Fillimi i kohës së asrit (ikindisë) është me mbarimin e kohës së namazit të drekës. Ky është mendimi më i saktë dhe këtë mendim e ka shumica e dijetarëve duke u bazuar në disa hadithe.
Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:
‘’Koha e namazit të drekës është derisa nuk është futur koha e asrit. Ndërsa koha e namazit të asrit është deri pa u zverdhur dielli.’’ [Imam Ahmedi, Muslimi]
Xhabiri radiAll-llahu anhu thotë:
‘’Profetit صلى الله عليه وسلم i ka ardhur Xhibrili dhe i ka thënë ngrihu dhe falu! Dhe e fali drekën kur e kaloi dielli kulmin (mesin e qiellit). Pastaj i ka ardhur në kohën e asrit (ikindisë) dhe i ka thënë ngrihu dhe falu! Dhe e fali asrin kur hija e çdo objekti ishte sa vetë objekti…’’ [Imam Ahmedi, Nesaiu, Bukhari thotë që ky është hadithi më i saktë në lidhje me kohët e namazit]
Vazhdon hadithi i Xhabirit:
‘’Pastaj i erdhi Xhibrili të nesërmen dhe i tha Profetit صلى الله عليه وسلم ngrihu dhe falu! Dhe Profeti صلى الله عليه وسلم e fali drekën pasi hija e cdo gjëjë u bë sa vetë objekti. Pastaj i ka ardhur në kohën e ikindisë dhe i ka thënë ngrihu dhe falu! Dhe e fali asrin kur hija e çdo objekti ishte sa dy-fishi i objektit.. dhe koha (e namazeve) është ndërmjet këtyre dy vakteve.’’
Tek hadithi i Xhabirit kuptohet se Xhibrili alejhi selam erdhi dhe i tregoi Profetit صلى الله عليه وسلم fillimin dhe fundin e kohës së çdo namazi.
Ibn AbdulBerr thotë se Xhibrili i ka prirë Profetit صلى الله عليه وسلم në namaz një ditë pas ditës së Isras (pasi mori urdhërin për faljen e namazit pesë herë në një ditë-natë) dhe namazi i parë që kanë falur ka qenë dreka. Disa thonë që ka qenë sabahu, por më e sakta është që ka qenë namazi i drekës. Këtë mendim ka edhe Ibn Haxheri rahimehull-llah.
Pasi Profeti صلى الله عليه وسلم u ngjit në natën e Isras dhe mori urdhërin e namazit, të nesërmen i ka ardhur Xhibrili në kohën e drekës dhe i ka treguar fillimin e kohëve të të gjitha namazeve. Pastaj ditën pas të nesërmes (ditën e dytë pas Isras) i ka ardhur Xhibrili në kohën e drekës përsëri për t’i treguar fundin e kohës së të gjitha namazeve.
Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:
‘’Më është bërë imam Xhibrili tek Qabja, dy herë.’’
Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:
‘’Koha e drekës hyn kur dielli kalon zenitin (mesin e qiellit) dhe vazhdon derisa hija e njeriut të jetë sa gjatësia e njeriut.. për aq kohë sa nuk ka hyrë asri (ikindia).’’ [Muslimi]
Nga ky hadith kuptohet se hyrja e ikindisë është dalja e drekës dhe dalja e drekës është hyrja e ikindisë.
Ikindia futet kur hija e objektit është sa vetë objekti plus hija e mbetur në zeual. Sipas imam Neueuiut, ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.
Mendimi i atyre të cilët thonë se ekziston një kohë e përbashkët mes drekës dhe ikindisë mjaftueshëm për të falur katër rekate, është i dobët. Sipas atyre që kanë këtë mendim, kur hija e objektit bëhet sa vetë objekti, atëherë ka hyrë koha e asrit, por akoma nuk ka dal koha e drekës. Dhe thonë që ka akoma kohë për të falur katër rekate duke u bazuar te hadithi i gjatë i transmetuar nga Xhabiri radiAll-llahu anhu ku Xhibrili ditën e parë e fali asrin kur hija e objektit ishte sa vetë objekti dhe ditën e dytë e fali drekën kur hija e objektit ishte sa vetë objekti dhe këta thonë që këtu ka kohë të përbashkët.
Imam Neueuiu rahimehull-llah thotë se më e sakta është se nuk ka kohë të përbashkët, siç kanë përmendur imam Shafiu dhe shumica e dijetarëve, sepse Xhibrili alejhi selam e ka mbaruar drekën kur hija e objektit është bërë sa vetë objekti dhe e ka filluar asrin pasiqë hija e objektit ishte bërë sa vetë objekti.
Ky interpretim është i nevojshëm që të bëjmë bashkim mes dy haditheve sepse nëse ne e interpretojmë sikur ka kohë të përbashkët mes këtyre dy vakteve, i bie që koha e drekës është e panjohur. Kjo sepse nëse ne fillojmë të falim katër rekatet në këtë kohë të përbashkët që është kur hija e objektit është sa vetë objekti, ne nuk e dimë se kur mund t’i mbarojmë këto katër rekate (dikush i fal më shpejt dhe dikush më ngadalë dhe nuk dihet se kur është fundi i drekës). Kështu që ne nuk arrijmë të kuptojmë kufirin e kohëve.
Ikindia del në dy kohë:
Imam Neueuiu thotë se dijetarët e medhhebit Shafii e ndajnë këtë në katër kohë:
Shejkh Albani thotë se dijetarët kanë thënë: ‘’Kohët ndahen në tre kategori:
Koha nga zverdhja e diellit dhe deri para perëndimit të tij është koha e namazit të hipokritëve, duke u bazuar te hadithi i Enesit radiAll-llahu anhu në të cilin Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:
‘’Ky është namazi i munafikut (hipokritit). Ulet munafiku duke vrojtuar diellin derisa dielli të jetë ndërmjet dy brirëve të shejtanit (afër perëndimit), ngrihet dhe e çukit atë (e fal shpejt e shpejt namazin me katër rekate) dhe nuk e përmend All-llahun veçse pak.’’ [Muslimi]
Nëse besimtari e le faljen e namazit të asrit në këtë kohë për shkak të neglizhencës, atëherë ai qortohet me hipokrizinë, por jo se është i tillë. Kjo sepse munafikët e lejnë qëllimisht dhe e gjuajnë këtë moment për t’a falur namazin në të.
Imam Sheukani thotë: ‘’Disa prej dijetarëve kanë përcjellë dakordësinë e dijetarëve për moslejimin e vonimit të namazit të asrit deri në këtë moment, për atë i cili nuk ka justifikim.’’
Kjo fjalë nuk duket të jetë e saktë, pasi ka mospajtim në lidhje me këtë çështje. Fjalët e mësipërme të imam Neueuiut dhe shejkh Albanit tregojnë se lejohet falja e namazit në këtë kohë. Nuk është haram të falet namazi në këtë kohë, por është e qortuar.
Më e pëafërta është se falja e namazit në këtë kohë me neglizhencë dhe pa e bërë rrugë, është e qortuar. Ama mund të themi për atë i cili e le me qëllim faljen e namazit në këtë kohë dhe e bën rrugë pa asnjë arsye, i tilli ka rënë në hipokrizi me vepër (jo me zemër). Personi i cili nuk e bën rrugë faljen e asrit në këtë kohë, por i bie t’a falë ndonjëherë me arsye, ai qortohet me këtë gjë, por nuk ndalohet!
All-llahu i Lartësuar thotë:
‘’Ruajini namazet, dhe namazin e mesëm.’’
Mendimi më i saktë, prej 17 mendimeve në lidhje me namazin e mesëm, është se për qëllim është namazi i asrit (ikindisë). Konsiderohet i mesëm pasi është mes namazeve të ditës dhe natës.
Pëlqehet shpejtimi i namazit të asrit (ikindisë) kur është kohë me vranësira. Kjo sepse për shkak të vranësirave nuk e shohim dot diellin dhe mund t’i dale koha namazit pa e falur atë.
Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:
‘’Shpejtoni me namazin në ditët e vranëta. Me të vërtetë atij të cilit i ikën namazi
i asrit, i është asgjësuar puna e tij.’’
Janë katër mendime në lidhje me ‘’ i është asgjësuar puna e tij’’:
Ibn Tejmije rahimehull-llah thotë: ‘’Humbja e namazit të asrit është më e madhe se humbja e namazeve tjera. Kjo sepse ai është namazi i mesëm, i cili është veçuar me urdhër që të ruhet dhe të jemi të kujdesshëm ndaj tij. Dhe po ashtu sepse ai është namazi me të cilin ishin urdhëruar dhe popujt të cilët ishin para nesh, dhe ata e braktisën atë.’’ [mexhmuul fetaua]
Perëndimi i diellit ndodh me rënien e diskut të diellit poshtë horizontit. Në atë moment është fundi i namazit të ikindisë dhe fillimi i namazit të akshamit. Horizonti është vendi ku bashkohet qielli me tokën në shikimin tonë. Horizonti ndryshon në varësi të pikës së vrojtimit, pozicionit dhe vendit në të cilin gjendet personi. Horizonti i atij që është në fushë është ndryshe nga horizonti i atij që është në male të larta apo ndërtesa të larta. Fushëpamja e këtyre mbi male është më e madhe dhe horizonti i tyre është më larg se horizonti i atyre që janë më poshtë apo në fushë.
Për shembull: në një ndërtesë 20-katëshe, dielli perëndon më shpejt në katin e parë dhe për banorët aty ka mbaruar koha e asrit (ikindisë) dhe ka hyrë koha e akshamit. Ndërsa për banorët që janë në kat të njëzet dielli nuk ka perënduar ende, pasi ata e shohin atë, rrjedhimisht nuk ka mbaruar koha e asrit dhe nuk ka hyrë koha e akshamit. Kjo sepse horizonti është i ndryshëm për të dy ata.
Horizonti mund të jetë:
Kur dielli bie pas këtyre horizonteve dhe nuk shikohet më disku i tij, atëherë ka perënduar dielli, ka mbaruar koha e ikindisë dhe ka hyrë koha e akshamit.
Shejkh Albani dhe të tjerë prej dijetarëve thonë se ata të cilët bëjnë dallim ndërmjet horizontit me male dhe horizontit me fushë apo det, ata flasin pa argument. Po ashtu e folura me hamendësim për perëndimin e diellit nuk lejohet. Me zhdukjen e diskut të diellit, ka perënduar dielli, përveç vendeve në lugina të cilat kanë male të larta ku edhe pse zhduket disku i diellit, prap vazhdon të ketë ditë dhe dritë të fortë.
Në këto raste duhet pritur ardhja e natës dhe zbatojmë hadithin ku Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:
‘’Kur nata të vije nga kjo anë (lindja) dhe dita të ike nga kjo anë (perëndimi), dhe të perëndoje dielli, e ka çel agjërimin agjëruesi.’’
Shejkh Albani thotë se këto tre elementë duhet të merren gjithmonë në konsideratë sepse të treja janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, përveç në lugina apo në shpate të maleve nga perëndimi. Në këto zona disku i diellit zhduket shumë herët, ndërkohë që është ditë e madhe dhe dritë e shumtë. Në këto raste duhet të presim deri kur të ike kjo dritë e ditës dhe të vije drita e natës. Drita e natës është drita e cila mbetet pas perëndimit të diellit. Kjo dritë vjen gradualisht duke u errësuar, derisa të bëhet errësirë e plotë.
All-llahu i Lartësuar thotë:
‘’.. dhe plotësojeni agjërimin deri natën.’’
Ne e dimë se kur duhet t’a çelim iftarin, pasi ai çelet kur të vije nata. Ajeti tregon se me perëndimin e diellit ka ardhur nata dhe ka ikur dita. Prandaj në këto zona si luginat apo shpatet e maleve nga ana e perëndimit, koha e akshamit nuk futet me zhdukjen e diskut të diellit, por me ardhjen e dritës së natës e cila dallon nga drita e ditës, për atë i cili e vrojton me kujdes siç e shpjeguam më lart.
Në zonën ku ndodhemi ne, shohim që zhduket disku i diellit, perëndon ai dhe hy koha e akshamit. Disa nuk bazohen te kjo, por rrinë duke pritur derisa të zhduken rrezet e diellit te kodrat apo malet që gjenden në horizontin lindor. Në vend që të shohin perëndimin nga ana perëndimore siç jemi urdhëruar, ato kthehen duke shikuar rrezet e diellit nga ana lindore. Kjo është e habitshme!
Kjo është injorancë dhe të flasësh në fenë e All-llahut pa dije. Sepse me perëndimin e diellit lidhen dispozita fetare siç janë: mbarimi i kohës së asrit, hyrja e kohës së akshamit dhe çelja e iftarit.
Kur disku i diellit zhduket dhe perëndon dielli, ka dal koha e asrit dhe ka hyrë koha e akshamit. Nëse ti i pyet këta të cilët edhe pse ka perënduar dielli aty ku ata ndodhen, rrinë duke parë rrezet e diellit te malet në anën lindore: a mund t’a fal namazin e asrit tani? Ata nuk dinë të të kthejnë përgjigje. Janë dyshues dhe dyshimi nuk është dije, por injorancë. Duhet të kemi kujdes nga këto mendime.