A lejohet bërja e më shumë se një umre në një udhëtim?

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

SA I PËRKET BËRJES SË UMRES DISA HERË, SECILA HERË, ME UDHËTIM TË VEÇANTË

Bërja e Umres disa herë në vit, apo disa herë në muaj, lejohet.

Thotë Ibn Abdul Ber-r:
“Nuk ka argument që e ndalon bërjen e Umres disa herë në vit.”


Neueuijju thotë:
“Nuk qortohet bërja e Umres një herë në vit, apo dy herë, apo tre herë, apo më shumë. Dhe kjo me unanimitetin e të gjithë dijetarëve të medhhebit tonë.”
[El Mexhmu]


Thotë Ibn Kudame në [El Mugni]:
“Nuk ka gjë bërja e Umres disa herë në vit. Është transmetuar kjo nga Aliu, Ibn Umeri, Ibn Abbasi, Enesi, Aisheh,  Atau, Tauusi, Ikrimeh dhe Shafiu.”


Thotë Ibn Kudame në [El Mugni]:
“Ka thënë Aliu radijall-llahu anhu: (në çdo muaj bëhet Umreh).” -F-
(Dmth: bën që të bësh Umreh, ose me kuptimin: pëlqehet të bësh Umreh çdo muaj)


Thotë Ibn Kudame në [El Mugni]:
“Ka thënë Atau (Tabin i njohur): Nëse dëshiron, mundet (lejohet) të bëj Umre dy herë në muaj).”


Thotë San’ani në [Subuls- Selam] në lidhje me Hadithin ((Nga Umre në Umren tjeter..)):
“Ky hadith është argument që e lejon bërjen e Umres disa herë, dhe se kjo nuk është e qortueshme, si dhe nuk ka kufizim (kohor).”


Shejkh Bin Bazi, Albani, Ibn Uthejmini, Feuzani etj, e konsiderojnë të lejuar bërjen e Umres disa herë në vit. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.


Thotë shejkh Ferkuzi:
“Shumica e dijetarëve e konsiderojnë të pëlqyer bërjen e Umres disa herë në vit.”
[Faqja zyrtare e shejkh Ferkuzit]

 

Disa dijetarë thonë: është e qortuar bërja e Umres më shumë se një herë në vit, kjo duke u bazuar në atë se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nuk ka bërë më shumë se një Umre (në vit).

Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të medhhebit Maliki,
si dhe mendimi i Hasen El Basri, Ibn Sirini dhe En-Nekhi, sipas asaj qe thuhet dhe transmetohet prej tyre (All-llahu e di më së miri).

Mendimi më i saktë është mendimi i shumicës, i cili e lejon bërjen e më shumë se një Umreh në vit.

Secila Umreh me udhëtim të veçantë për të.

 

 

● BËRJA E DY APO MË SHUMË UMREVE NË NJË UDHËTIM


Sa i përket bërjes së disa Umreve në një udhëtim.
Dmth: bën një Umreh, pastaj del jashtë zonës së Haremit, apo te Xhamia e Aishes, dhe hyn për të bërë Umreh tjetër, siç veprojnë shumë njerëz.

Në lidhje me këtë veprim ka mospajtim ndërmjet dijetarëve.

-Një pjesë e dijetarëve e lejojnë këtë, duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijall-llahu anha)

E cila kur u nis për Haxh me të Derguarin e All-llahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem), afër Mekkes i erdhën të përmuajshmet, Profeti i tha:

(( Vepro çdo gjë që veprohet në Haxh, përpos të mos falesh dhe të mos bësh Tavaf.
Aishe u pastrua në ditën e Arafatit, dhe arriti t’a bëje të gjithë haxhin e plotë.
Kur Profeti (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) bashkë me shokët e tij u bënë gati për t’u kthyer në Medine,    Profeti e pa Aishen duke qajtur, i tha: Ç’farë ke? Tha: njerëzit kthehen me Umreh dhe Haxh, ndërsa unë vetëm me Haxh. Profetit i erdhi keq, dhe i tha që të dilte në Ten’ijm (vend jashtë Haremit, distanca e tij me Mekken është më afër se çdo vend tjetër, prej vendeve në kufinjtë e Haremit) dhe urdhëroi vëllain e saj Abdur-rahmanin t’a shoqëroje.
Aishe (radijall-llahu anha) doli jashtë Haremit, pastaj hyri për të bërë Umren…
E bëri Umren, dhe pastaj u nisën për në Medine.))
[Buhariu dhe Muslimi]


Thonë: ky hadith tregon se lejohet bërja e më shumë se një Umreh në një udhëtim.
Dmth: bën një Umreh, pastaj del te xhamia e Aishes dhe futet për të bërë Umreh tjetër.

Ky është mendimi i Imam Shafiut dhe i shumë dijetarëve të tjerë.
— pretendohet se ky është mendimi i shumicës së dijetarëve–

Ky është mendimi i Shejkh Bin Bazit, Feuzanit dhe ky është mendimi i Lexhnes.



-Disa dijetar
ë tjerë e konsiderojnë të pa pëlqyer këtë veprim.

Thotë Ibn Uthejmini:
“Ka thënë Ibn Tejmije: kjo gjë (dmth: bërja e disa Umreve në një udhëtim) është e papëlqyer me unanimitetin e gjithë Selefit.” – F-

Në një vend tjetër po në [Mexhmu El Fetawa] Ibn Tejmije e konsideron Bidat.



-Disa dijetar
ë tjerë e konsiderojnë të ndaluar dhe Bidat.

Ibn Uthejmini në disa fetua e konsideron këtë veprim Bidat. Ai thotë:
“Kjo është Bidat. Nuk e kanë vepruar të parët tanë të mirë (selefi).”

Dhe thotë: “Profeti ka qëndruar në Mekke 19 ditë duke qenë Ramazan, dhe nuk ka dal në Ten’ijm, për t’u futur pastaj për të bërë Umreh.” -F-

Ibn Tejmije thotë: “Kjo është prej bidateve të qortueshme me dakortësinë e gjithë dijetarëve.” -F-

Ibn Tejmije ka për qëllim dijetarët e Selefit prej Sahabëve dhe Tabi’inëve.
Jo dijetarët pas tyre, kjo sepse ka shumë dijetarë pas Selefit që e lejojnë diçka të tillë.

Ibnul Kajjimi e konsideron të ndaluar dhe thotë: “Këtë gjë nuk e ka vepruar askush prej të parëve tanë.”

Thotë: “Profeti ka qëndruar në Mekke 19 ditë kur e çliroi atë dhe nuk ka dal në Ten’ijm, për të hyr pastaj (dmth: për të bërë nijetin) për Umreh.”
[Zedul Mead]


Shejkh Albani, dihet mendimi i tij, e konsideron të ndaluar këtë gjë dhe thotë që kjo nuk lejohet.
Thotë: “Nuk e ka bërë askush prej të parëve tanë.”
Thotë: “Bashkë me Profetin në atë haxh, (kur Aishe bëri Umren pas haxhin) kanë qenë 100 mijë Sahabe, dhe nuk është transmetuar nga asnjëri prej tyre, që të ketë bërë Umreh si Umren e Aishes (Umreh pas Haxhit, apo edhe Umreh pas Umreh duke qenë në Mekke — dmth: në një udhëtim).”

Thotë: “Ama nëse del nga Mekke dhe shkon në vendin tënd, apo në ndonjë vend tjetër ku ke punën, dhe dëshiron përsëri të udhëtosh për në Mekke që të bësh Umren, lejohet.” – F-


Mendimi m
ë i saktë është mendimi i atyre që thonë se nuk lejohet të bësh Umreh tjetër në një udhëtim, dhe se kjo konsiderohet bidat.


Kjo sepse:

  • Nuk e ka bërë Profeti (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem)
    Ka qëndruar 19 ditë në Mekke dhe nuk  ka dalur në Ten’ijm, për të bërë nijetin aty për Umren, pra nuk ka bërë Umreh.
    Dhe asnjëri prej shokëve të tij që kanë qenë me të, nuk e ka bërë këtë.

 

  • Hadithi dhe ndodhia e Aishes, e cila bëri Umren pas haxhit.
    Tregon se Aishe (radijall-llahu anha) nuk bëri dy Umreh.
    Nuk bëri një Umreh dhe pastaj bëri të dytën. Jo. Atëherë pse e marrin këtë hadith argument?!


Ata të cilët thonë se lejohet Umreh pas Haxhit duke u argumentuar me këtë hadith:
Argumentimi i tyre me këtë hadith nuk qëndron, sepse Umrah e Aishes pas Haxhit erdhi si pasojë e të përmuajshmeve të saj të cilat e ndaluan të bëje Umren në fillim.

Atëherë si mund të argumentohen me këtë hadith dhe të thuhet që lejohet për personin i cili bën Umren e Haxhit, dhe pastaj bën Haxhin, të bëje Umreh tjetër pas Haxhit?!

Hadithi i Aishes nuk e tregon diçka të tillë.

A e bëri Aishe radijall-llahu anha Umren e Haxhit, dhe pastaj bëri Umreh të dytë? Jo.
Atëherë pse thua Hadithi i Aishes tregon se lejohet kur të bësh një Umreh, të bësh pas saj Umreh tjetër?!

Hadithi i Aishes të vetmen gjë që tregon është: një grua (dhe kjo është vetëm për gratë) nëse i ndodh në Haxhin e saj, siç i ndodhi Aishes, i lejohet të bëje atë që bëri Aishe (radijall-llahu anha).

 

  • Asnjë prej Sahabëve burra, apo gra, nuk e ka bërë këtë.
    Me Profetin kanë qenë njëqind mijë Sahabe, ama asnjëri nuk e bëri këtë.
    Nëse do ishte e lejuar dhe e pëlqyer, a do e lenin pa e bërë Sahabët? Pa dyshim që jo.


A mendoni se disa njerëz në ditët tona, prej të cilëve ka që për 5 ditë bën 13 Umreh, është më i devotshëm, më i zellshëm në vepra të mira, se ndonjëri prej Sahabeve? Kurrë nuk është e vërtetë.

Nëse kjo do ishte e mirë, Sahabët do ishin të parët që do e bënin.

Po ashtu edhe Tabi’inët, shokët e Sahabëve, nuk ka transmetim të saktë që vërteton se dikush prej tyre e ka bërë diçka të tillë. Siç thotë Ibn Tejmije dhe Ibnul Kajjim, prej njerëzve më të dijshëm në njohjen e transmetimeve të Sahabëve dhe Tabi’ineve.

Dhe siç thotë po ashtu edhe Shejkh Albani, njeriu më i ditur i kohëve tona rreth transmetimeve të Selefit.

 

Ata që e lejojnë këtë, thonë: po, ka transmetime nga Sahabët dhe Tabi’inët që e lejojnë këtë. Prej tyre:

1) Ajo që transmeton Ibn Ebi Shejbeh nga Ummi Derda:
أن رجلا سأل أم الدرداء عن العمرة بعد الحج  فأمرته بها
“Të cilën e pyeti një burrë për Umren pas Haxhit? Ajo i tha: bëje atë.”


2) Transmeton po ashtu nga Xhabir (shok i Profetit)
سئل عن العمرة بعد الحج أيام التشريق فلم ير بها بأسا ، و قال ليس فيها هدي
“I cili u pyet për Umren pas Haxhit në ditët e teshrikut? Tha: nuk ka gjë (dmth: lejohet), por nuk ka Hed’j për të.”

Nëse i referohemi Ibn Tejmijes, dhe shejkh Albanit të cilët thonë: “Nuk ka transmetim të saktë nga Selefi”, i bie që këto transmetime të jenë të dobëta në mendimin e tyre.


3) Transmeton Imam Malik në [Muetta] nga Ur’ueh i cili tregon se:
أنه رأى عبدالله بن الزبير أحرم بعمرة من التنعيم.
“Ka parë Abdull-llah bin Zubejr (Shok i Profetit) i cili ka hyrë në Umreh nga Ten’ijmi.”

Ky transmetim, siç duket qartë, nuk tregon se Abdull-llahu ka bërë Umreh pas Haxhit, dhe as Umre pas Umres së parë.


4) Transmeton Ibn Ebi Shejbeh
عن حصين قال : سألت سعيد بن جبير عن العمرة بعد الحج بستة أيام ؟ فقال: اعتمر إن شئت.
“Nga Husajn i cili thotë: Pyeta Seid Bin Xhubejr (nxënësi i Ibn Abassit) për Umren gjashtë ditë pas Haxhit?
Më tha: bëj Umreh nëse dëshiron.”

Ky transmetim edhe nëse është i saktë nuk tregon qe Seidi e lejon bërjen e Umres pasi ke mbaruar Haxhin. Dhe as nuk tregon se lejohet të bësh Umre tjetër pasi e ke bërë Umren për të cilën je nisur nga shtëpia.

Ky transmetim siç shihet nga ana sipërfaqësore, jep të kuptoje se ai ka për qëllim kohën e Umres vullnetare pas mbarimit të kohës së haxhit, dhe jo Umren pasi ke bërë haxhin. Apo Umre tjetër pas Umres së parë në një udhëtim.

Këtë e përforcon një transmetim tjetër nga Seidi i cili thotë:
ان رجع الى ميقات أهله فاعتمر رجوت ان يكون له عمرة.
[ابت أبي شيبة]
“Nëse kthehet te Mikati i vendit të tij (dmth: te mikati në të cilin obligohet të bëje nijetin e Umres)  shpresoj që t’i konsiderohet Umreh.”
[Ibn Ebi Shejbeh]

Që do të thotë se ai duhet t’a lëre Mekken dhe të udhëtoje për te mikati i tij. Për shembull: të kthehet në Medine (në Dhul Hulejfeh), pastaj nga aty të udhëtoje për në Mekke, për Umre tjetër, me udhëtim të veçantë për të.
Pra, jo dy Umreh në një udhëtim.


5)Transmeton Ibn Ebi Shejbeh
عن ليث عن طاووس أنه سئل عن العمرة ؟ فقال : إذا مضت أيام التشريق فاعتمر متى شئت الى قابل.
“Nga Lejthi, ky nga Tauusi (shok dhe nxënës i Ibn Abassit) i cili u pyet për Umren? Tha: Kur të kalojnë ditët e Teshrikut, bëj Umreh kur të duash, deri vitin tjetër.”


Dmth: deri para Haxhit, kjo sepse kur të vije Haxhi, është obligim Umra e Haxhit, dhe Haxhi.
Ky transmetim aspak nuk tregon që Tauusi e lejon Umren pas Haxhit.
Apo Umren pas Umres duke qenë në Mekke

Ky transmetim dukshëm tregon se Tauusi tregon kohën kur fillon koha e Umres vullnetare, pas kohës së Haxhit.

Këtë e përforcojnë disa transmetime nga Tauusi të cilat do i përmend më poshtë. Prej tyre:
Ajo që tregon Ibn Tejmije i cili thotë se Tauusi ka thënë për ata që bëjnë Umreh tjetër pasi kanë bërë Umren e parë: “Nuk e di a shpërblehen, apo ndëshkohen.”


6) Transmeton Ibn Ebi Shejbeh nga Muxhahid (nxënësi i Ibn Abassit)
 أنه سئل عن العمرة بعد الحج فقال : هي خير من لا شيء.
“U pyet për Umren pas Haxhit? Tha: ajo është më mirë se asgjë.”


Nuk mund të bazohemi në këtë transmetim, sepse kemi transmetime tjera që tregojnë të kundërtën.

Ka transmetuar Ibn Ebi Shejbeh nga Tauusi dhe Muxhahid, se këta e konsiderojnë të qortueshme Umren pas Haxhit.
عن ليث عن عطاء و طاووس و مجاهد أنهم كرهوا العمرة بعد الحج.
“ATAU, TAUSSI DHE MUXHAHIDI E KONSIDEROJNË TË QORTUESHME UMREN PAS HAXHIT.”

Në një transmetim tjetër, po të Ibn Ebi Shejbeh nga ATAU, TAUUSI dhe MUXHAHID se kanë thënë:
لا عمرة إلا عمرة ابتدأت بها من أهلك .
“Nuk ka Umreh përveç atë Umreh që e ke bërë nijet kur ke dalë nga shtëpia.”


Pra, shohim që këto transmetime të cilat i sjellin si argument nuk qëndrojnë.
Ose nuk janë transmetime të sakta.
Ose ka transmetime tjera që tregojne të kundërtën, ku lënë të kuptojnë se ndoshta kanë ndryshuar mendim.


All-llahu i Lartësuar e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: