Rreth agjërimit të muajit Sha’ban

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Muaji Sha’ban është muaji i tetë i vitit sipas kalendarit hënor hixhrij.

Ky muaj është ndërmjet muajit të shenjtë Rexheb, dhe muajit Ramazan.


Thotë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
((ذلك شهرٌ يَغْفَلُ الناسُ عنه بين رجب و رمضان))
((Ai është muaj ndaj të cilit njerëzit nuk janë të kujdesshëm. Ai është ndërmjet Rexhebit dhe Ramazanit))
[Transmeton Ahmedi, Enesaiu. / Albani thotë: hadith Hasen / Sahih Nesai, Sahin et-Tergib uet Terhib]


Sa i përket kuptimit të emrit Sha’ban, thuhet se është quajtur me këtë emër ngase gjatë këtij muaji njerëzit shpërndaheshin për të luftuar, apo për të kërkuar ujë. Përmenden edhe disa arsye tjera.



● VLERA E MUAJIT SHA’BAN

Në lidhje me mirësinë dhe vlerën e muajit Sha’ban nuk është transmetuar diçka e veçantë, përpos asaj që transmetohet nga Profeti (alejhis-selam) ku thotë se:

((Ky ( Sha’bani ) është muaj në të cilin ngrihen veprat e roberve te Zoti i botërave))

Si dhe ajo që transmetohet në lidhje me natën e mesit të muajit Sha’ban.



● A I THUHET MUAJIT SHA’BAN – ‘SHEHRUN MUBAREK’ (Muaj i begatë)?

Nuk di transmetim të saktë që tregon se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem eshtë lutur për këtë muaj, që t’a bëje të bereqetshëm.

Ndërsa sa i përket hadithit:
((اللهم بارك لنا في رجب و شعبان و بلغنا، مضان )).
((O All-llah na begato (dmth: shtoje bereqetin) në Rexheb dhe Sha’ban, dhe na bëj që t’a arrijmë Ramazanin))

[Këtë hadith e konsideron të dobët shejh Albani  e të tjerë para tij, si Imam Neueuiju, Ibn Rexheb etj.]

Personalisht nuk di ndonjë dijetarë të thotë për Sha’banin – Shehrun Mubaarek (Muaj i begatë).

All-llahu e di më së miri.



● VEÇIMI I MUAJIT SHA’BAN ME ADHURIME

Nuk di që ka argument i cili tregon se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e ka veçuar këtë muaj me adhurim të veçantë përpos agjërimit.

Pra, nuk ka argument që tregon se në këtë muaj ka shtuar adhurime më shumë se në muajt tjerë, përpos agjërimit.



● AGJËRIMI I MUAJIT SHA’BAN

Pëlqehet agjërimi i muajit Sha’ban.

Transmetohen shumë hadithe të cilat tregojnë se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e agjeronte këtë muaj (dmth: pjesën më të madhe të muajit).


Thotë Aishe, nëna e besimtarëve (All-llahu qoftë i kënaqur me të):
كان أحب الشهور إلى رسول الله  صلى الله عليه وسلم أن يصومه شعبان،  ثم يَصِله برمضان:
((Muaji më i dashur te i Derguari i All-llahut që t’a agjeronte atë, ishte muaji Sha’ban. Pastaj e lidhte (e bashkonte) atë me Ramazanin))
[Transmeton Ahmedi, etj / Albani thotë: hadith Sahih – (Sahih el Xhaamiu 4628) / Sahih Sunen Ebi Dawud (2/461)]


Thotë Ummu Selemeh, nëna e besimtarëve (All-llahu qoftë i kënaqur me të):
(( ما رأيت النبي صلى الله عليه وسلم  يصوم شهرين متتابعين إلا شعبان و رمضان ))
((Nuk e kam parë Profetin sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem të agjëroje dy muaj rresht (njëri pas tjetrit), përpos Sha’banin dhe Ramazanin)).
[Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Termidhi / Albani e konsideron të saktë (Sahih Nesai 2/ 468)]


Thotë Aishe radijall-llahu anha:
(( و ما رأيت رسول الله صلى الله عليه وسلم استكمل صيام شهر إلا رمضان،  و ما رأيت أكثر صياما منه في شعبان ))
((Nuk e kam parë të Dërguarin e All-llahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) të agjëroje të plotë një muaj, përpos Ramazanit, si dhe nuk e kam parë të agjëroje (në ndonjë muaj) më shumë se sa në Sha’ban))
[Transmeton Buhari dhe Muslimi]


Thotë Usameh Bin Zejd:
قلتُ يا رسول الله! لم أرَكَ تَصوم من شَهْر من الشهور ما تصوم شعبان،  قال :  (( ذاك شهر يَغْفَل الناس عنه  بين رجب و رمضان، و هو شهر تُرفَع فيه الأعمال إلى رب العالمين، و أُحِبَّ أن يُرْفَع عملي و أنا صائم )).
“I thashë: o I Dërguari i All-llahut nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë muaj prej muajve siç agjëron në Sha’ban. Tha:
((Ai është një muaj ndërmjet Rexhebit dhe Ramazanit ndaj të cilit njerëzit nuk janë të kujdesshëm. Ai është muaj në të cilin ngrihen veprat te Zoti i botërave. Unë dëshiroj të ngrihen veprat e mia duke qenë agjërueshëm))”
[Nesaiu, etj / Albani thotë Hadith Hasen – Sahih En- Nesai (2221)]


Këto argumente tregojnë për vlerën e madhe që ka agjërimi i këtij muaji.



● A AGJEROHET I GJITHË MUAJI, APO PJESA MË E MADHE E TIJ?


Ka mospajtim në lidhje me këtë.

  • Disa thonë: “Pëlqehet agjerimi i plotë i Sha’banit ndonjëherë, dhe ndonjëhere jo i plotë, por i pjesës më të madhe të muajit.”
    Prej atyre që e kanë këtë mendim është shejh Bin Bazi (Mexhmu Fetewa Shejh Ibn Baz 15/416).

  • Ndërsa disa të tjerë, prej tyre Ibnul Muberek, thonë: “Pëlqehet agjërimi i pjesës më të madhe të muajit Sha’ban, dhe jo i gjithi.”


Thotë Ibn Haxher:
أي: كان يصوم مُعْظَمه. و نقل الترمذي عن ابن المبارك أنه قال: جائزٌ في كلام العرب إذا صام أكثر الشهر أن يقول صام الشهرَ كله…
و قال الطِيبي: يُحمَل على أنه كان يصوم شعبان كله تارة و يصوم مُعظَمه أخرى،؛لئلا يُتَوَهَّم أنه واجب كله كرمضان…
ثم قال الحافظ: و الأول هو الصواب”
“Dmth: e agjëronte shumicën e tij (Sha’banit).
Ka transmetuar Termidhij nga Ibn El Mubarek i cili thotë: “Është e pranuar në gjuhën arabe se kur (personi) agjëron shumicën e muajit,  të thuash se e ka agjëruar të gjithë muajin..

Pastaj Ibn Haxheri përmend fjalen e Et-Tiibij i cili e interpreton me atë se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ndonjëherë e agjeronte të gjithë muajin, dhe ndonjëherë e agjëronte pjesën më të madhe të muajit, ashtu që mos të mendohet se është obligim agjërimi i plotë i muajit Sha’ban…

Ibn Haxheri zgjedh mendimin e parë. Thotë: mendimi i parë është i saktë”
[Fet’hul Barij]


Thotë Ibn Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë):
“كان النبي صلى الله عليه وسلم يصوم أكثر شعبان”
“Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem agjëronte shumicën e Sha’banit “.
[Faqja zyrtare e Ibn Uthejminit. binothaimeen.net]


Pra, mendimi se agjëronte pjesën më të madhe të muajit Sha’ban dhe jo të gjithin, është mendimi më i saktë duke u bazuar në disa hadithe. Prej tyre:


Thotë Aisheh radijall-llahu anha:
((كان يصوم شعبان إلا قليلا ))
((E agjëronte (pothuajse) të gjithë muajin Sha’banin përveçse pak -dmth: jo të gjithë muajin-))
[Muslimi]


Thotë Aisheh radijall-llahu anha:
لا أعلم نبي الله صلى الله عليه وسلم قرأ القرآن كله في ليلة و لا صام شهرا كاملا غير رمضان ))
((Nuk di që Profeti i All-llahut të ketë lexuar të gjithë Kur’anin në një natë, dhe as të ketë agjëruar një muaj të plotë, përpos Ramazanin))
[Muslimi]


Thotë Ibn Abassi radijall-llahu anhuma:
((ما صام رسول الله صلى الله عليه وسلم  شهرا كاملا غير رمضان))
((I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nuk ka agjëruar një muaj të plotë, përpos Ramazanit))
[Buhariu dhe Muslimi]


Ibn Abbasi e konsideronte të qortueshme të agjerohet një muaj i plotë përpos Ramazanit.
كان ابن عباس يكره أن يصوم شهرا كاملا غير رمضان.
روى عبد الرزاق في كتابه عن ابن جريج عن عطاء قال: كان ابن عباس ينهى عن صيام الشهر كاملا، و يقول: ليصمه إلا أياما
“Ka transmetuar Abdur-Rezaak në librin e tij [Musannef] nga Ibn Xhurejxhi, ky nga Ataa i cili thotë: Ibn Abassi ndalonte nga agjërimi i plotë i muajit. Thonte: t’a agjeroje atë (muajin), përveç disa ditë (mos t’i agjëroje).”

Dmth: mos të agjeroje të gjithë muajin, por të lëre disa ditë prej tij pa agjëruar.

Nuk ka dyshim se ky mendim është më i sakti (insha All-llahu) dhe këtë e përforcon edhe fakti që dita e shtunë nuk lejohet të agjerohet vullnetare sipas mendimit më të saktë, siç thotë shejh Albani (All-llahu e meshiroftë).

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: