:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
■ SA DUHET TË JETË NUMRI I DËSHMITARËVE TË CILËT POHOJNË SE KANË SHIKUAR HËNËN, QË TË KONFIRMOHET SHIKIMI I HËNËS?
Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me numrin e tyre.
Mendimi i Parë:
Disa prej dijetarëve, prej tyre Imam Malik, El-lejth, Euzai, etj, thonë: duhen patjetër dy dëshmitarë, si për hënën (hyrjen) e Ramazanit, ashtu edhe për hënën e Sheualit (daljen e Ramazanit), duke u bazuar në hadithin:
و إن شهد شاهدان ذوا عدل فصوموا و أفطروا
((Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë të besueshëm (ADL) atëherë agjëroni (mbi bazën e dëshmisë së tyre). Dhe mbylleni muajin e agjërimit -mbi bazën e dëshmisë së tyre-))
[Nesaiu, etj, Albani e konsideron Sahih (Sahih En-Nesai)]
Dmth: (sipas mendimit të këtij grupi dijetarësh) nëse dëshmojnë dy dëshmitarë të besueshëm se e kanë parë hënën e Ramazanit, atëherë konfirmohet shikimi i hënës, dhe fillohet agjërimi.
Transmetohet se Uthmani (radijall-llahu anhu) ka thënë:
لا يقبل إلا شهادة اثنين ، و لأن هذه شهادة على الهلال فأشبهت شهادة شوال.
(Nuk pranohet përpos se dëshmia e dy personave, kjo sepse është dëshmi për hyrjen e muajit, dhe i ngjan dëshmisë së hyrjes së Sheualit -dmth: daljes, përfundimit të Ramazanit-)
Sipas këtij transmetimi, në mendimin e Uthmanit nuk ka dallim dëshmia për hyrjen e Ramazanit nga dëshmia për daljen (mbarimin) e tij.
Mendimi i Dytë:
Mendimi i shumicës së dijetarëve të cilët thonë: “Për hënën (hyrjen) e Ramazanit mjafton dëshmia e një besimtari të besueshëm (ADL), ndërsa për hënën e Sheualit (dmth: për daljen e Ramazanit), duhen medoemos dy dëshmitarë të besueshëm.”
Ky është mendimi i disa prej dijetarëve të Selefit.
Ky është mendimi i Umerit, Aliut, Ibn Umer, Ibnul Muberek. Siç thotë Ibn Kudameh në [El Mugnii 3/164].
Ky është mendimi i disa hanefive.
Ky është mendimi i Shafiut – Prej Imam Shafiut transmetohen dy mendime. Ky mendohet se është më i sakti.
Ky është mendimi i Ibn Tejmijes.
Ky është mendimi i shejh Albanit, Bin Bazit, Ibn Uthejminit, etj.
Këta bazohen në disa argumente:
Argumenti i parë:
Ibn Abassi (radijall-llahu anhuma) tregon:
أن أعرابيا جاء إلى النبي صلى الله عليه وسلم فقال: رأيت الهلال، قال: أتشهد ألا إله إلا الله، وأن محمدا عبده ورسوله، قال: نعم، قال: يا بلال أذن في الناس فليصوموا غدا.
((Një beduin erdhi te Profeti alejhis-selam dhe tha: “Unë e pashë hënën (e Ramazanit).
Profeti alejhis-selam i tha: “A dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut?”
Ai tha: “Po.”
Atëherë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tha: “O Bilal, njoftoji njerëzit që nesër të agjërojnë.”))
[Termidhi, Ebu Dawudi, Nesaiu,etj. Nesai e konsideron të dobët, po ashtu edhe shejh Albani]
Argumenti i dytë:
Ibn Umeri radijall-llahu anhuma tregon:
«تراءى الناسُ الهلالَ، فأخبرتُ رسولَ اللهِ ﷺ أني رأيتُه، فصامَ وأمرَ الناسَ بصيامِه
((Njerëzit po vëzhgonin hënën e re (hilalin). Unë e njoftova të Dërguarin e Allahut ﷺ se e pashë atë. Atëherë ai agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin))
[Ebu Dawudi etj / E konsideron të saktë Ibn Hazmi, Ibn Dekik El Ijd, Albani në (Sahih Ebi Dawud 2342)]
Argumenti i tretë:
Krahasimi (analogji) me Ezanin, kjo sepse njërëzit e mbyllin syfyrin më thirrjen e Ezanit, dhe e çelin iftarin me thirrjen e Ezanit (kuptohet, kur Ezani thirret në kohë, dhe jo me kalendare).
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
إنَّ بلالًا يُؤَذِّنُ بليلٍ، فكُلُوا واشرَبُوا حتى يؤذِّنَ ابنُ أمِّ مكتومٍ.
((Bilali e thërret Ezanin (e parë) natën. Hani dhe pini deri sa të thirre Ezanin Ibn Umm Mektum))
[Buhariu dhe Muslimi]
Që do të thotë se përderisa i besohet dhe pranohet prej muezinit (që është një personi), lajmërimi i tij për mbarimin e syfyrit (fillimin e agjërimit), dhe për çeljen e iftarit (mbarimin e agjërimit).. si dhe i besohet dhe i pranohet lajmërimi i tij për hyrjen e kohës së namazit, atëherë edhe dëshmia dhe lajmërimi i një personi për hyrjen e hënës se Ramazanit duhet të pranohet mbi bazën e krahasimit dhe analogjisë.
Bin Bazi (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
لابد من شاهدين عدلين في جميع الشهور ما عدا دخول رمضان فيكفي لإثبات دخوله شخص واحد عدل، في أصح قولي العلماء؛
“Duhen patjetër dy dëshmitarë të besueshëm në gjithë muajt (dmth: për të konfirmuar hyrjen e çdo muaji) perveç hyrjes së muajit të Ramazanit, për të cilin mjafton për të konfirmuar hyrjen e tij dëshmia e një personi të besueshëm (ADL), sipas mendimit më të saktë prej dy mendimeve të dijetarëve.”
[Mexhmu Fetewa ue Mekalat shejh Bin Bazi 15/64]
Ibn Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
شهر رمضان يكفي في رؤيته رجل واحد، أو امرأة. و غيره لا بد من رجلين
“(Në lidhje me konfirmimin e hyrjes së) muajit të Ramazanit mjafton në shikimin e hënës së tij dëshmia e një burri, apo një gruaje. Ndërsa për muajt e tjerë, duhet patjetër dëshmia e dy burrave.”
[Audio, ما حكم رؤية الهلال و هل يكفي لثبوته شهادة رجل واحد. Youtube]
— Disa dijetarë bëjnë dallim ndërmjet kohës kur është vranët dhe kur është kthjellët.
Të gjithë Hanefitë bien dakord se: nëse koha është me re, mjafton dëshmia e një personi. Ndërsa nëse koha është e kthjellët, Hanefitë janë ndarë në tre mendime:
– Patjetër duhet dëshmia e dy personave të besueshëm.
– Konfirmohet qoftë edhe me dëshminë e një personi të besueshëm.
– Nuk konfirmohet përveç nëse e shohin një grup i madh personash, të cilët shkojnë dhe dëshmojnë te gjykatësi.
Sa u përket Malikive:
– një pjesë thonë: mjafton dëshmia e dy personave të besueshëm.
– disa të tjerë thonë se duhet dëshmia e një grupi të madh njerëzish.
Mendimi më i saktë është mendimi i shumicës së dijetarëve se hyrja e muajit të Ramazanit konfirmohet edhe me dëshminë e një personi të besueshëm (ADL).
Ndërsa për konfirmimin e hënës së Sheualit (daljes së Ramazanit), shumica e dijetarëve thonë se duhen patjetër dy dëshmitarë të besueshëm.
Disa dijetarë, prej tyre Malikitë, thonë se duhet patjetër dëshmia e një grupi të madh njerëzish.
Më e sakta është se mjafton dëshmia e dy personave të besueshëm, dhe jo më pak.
Thotë Bin Bazi:
لابد من شاهدين عدلين في جميع الشهور ما عدا دخول رمضان فيكفي لإثبات دخوله شخص واحد عدل، في أصح قولي العلماء؛
“Duhen patjetër dy dëshmitarë të besueshëm në gjithë muajt (dmth: për të konfirmuar hyrjen e çdo muaji), përveç hyrjes së muajit të Ramazanit, për të cilin mjafton për të konfirmuar hyrjen e tij dëshmia e një personi të besueshëm (ADL), sipas mendimit më të saktë prej dy mendimeve të dijetarëve.”
Ibn Umeri (radijall-llahu anhuma) thotë:
أن النبي صلى الله عليه وسلم أجاز شهادة رجل واحد على الهلال، وكان لا يجيز على رؤية الإفطار إلا رجلين.
(Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e ka lejuar (pranuar) dëshminë e një burri për konfirmimin e hënës. Ndërsa për mbarimin e Ramazanit nuk e lejonte përpos dëshminë e dy burrave)
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((و إن شهد شاهدان ذوا عدل فصوموا و أفطروا))
((Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë të besueshëm agjëroni (filloni agjërimin e Ramazanit), dhe ndërpriteni agjërimin e Ramazanit))
[Nesaiu, etj, Albani e konsideron Sahih (Sahih En-Nesai)]
Shumica e dijetarëve thonë se ky hadith është i përgjithshëm, për të gjitha muajt, përpos për hyrjen e Ramazanit, i cili përjashtohet nga kjo e përgjithshme me argumente të tjera.
Pra, për daljen e Ramazanit duhet patjetër dëshmia e dy dëshmitarëve të besueshëm (ADL).
(ADL) është muslimani me integritet të provuar në fe dhe moral.
Përson i ruajtur, i devotshëm në fe, i besueshëm, i cili ruhet nga mëkatet e mëdha, dhe sjelljet e ulëta.
A PRANOHET DËSHMIA E GRUAS NË SHIKIMIN E HËNËS?
Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve.
Disa dijetarë thonë se nuk pranohet dëshmia e saj, sepse në kohën e Profetit alejhis-selam kanë dëshmuar burrat që e kanë parë hënën.
Dhe se Profeti në hadith thotë:
إن شهد شاهدان
((Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë))
Thonë: ka përmendur dëshmitarë nga burrat.
Thotë Bin Bazi:
و الأرجح عدم قبولها في هذا الباب
“Mendimi më i saktë (që ka prova më të forta) është se dëshmia e saj nuk pranohet në këtë çeshtje.”
Një pjesë e madhe e dijetarëve thonë se pranohet dëshmia e gruas nëse është e besueshme (ADL).
Disa pretendojnë se ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
U pyet Ibn Uthejmini:
السائل : هل يعتد بشهادة المرأة الواحدة في رؤية هلال رمضان ؟
الشيخ : الجواب: نعم ، يعتد بها لأنها خبر ديني كما لو أخبرت بغروب الشمس مثلا .
A merret për bazë dëshmia e një gruaje të vetme për shikimin e hënës së Ramazanit?
U Përgjigj shejhu: “Po, merret për bazë, sepse ky është një lajm fetar (dmth: po tregon, lajmëron për një çështje fetare), njësoj sikur të njoftonte për perëndimin e diellit, për shembull.”
[Audio. Alathar.net]
Shejh Feuzani (All-llahu e ruajt) thotë:
نعم ، يُؤخذ برؤية المرأة الواحدة إذا كانت عدلا.
“Po, merret për bazë shikimi i një gruaje (pohimi i saj se e ka parë hënën) nëse është e besueshme (ADL).”
[Audio,. هل يؤخذ بشهادة المرأة إذا رأت الهلال. Youtube]
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم