Koha e namazit të jacisë

Koha e namazit të jacisë

Me ikjen e të kuqes në horizont, ka dal koha e akshamit dhe ka hyrë menjëherë koha e jacisë. Ikja e njërës është hyrja e tjetrës.

Profeti صلى الله عليه وسلم thotë (me kuptim):

‘’Fundi i kohës së namazit të akshamit është zhdukja e muzgut.’’

Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Nuk ka shkujdesje/neglizhencë kur të zë gjumi, Neglizhenca është kur e le kohën e namazit deri kur vjen namazi tjetër. ‘’

Ky hadith tregon qartë se fundi i kohës së namazit të parë, është fillimi i kohës së namazit pasardhës. Përjashtim bën namazi i sabahut, fundi i të cilit nuk është fillimi i namazit të drekës dhe për këtë ka unanimitet tek të gjithë dijetarët. Edhe te namazi i jacisë, fundi i tij nuk është fillimi i namazit të sabahut.

Fillimi i kohës së jacisë është fundi i kohës së akshamit dhe për këtë ka unanimitet tek të gjithë dijetarët sipas Ibnul Mundhir, Ibn Hazmi, ibn AbdulBerr, Sheukani etj.

Tek fundi i kohës së jacisë ka mospajtim tek dijetarët dhe këtë mospajtim e ka përmendur imam Sheukani rahimehull-llah. Dijetarët janë ndarë në tre grupe për këtë çeshtje:

1. Dijetarët të cilët mendojnë se fundi i jacisë është kur mbaron 1/3 e parë e natës. Këtë mendim kanë Umer ibn Khatab, el Kasim, Umer Ibn Abdulaziz dhe të tjerë prej dijetarëve.

2. Dijetarët të cilët mendojnë se fundi i jacisë ka dy kohë:

a) Koha e pëlqyer që vazhdon deri në fundin e gjysmës së natës.

b) Koha e domosdoshme që vazhdon deri në agimin e vërtetë (sabah).
Këtë mendim kanë ibn Kudame, Ibn Tejmije, Sheukani, Bin Bazi, dijetarët e Lexhnes.

Shejkh Bin Bazi thotë: ‘‘Kur të hyje mesi i natës ka mbaruar koha e jacisë, ama ka mbetur koha e domosdoshme. Nëse e fal pas mesit të natës është në kohë, por nëse e vonon me qëllim është mëkatar.’’

Kjo nuk duket e saktë sepse:

  • Nga argumentat kuptojmë që namazi ka fillimin dhe mbarimin e tij dhe muslimani e fal namazin në cilën do kohë ndërmjet këtyre dyjave dhe nuk konsiderohet mëkatar. Fjala e shejkhut që thotë që pas mesit të natës je në kohë, por mëkatar, kjo nuk përkon me argumentat.
  • Këto dijetarë bazohen te hadithi ku Profeti صلى الله عليه وسلم thotë se neglizhim është kur nuk e fal namazin deri kur vjen koha e namazit tjetër. Këtë hadith e përgjithësojnë, pavarësisht se namazin e sabahut e nxjerrin nga ky hadith dhe thonë se këtu futet edhe namazi i jacisë sepse Profeti صلى الله عليه وسلم ka treguar se fundi i kohës së një namazi është fillimi i kohës së namazit tjetër dhe i bie që fundi i jacisë të jetë fillimi i sabahut. Ky pretendim bie, pasi fundi i namazit të sabahut nuk është dreka (me unanimitet të gjithë dijetarëve) dhe prandaj nuk mund të përgjithësohet hadithi.
  • Argument tjetër është hadithi tek Muslimi, i transmetuar nga Aishja: ‘’E ka vonuar Profeti صلى الله عليه وسلم namazin e jacisë një natë derisa kaloi një pjesë e madhe e natës. Pastaj doli dhe u fal dhe tha: kjo është koha e saj po të mos ia vështirësoja umetit tim.’’ Dijetarët e këtij mendimi bazohen te ‘derisa kaloi një pjesë e madhe e natës’ dhe thonë që lejohet të falet namazi i jacisë edhe kur ka kaluar pjesa më e madhe e natës. Imam Neueueiu thotë se është gabim të interpretohet hadithi sikur ka kaluar pjesa më e madhe e natës sepse në hadith nuk thuhet ‘më e madhe e natës’ por thuhet ‘një pjesë e madhe’ dhe ka dallim.
  • Te pjesa ku Profeti صلى الله عليه وسلم tha ‘kjo është koha e saj’ domethënë ‘koha më e mirë e saj’ dhe imam Neueuiu thotë se askush prej dijetarëve nuk thotë që koha më e mirë e jacisë është pas mesit të natës. Kjo do të thotë se Aishja radiAll-llahu anhe nuk ka patur për qëllim ‘pjesën më të madhe të natës’ sepse kjo i bie pas mesit të natës dhe asnjë dijetar nuk thotë që koha më e mirë është pas mesit të natës. Prandaj bie ky lloj argumentimi.

3. Dijetarët të cilët mendojnë se fundi i kohës së jacisë është mesi i natës. Këto bazohen te ajeti kuranor ku All-llahu i Lartësuar thotë:

‘’Faleni namazin kur dielli kalon zenitin deri në gjysmën e natës dhe namazin e sabahut.’’

Ibn Uthejmini rahimehull-llah thotë: ‘’Në këtë ajet All-llahu e ka filluar me drekën dhe deri në gjysmën e natës, që i bie katër namaze: dreka, ikindia, akshami, jacia. Pastaj All-llahu e ka shkëputur namazin e sabahut nga këto të katërta për të treguar se ai nuk ka lidhje me to. Namazi i sabahut as nuk fillon pasi mbaron namazi i jacisë dhe as nuk mbaron kur futet namazi i drekës.’’ Ky mendim i shejkhut qëndron dhe është i saktë.

Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Koha e namazit të jacisë është deri në mesin e natës.‘’ [Muslimi]

Shejkh Albani thotë: ‘’Njeriu mund t’a vonoje namazin e jacisë deri në mesin e natës duke u bazuar në hadithin e saktë dhe të qartë që ka ardhur tek Muslimi (hadithi i mësipërm). Nuk duhet vonuar deri në lindjen e agimit të vërtetë (sabah) pasi nuk ka argument për të. Përkundrazi, vonimi deri në sabah bie në kundërshtim me hadithin e saktë.’’ [Silsiletil hude ue nur. Kaseta 97]

Fjala më e saktë është se fundi i kohës së jacisë është mesi i natës. Nëse personi nuk e ka falur jacinë pa arsye sheriatike (gjumi dhe harresa), atëherë këtij i ka ikur koha e faljes së këtij namazi dhe ka bërë gjynah të madh!

 

Llogaritja e gjysmës së natës

Nata fillon me perëndimin e diellit dhe mbaron me lindjen e agimit të vërtetë. Nëse dielli perëndon në orën 19:00 dhe agimi lind në 05:00 (10 orë) atëherë mesi i natës i bie në 00:00.

 

Vonimi i namazit

Pëlqehet vonimi i faljes së namazit të jacisë deri afër mbarimit të kohës së saj (mesi i natës). Ka mospajtim tek dijetarët në lidhje me këtë, por mendimi i cili thotë që duhet vonuar është më i fortë dhe saktë duke u bazuar në argumente te ndryshme, si tek hadithi i transmetuar nga:

Xhabir ibn Semura i cili thotë: ‘’Profeti صلى الله عليه وسلم e shtynte (vononte) namazin e jacisë.’’ [Muslimi]

Ebu Hurejra transmeton se Profeti صلى الله عليه وسلم ka thënë:

‘’Nëse nuk do t’ua vështirësoja umetit tim, do t’i urdhëroja që t’a shtyjnë namazin e jacisë deri në pjesën e tretë të natës apo deri në mesin e natës.’’

Aishja radiAll-llahu anhe transmeton:

‘’E ka vonuar Profeti صلى الله عليه وسلم namazin e jacisë një natë derisa kaloi një pjesë e madhe e natës. Pastaj doli dhe u fal dhe tha: kjo është koha e saj po të mos ia vështirësoja umetit tim.’’ [Muslimi]

Enesi transmeton:

‘’Profeti صلى الله عليه وسلم e vonoi namazin e jacisë deri në gjysmën e natës. Pastaj u fal. Pastaj tha: Njerëzit kanë fjetur, ndërsa ju keni qenë në namaz për aq kohë sa e keni pritur atë.’’ [Bukhari & Muslimi]

Xhabiri radiAll-llahu anhu thotë: ‘’Profeti صلى الله عليه وسلم nganjëherë e vononte jacinë dhe nganjëherë e shpejtonte. Kur e shikonte se ishin grumbulluar shokët e tij (sahabët), e shpejtonte namazin. Kur e shikonte se ata po vonoheshin, e shtynte faljen e tij.’’ [Bukhari & Muslimi]

Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah thotë: ‘’Pëlqehet vonimi i jacisë si për gratë, ashtu dhe për burrat. Nëse nuk ka mundim dhe vështirësi, shtyrja e namazit është më e mira.’’

Ibn Haxheri rahimehull-llah thotë: ‘’Ai i cili gjen tek vetja e tij fuqi për t’a shtyrë namazin e jacisë dhe nuk e mund gjumi e as nuk e mundon vonimi i namazit, atëherë shtyrja është më e mirë.’’

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Shtyrja e namazit të jacisë deri në mesin e natës është më parësore nëse kjo nuk i mundon besimtarët. Ama nëse besimtarët mundohen nga kjo, atëherë kthehemi në origjinë dhe e falim në fillim të kohës, pasi në të shumtën e rasteve, Profeti صلى الله عليه وسلم e ka falur namazin e jacisë në fillim të kohës së saj.’’

 

Fjetja para jacie

Ebu Berzeh el Eslemij thotë: ‘’E pëlqente Profeti صلى الله عليه وسلم vonimin e jacisë dhe e urrente gjumin para jacie dhe muhabetet pas jacie.’’ [Bukhari & Muslimi e të tjerë]

Imam Tirmidhiu thotë: ‘’Shumica e dijetarëve e konsiderojnë të qortuar gjumin para jacie. Ndërsa një pjesë e konsiderojnë të lejuar atë.’’

Ibn Sejid en-Nas thotë: ‘’Disa e kanë lejuar fjetjen e gjumit para jacie ku prej tyre përmendim Aliun radiAll-llahu anhu, Ebu Musa dhe dijetarët e Kufes. Disa prej tyre e kanë kushtëzuar me faktin që të jetë dikush i cili i zgjon nga gjumi. Arsyeja pse qortohet fjetja para jacie është që gjumi mos të bëhet shkak që besimtarit t’i humb koha e pëlqyer e namazit, ose humbja komplet e tij me xhemat apo të bëhet një gjë normale tek njerëzit.‘’ [Sherh et-Tirmidhi]

Ibnul Arabi rahimehull-llah thotë: ‘’Lejohet fjetja para jacie për atë i cili mundet me u ngrit nga gjumi (e ka të lehtë të ngrihet) dhe për atë i cili ka dikë që e zgjon nga gjumi.’’

Shejkh Bin Bazi thotë: ‘’Gjumi ndërmjet akshamit dhe jacisë është i qortuar.’’

Ibn Uthejmin thotë: ‘’Gjumi në këtë kohë është i qortuar, por nuk është haram.’’

 

Muhabetet pas jacie

Qëndrimi pas jacie për muhabete apo gjëra të tjera është i qortuar siç u përmend në hadith.

Ibn Mesudi thotë: ‘’Profeti صلى الله عليه وسلم na ka ndaluar që t’a kalojmë natën me muhabete, pasi të falim namazin e jacisë.‘’ [Ibn Maxheh]

Imam Sheukani thotë se nga ky hadith kuptojmë që është e qortueshme të bëhen muhabete pas namazit të jacisë.

Imam Tirmidhiu tregon se ka mospajtim tek sahabët dhe tabiinët në lidhje me muhabetet pas jacie. Ai thotë: ‘’Shumica e haditheve anojnë tek fakti që lejohen muhabetet pas jacie. Dijetarët kanë rënë dakord se muhabetet pas jacie janë të qortuara, përveç nëse janë muhabete në të cilat ka mirësi. Thuhet se arsyeja e qortimit është që mos t’iu zgjaten muhabetet shumë dhe t’i shtyjnë besimtarët që të flejnë shumë pak gjumë dhe rrjedhimisht të mos ngrihen për namaz të sabahut me xhemat, apo akoma më keq t’iu ike pa fal sabahu nga koha e tij.’’

Ibn Uthejmini rahimehull-llah thotë: ‘’Janë të qortuara muhabetet që bëhen pas jacie. Përjashtim bëjnë muhabetet që besimtari bën me familjarët e tij në shtëpi. Po ashtu muhabetet me mikun që i ka ardhur për vizitë, pasi miku ka hakun e tij dhe prej nderimit dhe respektimit të tij është që t’i japësh muhabet. Po ashtu përjashtim bëjnë të gjitha muhabetet të cilat lidhen me çeshtje rreth diturisë e tema të ngjashme.’’

Nga argumentat e përmendura më sipër, duket që shkaku i qortimit të muhabeteve pas jacie është frika e humbjes së namazit të natës, namazit të sabahut me xhemat apo më keq akoma humbja e namazit të sabahut në kohën e tij pasi mund të dale gjumi pasi ka lindur dielli.

Ama çeshtja është e hapur dhe ka përjashtime të cilat u përmendën nga dijetarët më sipër. Përjashtim tjetër është në stinën e dimrit kur jacia e ka kohën rreth orës 18:00. Ky është një orar kur shumica e njerëzve kthehen prej pune. Nëse u thuhet që të mos bëjnë muhabet pas jacie, atëherë atyre nuk u bie të flasin ndonjëherë me familjarët e tyre pasi gjithë ditën kanë qenë në punë deri në kohë të jacisë. Kështu që ka përjashtime, Elhamdulil-lah!

Shpërndaje: