:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Ka mospajtim në lidhje me thënien Semiall-llahu Limen Hamideh pas imamit.
● Pjesa më e madhe e dijetarëve (Hanefitë, Malikitë dhe Hanbelitë) thonë:
“Ai që falet pas imamit nuk duhet të thotë ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh’, por duhet të thotë ‘Rabbena ue Lekel Hamd’.”
Dhe kjo duke u bazuar në hadithin i cili thotë:
((Kur imami të thotë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ ju thoni: ‘Rabbena ue Lekel Hamd’. Ai i cili fjala e tij (dmth: fjala Rabbena ue Lekel Hamd) përkon me atë të Melaikeve, i falen mëkatet))
[Buhariu dhe Muslimi]
Në një transmetim tjetër thotë:
((Imami është vendosur (caktuar) që të ndiqet (të pasohet nga ata që falen pas tij). Kur ai thotë All-llahu Ekber (dmth: thotë tekbirin fillestar) thoni edhe ju All-llahu Ekber (tekbirin fillestar). Kur ai lexon, ju heshtni. Kur të bie në ruku, bini në ruku. Dhe kur të thotë ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh’, ju thoni: ‘Rabbena ue Lekel Hamd’…))
Ibn Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Ky hadith tregon se ai që falet pas imamit nuk duhet të thotë ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh’, por duhet të thotë ‘Rabbena ue Lekel Hamd ‘, me argumentin se në fillim të hadithit tha:
((Kur imami thotë tekbirin (fillestar), thoni edhe ju tekbirin -fillestar-))
Ndërsa te ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh’ tha:
((Kur të thotë imami ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh”, ju thoni ‘Rabbena ue Lekel Hamd’))
Nuk tha: thoni dhe ju ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh’ si te Tekbiri.”
● Disa dijetarë tjerë, prej tyre Shafiitë, thonë:
“Ai që falet pas imamit duhet të thotë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, siç e thotë imami.”
Shejh Albani (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“Si Imami, si ai që falet vetëm, dhe si ai që falet pas imamit duhet t’a thonë SemiAll-llahu Limen Hamideh.”
Këta dijetarë bazohen në disa argumente tjera, të cilat nëse i bashkojmë na japin të kuptojmë se më e përafërta është se ai që falet pas imamit duhet t’a thotë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’.
Prej atyre argumenteve:
Hadithi i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ((Faluni siç me keni parë duke u falur))
Hadithi i Enesit i cili thotë: ((Profeti sal-lall-llahu alejhi kur ngrihej nga rukuja thonte ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, dhe kur drejtohej (drejtonte shpinën pas rukuje) thonte: ‘Rabbena ue Lekel Hamd’))
[Buhariu]
Thotë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ((Është vendosur (caktuar) imami që të pasohet))
[Buhariu]
Dmth: të pasohet nga xhemati në levizje (qëndrim, ruku, ngritje nga rukuja, sexhde) dhe në atë që ai thotë.
Dihet se në çdo zhvendosje nga një pozicion në një pozicion tjetër thuhet dhikri që është i ligjëruar.
Si dhe në çdo qëndrim thuhet dhikri që është i ligjëruar.
Nuk ka asnjë lëvizje (zhvendosje në namaz) që mos të thuhet diçka.
Si dhe nuk ka asnjë qëndrim në namaz ku nuk thuhet gjë.
Thonë dijetarët:
“Fjala ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ e ka vendin dhe kohën gjatë ngritjes nga rukuja.
Ndërsa fjala ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ e ka vendin dhe kohën pasi të drejtohet (të qëndroje drejt).”
[Dhe për këtë ka unanimitet siç e përmend atë Et-Tahaui]
Kjo do të thotë se fjala ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ nuk thuhet gjatë ngritjes nga rukuja; sepse vendi i saj është pasi drejtohet.
Dijetarët të cilët kanë mendimin se ai që falet pas imamit nuk duhet të thotë ‘SemiAll-llahu Limen Hamideh’ janë në mospajtim në lidhje me atë se kur duhet t’a thotë fjalën ‘Rabbena ue Lekel Hamd’.
Disa prej tyre thonë: “E thotë pasi imami të mbarojë fjalën Semiall-llahu Limen Hamideh.”
Dmth: pasi të drejtohet (të qëndroje drejt)
Disa të tjerë, prej tyre Bin Bazi dhe Ibn Uthejmini, thonë: “Duhet t’a thotë kur imami thotë Semiall-llahu Limen Hamideh.”
Dmth: e thonë duke u ngritur nga rukuja.
Kjo sipas tyre i bie që, ose në ngritjen nga rukuja do lënë pa thënë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, ose në qëndrimin pas rukuje do e lënë pa thenë ‘Rabbena ue Lekel Hamd’.
Ndërkohë në çdo zhvendosje dhe qëndrim thuhet dhikri përkatës.
Kur ngrihemi nga rukuja thuhet ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’.
Dhe në qëndrimin drej thuhet ‘Rabbena ue Lekel Hamd’.
Rregulli thotë: “Veprimi me tekstin (argumentin) është më parësor se lënia dhe mos veprimi me të, përsa kohë origjina është që veprohet me të, si dhe nuk ka ndalesë të mos veprohet me të.”
Në këtë rast, teksti tregon se kur ngrihemi nga rukuja thuhet ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ .
Atëherë pse mos t’a themi, përderisa nuk ka argument që e ndalon.
Një rregull tjetër thotë: “Duhet vepruar me të gjitha argumentet.”
Në këtë rast, a më mirë është të themi ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ në vendin e vet, dhe ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ në vendin e vet, duke vepruar me të gjitha argumentet, apo më mirë është veprimi me njërin argument dhe lënia e tjetrit?!
Nuk ka dyshim se më mirë dhe më parësor është veprimi me të gjitha argumentet rreth asaj çeshtje, se sa lënia e njërës dhe veprimi me tjetrën.
E njejta vlen edhe në rastin e mendimit të dytë i cili thotë se duhet thënë ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ duke u ngritur nga rukuja.
Sipas këtij mendimi i bie që në qëndrimin drejt, pas rukuje, gjatë kohës kur qëndrojmë drejt, i bie të mos themi gjë. I bie t’a anullojmë -mos të veprojmë- atë që duhet thënë në qëndrimin pas rukuje.
Të qëndrosh pas rukuje pa thenë gjë, është në kundërshtim të sunnetit, siç thotë shejh Albani.
Ne e dimë se në çdo qëndrim thuhet dhikri përkatës.
Dhe se ajo që kërkohet është veprimi me argumentin dhe jo lënia e tij, për sa kohë nuk ka ndalesë.
Si dhe veprimi me të gjitha argumentet dhe jo vetëm me njërin.
Parimi bazë është që të veprohet mbi bazën e përgjithshme të argumentit, përsa kohë nuk ka argument të qartë i cili e abrogon, apo e veçon.
Hadithi që thotë:
((Kur imami thotë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ thoni ‘Rabbena ue Lekel Hamd’))
Nuk është i qartë se kur duhet t’a thotë.
Fakti që dijetaret janë në mospajtim se kur thuhet, tregon se hadithi nuk është i qartë.
Dhe përderisa nuk është i qartë, atëherë pse mos t’a themi secilën në vendin e vet, duke qenë se kjo është baza, siç u përmend më lart?
Kjo sa i përket rastit kur ngrihemi nga rukuja pa thënë dhikrin ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’.
Ndërsa, kur ngrihemi nga rukuja duke thënë ”Rabbena ue Lekel Hamd’, në këtë rast i bie që kur të qëndrojmë drejt, të mos themi gjë, dhe kjo është në kundërshtim me sunnetin, siç u përmend më lart.
Disa dijetarë, prej tyre, Bin Bazi dhe Ibn Uthejmini, për të dalë nga kjo (dmth: që mos të lërë pa thënë gjë në këto dy shtylla), thonë:
“Gjatë ngritjes prej rukuje të thonë ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ dhe në qëndrimin drejt të thotë ‘Mil’es-semaueti ue mil’el erd’…. dhikri i cili thuhet pas rukuje.”
Kjo ndarje, nuk ka argument për të.
Fjala ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ thuhet pas rukuje, kur je në qëndrimin drejt
Transmeton Bukhari dhe Muslimi nga Ebu Hurejre i cili tregon për namazin e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
ثم يقولُ: سمِعَ اللهُ لِمَن حَمِدَه، حين يرفَعُ صُلْبَه مِن الرُّكوعِ، ثم يقولُ وهو قائمٌ: ربَّنا ولك الحمدُ
((Pastaj thonte: ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ duke u ngritur nga rukuja.
Pastaj thonte: ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ duke qenë i ngritur -pas rukuje, në qëndrimin drejt-))
Dhikri ‘Rabbena ue Lekel Hamd, mil’es-semeueti ue mil’el erdi.’… ka ardhur i gjithi bashkë.
Nuk ka argument që e ndan, një pjesë gjatë kohës duke u ngritur nga rukuja, dhe nje pjesë pasi të ngrihet, kur të qëndroje drejt.
أنَّ رسولَ اللهِ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم كان إذا قال: سمِع اللهُ لِمَن حمِده قال: ( ربَّنا ولك الحمدُ مِلْءَ السَّمواتِ ومِلْءَ الأرضِ ومِلْءَ ما شِئْتَ مِن شيءٍ بعدُ أهلَ الثَّناءِ والمجدِ أحقُّ ما قال العبدُ وكلُّنا لك عبدٌ لا مانعَ لِما أعطَيْتَ ولا مُعطيَ لِما منَعْتَ ولا ينفَعُ ذا الجَدِّ منك الجَدُّ )
((Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem kur thonte ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, thonte: ‘Rabbena ue Lekel Hamd, mil’es-semeueti ue mil’el erdi ..))
[Ibn Hibban, Muslimi]
أَبِي سَعِيدٍ الْخُدْرِيِّ رضي الله عنه، قَالَ: كَانَ رَسُولُ الله صلى الله عليه وسلم إِذَا رَفَعَ رَأْسَهُ مِنَ الرُّكُوعِ قَالَ: ((رَبَّنَا لَكَ الْحَمْدُ، مِلْء السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ، وَمِلْء مَا شِئْتَ مِنْ شَيْءٍ بَعْدُ، أَهْلَ الثَّنَاءِ وَالْمَجْدِ، أَحَقُّ مَا قَالَ الْعَبْدُ، وَكُلُّنَا لَكَ عَبْدٌ، اللَّهُمَّ لا مَانِعَ لِمَا أَعْطَيْتَ، وَلا مُعْطِيَ لِمَا مَنَعْتَ، وَلا يَنْفَعُ ذَا الْجَدِّ مِنْكَ الْجَدُّ))
((Ebu Seid El Khudri tregon se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem kur e ngrinte kokën nga rukuja (dmth: kur drejtohej) thonte: ‘Rabbena Lekel Hamd Mil’es-semeueti ue mil’el erdi’ …. ))
[Muslimi]
Këto hadithe tregojnë qartë se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
E para: këtë dhikër e thonte të bashkuar, nuk e ndante.
E dyta: e thonte pasi thonte ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ dmth: në qëndrimin drej, pas rukuje.
Këto argumente tregojnë se ky dhikër nuk ndahet në dy pjesë:
një pjesë gjatë kohës kur ngrihet nga rukuja, dhe një pjesë pasi të ngrihet.
Pra, mendimi i atyre që e ndajnë: ‘Rabbena ue Lekel Hamd’ duke u ngritur nga rukuja dhe pjesën tjetër pasi të ngrihen nga rukuja në qëndrimin drejt, nuk është i saktë.
Dhe duke u bazuar në këtë, atëherë më e përafërta është:
“Pasi fillon imami me thënë “Semiall-llahu Limen Hamideh”, të thonë edhe xhemati “Semiall-llahu Limen Hamideh” gjatë ngritjes nga rukuja.”
Ndërsa sa i përket argumentimit të Ibn Uthejminit ku thotë se xhemati që falet pas imamit nuk thotë “Semiall-llahu Limen Hamideh” me argumentin se në fillim të hadithit Profeti tha:
((Kur imami thotë tekbirin (fillestar), thoni edhe ju tekbirin -fillestar-))
Këtu tha: ((thoni edhe ju))
Ndërsa te Semiall-llahu Limen Hamideh, Profeti alejhis-selam tha:
((Kur të thotë imami Semiall-llahu Limen Hamideh, ju thoni Rabbena ue Lekel Hamd))
Nuk tha: thoni dhe ju ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, si te Tekbiri.”
Ky argumentim i shejhut nuk qëndron (All-llahu e di më së miri) sepse:
E para: Tekbiri fillestar është shtyllë e namazit, nuk ka namaz pa të. Prandaj është e nevojshme përmendja e tij. Ndërsa ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ në mendimin e shumicës së dijetarëve është sunnet.
E dyta: Disa dijetarë, prej tyre shejkh Albani, thonë: “Ky hadith ka për qëllim t’a mësoje xhematin që mos t’a parakalojnë imamin, por t’a thonë pas tij, me argumentin se në disa transmetime ka thenë: ((dhe mos e thoni tekbirin pa e thenë imami))
Hadithi i cili thotë:
((Kur imami thotë All-llahu Ekber, thoni dhe ju All-llahu Ekber… Dhe kur imami thotë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, ju thoni ‘Rabbena ue Lekel Hamd’))
Ky hadith ka për qëllim ti mësoje xhematit që falen pas imamit që t’a pasojnë imamin dhe mos t’a parakalojnë, dhe nuk ka për qëllim t’u mësoje se ç’farë të thonë.
Me argumentin se në fillim të hadithit thotë:
((Është vendosur imami që të pasohet))
Po ashtu në një tjetër transmetim të këtij hadithi thotë:
((Kur imami thotë: {‘Gajril megduubi alejhim ueled-daal-liin’}, ju thoni: ‘Amin’))
Ana sipërfaqësore e këtij hadithi tregon se imami nuk duhet të thotë ‘Amin’.
Thotë shejh Albani:
“Nëse ecim mbi bazën e kuptimit sipërfaqësor, atëherë i bie që imami nuk duhet të thotë Amin, siç thonë shumë prej Malikive.
Por ne nuk duhet të bazohemi vetëm te ky hadith në lidhje me gjykimin e thënies ‘Amin’ nga imami, por duhet të marrim dhe argumentet e tjera dhe t’i lidhim (t’i bashkojmë) me njëra-tjetrën.”
Pra, qëllimi i hadithit është t’ju mësoje njerëzve që t’a pasojnë imamin dhe mos t’a parakalojnë.
Dhe jo t’ju mësoje se ç’farë duhet të thonë.
Që do të thotë se nuk mund të bazohemi në këtë hadith dhe të gjykojmë vetëm me këtë në lidhje me temën. Por është e nevojshme mbledhja e argumenteve tjera.
Nëse ne gjykojmë vetëm me këtë hadith, i bie që mbi bazën e këtij hadithi imami të mos thotë ‘Amin’.
Por këtë nuk e themi dot; sepse kemi argumente tjera të cilat tregojnë se imami duhet të thotë ‘Amin’.
Të njejtën gjë e thonë edhe shumica e dijetarëve.
Shumica e tyre bien dakord se pëlqehet që imami të thotë ‘Amin’, duke u bazuar në argumente tjera, edhe pse ana sipërfaqësore e hadithit jep të kuptoje se imami nuk e thotë.
Iu thuhet: e njejta gjë vlen edhe te thënia ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’, pasi ata që thonë se xhemati duhet t’a thotë atë, bazohen në argumente tjera që tregojnë se duhet thënë.
Pra, ashtu sikurse bazohemi në argumente tjera për thënien e imamit ‘Amin’, ashtu edhe për thënien ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ bazohemi në argumente tjera.
Rregulli thotë: “Duhet të mbledhim dhe t’i bashkojmë të gjitha argumentet e një çështjeje, kur duam të gjykojmë, dhe jo të bazohemi vetëm te një argument.”
Krahas kësaj, fakti që ka kundërshtim ndërmjet tyre se kur duhet t’a thotë xhemati fjalën “Rabbena ue Lekel Hamd”, tregon se nuk ka gjë të qartë, bindëse.
Ndersa argumentet të cilat tregojnë se:
E para: Duhet me u fal siç është falur Profeti alejhis-selam.
E dyta: Duhet të ndjekim imamin, janë të qarta.
Ajo që është e qartë ka përparësi mbi atë që nuk është e qartë.
Hadithi nuk e mohon thënien ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ nga ana e xhematit.
Dhe përderisa nuk e mohon, dhe në të njejtën kohë imami i thotë të dyjat, atëherë edhe xhemati duhet t’i thotë, sepse origjina është që xhemati ndjek imamin.
Përderisa imami i thotë të dyjat, dhe argument që e ndalon thënien për xhematin nuk ka, atëherë xhemati duhet të pasoje imamin.
Kjo sepse: argumenti që të pasohet imami është i qartë, nuk ka nevojë për interpretim, dhe nuk ka mospajtim, dhe është i drejtpërdrejtë.
Ndërsa argumenti i mos thënies ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’ nga xhemati, nuk është i qartë, ka interpretim, ka mospajtim, dhe është me nënkuptim.
Në këtë rast ajo që është e qartë, e drejtpërdrejtë dhe nuk ka mospajtim, është më parësore se ajo që nuk është e qartë, që ka mospajtim dhe është me nënkuptim.
Pra, mendimi më i përafërt është se ai që falet pas imamit duhet të thotë ‘Semiall-llahu Limen Hamideh’.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم