Gjykimi i namazit

إن الحمد لله نحمده و نستعينه و نستغفره و نعوذ بالله من شرور أنفسنا و سيئات أعمالنا من يهده الله فلا مضل له و من يضلل فلا هادي له أشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك له و أشهد أن محمدا عبده و رسوله،  امأ بعد.

Me të vërtetë të gjitha lavdërimet i përkasin All-llahut,

Atë e lavdërojmë dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje.

I kërkoj strehim dhe mbrojtje All-llahut nga te këqijat e veteve tona, dhe nga veprimi i punëve të këqija dhe ndëshkimi për shkak tyre.

Atë që e udhëzon All-llahu nuk ka kush e humbë,  dhe atë që e le në humbje, nuk ka kush t’a udhëzoje.

Dëshmoj (deklaroj) se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut, vetëm Ai (dmth: vetëm Ai e meriton adhurimin) nuk ka ortak.

Dhe dëshmoj (deklaroj) se Muhammedi është rob i Tij dhe i Dërguari i Tij.

Dhe më pas:
—————

Thotë All-llahu Subhaaneh:
{و ما خلقت الجن و الإنسان إلا ليعبدون}
Kuptimi i ajetit
{UNË NUK I KAM KRIJUAR XHINËT DHE NJERËZIT PËR TJETËR, PËRPOS QË T’MË ADHUROJNË (dmth: të më njësojnë në adhurim)}

—————

Kujdes! Kur përkthejmë apo përshtasim në shqip një ajet kur’anor, ne përkthejmë kuptimin dhe interpretimin e ajetit (e fjalës së All-llahut).

Kështu që kur shohim një ajet në shqip, nuk lejohet të themi kjo është fjala e All-llahut, por ai ajet është përkthim i kuptimit dhe interpretimit të fjalës së All-llahut.

—————

All-llahu i Lartësuar na ka krijuar që t’a adhurojmë vetëm Atë, t’a njësojmë Atë me adhurimin, dhe mos ti bëjmë Atij ortak.

Adhurimi është çdo fjalë dhe punë, e brendshme (me zemër) dhe e jashtme (me gjymtyrë) të cilën e do All-llahu dhe është i kënaqur me të.

Prej punëve më të mëdha është namazi.

Namazi është puna më e mirë.

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem u pyet:
أي الأعمال أفضل?
قال : الصلاة  لوقتها .
Cila punë është më e mira?
Tha: ((Namazi në kohën e tij))
[Buhariu dhe Muslimi]

Argumentet që flasin për mirësinë dhe vlerën e namazit janë të shumta dhe të njohura.

 


● GJYKIMI I NAMAZIT


Namazi është obligim,  argumentat për këte nga Kur’ani dhe Sunneti janë të shumta dhe të njohura. Prej tyre:


Thotë All-llahu  Subhaaneh:
{و أقيموا الصلاة و آتوا الزكاة}
Kuptimi:
{FALENI NAMAZIN DHE JEPENI ZEKATIN}


Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: kur e dërgoi Muadhin në Jemen i tha:
فليكن أول ما تدعوهم إليه عبادة الله،  فإذا عرفوا الله، فأخبرهم أن الله قد فرض عليهم خمس صلوات في يومهم و ليلتهم،..
((Le të jetë e para gjë tek e cila do i thërrasësh, njësimi i All-llahut në adhurim. Nëse ata e njohin dhe e pranojnë këtë, lajmëroi ata se All-llahu i ka obliguar me pesë namaze ditën dhe natën.))
[Transmeton Buhari (v.256 h) dhe Muslimi (v.261 h)]


Të gjithë dijetarët me unanimitet bien dakord se pesë namazet ditën dhe natën, janë obligim.


E përcjell këtë unanimitet Ibn Hazmi (v.456 h) All-llahu e mëshiroftë, i cili thotë:
(لا خلاف من أحد من الأئمة في أن الصلوات الخمس فرض)
“Nuk ka kundërshtim prej asnjë dijetari se pesë namazet janë Farz (obligim).”
[El Muhal-la 2/4]


Po ashtu edhe Ibn Rushdi (v.595 h) All-llahu e mëshiroftë thotë:
(أما وجوبها فبيِّن من الكتاب والسنة و الإجماع)
“Sa i përket obligueshmërisë së namazit, argumentat për të, janë të qarta prej Kur’anit dhe Sunnetit dhe Ixhmasë (unanimitetit).”
[Bidejetul Muxhtehid 1/89]


Po ashtu edhe imam Neueuiu (v.676 h) All-llahu e mëshiroftë thotë:
(أجمعت الأمة على أن الصلوات الخمس فرض عين)
“Kanë rënë dakord i gjithë ummeti (të gjithë dijetarët) se pesë namazet janë obligim për çdokënd.”
[El Mexhmu 3/3]

 


● AI I CILI MOHON OBLIGUESHMËRINË E FALJES SË NAMAZEVE


Ai i cili mohon obligueshmërinë e pesë namazeve, thotë për shembull: nëse e fal namazin është mirë, por nëse nuk e fal nuk ka problem, i tilli është qafir (mohues) me unanimitet të dijetarëve.


E përcjell këtë unanimitet Ibn Tejmije (v.728 h) All-llahu e mëshiroftë në [Mexhmu el Fetawa 35/106].

Po ashtu Ibn Abdul Ber-r (v.463 h) All-llahu e mëshiroftë në [El istidhker 2/ 149] thotë:
(أجمع المسلمون على أن جاحد فرض الصلاة كافر).
“Kanë rënë dakord gjithë muslimanët se ai që mohon obligueshmërinë e namazit është qafir.” -F-


–Bën përjashtim rasti i një personi i cili sapo e ka pranuar Islamin dhe është i ri, nuk di gjë rreth namazit. I tilli nuk bën kufër nëse thotë se namazi nuk është obligim.


Thotë Ibn Kudame (v.620 h):
(فإن كان جاحدا لوجوبها نُظِر فيه،  فإن كان جاهلا به و هو ممن يجهل ذلك ، كالحديث الإسلام، و الناشِئ بِبادِية ، عُرِّف وُجوبَها، و عُلِّم ذلك، و لم يحكم بكفره؛ لأنه معذور.)
“Nëse mohon obligueshmërinë e namazit, shikohet te ai nëse është injorant rreth namazit dhe nuk di gjë rreth gjykimit të namazit. Si rasti i atij që është i ri në Islam, apo ai që është rritur në zona të shkreta (nomade) larg njerëzve. Personit të tillë i bëhet me dije (i mësohet) se namazi është obligim, dhe nuk gjykohet për të që është mohues (qafir) sepse është i justifikuar me injorancë.“ – F- [ El Mungni ].


Pasi i bëhet e ditur dhe e qartë se namazi është obligim dhe e mohon, në këtë rast gjykohet për të që është qafir (mohues).

و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: