A ka ndryshuar Kibla në natën e mesit të muajit Sha’ban?

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد


■ A KA NDODHUR NDRYSHIMI I KIBLES NË NATËN E MESIT TË MUAJIT SHA’BAN?


Disa dijetarë thonë se në këtë natë ka zbritur urdhëri për të ndryshuar Kiblen që deri në atë kohë ishte xhamia Aksa.

Në këtë natë All-llahu i Lartësuar ka urdhëruar për t’u kthyer nga drejtimi i xhamisë së Shenjtë.

Dijetarët janë në mospajtim në lidhje me ndryshimin e Kibles në muajin Sha’ban.


Disa dijetarë, si Imam Neueuiju, mendojnë se ndryshimi i Kibles ka ndodhur në natën e mesit të Sha’banit.

Ibn Kethiri përmend se ky është mendimi shumicës.

Ibn Kethiri në [El Bidejeh Uen – Nijajeh] përmend:
قال الجمهور الأعظم : إنما صرفت في النصف من شعبان على رأس ثمانية عشر شهرا من الهجرة
“Shumica më e madhe thonë: Është ndryshuar Kibla në gjysmën e Sha’banit, në krye të muajit tetëmbëdhjetë (18) Hixhrij.”


Disa dijetarë tjerë thonë se ndryshimi ka ndodhur në muajin Rexheb.

Sipas Ibn Haxherit ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.


Disa dijetarë
thonë në muajin Xhumada El Ekhirah.

Transmeton Muslimi nga El Bera bin Azib i cili thotë:
وَأَنَّهُ «صَلَّى قِبَلَ بَيْتِ المَقْدِسِ سِتَّةَ عَشَرَ شَهْرًا، أَوْ سَبْعَةَ عَشَرَ شَهْرًا))
((Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem është falur në drejtim të Bejtul Mekdis gjashtëmbëdhjetë muaj, apo shtatëmbëdhjetë muaj))
Dyshon transmetuesi, 16 muaj apo 17 muaj. Pra, nuk është në formë të prerë.


Në një transmetim tjetër ka ardhur në formë të prerë 16 muaj.
قَالَ: «صَلَّيْتُ مَعَ النَّبِيِّ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِلَى بَيْتِ الْمَقْدِسِ سِتَّةَ عَشَرَ شَهْرًا»
Thotë: ((Jam falur me Profetin sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në drejtim të Bejtul Mekdis gjashtëmbëdhjetë (16) muaj))
[Transmeton Muslimi]


Imam Neueuiju i jep përparësi këtij transmetimi -16 muaj- ngase është e formës së prerë.

Ndërsa në një transmetim te El Bezzar dhe Taberanij nga Amr bin Auf ka ardhur në formë të prerë 17 muaj.

Ka edhe transmetime tjera që përmendin 18 muaj, apo 9 muaj, dhe 10 muaj. Por janë të dobëta – siç thotë Ibn Haxheri në [Fet’hul Baarii 1/96]


Ardhja e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në Medine ka qenë në muajin Rabiun El Euuel, dhe për këtë ka dakortësi – siç thotë Ibn Haxher në [Fet’hul Baarii 1/96]

Në lidhje me datën e ardhjes në Medine ka mospajtim.

Dijetarët janë ndarë në 6-7 mendime.


Nëse i referohemi transmetimit që thotë 16 muaj, dhe muajin Rabiun El Euuel e llogarisim si muaj, pavarësisht se në ç’farë date të muajit ka mbërritur, i bie që ndryshimi i Kibles të ketë ndodhur në fund të Xhumad El Ekhirah, ose në fillim të muajit Rexheb ne vitin e dytë Hixhri.

E nëse e llogarisim muajin Rabiun El Euuel me datë, psh: nga data 12 – siç pretendojnë shumë – i bie që ndryshimi i Kibles të ketë ndodhur në mesin e muajit Rexheb, në vitin e dytë Hixhrij.


Nëse i referohemi transmetimit në të cilin përmenden 17 muaj, dhe e llogarisim muajin Rabiun El Euuel si muaj, dhe jo me datë, i bie që ndryshimi të ketë ndodhur në Rexheb, në fundin e tij, ose në fillim të Sha’banit.

E nëse e llogarisim nga data 12 e Rabiun El Euuel, dhe e llogarisim muajin me datë, atëherë i bie që ndryshimi të ketë ndodhur në muajin Sha’ban, me 12 Sha’ban, dhe tre ditët që i përmend Ibn Hibban, i bie me datë 15 Sha’ban, që është mesi i muajit.


Ibn Haxheri (dhe shumica e dijetarëve) mendojnë se ndërrimi i Kibles ka ndodhur në gjysmën e muajit Rexheb.

Thotë Ibn Haxher (All-llahu e mëshiroftë):
وذلك أن القدوم كان في شهر ربيع الأول بلا خلاف، وكان التحويل في نصف شهر رجب من السنة الثانية على الصحيح وبه جزم الجمهور ورواه الحاكم بسند صحيح عن بن عباس وقال بن حبان سبعة عشر شهرا وثلاثة أيام وهو مبني على أن القدوم كان في ثاني عشر شهر ربيع الأول.
“Ardhja e Profetit alejhis-selam në Medine ka qenë në muajin Rabiun El Euuel, dhe për këtë nuk ka kundërshtim ndërmjet dijetarëve.
Ndryshimi ka qenë në gjysmën e muajit Rexheb në vitin e dytë Hixhri, sipas mendimit më të saktë.
Dhe ky është mendim i prerë i shumicës së dijetarëve.
Ky është edhe mendimi i Ibn Abassit të cilin e transmeton El Hakim me zinxhir të saktë nga Ibn Abassi.
Ibn Hibban thotë: është falur në drejtim të Xhamisë Aksa shtatëmbëdhjetë (17) muaj dhe tre ditë.
Ky mendim është i ndërtuar mbi bazën e asaj që ardhja ka qenë me dymbëdhjetë (12) të muajit Rabiun El Euuel.”
[Fet’hul Baarii 1/96]


Siç e përmenda më lart, në lidhje me datën e mbërritjes në Medine ka mospajtim, dhe si rezultat nuk mund të përcaktohet saktësisht data e ndryshimit të Kibles.

Edhe nëse do dihet e saktë data e mbërritjes në Medine, përsëri nuk mund të përcaktohet saktësisht me datë ndryshimi i Kibles.

Sepse Sahabiu e ka llogaritur me muaj dhe jo me datë.

Unë anoj te ajo që mund të jetë muaji Rexheb, ose fillimi i muajit Sha’ban, por jo mesi i Sha’banit.

All-llahu e di më së miri!

 

■ EMËRTIMI I NATËS SË MESIT TË MUAJIT SHA’BAN

 

Sa i përket emërtimit të kësaj nate, si:

  • Nata e Beraetit (e faljes dhe shpëtimit nga zjarri)
  • Nata e ndarjes se rizkut
  • Nata e Begatë
  • Nata e Shefatit
  • Nata e Lutjes
  • Nata e përgjigjes së lutjes


Këto janë emërtime të vendosura nga njerëzit dhe nuk ka argument për to.

Disa e kanë ekzagjëruar tepër duke e emërtuar këtë natë si Nata e Kadrit.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: