do të thotë që nuk e ka thënë.
Ky hadith i përmban të dy rastet, (dy mundesit) dhe si i tillë nuk qëndron si argument, por bie, dhe nuk mund të argumentohesh me të për shkak se i përmban të dy mundësitë.
Hadithi që transmeton Bejhakiu ku tregon se Profeti ﷺ ka thënë:
‘’Muslimanit i mjafton emri i tij. Nëse harron me e përmend emrin e All-llahut, t’a përmende emrin e All-llahut (kur të filloj me ngrënë) dhe le të haje’’.
E para ky hadith nuk është i saktë, sepse nuk e ka thënë Profeti ﷺ siç thonë shumë prej dijetarëve të hadithit. Si i tillë nuk lejohet argumentimi me të. Dijetarët e hadithit thonë se kjo është fjala dhe mendimi i Ibn Abbasit radijAll-llahu anhu.
E dyta, edhe nëse do ishte i saktë, hadithi nuk tregon se lejohet ai mish që është therur pa Bismil-lah, por hadithi tregon se nëse muslimani harron t’a thotë, s’ka problem, le t’a thotë kur të haje.
Kur muslimani besimtar harron me thënë Bismil-lah kur e ther bagëtinë, mishi është hallall, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve dhe kjo duke u bazuar në hadithin:
‘’All-llahu ia ka falur dhe toleruar ummetit tim harresën (kur harron) dhe gabimin pa dashje (pa qëllim)’’.
Ama nëse ai kujtohet dhe nuk e thotë me qëllim, atëherë në këtë rast ka gabuar me qëllim, dhe si i tillë, nuk tolerohet dhe nuk pranohet (nuk hahet) mishi i tij.
Hadithi ku thuhet:
‘’Ajo që ther muslimani është hallall, si në rastin kur e përmend emrin e All-llahut, dhe si në rastin kur nuk e përmend emrin e All-llahut.’’
Ky hadith nuk është i saktë siç thonë dijetarët e hadithit dhe përderisa nuk është i saktë, nuk lejohet argumentimi me të.
Hadithi qe transmeton Buhari dhe Muslimi nga Aishe radijAll-llahu anhe e cila thotë:
‘’Disa njerëz thanë: O i Dërguar i All-llahut! Disa njerëz (beduinë) të ri në Islam, na sjellin mish, por ne nuk e dimë a e kanë permendur emrin e All-llahut apo jo? Profeti ﷺ tha: përmendeni emrin e All-llahut dhe hani.’’
Dijetarët që kanë këtë mendim thonë se ky hadith është argument se përmendja e emrit të All-llahut kur therim kafshën nuk është detyrë, dmth: lejohet të hash mishin që ther muslimani pa përmendur emrin e All-llahut, sepse sikur të ishte detyrë nuk do ishte e lejuar ngrënia e tij derisa të sigurohen.
Por, shumica e dijetareve thonë se ky argumentim i tyre me këtë hadith nuk është i saktë. Përkudrazi ky hadith përforcon faktin se duhet patjetër të përmendet emri i All-llahut kur therim bagëtinë.
Sahabët e kanë kuptuar që therja me Bismil-lah duhet me patjetër, prandaj ata u shqetësuan dhe erdhën të pyesnin Profetin ﷺ nga frika.
Profeti i qetësoi duke iu thënë: ‘thoni ju Bismil-lah dhe hani.’
Kjo tregon se përderisa mishi ka ardhur nga muslimani, atëherë nëse një musliman i ri nuk e di gjykimin e therjes me Bismil-lah, mishi i tij lejohet, sepse justifikohet me injoranci. Nëse e di, por harron, atëherë ai justifikohet me harresë.
Nëse Profeti do kishte për qëllim t’iu tregoje se nuk ka problem nëse nuk thonë Bismil-lah kur e therin kafshën (siç mendojnë një pjesë e dijetarëve), atëherë do iu thonte që nuk ka problem nëse nuk përmendet emri i All-llahut.
Prandaj, edhe ky hadith ashtu si hadithet tjera, nuk është argument që tregon se lejohet mishi i bagëtisë e cila eshte therur pa Bismil-lah (me vetëdije) nga muslimani.
Ajeti Kur’anor i cili thotë:
‘’DHE USHQIMET E ITHTARËVE TË LIBRIT JANË TË LEJUARA PËR JU.’’ [Ajeti 5, Surja Maaide]
‘’USHQIMET’’ është për qëllim mishi që therin jehudët dhe të krishterët.
Dijetarët që kanë këtë mendim thonë se nga ky ajet kuptohet se: përderisa mishi që therin ithtarët e librit pa Bismil-lah lejohet, atëherë mishi që therin muslimanët pa Bismil-lah është edhe më i lejuar. Madje thonë se ky ajet na jep të kuptojmë se mishi që theret pa Bismil-lah lejohet. Sepse sikur mos t’u lejonte, atëherë nuk do lejohet as mishi i ithtarëve të librit, duke e ditur se ata nuk thonë Bismil-lah.
Përgjigjja në lidhje me këtë është:
Ajeti Kur’anor nuk përmend therjen e tyre të bagëtive pa përmendjen e emrit të All-llahut. Prandaj duke u nisur nga kjo, dijetarët janë në mospajtim.
Shumë prej tyre thonë se mishi që therin ata pa Bismil-lah nuk hahet.
Disa dijetarë thonë se jehudët dhe të krishterët në kohën e Profetit ﷺ e përmendnin emrin e All-llahut gjatë therjes së kafshës.
Thotë Ibn Kethiri në tefsirin e tij:
و هذا أمر مجمع عليه بين العلماء : أن ذبائحهم حلال للمسلمين ؛ لأنهم يعتقدون تحريم الذبح لغير الله و لا يذكرون على ذبائحهم إلا اسم الله.
“Kanë rënë dakord dijetarët se ajo që therin ata (jehudët dhe të krishterët) është hallall për muslimanët, sepse jehudët dhe të krishterët besojnë se nuk lejohet të therësh për dikë tjetër përpos All-llahut, si dhe kur therin bagëtinë, apo ç’farë do që i hahet mishi, ata nuk përmendin përveç se emrin e All-llahut.”
Pra sipas këtyre dijetarëve jehudët dhe të krishterët e përmendnin emrin e All-llahut kur thernin bagëtitë.
Prandaj duke u nisur nga kjo, ka dijetarë të cilët thonë se nuk lejohet mishi i tyre pa përmendjen e emrit të All-llahut.
Ndërsa shumë dijetarë të tjerë thonë se lejohet mishi i tyre edhe nëse nuk e përmendin emrin e All-llahut.
Ky kundërshtim i dijetarëve na jep të kuptojmë se në ajet nuk përcaktohet qartë se a lejohet mishi i tyre që therin pa Bismil-lah apo jo.
Dhe përderisa ajeti në lidhje me këtë nuk tregon diçka të qartë se a hahet mishi i tyre pa permendur emrin e All-llahut, apo jo, atëherë si mund të bazohemi në të dhe të themi se meqenëse të krishterëve ju hahet mishi kur e therin pa Bismil-lah, ateherë përmendja e All-llahut kur therim bagëtinë nuk është detyrë dhe si e tillë, lejohet mishi i cili është therur pa Bismil-lah.
Pra, si mund të bazohemi në atë që nuk është e qartë dhe të rrëzojmë me të, ato argumente të qarta të cilat urdhërojnë të përmendet emri i All-llahut kur therim bagëtinë, dhe të cilat ndalojnë të hamë atë mish që është therur pa përmendur emrin e All-llahut (pa Bismil-lah).
Argumentat të cilat urdhërojnë që të përmendet emri i All-llahut kur therim, apo kur gjuajmë në gjueti, apo kur lëshojmë qenin për të kapur prenë, janë të shumta. Prej tyre:
Ajeti Kur’anor i cili thotë:
{فكلوا مما ذكر اسم الله عليه}
‘’Hani prej atij mishi në të cilin është përmendur emri i All-llahut kur është therur.’’
Thotë Ibn Kethiri në shpjegimin e këtij ajeti:
“Kjo do të thotë se mishi në të cilin nuk është përmendur emri i All-llahut kur është therur, nuk hahet”
Thotë Shejh Seadi në tefsirin e tij:
“All-llahu urdhëron besimtarët që të hanë prej atij mishi që është therur me përmendjen e emrit të All-llahut.”
Ajeti Kur’anor:
{و ما لكم ألا تأكوا مما ذكر اسم الله عليه و قد فصل لكم ما حرم عليكم}
‘’Ç’farë ju ndalon që të mos hani prej atij mishi në të cilin është përmendur emri i All-llahut kur është therur?’’ [Ajeti 119, surja En’aam.]
Thotë All-llahu ﷻ pas këtij ajeti, në ajetin 121:
{و لا توكلوا مما لم يذكر اسم الله عليه}
‘’Mos hani prej atij mishi në të cilin nuk është përmendur emri i All-llahut kur është therur.’’
Ky ajet është shumë i qartë! Ai tregon qartë se nuk lejohet mishi i cili është therur pa Bismil-lah.
Si mund t’a lejmë këtë argument të qartë i cili ndalon të hahet mishi i cili është therur pa Bismil-lah?
Me pretendimin se [ajeti 5 në suren el Maide] e lejon mishin e të krishterëve që e therin pa Bismil-lah, ndërkohë që ai ajet nuk e përmend këtë?!
Ajeti 5 i sures el Maide, maksimumi që mund të themi është se ky ajet na jep me NËNKUPTU se nuk është detyrë përmendja e emrit të All-llahut kur therim bagëtinë apo çdo gjë të cilës i hahet mishi.
Ndërsa ajeti 121 i sures En’am qartas tregon, PA NËNKUPTIM, se nuk lejohet ngrënia e atij mishi që theret pa Bismil-lah.
Ajo që është e qartë dhe e drejtpërdrejtë është më parësore në argumentim se ajo që nuk është e qartë, por nënkuptohet.
Ata që e lejojnë mishin i cili theret pa Bismil-lah thonë se ajeti:
‘’Mos hani prej atij mishi në të cilin nuk është përmendur emri i All-llahut kur është therur.’’
ka për qëllim mishin që është therur në emër të dikujt tjetër përpos All-llahut.
Por, kjo nuk është e saktë, sepse All-llahu e ka sqaruar këtë në një ajet tjetër ku thotë:
{حرمت عليكم الميتة و الدم و لحم الخنزير و ما أهل لغير الله به}
‘’Është bërë haram për ju ngordhësira, gjaku i derdhur, mishi i derrit, dhe ç’farë theret duke përmend emrin e dikujt tjetër pos emrit të All-llahut.’’
Në këtë ajet e ka sqaruar këtë që thonë ata. Në këtë ajet ka sqaruar që nuk lejohet të hahet ai mish që theret duke përmend emrin e dikujt tjetër pos emrit të All-llahut.
Ndërsa në ajetin:
‘’mos hani prej atij mishi në të cilin nuk është përmendur emri i All-llahut kur është therur.’’
All-llahu na tregon gjykim shtesë: na tregon që edhe pse mishi nuk është therur me emrin e dikujt tjetër pos emrit të All-llahut, përsëri mos e hani, derisa t’a dini që është therur me emrin e All-llahut.
All-llahu na e tregon këtë ashtu që mos të mendoje dikush se vetëm nëse theret me emrin e dikujt tjetër është haram, ama nëse nuk e përmend emrin e askujt, lejohet.
All-llahu në këtë ajet na e bën të qartë që nëse nuk përmendet emri i All-llahut kur e ther bagëtinë, nuk lejohet ngrënia e atij mishi. Këtë e përforcojnë edhe argumente tjera si:
Fjala e Profetit ﷺ:
((ما أنهر الدم و ذكر اسم الله فكل))
‘’Ajo që theret (i derdh gjakun) dhe përmendet emri i All-llahut kur theret, haje.’’
[BUKHARI & MUSLIMI]
Ky hadith tregon qartë se nëse e përmend emrin e All-llahut lejohet ngrënia e mishit, por nëse nuk e përmend emrin e All-llahut kur e ther, atëherë nuk lejohet ngrënia e mishit.
Hadithi që transmeton Buhari dhe Muslimi nga Ebi Thealebe, të cilit i tha Profeti ﷺ:
‘’Atë (kafshë) që e ke qëlluar me harkun tënd dhe e ke përmend emrin e All-llahut për të, atë që e ka kapur qeni jot i gjahut dhe e ke përmend emrin e All-llahut për të, dhe atë që e ka kapur qeni yt jo i gjahut (qen që nuk është mësuar për gjueti) nëse e arrin të gjallë dhe e ther.’’
Pra, Profeti ia lejoi atë që gjuan me harkun e tij, apo atë që kap qeni i tij i gjuetisë nëse përmend emrin e All-llahut.
Hadithi Adij Bin Hatim të cilin e transmeton Buhari dhe Muslimi
‘’I tha Profetit ﷺ: Unë e lëshoj qenin tim të gjuetisë pas presë.
Profeti i tha: Kur e lëshon qenin (për të kapur prenë) dhe përmend emrin e All-llahut për të (për prenë) haje.
I tha: po nëse qeni ka ngrënë prej tij? Tha: mos ha, sepse (në këtë rast) qeni e ka kap për vete, jo per ty.
I tha: e lëshoj qenin pas presë dhe gjej bashkë me të një qen tjetër?
Tha: mos ha, sepse ti ke përmend emrin e All-llahut për qenin tënd (për atë që do kape qeni yt) dhe jo për qenin tjetër.’’
Ky hadith tregon qartë se është detyrë përmendja e emrit të All-llahut ashtu që të lejohet mishi.
Profeti i tha: ‘’kur lëshon qenin dhe përmend emrin e All-llahut atëherë haje (atë kafshë që e ka kap qeni për ty)’’
Që do të thotë se nëse nuk përmend emrin e All-llahut, mos e ha.
Po ashtu e ndaloi mishin e presë, nëse gjendet te ajo qen tjetër, prej frikës se mund t’a ketë kapur qeni tjetër dhe jo qeni i tij.
Përse? Sepse për qenin e tij ka then Bismil-lah.
Kjo tregon qartë se është detyrë përmendja e emrit të All-llahut (thënia Bismil-lah) kur therim bagëtinë apo çdo gjë që i hahet mishi. Dhe se, nuk lejohet të hahet ai mish i cili nuk është therur me Bismil-lah.
Ky hadith tregon qartë se sikur thënia Bismil-lah të ishte e pëlqyer dhe jo detyrë kur e therim bagëtinë, siç mendojnë disa, atëherë Profeti nuk do e privonte nga ushqimi për të dhe familjen e tij.
Hadithi të cilin e transmeton Muslimi:
‘’Disa xhin musliman kanë ardhur te Profeti ﷺ dhe kanë kërkuar prej tij ushqim shtesë. Profeti iu tha:
Ju lejohet çdo kockë e cila është therur me përmendjen e emrit të All-llahut (me Bismil-lah).
Kur ju e merrni atë (dmth: kur ju e gjeni dhe e merrni në dorë për t’a ngrënë) ai mbushet me mish.’’
Ky hadith tregon se nëse është therur pa Bismil-lah, ai asht (kockë) nuk lejohet dhe nuk mund të përfitojnë prej tij. (Dmth: nuk ju mbushet ajo kockë me mish sepse nuk është thënë Bismil-lah kur është therur)
Këto argumente tregojnë se përmendja e emrit të All-llahut (thënia Bismil-lah) kur therim bagëtinë apo ç’farë do që i hahet mishi, është obligim dhe nuk lejohet të hahet ai mish që është therur pa përmendur emrin e All-llahut.
Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
Ky është mendimi i Hanefive, Malikive dhe Hanbelive.
Ky është mendimi i Ibn Tejmijes.
Ky është mendimi i të gjithë imamllarëve (dijetarëve të mëdhenj) të kohëve tona si Bin Bazi, Albani, Ibn Uthejmini, Feuzani, etj.
—————–
KUJDES!
Kur themi musliman, është fjala për musliman besimtar dhe jo siç thonë disa: mjafton të deklaroje se është musliman. Kjo është gabim, sepse ne e dimë shumë mirë se pjesa më e madhe e atyre që deklarohen si muslimanë këtu në Shqipëri, nuk e dinë shehadetin.
Ne, të gjithë e dimë se nuk ka Islam dhe as Iman pa shehadetin.
Si mund t’i thuash musliman, një personi i cili nuk e thotë dhe as nuk e di shehadetin?!
Shtesë kësaj, një pjesë e madhe që deklarojnë se janë muslimanë, nuk besojnë në Kur’an dhe thonë: fetë janë politikë. Nuk besojnë në ringjalljen etj.
Musliman është vetem ai i cili dëshmon shehadetin me kushtet e shehadetit.
Këtu në Shqipëri duke pasur parasysh këtë realitet, nuk lejohet t’i themi musliman çdo personi që thotë jam musliman, por vetëm atij personi qe e njohim vetë që është musliman, ose dëshmon për të një besimtar, i cili e njeh atë si musliman besimtar.
Po ashtu, edhe jehudiu dhe i krishteri duhet të jenë besimtarë në fenë e tyre, sepse sot siç e dimë në shumë vende, sidomos në ato europiane, shumë të krishterë nuk besojnë në fenë e tyre, shumë prej tyre janë ateistë.
Nëse ai nuk beson në fenë e vet, ai nuk quhet jehudi apo i krishterë, edhe nëse thotë jam i krishterë apo jehudi. Dhe si i tillë nuk futet te ata qe ju hahet mishi.
Plus kësaj, duhet të kemi kujdes te mënyra e therjes se mishit.
Duke e ditur se atje nuk therin kasapët në dyqanet e tyre, siç ka qenë dikur. Sot i therin në kasaphane të mëdha. All-llahu e di se si.
Tregohet se i mbysin me korent apo me plumb.
Vetë nuk e kam shikuar, por dëshmojnë shumë që i kanë shikuar.
Po ashtu sa u përket fabrikave të tyre të përpunimit të mishit, ka fjalë shumë.
Duhet të kemi kujdes sepse duke patur parasysh realitetin e këtyre vendeve të krishtera, nuk mund të ecësh me origjinën dhe të thuash lejohet i gjithë mishi që therin ata dhe që përpunojnë ata.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم