Mendimi i parë: Lënësi i namazit prej përtacisë dhe neglizhencës është qafir

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد


● LËNËSIT E NAMAZIT JANË DY KATEGORI (DY LLOJE)


– Ai që e le namazin duke e mohuar obligueshmërinë e tij.

– Ai që e le namazin nga përtacia dhe neglizhimi, por beson në obligueshmërinë e tij.

 

AI I CILI E LE NAMAZIN DUKE MOHUAR OBLIGUESHMËRINË E TIJ

Ai i cili e le namazin duke mohuar obligueshmërinë e tij është qafir (mohues).

Thotë Ibnul Xheuzi (v.597 h) All-llahu e mëshiroftë:
اتفق العلماء على أن من ترك الصلاة جاحدا لوجوبها فهو كافر.
“Kanë rënë dakord dijetarët se ai i cili e le namazin duke mohuar obligueshmërinë e tij, është qafir.” -F-
[Keshful Mushkil 3/77]

 

AI I CILI E LE NAMAZIN NGA PËRTACIA, NEGLIZHENCA, APO ARSYEJA E PUNËS (e të tjera të ngjashme)

Sa i përket personit i cili e le namazin nga përtacia, dembelizmi, neglizhenca, apo me justifikimin e punës etj, porse, ndërkohë beson se namazi është detyrë, në lidhje me këtë dijetarët janë në mospajtim.

Thotë Ibn Tejmije (v.728 h):
و قد اتفق المسلمون على أنه من لم يأت بالشهادتين فهو كافر،  و أما الأعمال الأربعة فاختلفوا في تكفير تاركها.
“Kanë rënë dakord gjithë muslimanët se ai i cili nuk i ka dy dëshmitë (shehadetin) është qafir. Ndërsa katër punët (shtyllat) e tjera, ka mospajtim në lidhje me lënien e tyre.”  -F-




■  MENDIMI I PARË


Një pjesë e dijetarëve thonë: personi i cili nuk falet prej përtacisë, apo neglizhencës është qafir (mohues), edhe nëse beson obligushmerin e namazeve.


Thotë Ibnul Mundhir (v.318 h) All-llahu e mëshiroftë:
اختلف أهل العلم فيمن ترك الصلاة عامدا حتى يخرج آخر وقتها لغير عذر 
فقالت طائفة : هو كافر،  هذا قول إبراهيم النخعي و أيوب السختياني و ابن المبارك و أحمد و إسحاق…
“Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me atë i cili e le namazin me qëllim deri sa del koha, pa arsye.
Një grup dijetarësh thonë: është qafir (mohues).
Kjo është fjala e Ibrahim En-Nekhi (v.96 h)
Ejjub Es-Sukhtijani (v.131h)
Ibnul Muberek (v.181 h)
Ahmedi (v. 241 h)
Is’hak bin Rahauejh (v.238 h).” -F-


Ky grup ndahen në dy mendime në lidhje me atë se: a mjafton lënia e një namazi, që të quhet qafir, apo lënia e të gjitha namazeve (dmth: mos falja fare)?


– Një pjesë thonë: mjafton lënia e një namazi. Dmth: nëse nuk e fal një namaz është kafir (qafir, mohues).


Thotë Shejkh Bin Bazi All-llahu e mëshiroftë:
صلاة واحدة أو عشر إذا تركها عمدا حتى ذهب وقتها مثل الفجر حتى طلعت الشمس عمدا كفر.
“Një namaz, apo dhjetë, nëse e le me qëllim deri sa t’i ike koha e tij.
Për shembull: le namazin e sabahut deri sa lind dielli dhe nuk falet me qëllim. I tilli ka bërë kufër dhe është qafir.”  -F-
[Mexhmu Fetewa ue Mekalat Shejkh Ibn Bazi 29/180]


– Ndërsa një pjesë thonë: konsiderohet kafir (qafir, mohues) vetëm nëse i le të gjitha namazet dhe nuk falet fare.


Thotë Ibn Uthejmini All-llahu e mëshiroftë:
و الذي يظهر لي أنه لا يكفر إلا بالترك المطلق بحيث لا يصلي ابدا، و أما من يصلي أحيانا فإنه لا يكفر
“Ajo që e shoh si më të saktën (mbi bazën e kuptimit të argumentave, në lidhje me lënësin e namazit) është se: nuk bën kufër (nuk është qafir) përveç nëse i le të gjitha namazet, (dmth: nuk falet fare).
Ama nëse falet nganjëherë, nuk bën kufër (nuk është kafir, mohues).”  -F-
[Mexhmu  Fetewa Ibn Uthejmin 12/55]


Dijetarët të cilët e konsiderojnë lënësin e namazit kafir (qafir, jobesimtar) bazohen në disa argumenta.
Prej tyre:


1
》në fjalën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem i cili thotë:
((العهد الذي بيننا و بينهم الصلاة فمن تركها فقد كفر))
((Marrëveshja e cila është mes nesh dhe atyre është falja e namazit. Kush e le atë (namazin) ka bërë kufër))
[Transmeton AHMEDI etj. / Albani thotë:Sahih]


2
》Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((إن بين الرجل و بين الشرك و الكفر ترك الصلاة ))
((Ndërmjet njeriut dhe shirkut e kufrit, është lënia e namazit.))
[MUSLIMI]

Thonë: keto dy hadithe qartë tregojnë se lënia e namazit është kufër dhe se lënësi i namazit është qafir.


3
》Ajeti ne suren Teubeh:
{فإن تابوا و أقامواالصلاة و آتوا الزكاة فإخوانكم في الدين}
Kuptimi:
{NËSE PENDOHEN DHE E FALIN NAMAZIN DHE E JAPIN ZEKATIN, ATËHERË ATA JANË VËLLEZËRIT TUAJ NË FE}

Dmth: nëse nuk falet, nuk është vëllai yt në fe. Pra, nuk është besimtar, sepse vëlla në fe është vetëm besimtari.

E vërteta është se ky ajet nuk është argument, kjo sepse ajeti përmend edhe zekatin.
I kushtëzon të dyja që të jetë vëlla në fe.

Por ne e dimë se lënësi i zekatit, nuk është qafir.
Kështu që bie si argumentim, nuk qëndron.


4
》Ajete të sures Muddeth-thir:
ما سلككم في سقر ¤ قالوا لم نك من المصلين ¤ و لم نك نطعم المسكين ¤ و كنا نخوض مع الخائضين¤ و كنا نكذب بيوم الدين¤
Kuptimi:
{Ç’FARË JU KA FUTUR NË SEKAR (në zjarr)?
THONË: NE NUK ISHIM PREJ NAMAZFALËSVE (nuk falnim namaz).
DHE AS NUK USHQENIM NEVOJTARIN.
DHE ISHIM QË U PËRZIENIM ME NJERËZ TË HUMBUR (në devijimin e tyre).
DHE ISHIM QË PËRGËNJESHTRUAM (mohuam) DITËN E GJYKIMIT}


Thonë: ky ajet tregon se arsyeja se pse ai është në zjarr është mos falja namazit.

Iu thuhet: edhe këto ajete nuk janë argument, sepse ata në fund thanë:
{NE PËRGËNJESHTRUAM DITËN E GJYKIMIT}

Përgënjeshtrimi i ditës së gjykimit është më i madh dhe më i rëndë se lënia e namazit.

Të gjithë dijetarët bien dakord se mohimi i ditës së gjykimit është kufër.
Ndërsa lënia e namazit nga përtacia, shumica thonë se nuk është kufër.

Kështu që nuk mund të thuash se ata janë futur në zjarr për shkak të lënies së namazit, ndërkohë ata kanë qenë qafira, mohues të botës tjetër.

Nëse ata thonë që krahas mohimit të botës tjetër, ata kanë mohuar edhe me lënien e namazit,

Iu thuhet: nëse ecim me këtë mënyrë argumentimi atëherë edhe AI I CILI NUK KA USHQYER NEVOJTARIN i bie të jetë qafir.
Sepse ata thonë: {DHE NUK USHQENIM NEVOJTARIN}

Mos ushqimi i nevojtarit nuk është kufër.

Nëse me këtë ajet argumentohemi se lënia e namazit është kufër, atëherë duhet të pranojmë se mos ushqimi i nevojtarit është kufër, ama këtë nuk e thotë askush.

Pra, ky argumentim i tyre me këto ajete, për kufrin e lënësit të namazit, nuk qëndron.

Ajeti ka për qëllim qafirat të cilët nuk besonin dhe mohonin Islamin, mohonin namazin dhe të gjithë dispozitat e tjera (urdhëresat dhe ndalesat e Islamit), siç thotë shumica e dijetareve.


5
》Argument tjetër në të cilin bazohen është ixhmaja ( unanimiteti ) i Sahabëve.

Shumë prej dijetarëve të cilët lënësin e namazit e konsiderojnë qafir, thonë që ka unanimitet të Sahabëve se lënësi i namazit është qafir dhe bazohen:

  • në atë që transmeton Tirmidhiu (v.279) dhe El Hakim (v.405):
    عن عبدالله بن شقيق: كان أصحاب النبي صلى الله عليه وسلم لا يرون شيئا من الأعمال تركُهُ كفْرٌ غيرَ الصلاة .
    “Nga Abdull-llah bin Shekik (Tabi’in i madh, v.108 h) thotë:
    Shokët e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nuk e shikonin lënien e ndonjë pune kufër, përpos namazit.”
    [Albani thotë: Sahih]

  • Muxhahid bin xhebr (Tabi’in, v.104 h) e ka pyetur Xhabirin, shokun e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
    ما كان يفرق بين الكفر و الإيمان عندكم من الأعمال على عهد رسول الله صلى الله عليه وسلم؟
    قال: الصلاة)
    (Cila prej punëve tek ju bënte dallimin ndërmjet kufrit dhe Imanit në kohën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem?
    Tha: Namazi.)
    [Transmeton Ibn Betta (v. 387 h) në (El Inabeh 2/672) etj. Albani: Hasen (Sahih et-Tergib uet -Terhib)]

  • Abdull-llah bin Shekik (Tabin i madh, v.108 h) transmeton nga Ebu Hurejra, shok i Profetit se ka thënë:
    كان أصحاب رسول الله صلى الله عليه وسلم لا يرون شيئا من الأعمال تركه كفر غير الصلاة.
    “Shokët e të Dërguarit të All-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nuk e shikonin lënien e një pune kufër, përpos namazit.”
    [Transmeton El Hakim dhe e saktëson atë / Dhehebiu (v.748 h) thotë: zinxhiri i tij është i mirë.]

  • Thotë Is’hak bin Rahauejh (v.238 h):
    صح عن النبي صلى الله عليه وسلم أن تارك الصلاة كافر و كذلك كان رأي أهل العلم من لدن النبي صلى الله عليه وسلم الى يومنا هذا أن تارك الصلاة عمدا من غير عذر حتى يخرج وقتها كافر.
    “Është saktësuar nga Profeti  sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem- se lënësi i namazit është qafir.
    Po kështu, ky është mendimi i dijetarëve prej kohës së Profetit deri në ditët tona, që lënësi i namazit me qëllim, pa justifikim, është qafir.” -F-
    [Transmeton Muhammed bin Naser El Mer’uezij (v.294 h) në librin e tij (Te’adhij Kadrus-Salati 2/925]

  • Ibn Hazmi (v.456 h) ka përmendur disa emra sahabësh të cilët e kanë këtë mendim (sipas ibn Hazmit). Prej tyre: “Umeri, Abdur-rahman bin Auf, Muadhi, Ebu Hurejre..” -F-

  • El Mundhiri (v.656 h) në [Tergib ue Terhib] ka përmend fjalën e Ibn Hazmit dhe ka shtuar edhe disa emra tjerë Sahabësh të cilët e kanë këtë mendim:
    “Ibn Mes’udi, Ibn Abbasi, Xhabir dhe Ebu Derda radijall-llahu anhum “ -F-
    Pastaj Ibn Hazmi thotë:
    لا نعلم لهؤلاء مخالفا من الصحابة
    “Nuk dimë që dikush nga Sahabët i ka kundërshtuar këta në këtë mendim.” -F-
    [El Muhal-la 2/242]


Disa pretendojnë se ky është mendimi i shumicës së dijetarëve (dmth: mendimi se lënësi i namazit është qafir).

و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: