:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((صوموا لرؤيته و أفطروا لرؤيته فإن غم عليكم فأكملوا العدة ثلاثين ))
((Agjëroni kur t’a shihni hënën (e Ramazanit) dhe çeleni (mbylleni) agjërimin, kur t’a shihni hënën (e Sheualit). Nëse nuk shihet hëna, atëherë plotësoni muajin tridhjetë ditë))
[Buhariu dhe Muslimi]
Konfirmimi i hyrjes së Ramazanit dhe daljes së tij është me shikimin e hënës.
E nëse nuk shihet hëna e Ramazanit, plotësohet muaji Sha’ban tridhjetë ditë.
Konfirmimi i daljes së muajit të Ramazanit është me shikimin e hënës së Sheualit.
E nëse nuk shihet hëna e Sheualit, plotësohet Ramazani tridhjetë ditë.
Kjo është baza në të cilën është detyrë të bazohemi për konfirmimin e Ramazanit, për fillimin dhe mbarimin e tij.
Ndërsa bazimi në llogaritjet astronomike për të konfirmuar hyrjen e Ramazanit dhe daljen e tij nuk ka bazë dhe argument në fenë Islame.
– Bazimi në llogaritjet astronomike në konfirmimin e Ramazanit bie ndesh me argumentet.
– Bie ndesh me urdhërin profetik të shikimit të hënës dhe bazimit në të.
– Bie ndesh me urdhërin që të plotësojmë muajin tridhjetë ditë nëse nuk shihet hëna.
– Bazimi në llogaritjet astronomike (në kalendar) është kundërshtim i asaj që kanë vepruar muslimanët gjithmonë, që prej kohës se Profetit alejhis-selam.
Të gjithë dijetarët kanë rënë dakord se bazimi në llogaritjet astronomike nuk lejohet të merret për bazë në konfirmimin e Ramazanit dhe daljes së tij.
Thotë shejh Albani:
قد ذكر شيخ الإسلام ابن تيمية والحافظ ابن حجر قد ذكرا إجماع المسلمين على عدم الاعتداد بالحساب الفلكي في إثبات هلال رمضان بل وفي إثبات الشهور الأخرى.
“Shejhul-Islami Ibn Tejmije dhe Hafidh Ibn Haxheri kanë përmendur se ekziston ixhma (konsensus) i dijetarëve muslimanë, se nuk merret parasysh llogaritja astronomike në vërtetimin, konfirmimin e hënës (hyrjes) së Ramazanit, madje as në konfirmimin e muajve të tjerë. Por, mbështetja është te shikimi i hënës, ose plotësimi i tridhjetë ditëve.”
[Fetawa abral hatif ues sejjara, kaseta 168, al-albany.com]
Në realitet ekziston një mospajtim i papërfillshëm.
Përmendet nga disa prej dijetarëve të cilët thonë se lejohet bazimi në llogaritjet astronomike për dikë i cili e njeh këtë dije, në rastin kur nuk shihet hëna. Dhe ata janë:
– Mutar-rif bin Abdil-lah, prej Tabi’inëve (v.95.h , Basrah).
– Ibn Kutejbeh (v.276.h , Bagdad).
– Ibn Surejxh, prej dijetarëve të mëdhenj Shafii (v.306.h , Bagdad).
– Thuhet se ky është edhe mendimi i Imam Shafiut.
– Edhe Ahmed Shakir prej dijetarëve të njohur të hadithit në kohët tona (v.1958. , Kajro).
Këta bazohen në fjalën e Profetit alejhis-selam ku thotë: ((Nëse nuk e shihni hënën FEKDURUU LEH)).
Dhe e komentojnë me kuptimin: “Llogariteni muajin me llogaritjen e fazave të hënës”
Thotë Neueuiju All-llahu e mëshiroftë:
وقال مطرِّف بن عبد الله ـ من كبار التابعين ـ وأبو العباس بن سريج ـ من كبار الشافعيةـ وابن قتيبة وآخرون: معناه: قدروه بحسب المنازل.
“Thotë Mutar-rif bin Abdil-lah- prej Tabi’inëve të mëdhenj, dhe Ebul Abbas bin Surejxh, prej dijetarëve të mëdhenj Shafii, dhe Ibn Kutejbeh etj. se kuptimi i fjalës FEKDURUU LEH është: ‘llogariteni me llogaritjen e fazave të hënës’.”
Ka transmetuar Ibnul Arabij nga Ibn Surejxh i cili thotë:
نقل عنه ( عن ابن سيرج) ابن العربي أن قوله: “فاقدروا له”: خطاب لمن خصه الله بهذا العلم، وأن قوله: “أكملوا العدة” خطاب للعامة.
“Fjala e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: FEKDURUU LEH i drejtohet atij që e ka veçuar All-llahu me këtë dije (dmth: dijen e astronomisë) …”
[E përmend Ibn Haxher në (Fet’hul Baarii)]
Shumica dërrmuese e dijetarëve e konsiderojnë të pa pranueshëm këtë interpretim.
Thotë Neueuiju – All-llahu e mëshiroftë -:
و ذهب مالك و الشافعي و أبو حنيفة و جمهور السلف و الخلف إلى أن معناه : قدروا له تمام العدد ثلاثين يوما.
“Imam Malik, Shafiu, Ebu Hanife, dhe shumica e dijetarëve të hershëm dhe të mëvonshëm thonë se kuptimi i kësaj fjale është: llogaritini atij (Sha’banit) numrin e plotë (të ditëve të tij), tridhjetë ditë.”
[Sherh Sahih Muslim / Komenti i hadithit 1080]
Ky interpretim i shumicës së dijetarëve bazohet te shpjegimi i vet Profetit alejhis-selam në lidhje me këtë fjalë (FEKDURUU LEH) ku thotë:
((فإن أُغْمِيَ عليكم فاقْدُروا له ثلاثين ))
((Nëse nuk e shihni hënën, FEKDURUU LEH (llogaritni muajin) tridhjetë ditë))
[Muslim]
Pra, këtë fjalë, vetë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e ka sqaruar, kështu që nuk kemi pse të bazohemi në interpretime tjera të cilat bien ndesh me interpretimin e vërtetë të cilin e ka sqaruar vetë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Ky është interpretimi i vërtetë i fjalës së Profetit alejhis-selam ‘FEKDURUU LEH’, dhe ajo që transmetohet nga ata, nëse është e vërtetë që e kanë thënë.
Sepse për disa prej tyre thuhet se nuk është e saktë ajo që transmetohet nga ata.
Disa dijetarë kanë folur mbi saktësinë e asaj që transmetohet nga këta dijetarë, emrat e të cilëve i përmenda më lart.
Sa i përket asaj që transmetohet nga Mutar-rif bin Abdil-lah:
Thotë Ibn Abdul Ber-r, prej dijetarëve të mëdhenj malikij, të Andaluzit (v.463.h në Xativa, Spanjë):
“Nuk është e saktë ajo që transmetohet nga Mutar-rif bin Abdil-lah.”
[E përmend Ibn Haxheri në (El Fet’h)]
Ndërsa sa i përket asaj që transmetohet nga imam Shafiu:
Thotë Ibnul Arabij, prej dijetarëve të mëdhenj Malikij (v 543.h në FAS, Marok) në shpjegimin e fjalës së Profetit alejhis-selam:
((Agjërimi juaj është kur të agjërojnë njërzit…))
و هذا يقتضي الرد على من يقول: إن من عرف طلوع القمر بتقدير حساب المنازل جاز له أن يصوم به و يفطر دون من لم يعلم ، نسب الى الشافعي و هو بريء منه ))
“Ky hadith përmban kundërpërgjigje ndaj atij i cili thotë se:
Ai që e njeh daljen e hënës së re (hyrjen e muajit) përmes llogaritjes së fazave të saj, i lejohet të agjëroje dhe të çele agjërimin sipas saj, (dhe kjo vlen vetëm për atë që e njeh këtë dije) dhe jo për të tjerët të cilët nuk e njohin (llogaritjen e fazave të hënës)”
Ky mendim i është atribuar Imam Shafiut, por ai është i distancuar prej tij.
(Dmth: nuk është e vërtetë kjo fjalë).
[Aaridatul Eh’uedhij 3/223 / Alsunna.net]
Ndërsa sa i përket Ibn Kutejbes (All-llahu e mëshiroftë):
Ibn Abdul Ber-r thotë: “Ibn Kutejbeh nuk është prej atyre që merret në konsideratë në çështje tilla.”
[E përmend Ibn Haxheri në (El Fet’h)]
Në realitet nuk e di se pse e thotë këtë Ibn Abdul Ber-r për Ibn Kutejbeh. Ndoshta ngaqë disa kanë folur rreth fikhut dhe akides së tij.
Në realitet, Ibn Kutejben e kanë lavdëruar shumë dijetarë dhe thonë se akidja e tij është e pastër, selefijeh. Prej tyre të cilët e kanë lavdëruar janë El Hatib el Bagdadi, Ibn Tejmije, Ibn Kethir, etj.
All-llahu e di më së miri.
Sido që të jetë, ata të cilët e kanë lejuar bazimin në llogaritjet astronomike, ata nuk kanë thënë që të konfirmohet dhe të shpallet hyrja e Ramazanit me llogaritje astronomike (kalendarë), siç veprojnë sot.
Ata e kanë lejuar në rastin kur është vranët dhe nuk shihet hëna, dhe jo kur është kthjellët.
Si dhe vetëm për personin që e njeh këtë dije (dijen e njohjes së fazave të hënës). Madje edhe ai vetëm për veten e vet, dhe jo të bazohen njerëzit tek ai.
Thotë Ibn Tejmije në [Mexhmu el Fetawa]:
و هذا القول- و إن كان مقيدا بالإغمام و مختصا بالحساب- فهو شاذ مسبوق بالإجماع على خلافه )).
“Ky mendim (edhe pse i kufizuar në rastin kur nuk shihet hëna dhe vetëm për personin që i njeh fazat e hënës) është Shedh. Bie ndesh me unanimitetin (konsensusin) e dijetarëve.”
[Mexhmu el Fetawa]
Ka transmetuar Ibnul Arabij nga Ibn Surejxh i cili thotë:
نقل عنه ( عن ابن سيرج) ابن العربي أن قوله: “فاقدروا له”: خطاب لمن خصه الله بهذا العلم، وأن قوله: “أكملوا العدة” خطاب للعامة.
“Fjala e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ‘FEKDURUU LEH’ i drejtohet atij që e ka veçuar All-llahu me këtë dije (dmth: dijen e astronomisë), ndërsa fjala e tij sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ‘Plotësoni Muajin’, u drejtohet njerëzve në përgjithësi (të cilët nuk e njohin këtë dije).”
[E përmend Ibn Haxher në (Fet’hul Baarii)]
Ibn Surejxh është prej atyre që e lejojnë bazimin në përllogaritjet astronomike.
Por, Ibn Surejxh dhe të tjerët nuk e kanë përgjithësuar. Përkundrazi, e kufizojnë në rastin kur është vranët, dhe vetem për atë i cili e njeh llogaritjen e fazave të hënës.
Ata nuk kanë thënë se duhet të shpallet agjërimi në popull mbi bazën e asaj që thotë ai që e njeh këtë dije (mbi bazën e Kalendarit).
Ndërsa këta në kohën tonë, e shpallin agjërimin dhe mbarimin e tij, në popull.
Dijetarët e hershëm nuk kanë thënë se lejohet në çdo lloj kohe, por e kanë kufizuar vetëm në rastin kur është vranët.
Këta në kohën tonë, jo që nuk shohin a është vranët, apo kthjellët, por, këta e përcaktojnë një vit para.
Subhanall-llah! Ku bazohen këta?! Nëse thonë bazohemi te këta dijetarë, iu thuhet: “Kjo është akuzë ndaj atyre, sepse ata nuk e kanë thënë këtë që po thoni dhe po bëni ju sot.”
Si mund të lihet urdhëri i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ku thotë:
((Agjëroni kur ta shihni hënën..))?!
Shikim fizik me sy.
Si mund të lihet urdhëri i Profetit alejhis-selam ku urdhëron dhe thotë:
((Nëse nuk e shihni, plotësoni muajin tridhjetë ditë))?!
Si e lejnë këtë urdhër dhe bazohen në llogaritje (kalendarë)?!
Në kohën e Profetit alejhis-selam ka qenë e njohur “dija e njohjes se fazave të hënës”.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nuk tha: kur nuk e shihni hënën, përllogariteni me llogaritje astronomike, edhe pse kjo dije njihej në atë kohë.
Por, tha: “Kur nuk shihet hëna, plotësoni muajin tridhjetë ditë.”
Shumë e thjeshtë, shumë e lehtë, larg mosmarrëveshjeve dhe përçarjes.
Por, shumë njerëz nuk e ndjekin udhëzimin e Profetit alejhis-selam. Refuzojnë atë që është më e lehta dhe që i bashkon, dhe ndjekin atë që i përçan dhe i largon.
الله المستعان
——————————
Nëse një vend, shtet, apo qytet, nuk e ndjekin udhëzimin e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe të parët e vendit (apo autoriteti fetar) aty vepron mbi bazën e Kalendarit, shpall fillimin e Ramazanit dhe mbarimin e tij mbi bazën e Kalendarit, atëherë në këtë rast (edhe pse janë gabim) është detyrë (sipas mendimit më të saktë të dijetarëve) të ndjekin shumicën, dhe të agjërojnë me ata, dhe jo të veçohen, të ndahen dhe të përçahen, edhe nëse nuk është parë hëna.
Kjo sepse agjërimi i Ramazanit, fillimi i tij, mbyllja e tij dhe Bajrami, janë adhurime kolektive, të cilat bëhen me bashkësinë, dhe nuk lejohet ndarja dhe veçimi prej bashkësisë.
Prandaj Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që të agjërohet më popullin.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue alihi ue sel-lem thotë:
الصَّومُ يومَ تَصُومُونَ، والفِطْرُ يومَ تُفْطِرُونَ، والأضحى يومَ تُضَحُّونَ
((Agjërimi është ditën kur të agjëroni (dmth: ditën kur e fillon agjërimin populli). Dhe dalja nga agjërimi është ditën kur t’a përfundoni agjërimin))
[Termidhi etj / Albani e konsideron të saktë]
Në një transmetim tjetër thotë:
((صومكم يوم يصوم الناس، و فطركم يوم يفطر الناس))
((Agjërimi juaj është ditën kur të agjërojnë njerëzit, dhe dalja nga agjërimi është ditën kur e përfundojnë agjërimin njerëzit))
[Albani thot Hadith Sahih]
Thotë shejh Albani (All-llahu e mëshiroftë):
ليس لك أن تصوم لرؤيتك، و إنما عليك أن تصوم مع أهل البلد التي أنت تعيش فيها ، إذا صام أهل البلد صمتَ معه ، و إذا أفطروا أفطرت معهم …
“Nuk të lejohet të agjërosh duke u bazuar në shikimin tënd (të hënës), por, e ke detyrë të agjërosh me banorët e vendit ku jeton. Kur të agjërojnë banorët e vendit, agjëron me ta, dhe kur ata e mbyllin agjërimin (e Ramazanit), e mbyll edhe ti bashkë me ta.”
[Audio ما يفعل من رأى الهلال وحده Shejh Albani; youtube]
Dmth: nëse populli e kan vendosur që nëser do fillojnë agjërimin, duhet që gjithë të tjerët të agjërojnë me popullin, dhe nuk lejohet të kundërshtoje dikush me pretendimin se ne ecim me hënën dhe do shohim hënën.
U pyet shejh Feuzani All-llahu e ruajt :
ما حكم من صام مع بلده التي تعتمد على الحساب الفلكي؟
Ç’farë gjykimi ka ai i cili agjëron me vendin e tij, (vend) i cili bazohet në llogaritje astronomike (kalendarë)?
U përgjigj shejhu:
يصوم معهم لقوله صلى الله عليه وسلم: (( صومكم يوم تصومون و فطركم يوم و الأضحى يوم تُضَحُّون )) ، يصوم مع المسلمين، و لا يخالف المسلمين في بلده.
“Të agjëroje bashkë me ata. Duke u bazuar në fjalën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
((Agjërimi juaj është ditën kur ju agjëroni (kur populli agjëron) dhe çelja e Ramazanit (mbyllja e tij) është ditën kur t’a çelni ju (ditën kur t’a çele, t’a mbylle Ramazanin populli) …))*
Të agjëroje me muslimanët dhe mos t’i kundërshtoje muslimanët në vendin e tij.”
[Audio ما حكم الصيام معلق بلده تعتمد على الحساب الفلكي; youtube]
*Hadithi me këtë tekst është në gjykimin e shejh Albanit.
Thotë shejh Bin Bazi (All-llahu e mëshiroftë):
: عليك أن تبقى مع أهل بلدك، فإن صاموا فصم معهم وإن أفطروا فأفطر معهم؛ لقول النبي ﷺ: الصوم يوم تصومون، والفطر يوم تفطرون، والأضحى يوم تضحون, ولأن الخلاف شر، فالواجب عليك أن تكون مع أهل بلدك فإذا أفطر المسلمون في بلدك فأفطر معهم وإذا صاموا فصم معهم.
“E ke obligim të qëndrosh me njerëzit e vendit tënd. Nëse ata agjërojnë, agjëro edhe ti me ta; dhe nëse ata e çelin (e mbyllin) agjërimin, çele edhe ti me ta. Kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
((Agjërimi është ditën kur ju agjëroni. Çelja e agjërimit është ditën kur ju e çelni. Dhe Kurban Bajrami është ditën kur ju bëni Kurban Bajramin))
(Si dhe duke u bazuar në atë) se përçarja është sherr. Prandaj e ke detyrë të jesh me njerëzit e vendit tënd: nëse muslimanët në vendin tënd e çelin agjërimin, çele me ta; dhe nëse agjërojnë, agjëro me ta.”
[Mexhmu Fetewa ue Mekalat shejh Bin Bazi 15/100]
——————————
Disa dijetarë tjerë thonë: “Nëse ata agjërojnë mbi bazën e llogaritjeve astronomike nuk bën të agjërosh me ta, përveç nëse përkon me një shtet të afërt, i cili e ka parë hënën. Ama, nëse prijësi apo autoriteti fetar, e shpallin fillimin e agjërimit apo mbylljen e tij mbi bazën e llogaritjeve astronomike, dhe hëna nuk është parë nga asnjë shtet, në këtë rast nuk bën të ndiqet.”
Ndërsa në lidhje me hadithin që thotë: ((Agjërimi është ditën kur të agjërojnë njerëzit…))
thonë: “ky hadith është për agjërimin sipas sheriatit (dmth: agjërim i bazuar në shikimin e hënës). Nëse nuk shihet hëna, plotësohet muaji 30 ditë, dhe pastaj agjërojnë.”
[E përmend këtë shejh Sulejman Ruhejli All-llahu e ruajt]
Ky mendim nuk është i qëlluar – siç thonë dijetarët e mendimit të parë.
Mendimi i saktë është: “Agjërimi duhet të jetë me popullin ku jeton. Kur ata agjërojnë, duhet të agjërosh dhe ti, edhe nëse nuk e ke parë hënën as ti dhe asnjë shtet. Agjërimi është me popullin ku jeton, jo me hënën që shikon ti, dhe as me hënën që shikon shteti tjetër.”
Hadithi: ((Agjëroni kur t’a shihni hënën dhe mbylleni agjërimin kur t’a shihni hënën. Nëse nuk shihet, atëherë plotësoni muajin tridhjetë ditë))
Ky hadith është bazë në këtë çeshtje. Ky gjykon se me ç’farë konfirmohet hyrja e Ramazanit dhe dalja e tij.
Ndërsa hadithi: ((Agjërimi është ditën kur agjërojnë njerëzit..)) përmban gjykim shtesë mbi të parin, dhe urtësi shtesë.
Duke qenë se shikimi i hënës nuk kërkohet nga të gjithë njerëzit, dhe se konfirmimin e tij e shpall prijësi (autoriteti përgjegjës), mund të ndodhe që ata gabojnë, pa qëllim apo me qëllim, siç edhe ndodh në kohët tona, ku ka shtete të cilat nuk bazohen fare në shikimin e hënës për konfirmimin e Ramazanit, por bazohen në kalendar, dhe i obligojnë njerëzit t’a fillojnë dhe t’a mbyllin agjërimin me kalendar.
Tani në këtë rast, ç’farë duhet të veproje populli?
Disa dijetarë thonë: “Në këtë rast nuk duhet me ju bind prijësit (autoritetit fetar).”
Është transmetuar kjo nga Imam Malik. Thotë El Beexhi në [El Munteka]:
قال الباجي في المنتقى:”رَوَى ابْنُ نَافِعٍ عَنْ مَالِكٍ فِي الْمَدَنِيَّةِ فِي الْإِمَامِ لَا يَصُومُ لِرُؤْيَةِ الْهِلَالِ وَلَا يُفْطِرُ لِرُؤْيَتِهِ، وَإِنَّمَا يَصُومُ وَيُفْطِرُ عَلَى الْحِسَابِ أَنَّهُ لَا يُقْتَدَى بِهِ وَلَا يُتَّبَعُ”.
“Ka transmetuar Ibn Naafi nga Malik ibn Enes në librin el-Medeniije, në lidhje me imamin që nuk agjëron sipas shikimit të hënës dhe as nuk e çel (nuk e mbyll) agjërimin sipas shikimit të saj, por agjëron dhe e mbyll atë sipas llogaritjeve (astronomike), se: Nuk duhet të ndiqet, si dhe nuk duhet pasuar (në këtë veprim të tij).”
Këtë që thotë imam Malik e bazon në një parim bazë, që është: ((Nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim me Krijuesin)).
Ama kjo nuk do të thotë të dalim kundër të parit. Dalja kundër të parëve, është e ndaluar në sheriatin tonë.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem thotë:
((Bindju prijësit dhe dëgjoje, edhe nëse të rrah dhe t’a merr pasurinë))
[Buhariu etj]
Unë anoj te mendimi i atyre dijetarëve të cilët thonë se nëse prijësi e shpall Ramazanin, duhet ti bindemi dhe të agjërojmë, sepse nuk ka hajr në daljen kundër. Ka vetëm sherr.
Kur prijësi shpall Ramazanin mbi bazën e Kalendarit, dhe shumica e popullit e ndjekin vendimin e tij, në këtë rast, pakica ç’farë duhet të veproje?
Pakicës nuk i mbetet tjetër përpos të ndjekin shumicën, ose të ndahen. Ndarja pa dyshim që është sherr i madh.
Të ndahen njerëzit, të ndahen të afërmit, të ndahet familja: disa anëtarë agjërojnë e disa jo, disa bëjnë Bajram dhe ua urojnë të tjerëve, disa nuk bëjnë Bajram dhe nuk ua kthejnë urimin tjerëve.
Kjo është përçarje shumë e madhe dhe sherr i madh.
Duke qenë se Sheriati na e tërheq vërejtjen nga ndarja dhe përçarja, dhe na ka ndaluar nga ajo, atëherë ka bërë zgjidhje dhe rrugë se si të veprojmë në këto raste.
Dhe zgjidhja në këtë rast eshtë hadithi i cili thotë:
((Agjërimi (fillimi i agjërimit) është ditën kur njerëzit të agjërojnë dhe çelja (mbarimi) i agjërimit është ditën kur njerëzit e mbarojnë))
Kjo zgjidhje dhe orientim se si të veprohet në keto raste, eshtë prej urtësisë së këtij hadithi, dhe gjykim shtesë mbi hadithin e parë.
Ata që nuk janë shumë të bindur, dhe të sigurtë në veprimin me këtë hadith në këto situata, le t’a dinë se nëse agjërojnë me popullin dhe e lejnë veprimin me hadithin e parë që është shikimi i hënës, për të zbatuar hadithin e dytë, që është agjërimi me popullin, dhe e bëjnë këtë si bindje ndaj All-llahut.. të tillëve All-llahu nuk ua humb veprën e mirë. Madje i shpërblen edhe më shumë, sepse ai nga bindja e All-llahut (zbatimi i hadithit të shikimit të hënës) po shkon në bindjen ndaj Tij (zbatimi i hadithit të agjërimit me njerëzit).
Ai e le atë bindje për këtë bindje tjetër ndaj Tij -Subhaneh –
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
إنك لَن تدَع شيئًا للهِ عزَّ وجلَّ إلا بدَلك اللهُ به ما هو خيرٌ لكَ منه
((Ti nuk len diçka për hatër të Allahut të Madhëruar, vetëm se All-llahu do të t’a zëvendësoje atë me diçka më të mirë për ty))
[Albani e konsideron të saktë]
Ai bindjen ndaj All-llahut që të bazohet në hënë po e len per t’iu bindur All-llahut në një urdhër tjetër, i cili është që të bazohet te agjërimi i popullit.
Meqenëse populli e kanë vendosur të agjërojnë, dhe tanimë nuk vlen shikimi i hënës, sepse shikimi i hënës eshtë për popullin, ky e len këtë për t’iu bindur All-llahut në atë.
و الله أعلم
Nëse një përson jeton diku vetëm apo me të tjerë, dhe jetojnë larg bashkësisë (larg njerëzve), këta le të bazohen në hënë. Nëse nuk e shohin, e plotësojnë muajin Sha’ban 30 ditë.
Ka një mendim tjetër, të cilin nuk e kundërshtoj dot, por nuk anoj te ai plotësisht, dhe ai është: “Kur populli e nis agjërimin një ditë pasi është parë hëna, në këtë rast disa dijetarë, prej tyre Ibn Uthejmini, thonë: nëse personi e ka parë hënën, le të agjëroje fshehurazi, pa e kuptuar njerëzit që e rrethojnë.”
Kjo vlen vetëm për personin që e ka parë hënën, për veten e tij dhe jo që ai t’iu thotë të tjerëve, sepse argumenti në të cilin bazohen është hadithi: ((Agjëroni kur t’a shihni hënën…))
Thonë: “ky e ka parë hënën, prandaj do të agjëroj”, ndërsa ai tjetri nuk e ka parë hënën.
Kjo vlen vetëm për përsonin që e ka parë hënën, si dhe është vetëm në rastin kur populli e nisin agjërimin një ditë pasi është parë hëna, dhe jo në raste tjera.
Në gjitha rastet e tjera obligohet të ndiqet populli, edhe nëse e sheh hënën.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم