Koha e namazit të sabahut

Agimi i vërtetë dhe i rrejshëm

Namazi i sabahut ose namazi i agimit futet kur të bëhet e qartë lindja e agimit. Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Agimi është dy agime: Agimi në të cilin ndalohet ushqimi dhe lejohet në të namazi dhe agimi në të cilin ndalohet në të namazi dhe lejohet ushqimi.’’  [Transmeton el Hakim, Saktëson shejkh Albani]

‘’Agimi është dy agime: Agimi i cili është si bishti i ujkut. Nuk lejohet në të namazi dhe nuk ndalohet në të ushqimi dhe agimi i cili hapet për së gjeri ne horizont. Lejohet në të namazi dhe ndalohet në të ushqimi.’’ [Transmeton el Hakim, Saktëson shejkh Albani]

Profeti صلى الله عليه وسلم në këto dy hadithe na tregon se janë dy agime:

1. Agimi drita e të cilit shkon për së larti si bishti i ujkut, qëndron për pak kohë dhe pastaj zhduket, e mbulon errësira përsëri. Në një transmetim Profeti صلى الله عليه وسلم këtë agim e quan ‘agimi i rrejshëm’ ose agimi i parë. Në këtë agim lejohet ngrënia dhe pirja për atë i cili dëshiron të agjëroje dhe ndalohet falja e namazit të sabahut pasi akoma është errësirë dhe nuk ka hyrë dita akoma. Shejkh ibn Uthejmin rahimehullah thotë:‘’Ky agim dallon nga agimi i vërtetë me tre gjëra:

  • Drita e tij është e ngushtë, ndërsa drita e agimit të vertetë hapet për së gjeri.
  • Drita e agimit të rrejshëm nganjëherë është e shkëputur nga horizonti dhe nganjëherë është e ngjitur me horizontin, ndësa drita e agimit të vërtetë është gjithmonë e lidhur me horizontin.
  • Drita e agimit të rrejshëm qëndron për pak kohë dhe pastaj zhduket, ndërsa drita e agimit të vërtetë qëdron deri sa të zbardhe komplet.’’

2. Agimi drita e të cilit hapet për së gjeri nga e djathta dhe nga e majta dhe bëhet e qartë për të gjithë. Ky agim është për qëllim tek ajeti kuranor:

‘’Hani e pini derisa të bëhet e qartë për ju peri i bardhë nga peri i zi në agim.’’

Peri i bardhë është drita e ditës dhe peri i zi është errësira e natës, siç e ka shpjeguar vetë Profeti صلى الله عليه وسلم në hadithin i cili gjendet tek Muslimi ku thotë:

‘’Me të vërtetë ajo është erresira e natës dhe bardhësia e ditës.’’

Drita bëhet e qartë nga nata kur drita e saj të shtrihet për së gjeri në horizont nga jugu dhe veriu. Kjo dritë ka raste kur është e bardhë, e kuqe dhe e përzier. Kjo varet edhe nga stinët, All-llahu e di më së miri.

Profeti صلى الله عليه وسلم e ka përshkruar këtë agim si të kuq duke thënë:

‘’Hani dhe pini derisa të shfaqet për ju e kuqja.’’ [Transmeton Tirmidhiu, Saktëson Shejkh Albani]

Ibn Kethiri përmend në tefsirin e tij se Ata (prej tabiinëve të mëdhenj) thotë: ‘’Kam dëgjuar Ibn Abasin i cili thotë se janë dy agime. Sa i takon agimit drita e të cilit shkon lart, nuk lejon dhe nuk ndalon asgjë (dmth është natë akoma).. lejohet ngrënia dhe pirja për atë që do të agjëroje dhe falja e vitrit pasi është akoma natë dhe nuk lejohet falja e namazit të sabahut. Ndërsa agimi i cili bëhet i qartë, i shtrirë mbi majat e maleve e ndalon pirjen.’’ Pra, ky është agimi që tregon se ka hyrë dita. Nuk lejohet ngrënia dhe pirja për atë që do të agjëroje dhe lejohet falja e namazit të sabahut.

Ibn Kethiri thotë se këto transmetime janë të sakta dhe e njejta gjë është transmetuar nga disa prej selefëve.

Siç përmendëm më sipër, ky agim ka raste kur është ngjyrë e bardhë, e kuqe dhe e përzier. Më së shumti është i përzier me të bardhë. Shejkh Albani rahimehullah thotë: ‘’Dije se nuk ka kundërshtim ndërmjet të kuqes së përmendur në hadith dhe të bardhës së përmendur në Kuran, sepse qëllimi dhe All-llahu e di më së miri, është e bardhë e përzier me të kuqe ose herë është e bardhë dhe herë është e kuqe. Ndryshon në varësi të stinëve dhe vendit ku lind agimi dhe këtë unë e kam parë shpesh herë vetë, nga shtëpia ime. Kjo bardhësi apo e kuqe duhet që të bëhet e qartë për shikuesin dhe në momentin që bëhet e qartë, atëherë ka hyrë agimi i vërtetë në të cilin lejohet falja e namazit të sabahut. Në të kundërt, jo!’’

Drita bëhet e qartë kur shtrihet për së gjeri në horizont nga veriu dhe jugu dhe hapet për së gjati në horizont, ndriçon drita e tij dhe shkëlqen. Ibn Xherir et-Taberij, imami i komentatorëve të Kuranit thotë: ‘’Cilësia dalluese e kësaj bardhësie është që të jetë e shpërndarë, e përhapur dhe e plotë në qiell, bardhësia dhe drita e të cilës ti mbushë rrugët.’’

El Muberakfuri përmend nga ibn Mundhir: ‘’Një pjesë e dijetarëve anojnë nga mendimi se qëllimi me qartësinë e ditës nga errësira e natës është që bardhësia e dritës të përhapet në rrugica dhe shtëpi.’’

Në lidhje me hadithin ku Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Hani dhe pini derisa të shfaqet për ju e kuqja.’’ [Transmeton Tirmidhiu, Saktëson Shejkh Albani]

Imam Tirmidhiu ka thënë: ‘’Në këtë hadith bazohen dijetarët dhe thonë se lejohet për agjëruesin ngrënia dhe pirja derisa të shfaqet për së gjeri në horizont, agimi i kuq. Kësaj i përmbahen shumica e dijetarëve.’’

Thotë el Hatabi el Maliki (prej dijarëve të mëdhenj Maliki): ‘’Nuk ka kundërshtim te dijetarët në lidhje me faktin se fillimi i kohës së namazit të sabahut është me lindjen e agimit të vërtetë, i cili është dritë e hapur për së gjeri në horizont.’’

Thotë Ebu Umer ibn AbdulBerr: ‘’Kanë rënë dakord të gjithë dijetarët se koha e namazit të sabahut është kur të lind agimi i dytë. Kur të qartësohet lindja e tij e cila është bardhësi e shpërndarë në horizontin lindor, e cila nuk ka errësirë pas saj.’’

Thotë shejkh Bin Bazi rahimehullah: ‘’Agimi i vërtetë është agimi, drita e të cilit zgjatet në horizont, zgjerohet dhe ndriçon dhe vazhdon drita e tij duke u shtuar derisa të qartësohet agimi.’’

Pjesa e fundit fjalës së shejkh bin Bazit na tregon se agimi qartësohet kur të shtohet drita dhe nuk quhet agim drita e hollë dhe e zbehtë në fillim të kohës. Një pjesë e madhe e muslimanëve të cilët nuk dinë, bazohen te drita e hollë dhe e zbehtë e cila sapo del dhe thonë tani ka hyrë agimi dhe lejohet falja e namazit. Ama shejkh bin Bazi tha që drita duhet zgjatur, zgjeruar dhe shtuar derisa të bëhet e qartë.

Thotë shejkh Albani rahimehullah në lidhje me pyetjen që ju bë për thirrjen e dy ezaneve të sabahut: ‘’Nëse ezanin e dytë e thërrisni kur të dalë agimi, të shndritë dhe të shkëlqejë dhe të shpërthejë drita, atëherë e keni ringjallur sunetin të cilin e kanë vdekur shumica e muslimanëve.’’

Pra, kjo është koha e agimit të vërtetë në të cilin duhet thirrur ezani i sabahut.

Ibn Uthejmini rahimehullah thotë: ‘’Agimi i vërtetë shtrihet në horizont për së gjati, nga veriu dhe jugu.’’

Shejkh Bin Bazi rahimehullah thotë: ‘’Agimi i vërtetë është agimi, drita e të cilit është zgjatur në horizont, e shtrirë si dy krahët e shpendit. Pra, zgjerohet dhe shtrihet nga jugu dhe veriu derisa të shtohet drita e tij dhe të qartësohet agimi.’’

Shejkh Albani rahimehullah thotë: ‘’Koha e agimit është e qartë. Kur ta shikoni dritën e kuqe e cila është zgjatur dhe shtrirë në horizont nga veriu në lindje. Ky është kuptimi i fjalës së All-llahut ku thotë ‘hani e pini derisa të bëhet e qartë për ju drita e ditës nga errësira e natës në agim.’’

Shejkh et-Tekijudin el Hilali, dijetar Maroken, ka qenë prej të parëve i cili e ka vendosur në dukje gabimin e kalendarit në namazin e sabahut dhe ka bërë një libër në lidhje me këtë çështje në të cilin përmend: ‘’Fjala e mesme prej fjalëve dhe mendimeve të dijetarëve me të cilën jap fetua dhe punoj me të është: agimi i vërtetë i cili e ndalon ushqimin për atë që dëshiron të agjëroje dhe e lejon faljen e namazit të sabahut (i ka hyrë koha) është agimi i kuq, bardhësia e të cilit është përzier me të kuqe dhe është shtrirë e përhapur në horizont. Kjo dritë i mbush shtëpitë dhe rrugët (duken dhe dallohen shtëpitë dhe rrugët) dhe nuk ka kundërshtim asnjë prej njerëzve dhe të gjithë bien dakord se ka hyrë koha e agimit të vërtetë dhe askush nuk ka kundërshtim në të.’’

Agimi i vërtetë ka hyrë kur drita e këtij agimi të duket e qartë për të gjithë dhe të mos dyshoje askush. Qartësia e kësaj drite ka të bëjë me ndriçimin dhe shkëlqimin e saj, zgjatjen dhe zgjerimin në horizont nga veriu dhe nga jugu, e bardhë apo e kuqe. Del në fillim nga ana e lindjes, fillon duke u hapur dhe duke u shtrirë nga jugu dhe veriu derisa të bëhet e qartë për të gjithë. Ky është agimi i vërtetë dhe jo ajo e kuqja apo e bardha e cila sapo e del dhe është shumë e hollë dhe e zbehtë.

Fatkeqësisht, shumica e hoxhallarëve dhe muslimanëve sot bazohen tek kjo e dyta e cila është e hollë dhe e zbehtë dhe madje ka raste kur dhe namazin e sabahut e falin në këtë kohë!

 

Çështja e dytë: shikimi i agimit bëhet prej vendit në të cilin ndodhesh

Origjina është që agimi shikohet dhe vrojtohet nga vendi në të cilin muslimani ndodhet dhe jo të dalë jashtë qytetit, në fusha të hapura apo pas maleve. Nuk ka argument për këto dhe kjo është vështirësi. Sheriati e ka lidhur hyrjen e kohës së agimit me shikimin e personit, derisa t’i bëhet e qartë atij dhe nuk është fikse, por është çështje e gjerë në të cilën ka tolerancë. Duke u nisur nga kjo, ç’farë kuptimi ka dalja jashtë qytetit apo pas maleve?

Kjo është kontradiktore me këtë rregull sheriatik, pasi është vështirësi në fe dhe bie në kundërshtim me atë të cilën All-llahu ia ka lënë në përgjegjësi individit derisa t’i bëhet e qartë atij. All-llahu nuk e ka bërë kohën e agimit, kohë fikse me sekonda, por ka hapësirë për tolerim.

Shikimi bëhet në shtëpi nga dritarja apo në çati, në rrugë nëse ajo kohë e zë robin jashtë, apo nëpër xhamia nëse muezinët shkojnë atje që t’a shohin horizontin e lindjes. Me rëndësi është që personi t’a njohë lindjen e agimit mirë si kohë dhe mos të ketë pengesa ndërmjet tij dhe horizontit të lindjes apo drita të mëdha e të shumta, drita e të cilave e mbulon fushëpamjen e lindjes dhe nuk shikon dot asgjë.

Ka prej dijetarëve, ndër to ibn Uthejmini rahimehullah të cilët thonë se duhet me dal jashtë qytetit për shkak se dritat e qytetit nuk e lejojnë shikimin e qartë të agimit. Kjo është e drejtë kur kemi të bëjmë me drita të forta, të shumta dhe të larta nëpër shtylla, siç janë nëpër qendrat e qyteteve. Në këto raste lejohet dalja në një zonë apo lagje tjetër ku nuk ka drita që e bllokojnë shikimin e dritës së agimit. Por nuk është e saktë që duhet dalur jashtë qytetit fare, pasi ka zona në qytet që kanë drita normale të cilat nuk e bllokojnë shikimin e dritës së agimit.

Shejkh Albani rahimehullah e shikonte agimin nga shtëpia e tij, siç e përmendëm më sipër edhe pse ka patur drita në zonën e tij. Nëse ka dilemë se mund të ketë hyrë koha e sabahut më përpara, por prezenca e dritave mbase nuk e lejon që të shihet si duhet, kjo nuk është argument dhe nuk përbën problem. Ngjason me rastin kur dikush është udhëtar dhe zona ku ndodhet ka mjegull, ama koha e sabahut është afruar. Si duhet të veproje në këtë rast ai? Duhet të presë derisa të zbardhet mirë që të qartësohet për të hyrja e kohës dhe pastaj falet. Edhe dritat kanë të njejtin rol si mjegulla. Përgjegjësia që gjithsecili ka në këto situtata dhe për të cilat do të pyetet ka të bëjë me qartësimin e tij ne lidhje me dritën e agimit që ai shikon. Kur të bëhet e qartë për të, atëhere fillon e falet. Nuk është e prerë me minuta apo sekonda, por ka tolerancë. Fakti pse nuk shikohet koha ne momentin fiks kur ajo hy për shkak të pengesave të pa evitueshme qe mund të jenë si ndërtesa apo drita, nuk përbën shqetësim pasi nuk pyetet robi për to.

Shqetësimi duhet të jetë në rastin kur personi ushqehet dhe pi pasi i është qartësuar agimi. Akoma më rëndë është rasti kur thirret ezani dhe falet namazi i sabahut pa u qartësuar agimi. Për aq kohë sa personit nuk i bëhet e qartë koha e agimit edhe pasi ai i ka marrë shkaqet duke dalë për t’a shikuar atë, nuk ka pse shqetësohet në lidhje me këtë.

Nëse personi mendon, me një hamendësim të fortë, që ka hyrë agimi, atëhere le t’a ndërpresë ngrënien dhe pirjen kur planifikon të agjëroje atë ditë. Kurse sa i takon namazit të sabahut, le të presë dhe pak derisa të qartësohet plotësisht për kohën që ka hyrë. Falja e namazit të sabahut me hamendësim, me dyshim apo me mendimin se mund të ketë hyrë koha është gabim i madh.

Më e përafërta është se dritat e rrugëve të qytetit nuk janë pengesë për shikimin e agimit, por dritat që janë nëpër qendra pengojnë pasi janë shumë të forta dhe të larta nëpër shtylla.

Në lidhje me dritat normale të rrugëve, të cilat nuk e pengojnë fushëpamjen, janë tre mundësi veprimi:

  1. Dalja në periferi për të shikuar kohën.
  2. Mos dalja në periferi, por falja e namazit të sabahut me hamendësimin se ka hyrë koha.
  3. Pritja deri kur të bëhet e qartë plotësisht hyrja e kohës së agimit

Mundësia e parë bie pasi është sforcim dhe vështirësim në fe. Ajo bie ndesh me rregullin e sheriatit i cili thotë se nuk ka vështirësi në fe.

Mundësia e dytë bie ndesh direkt me argumentin që thotë se duhet qartësuar plotësisht hyrja e agimit dhe është më e rëndë sesa mundësia e parë.

Mundësia e tretë nuk bie ndesh me argumentin, por përkon me të.

Në lidhje me dritat e forta që janë kryesisht nëpër qendra qytetesh, janë dy mundësi veprimi:

  1. Personi del në një zonë tjetër e cila nuk është shumë larg dhe nuk e mundon.
  2. E bën me përcaktim hyrjen e kohës në lidhje me ngrënien dhe pirjen kur dëshiron të agjëroje dhe pret të zbardhet mirë kur do të fale namazin e sabahut.

 

Çështja e tretë: koha e hyrjes së agimit të vërtetë nuk është fikse

Koha e agimit nuk është përcaktuar me minuta apo sekonda, por hyn atëherë kur personit i bëhet e qartë shtrirja dhe shtimi i dritës në horizont. Argument për këtë është fjala e All-llahut të Lartësuar:

‘’Hani e pini derisa të bëhet e qartë për ju drita e ditës nga errësira e natës në agim.’’

Argumenti i dytë është fjala e Profetit صلى الله عليه وسلم ku thotë:

‘’Hani e pini derisa t’a thërrasë ezanin ibn umi Mekhtum.’’

Transmetuesi i hadithit thotë: ‘’Ibn umi Mekhtum ishte i verbër dhe nuk e thërriste ezanin derisa njerëzit t’i thonin ka hyrë agimi, ka hyrë agimi.’’

Forma e argumentimit me këtë hadith qëndron te urtësia që thirrësi i ezanit është i verbër. Tekujidin el Hilali thotë: ‘’E ka caktuar të verbërin t’a thërrasë ezanin e agimit të vërtetë, sepse ka dashur që me këtë zgjedhje t’ua lehtësoje umetit të tij dhe nuk ka dashur aspak që t’ua ngushtojë.’’

Ibn umi Mekhtum ishte i verbër dhe gjithmonë e thërriste ezanin pasi kishte hyrë koha e agimit. Atij i thonin kalimtarët që shkonin për në xhami t’a thërriste ezanin pasi i kishte hyrë koha dhe nuk është se kishte dikë afër tij i cili i thoshte përditë që hyri koha dhe tani thirre ezanin. Jo!

Kjo është urtësi e madhe për të lehtësuar, pasi përndryshe Profeti صلى الله عليه وسلم do ngarkonte Bilalin me thirrjen e ezanit. Por Bilalin e ngarkoi me thirrjen e ezanit të parë dhe ibn umi Mekhtum me ezanin e dytë.

E kanë pyetur ibn Uthejminin rahimehullah se sa i takon agimit të vërtetë, atëherë i bie që ka hyrë dita dhe shejkhu tha: ‘’Po, por nuk ka problem. Perëndimin e diellit mund ta përcaktosh me saktësi pasi e shikon diskun e diellit, ndërsa namazet e tjera nuk mund t’i përcaktosh saktësisht, sidomos namazin e sabahut.’’

Njerëzit nuk janë të një mendimi në lidhje me qartësimin e agimit. Dikujt i qartësohet më herët e dikujt më vonë. Duke u nisur nga kjo nuk lejohet që personat t’a qortojnë njëri-tjetrin.

Thotë Aun ibn Abdilah: ‘’Dy burra kanë hyrë tek Ebu Bekri kur ai ka qenë duke ngrënë syfyr. Njëri tha u qartësua agimi dhe tjetri tha jo, akoma. Ebu Bekri tha: ha, sepse nuk kanë rënë dakord.’’

Mek’huli thotë: ‘’E kam parë ibn Umerin i cili mori një enë me ujë zemzemi dhe iu tha dy burrave: a u qartësua agimi? Njëri prej tyre tha: Jo. Tjetri tha: Po. Ibn Umeri piu ujë.’’

Pra nuk u bazua tek personi i cili tha ka hyrë, por tek ai i cili tha nuk ka hyrë.

Këto dy transmetime na tregojnë që koha e hyrjes së agimit nuk është fikse, sepse po të ishte fikse nuk do kundërshtoheshin sahabët me njëri-tjetrin. Fakti që Ebu Bekri dhe Ibn Umeri heshtën, atëherë kjo tregon se ata e dinin shumë mirë se koha e agimit është e ndryshme për persona të ndryshëm, për dikë hyn më herët e për dikë pak më vonë. Dhe nuk lejohet qortimi mes njëri-tjetrit për këtë çështje.

Në lidhje me grupet që kundërshtohen për hyrjen e kohës:

  1. Nuk na lejohet të themi: ‘’Zgjidh cilin mendim të duash prej tyre.’’
  2. Nuk lejohet me i ndjek ne vetë. Për shembull ‘unë po zgjedh këtë mendim, ti zgjidh tjetrin.’

Në raport me to, ne pasojmë Ebu Bekrin dhe Ibn Umerin dhe bazohemi te grupi i cili thonë që nuk ka hyrë koha akoma. Kjo sepse në origjinë është kohë natë dhe për sa kohë që ka kundërshtim, ka dyshim. Kur ka dyshim, nuk ka gjë të qartë. Për sa kohë që nuk është e qartë koha e agimit, atëherë është akoma natë pasi në ajetin Kuranor thuhet deri kur të bëhet e qartë bardhësia e ditës me errësirën e natës.

Ibn Uthejmini rahimehullah thotë: ‘’Kur një njeri u thotë dy personave që t’a shikojnë kohën e agimit dhe njëri prej tyre thotë që u qartësua, ndërsa tjetri thotë që nuk është qartësuar, ne marrim fjalën e personit të dytë.’’

Transmeton Enesi se Ebu Bekri radiAll-llahu anhu ka thënë: ‘’Kur dy burra e shohin kohën dhe njëri prej tyre dyshon, le të hanë.’’

Ibn Abbasi radiAll-llahu anhu u ka thënë dy shërbëtorëve në shtëpinë e ummu Hanit: ‘’A ka hyrë agimi? Njëri prej tyre tha që ka hyrë pasi është qartësuar, ndërsa tjetri tha që nuk ka hyrë. Ibn Abbasi u tha: Më jepni të pi ujë.’’

Ky është rregulli që duhet ndjekur në rastin kur ne bazohemi tek të tjerët në shikimin e kohës së agimit.

 

Çështja e katërt: koha e dyshimtë

Koha e dyshimtë është koha kur del për të shikuar lindjen e agimit, por nuk arrin ta dallosh dot dhe nuk të bëhet e qartë. Apo kur një grup personash dalin t’a shikojnë sabahun, por ka mospajtim mes tyre pasi disa thonë që ka hyrë dhe disa tjerë thonë që nuk ka hyrë koha.

Në këtë kohë të dyshimtë lejohet ngrënia dhe pirja, por nuk lejohet falja e namazit të sabahut. Shumica e muslimanëve sot nuk hanë dhe nuk pinë në kohën e dyshimtë. Namazi i sabahut falet në momentin kur bëhet e qartë hyrja e kohës.

‘’Erdhi një burrë te Ibn Abasi dhe i tha kur ta ndërpres syfyrin? Një burrë tjetër i cili ishtë ulur afër ibn Abasit ia ktheu: Vazhdo duke ngrënë deri kur të dyshosh. Në momentin që ke dyshime, atëherë ndërprite. Ibn Abbasi tha: Vazhdo ha për aq kohë sa je duke dyshuar (a ka hyrë koha apo jo), deri kur të mos dyshosh më.’’

Kuptohet shumë qartë nga fjala e Ibn Abbasit që na lejohet ngrënia dhe pirja për aq kohë sa dyshojmë, deri kur mos të dyshojmë më dhe të jetë qartësuar hyrja e kohës së agimit.

Ibn Abbasi ka thënë: ‘’E ka lejuar All-llahu pijen, përsa kohë që ka dyshim.’’ [ibn Hazmi]

Ikrimeh ka dëgjuar Ibn Abbasin i cili ka thënë gjatë kohës që po hante syfyr: ‘’Po dyshoj, pasha jetën e All-llahut. Më jepni të pi.’’

Ibn Xhurejxhi i ka thënë Atasë (dijetar i madh prej Tabiinëve): ‘’A është e qortuar të pi duke qenë brenda në shtëpi dhe nuk e di a ka hyrë koha e agimit? Ia ktheu Ataja: S’ka problem në këtë. Është dyshim.’’

Thotë ibn Hazmi: ‘’Kjo sepse All-llahu i ka lejuar marrëdhëniet me gruan, ushqimin dhe pijen derisa të bëhet e qartë për ne dhe nuk është thënë derisa të lind agimi dhe as deri sa të dyshoni në agim. Prandaj nuk i lejohet askujt t’a thotë këtë dhe as t’i obligojë dikujt agjërim me lindjen e tij (me lindjen e agimit që ai e mendon) përsa kohë nuk i është bërë e qartë lindja e agimit.’’

Pra, Ibn Hazmi rahimehullah, i cili ka qenë prej dijetarëve të mëdhenj të Andaluzisë, thotë që All-llahu e ka lejuar ngrënien dhe pirjen dhe marrëdhëniet me gruan derisa të bëhet e qartë për muslimanin lindja e agimit dhe jo derisa të lindë agimi, pasi ka dallim.

Ibn Uthejmin rahimehullah thotë: ‘’Distanca kohore ndërmjet lindjes së agimit dhe qartësimit të tij, bën që gjatë kësaj pjese kohore muslimani të haje dhe të pije.’’

Lindja e kohës do të thotë që filloi duke lind agimi, ndërsa u qartësua lindja e agimit do të thotë që u bë e qartë për të gjithë që hyri koha e sabahut. All-llahu e ka lidhur kohën e agimit me qartësimin e agimit dhe jo me fillimin e tij.

Ibn Hazmi thotë që nuk i lejohet askujt të ndaloje të tjerët nga ngrënia e syfyrit kur është kohë e dyshimtë. Po ashtu nuk lejohet t’ua ndaloje të tjerëve ngrënien e syfyrit vetëm sepse ai shikoi lindjen e agimit dhe jo qartësimin e tij. SubhanAll-llah, sot te këto dy kushte gabojnë shumica e muslimanëve. Ata të cilët e ndërpresin syfyrin për shkak se dyshojnë, gabojnë dhe janë në kundërshtim me argumentin.

Shejkh Takijudin el Hilali thotë: ‘’Fjala e All-llahut ku thotë: ‘’Hani e pini derisa të bëhet e qartë për ju..’’ përkon me hadithin (mendohet se shejkhu aludon në hadithin e ibn umi Mekhtumit) sepse nuk ka thënë derisa të lind, por derisa të bëhet e qartë për ju. Pra, për të gjithë njerëzit derisa të mos ketë dyshim asnjë njeri prej tyre.’’

Ibn Uthejmin thotë: ‘’Përsa kohë nuk është qartësuar lindja e agimit, atëherë lejohet ngrënia dhe pirja derisa të qartësohet dhe të sigurohet.’’

Bin Bazi thotë: ‘’Medoemos duhet të bëhet i qartë sabahu. Përsa kohë ka dyshim te koha e sabahut (a ka hyrë apo jo) atëherë njerëzve u lejohet të hanë derisa të qartësohet.’’

Koha e Imsakut bazohet në këtë kohë të dyshimtë. Ua ndalojnë njerëzve syfyrin mbi bazën e dyshimit dhe madje shumë njerëz falen nëpër shtëpitë e tyre gjatë kësaj kohe duke u bazuar te kjo kohë e dyshimtë që është futur nëpër kalendare. Kjo është e tmerrshme!

Në këtë kohë dyshimi lejohet vazhdimi i syfyrit dhe ndalohet falja e namazit të sabahut pasi akoma është natë. Syfyri hahet natën dhe namazi i sabahut falet ditën. Dalja e kohës së syfyrit është automatikisht fillimi i kohës së sabahut. Nuk ka kohë ndërmjet tyre.

 

Çështja e pestë: horizonti malor merret në konsideratë ashtu si horizonti fushor

Malet nuk janë pengesë në lidhje me shikimin e agimit në kohën e tij. Ata të cilët thonë se mali është pengesë për shikimin e agimit, aq sa ka pat raste ku muslimanët kanë dalur pas malit të Dajtit dhe të tjerë kanë dalur nga ana perëndimore, nga Durrësi dhe personi i cili e shikonte në Durrës i merrte në telefon ata të cilët ishin në Tiranë dhe u thoshte që ka hyrë koha e sabahut. Kjo është e tmerrshme!

Të gjithë këto kanë vepruar pa asnjë lloj argumenti sheriatik, llogjik dhe pa asnjë lloj baze duke qenë në kundërshtim total me atë që kanë qenë e njohur në kohën e të parëve tanë.

Ibn Abbasi (prej më të diturve të Sahabëve) thotë: ‘’Porse agimi i cili qartësohet mbi majat e maleve është agimi i cili e ndalon pirjen (agjërimin).’’ [Saktëson Ibn Kethiri në tefsirin e tij]

Ataja (prej më të diturve të Tabiinëve) thotë: ‘’Porse kur të përhapet drita mbi majat e maleve bëhet e ndaluar pija dhe ushqimi.’’ [Saktëson Ibn Kethiri në tefsirin e tij]

Këta dy kolosë të dijes i kanë marrë në konsideratë malet dhe kanë pritur derisa drita e agimit është shtrirë mbi male. Nuk kanë thënë që mali është pengesë për shikimin e agimit, përkundrazi janë bazuar te drita mbi mal për të ndalur syfyrin dhe filluar sabahun.

 

Çështja e gjashtë: çdo zonë ka lindjen dhe perëndimin e saj

Muslimanët që e konsiderojnë relievin malor si pengesë për përcaktimin e sabahut, e kanë bërë këtë pasi nuk kanë dije mbi çeshtjen që çdo zonë ka lindjen dhe perëndimin e saj. Sikur ta dinin këtë çeshtje nuk do të shkonin në këtë ekstrem.

Shejkh Albani rahimehullah thotë: ‘’Qytetin e Amanit e njihni (Kryeqyteti i Jordanisë). Toka e tij është e ndryshme (male, rrafshnalta, kodra, lugina etj) dhe nuk është e saktë që një ezan t’i përfshijë të gjitha këto vende. Ne e kemi parë ndryshimin me sytë tanë jo vetëm me lindjen e diellit por edhe me perëndimin e tij. Madje edhe me ezanin e drekës dhe kohët tjera.’’

Pra, shejkhu thotë që lugina është një zonë dhe mali është tjetër zonë. Njëra ka një kohë dhe tjetra ka kohë tjetër ndryshe nga e para.

Në një audio tjetër shejkh Albani rahimehullah thotë: ‘’Thirret ezani i akshamit pas perëndimit të diellit, të cilin ne e shohim pas kodrës së Hamlanit. Ne e shohim diellin kur perëndon dhe po ashtu dëgjojmë ezanin e akshamit që thirret dhjetë minuta pas perëndimit të diellit. Ç’farë të themi për ata që janë në luginë, në qendër të Amanit? Tek ata perëndon dielli edhe dhjetë minuta para nesh (Akshami në atë zonë hyn njëzet minuta përpara).’’

Shejkhu na tregon për një rast konkret të cilin e ka vrojtuar me sytë e tij dhe tregon që tek zona ku ai jeton e cila ka qenë një kodrinë, dielli perëndonte dhjetë minuta para se të thirrej ezani me kalendar, ndërsa në qendër të Amanit (e cila është në luginë poshtë) dielli perëndon njëzet minuta para thirrjes së ezanit me kalendar. Të dy këto zona janë në të njejtin qytet, ama perëndimi i diellit është i ndryshëm për secilën. Ndërkohë qe me kalendar ezani thirret në të njejtën kohë në gjithë qytetin e Amanit!!

Vazhdon Shejkh Albani duke thënë: ‘’Kuptimi i kësaj është se ajo kohë e cila është për qendrën e qytetit poshtë (e cila është në ultësirë ose luginë), nuk është e njejtë për ata që janë lart (nëpër kodrat përreth qendrës), pasi sic thashë qyteti i Amanit është qytet qe ka lugina, kodrina, male etj. Dhe çdo zonë ka lindjen e saj, perëndimin e saj, agimin e saj, akshamin dhe jacinë e saj.’’

Edhe pse është një qytet, relievin e ka të ndryshëm dhe nuk mundet me qenë e njejta kohë në të gjitha zonat. Këtë e thotë shejkh Albani rahimehullah, dijetari më i madh i kohës së tij.

Këtë gjë ne e kemi vënë re edhe në Tiranë. Toka e Tiranës eshtë me ultësira, me kodra përreth (kodra e diellit, allias, paskuqan etj) dhe me male. Ne e kemi vënë re që te kodra e diellit dielli lind më përpara se në zonën e qendrës dhe e njejta është për të gjitha zonat e Tiranës. Secila zonë ka kohën e vet.

Mund të themi që qyteti ka të njejtën kohë të lindjes së diellit, nëse nga ana lindore e horizontit nuk ka as male dhe as kodra, por është zonë e rrafshët. Ama, në Tiranë nuk është kjo gjë dhe për këtë arsye, duke marrë parasysh relievin që Tirana ka dhe duke u bazuar tek shpjegimi i shejkh Albanit më sipër, ne e kuptojmë sa gabim fatal është kalendari që ne kemi, ku sipas të cilit ezani i çdo namazi thirret në të njejtën kohë në të gjithë qytetin!

Shqetësues është fakti që në kalendar kohët e namazeve janë për gjithë qarkun e Tiranës dhe qarku përfshin qytetin bashkë me fshatrat përreth. Ne e shpjeguam që vetë qyteti ka kohë të ndryshme të një namazi për zona të ndryshme. Po për fshatrat rreth tij?! Kuptohet që kjo përforcohet akoma më shumë kur marrim në konsideratë edhe fshatrat që janë pas Dajtit apo vende tjera. Nuk ka asnjë mundësi që ezani për cdo namaz të jetë në të njejtën kohën për gjithë qarkun.

Akoma më i tmerrshëm është fakti që kalendari ka të njejtat kohë të namazeve për gjithë Shqipërinë. Thjesht në fund të kalendarit kanë vendos që disa qytete lëvizin me nga 2-3 minuta. Kjo është e tmerrshme!! Brenda Tiranës, ka zona ku kohët lëvizin me nga 5 minuta, ndërkohë që në kalendar në gjithë Shqipërinë nuk lëvizin me aq. Është e papranueshme ajo që kalendarët përmbajnë sot, pasi janë gabim, sidomos në kohën e sabahut!

 

Çështja e shtatë: kalendarët e kohëve të namazit

Kalendarët nuk kanë bazë në sheriat. Kalendarët më shumë kanë prishur dhe dëmtuar sesa ndrequr dhe rregulluar. Dëmi i tyre është më i madh sesa dobia e tyre. Kalendari jonë ka shumë gabime, veçanërisht te koha e sabahut, lindjes se diellit dhe perëndimit të diellit.

Nuk mundet që të jetë një kalendar për një qytet (përjashto rastin kur ana lindore është ultësirë pa pengesa). Aq më tepër nuk mund të jetë një kalendar për një qark dhe më e papranueshmja të jetë një kalendar për një shtet (me disa +/- të vogla për disa qytete).

Kalendarët duke qenë se nuk janë zonal dhe ata që i kanë bërë kanë qenë injorantë në dijen sheriatike, kanë gabime të rënda të vërtetuara dhe si të tilla nuk na lejohet të bazohemi në to. Sidomos tek namazi i sabahut për të cilin po flasim. Te kalendari i shqipërisë nuk ka dyshim që nuk duhet të bazohemi pasi ka gabime, por edhe te kalendari Ummul Kurra nuk na lejohet të bazohemi.

Zanafilla e kalendarit thuhet se është në Egjipt para rreth njëqind vitesh kur ka qenë mbretëri. Ministria e vakëfeve atëhere ka kërkuar ndihmën e topografëve anglezë që t’i ndihmojnë në përcaktimin e kohës së agimit dhe kohës së jacisë. Pastaj nga aty është përhap me të madhe.

Nëse kjo është e vërtetë atëherë zanafilla e kalendarëve të namazeve është prej qafirave dhe në origjinë qafirave nuk u merret dëshmia.

Prej të parëve të cilët kanë folur rreth gabimit të kalendarëve, ndoshta mund të jetë i pari fare, është Muhamed Rashid er-Ridha i cili ka vdekur në vitin 1935 në Egjipt.

Po ashtu Shejkh Muhamed Takijudin el Hilali i cili ka vdekur në vitin 1987 dhe ka shënuar në libërthin e tij të vogël: ‘’E kam vërtetuar, aq sa nuk ka nevojë për vërtetim shtesë, se te kalendari Maroken, ezani i sabahut nuk përkon me kohën e Sheriatit dhe kam dhënë fetua në lidhje me këtë dhe kam punuar deri në këto kohë. Agimi i cili është në kalendarin Maroken është i pasaktë, i kotë dhe ne presim pas tij deri në gjysmë ore derisa të qartësohet agimi i vërtetë.’’

Shejkh Albani rahimehullah thotë: ‘’E shpejtojnë faljen e farzit para kohës së tij në Ramazan dhe kjo është si shkak i mbështetjes së tyre te kalendari astronomik dhe si shkak i distancimit të tyre nga koha sheriatike. E kemi thënë se ezani në këtë kohë (koha e sabahut) thirret para kohe, jo më pak se njëzet minuta. Nganjëherë shkon deri në gjysmë ore para kohës së agimit të vërtetë. Sa i përket ezanit sot, na vjen keq që ezani në të gjitha vendet islame, me përjashtim të ndonjë zone shumë të rrallë, nuk thirret sipas kohës sheriatike, por sipas matjeve/kohës astronomike.’’ [Silsiletu el Huda]

Komisioni i përhershëm thotë: ‘’Nuk merret në konsideratë përcaktimi i kohëve të namazit sipas matjeve astronomike, por merret në konsideratë përcaktimi i kohës së sabahut me shfaqjen e dritës për së gjeri në anën lindore të horizontit deri kur të qartësohet dhe të dallohet.’’

Ibn Uthejmin thotë: ‘’Dhe për këtë arsye hamë dhe nuk merakosemi kur është duke u thirrur ezani, nëse ezani thirret sipas kalendarit Ummul Kurra. Ai i cili falet duke u bazuar te ezani (në Saudi, me kalendarin Ummul Kurra) konsiderohet që është falur para kohe pasi këtë e kemi testuar. Kjo vlen për ezanin e sabahut dhe çështja është shumë e rrezikshme.’’

Pra, shejkh ibn Uthejmini thotë që nuk merret parasysh kalendari në Arabinë Saudite, pasi kalendari është gabim, sidomos në kohën e agimit. Dhe kalendari Ummul Kurra është më i sakti nga gjithë kalendarët, ama shejkh ibn Uthejmin thotë që ai ka gabime dhe nuk duhet bazuar në të.

Po ashtu në sherh er-Rijadu Salihin thotë: ‘’Sa i përket namazit të sabahut, ajo që dihet është se kalendari i cili është i njohur tek njerëzit nuk është i saktë. Kalendari është përpara kohe më e pakta pesë minuta. Disa vëllezër kanë dalur në zona të pa banuara dhe kanë parë se dallimi ndërmjet kalendarit dhe lindjes së agimit të vërtetë është gati njëzet minuta. Çështja është e rrezikshme dhe për këtë arsye nuk duhet që njeriu të shpejtoje për faljen e namazit të sabahut, por të vonohet afërsisht njëzet deri në njëzet e pesë minuta derisa të bindet që ka hyrë koha.’’

Në shumicën e vendeve të Arabisë Saudite, ezani i sabahut thirret para kohe. Madje ka dhe shumë prej vendeve në të cilat edhe namazi i sabahut falet para kohe. Kjo është rrezikshmëria ndaj së cilës tërheq vërejtjen shejkh Ibn Uthejmin rahimehull-llah.

Thirrja e ezanit në xhami është obligim. Mos thirrja e ezanit në xhami apo thirrja e tij para kohe është mëkat. Thirrja e ezanit është për të lajmëruar që ka hyrë koha e namazit dhe është detyrë të thirret kur të hyje koha e namazit. Muezinët e kanë detyrë t’a njohin kohën dhe t’a thërrasin ezanin në kohën e vet. Nëse e thërrasin ezanin para kohe kanë bërë mëkat dhe në të njejtën kohë kanë mashtruar muslimanët.

Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Imami është kujdestar (garantues), ndërsa muezini është i besueshëm.’’

Dijetarët kanë thënë në lidhje me fjalën ‘kujdestar’ për imamin, që ai kujdeset dhe garanton faljen e namazit të xhematit sipas rregullave. Ndërsa për muezinin thonë që i është besuar ezani në kohën e tij dhe njerëzit e kanë besuar këtë. Për shkak se muezini është i besueshëm, nëse ai e thërret ezanin para kohe, ka mashtruar!

U pyet ibn Uthejmin rahimehull-llah për rastin kur eprorët e detyrojnë muezinin t’a thërrase ezanin para kohe. Shejkhu u përgjigj: ‘’Mendimi jonë në lidhje më këtë çeshtje është se nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim me Krijuesin dhe se njeriu kur sigurohet se agimi nuk ka lindur, është haram për të thirrja e ezanit sepse kjo është çeshtje e rrezikshme. Nëse njeriu e thërret ezanin para kohe qoftë edhe një minutë dhe njeriu duke u bazuar në ezanin e tij, fillon e fal namazin e sabahut duke marrë tekbir fillestar para kohe, nuk ka dyshim se muezini ka mashtruar njerëzit dhe i ka obliguar ata që të falen para kohe.’’

Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah thotë: ‘’Mos të nguten njerëzit deri kur të binden se ka hyrë koha. Kjo është obligim për imamllarët që t’i kushtojnë kujdes sabahut dhe mos të nguten derisa të qartësohet agimi.’’

Ibn Hazmi ka përmendur në librin e tij ‘Muhale’ një transmetim nga Nekhriu (tabiin, dijetar dhe fekih i madh i cili ka vdekur në vitin 96 hixhri) i cili thotë: ‘’Ishin tabiinët e mëdhenj të cilët i thonin muezinit: Frikësoju All-llahut dhe përsërite ezanin, kur muezini e thirrte ezanin para kohe.’’

Në kohën tonë ezani i sabahut në shumicën më të madhe të vendeve islame nuk ekziston sepse thirret para kohe. Thirrja para kohe do të thotë që nuk ka ezan dhe është fatkeqësi e madhe që sot namazi i sabahut në pjesën më të madhe të vendeve islame është pa ezan.

Cili është gjykimi për faljen e namazit para kohe të atyre njerëzve të cilët nuk e dinë?

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Ai i cili ka dituri obligohet që t’ua bëje me dije njerëzve që namazi i sabahut falet para kohe. Atij të cilit i arrin ky gjykim dhe ia kthen shpinën, namazi i tij është i kotë. Atij të cilit nuk i arrin ky gjykim dhe nuk ka dije për të, nuk ka përgjegjësi për të.’’

Namazi i personit i cili e studion kohën e agimit dhe interesohet për të në mënyrë që mos të gaboje duke e falur para kohe, nuk mund të jetë i barabartë me namazin e personit i cili nuk ka dije rreth kësaj çeshtje dhe të cilit nuk i ka arritur argumenti në lidhje me të, ose thënë më mirë nuk është interesuar asnjëherë në lidhje me kohën e sabahut për t’a ditur a është duke e falur në kohë namazin apo jo.

Adhurimi i cili bëhet me dije nuk mund të jetë i njejtë me adhurimin i cili bëhet pa dije.

Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah thotë: ‘’Në shumicën e rasteve koha ndërmjet lindjes së diellit dhe lindjes së agimit është rreth një orë e gjysmë.’’

Kjo fjalë e shejkhut është për vendin e tij dhe jo për gjithë vendet e tokës, pasi ne e dime mirë se kohët ndryshojnë sipas relievit të vendeve të ndryshme dhe stinëve.

Ahmed Shakir (muhadith i njohur në Egjipt, i cili ka vdekur në 1958) rahimehull-llah thotë: ‘’Nëpërmjet interesimit të vazhdueshëm kam arritur të kuptoj se lindja e agimit është një orë para lindjes së diellit.’’

Këta dy dijetarë të mëdhenj tregojnë orë të ndryshme për vende të ndryshme. Prandaj nuk lejohet marrja e fjalës së njërit prej tyre dhe të përgjithësohet për gjithë vendet e botës duke përfshirë edhe Shqipërinë. Këtë e themi pasi fjalën e shejkh Bin Bazit rahimehull-llah e kanë shpërndarë në Shqipëri dhe e kanë bërë si rregull që aq është diferenca mes lindjes së agimit dhe lindjes së diellit. Ama kjo nuk është e saktë pasi vendet kanë kohë të ndryshme. Asnjëri prej tyre nuk thotë që fjalët e tyre janë të përgjithshme për gjithë vendet, pasi siç e përmendëm më sipër, kohët ndryshojnë në varësi të zonës, relievit dhe stinëve.

 

Çështja e tetë: namazi i sabahut në ghales (errësirë)

Transmetohet nga Xhabir radiAll-llahu anhu se ka thënë:

‘’Profeti صلى الله عليه وسلم e falte namazin në ghales (errësirë).’’ [Bukhari & Muslimi]

Aishja radiAll-llahu anhe thotë: ‘’I dërguari i All-llahut صلى الله عليه وسلم e falte namazin në ghales (errësirë). Gratë e besimtarëve largoheshin pas namazit dhe nuk e njihnin njëra-tjetrën nga errësira.’’ [Bukhari]

AbdulGanij el Mekdisij thotë se ghalesi (errësira) është përzierja e dritës së sabahut me errësirën e natës. Pra, errësira e cila ka mbetur pasi ka dalur drita e sabahut quhet ghales.

Shejkh Bin Bazi thotë: ‘’Profeti صلى الله عليه وسلم e falte sabahun në ghales pas zbardhjes së sabahut, por ka errësirë e cila ka mbetur nga nata.’’

Ibn Uthejmin thotë: ‘’Pëlqehet shpejtimi për faljen e namazit sabahut, por është detyrë të vërtetohet lindja e agimit.’’

Pra, pëlqehet falja e namazit në ghales pasi ka lind agimi, por duhet të vërtetohet lindja e agimit. Këtë fjalë shejkhu e thotë prej kujdesit të tij të madh dhe dijes së tij të madhe në mënyrë që mos të mendoje dikush se falja e sabahut herët në ghales do të thotë me e fal namazin e tij pa lind agimi, pra natën.

Nga këto hadithe kuptojmë së është e pëlqyer falja e namazit të sabahut menjëherë pasi të qartësohet drita e agimit dhe mos të vonohet ai. Pikërisht kjo është arsyeja se pse Profeti صلى الله عليه وسلم i shkurtonte dy sunetet e sabahut sipas shejkh Ibn Uthejmin rahimehull-llah. Në mënyrë që të faltë farzin sa më shpejt.

Abdullah Ibn Mes’udi radiAll-llahu anhu thotë: ‘’..dhe e ka falur (Profeti صلى الله عليه وسلم) sabahun atë ditë (Muzdelife), para kohës së tij.’’ [Bukhari & Muslimi]

‘Para kohës së tij’ nuk do të thotë që e ka falur natën. Por e ka falur menjëherë pasi është qartësuar agimi, ndryshe nga ditët tjera ku mund të priste pak më tepër.

Imam Neueuiu në librin e tij sherhul Muslim thotë: ‘’Me qëllim te fjala e Ibn Mes’udit është që Profeti صلى الله عليه وسلم e ka falur namazin para kohës së tij të zakonshme. Jo para agimit! Sepse kjo nuk lejohet me unanimitetin e të gjithë muslimanëve.’’

Sa i përket fjalës së Aishes se gratë nuk e njihnin njëra-tjetrën pas namazit, nuk e ka kuptimin se Profeti صلى الله عليه وسلم e ka filluar namazin duke qenë natë dhe as nuk e ka kuptimin se e ka filluar namazin sapo të dale një vijë e zbehtë në horizont pasi kjo dritë nuk është agimi i vërtetë. Agimi i vërtetë është ajo dritë e qartë, e bardhë apo e kuqe, e cila fillon të shtrihet në horizontin lindor siç kemi përmendur hadithet dhe fjalët e dijetarëve në lidhje me këtë më sipër.

Shumë prej muslimanëve argumentohen me hadithin e Aishes radiAll-llahu anhe dhe thonë se Profeti صلى الله عليه وسلم e ka nisur faljen e namazit duke qenë kjo dritë e zbehtë në horizont. Shtesë kësaj është fakti se Profeti صلى الله عليه وسلم e falte namazin e sabahut deri në njëqind ajete dhe siç e dimë njëqind ajete marrin shumë kohë (rreth gjysmë ore). Prej agimit të vërtetë nëse shtojmë dhe gjysmë ore pas, i bie që të zbardhet shumë. Ama Aishja thotë që gratë nuk e njihnin njëra-tjetrën, kështu që i bie që Profeti صلى الله عليه وسلم të jetë falur sapo ka dal drita e zbehtë në horizontin lindor. Në këtë mënyrë ky grup muslimanësh thonë që kjo tregon që agimi i vërtetë është drita e zbehtë që del në fillim fare në horizontin lindor dhe jo kur të bëhet e qartë. Ky është një interpretim shumë i gabuar!

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë se fjala e Aishes radiAll-llahu anhe ka interpretim shumë të mirë. Ajo do të thotë se Profeti صلى الله عليه وسلم ka patur raste kur nuk e ka zgjatur shumë namazin e sabahut. Pra, e ka filluar namazin në ghales pasi është bërë e qartë lindja e agimit, por nuk e ka zgjatur shumë namazin dhe ka mbaruar namazin e sabahut duke patur akoma errësirë në të cilën gratë nuk e kanë njohur njëra-tjetrën. Në lidhje me këtë çeshtje ka hadithe tjera të cilat e kundërshtojnë hadithin e Aishes radiAll-llahu anhe.

Ebu Berzeh thotë: ‘’Profeti صلى الله عليه وسلم e mbaronte namazin e sabahut pasi njeriu e njihte atë që kishte pranë tij. Lexonte gjashtëdhjetë deri në njëqind ajete.’’ [Bukhari & Muslimi]

Ky hadith duket sikur është kontradiktor me hadithin e Aishes, por në realitet nuk është pasi ka interpretim. Argumentet nuk duhen përplasur me njëra-tjetrën, por duhen bashkuar dhe përputhur. Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Ajo ç’farë bëhet e qartë për studiuesin nga këto hadithe është se mbarimi i namazit të sabahut në errësirë nuk ka qenë veprim i vazhdueshëm i Profeti صلى الله عليه وسلمt, por e ndryshonte. Herë e mbaronte namazin e sabahut në errësirë saqë njerëzit nuk e njihnin njëri-tjetrin siç tregon hadithi i Aishes dhe herë e mbaronte pasi ishte bërë dritë dhe njerëzit e njihnin njëri-tjetrin.’’

Në këtë mënyrë bëhet bashkimi i argumentave dhe bëhet interpretimi në formën më të mirë.

Hadithi i Rraf ibn Khadixh thotë: ‘’Faleni agimin derisa të zbardhet mirë sepse ka shpërblimin më të madh.‘’ [Ebu Daudi & Tirmidhiu, Saktëson shejkh Albani]

Në lidhje me këtë hadith ka tre mendime dijetarësh:

  1. Kuptimi i hadithit është që mos me u ngut derisa të qartësohet agimi. Këtë mendim e ka Imam Ahmedi, Shafiu, Ibn Uthejmin, Bin Baz.
  2. Zgjateni leximin derisa kur të dilni nga namazi të ketë zbardhur shumë. Këtë mendim e ka Imam Tahaui, Ibn Kajimi, Shejkh Albani etj.
  3. Vonojeni faljen derisa të zbardhe mirë. Këtë mendim e kanë Hanefitë.

Mendimi i tretë të cilin e kanë Hanefitë bie totalisht në kundërshtim me atë që bënte Profeti صلى الله عليه وسلم, e cila ishte falja menjëherë sapo të bëhej e qartë lindja e agimit, duke patur akoma errësirë. Profeti صلى الله عليه وسلم nuk ka pritur që të zbardhe mirë e pastaj të falet.

Më i saktë është mendimi i dytë, pasi zgjatja e leximit të kuranit do të thotë që je duke u falur derisa të ketë zbardhur shumë. Në shumicën e rasteve, Profeti صلى الله عليه وسلم e zgjaste namazin e sabahut sesa e shkurtonte atë.

Ibn Kajimi thotë: ‘’Qëllimi i hadithit është që të falemi derisa të zbardhet shumë në zgjatje dhe jo në vazhdim.’’

Pra, jo të vazhdohet namazi dhe të filloje falja e tij pasi të zbardhet shumë, por të zgjatet recitimi i namazit deri sa kur të mbaroje namazi, të jetë zbardhur shumë.

Ibn Uthejmin rahimehull-llah thotë: ‘’Duhet që robi të futet në namaz në ghales, pasi të jetë bërë e qartë lindja e agimit dhe të dale nga namazi pasi të jetë zbardhur mirë.’’

Profeti صلى الله عليه وسلم gjithmonë ka vepruar atë që ka më shumë shpërblim dhe ai ka thënë që falja e namazit deri kur të zbardhe ka më shumë shpërblim. Kështu që hadithi i Aishes është i saktë, por nuk e ka vepruar vazhdimisht Profeti صلى الله عليه وسلم dhe si i tillë nuk i jepet përparësi para asaj që ai ka vepruar vazhdimisht dhe të cilën e ka thënë me gojën e tij si në hadithin më sipër.

Zgjatja e namazit deri kur të zbardhe mirë, ka shpërblim më të madh sesa ta shkurtosh atë ndërkohë që nuk ka zbardhë mirë. Këtë e kanë vepruar shokët e Profetit صلى الله عليه وسلم dhe khulefat e tij të drejtë, të cilët janë njerëzit më të dijshëm të umetit të Profetit .صلى الله عليه وسلم

Ebu Bekri e ka zgjatur namazin e sabahut aq shumë saqë ka lexuar në dy rekate gjithë suren el Bekare. Kur mbaroi namazi, Umeri i tha Ebu Bekrit: ‘Gati sa nuk lindi dielli.’ Ia ktheu Ebu Bekri duke thënë: ‘Edhe sikur të lindte dielli, nuk do na gjente të shkujdesur (do na gjente në namaz).’’ [Transmeton el Bejhakiu dhe shejkh Albani thotë që zinxhiri i tij është i saktë]

Imam Tahaui rahimehull-llah thotë: ‘’Ebu Bekri e fali kaq gjatë namazin e sabahut duke qenë imam i shokëve të Profetit صلى الله عليه وسلم dhe ata nuk e qortuan për këtë. Ata e pasuan Ebu Bekrin në këtë vepër. Pas vdekjes së Ebu Bekrit, edhe Umeri e ka falur namazin e sabahut shumë gjatë, derisa gati ka qenë duke lindur dielli dhe asnjë prej sahabëve që kanë qenë aty prezent nuk e ka qortuar për këtë gjë.’’

Ka transmetuar Daudi nga Jezid el Eudij dhe Jezidi nga babai i tij i cili ka thënë: ‘’Ishte duke na prirë në namaz të sabahut Ali ibn Ebu Talib dhe ne shikonim diellin nga frika se mos ka lindur.’’

Të gjithë këta shembuj më sipër tregojnë se Profeti صلى الله عليه وسلم, Ebu Bekri, Umeri dhe Aliu (All-llahu qoftë i kënaqur me ta) e kanë zgjatur shumë namazin deri kur ka zbardhur mirë dhe e njihnin njëri-tjetrin. Madje aq shumë sa kishte raste që mbaronin namazin pak para se të lindte dielli.

Hadithi i Aishes radiAll-llahu anhe na tregon se Profeti صلى الله عليه وسلم ka patur raste kur nuk e ka zgjatur namazin si zakonisht, ama kjo nuk tregon aspak që Profeti صلى الله عليه وسلم e ka falur namazin natën, në errësirë apo gjatë dritës së zbehtë e cila shfaqet në fillim në horizont. Drita e zbehtë nuk është agimi i vërtetë dhe siç përmendëm fjalët e dijetarëve më sipër, agimi i vërtetë është kur drita e zbehtë të filloje të shtohet aq sa shtrihet në horizontin lindor dhe bëhet e qartë për të gjithë njerëzit dhe nuk ka dyshim në mesin e muslimanëve.

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë në lidhje me faljen e namazit të sabahut në xhami pa i hyrë koha sabahut: ‘’Ne këshillojmë në këtë rast, që gjithë muslimanët të dalin prej shtëpive të tyre dhe të shkojnë në xhami dhe të falen me xhematin e muslimanëve edhe pse besojnë se imami falet para kohe. Ky konsiderohet namaz nafile (jo me nijet farzi). Pastaj kthehen në shtëpitë e tyre dhe falen me xhemat. Në këtë mënyrë ata kanë falur namazin me xhemat ne xhami vullnetar dhe namazin farz të sabahut në kohën e tij me xhemat në shtëpi.’’

Kur është një person, atëherë ai mund t’a fale namazin e sabahut ose në xhami dhe pastaj rri duke bërë dhikër aty, ose mund të shkoje në shtëpi dhe t’a fale namazin e sabahut pasi ka hyrë koha. Ama në rastin kur janë dy persona të një shtëpie ose më tepër, ata duhet të shkojnë në shtëpi dhe të falen si xhemat në shtëpinë e tyre dhe kjo është detyrë për ta. Nuk duhet të rrinë në xhami, pasi ata janë xhemat dhe namazi është detyrë të falet me xhemat. Nëse mund të falen në xhami si xhemat pa bërë fitne, atëherë kjo lejohet. Ama në rastet kur bëhet fitne në xhami, nuk duhet të falen aty, por të shkojnë në shtëpi dhe të falen atje. Për këtë arsye, pasi janë falur vullnetarisht në xhami, medoemos duhet të shkojnë në shtëpi t’a falin namazin e sabahut me xhemat. Ndërsa kur është vetëm një person, nuk prish punë të falet edhe në xhami.

Shejkh Albani rahimehull-llah përmend dy arsye se pse duhet dalur për në xhami edhe pse falet namazi i sabahut para kohe:

  1. Mos të bëhen dembela njerëzit dhe të braktisin daljen në xhami.
  2. Mos të mendojnë njerëzit keq për mos vajtjen e tyre në xhami.

Ka prej dijetarëve të cilët thonë se nuk ka problem nëse nuk shkon në xhami kur dihet që namazi i sabahut atje falet para kohe. Ama më e sakta është kjo që përmend shejkh Albani rahimehull-llah.

 

Çështja e nëntë: dalja e kohës së sabahut

Koha e sabahut përfundon me lindjen e diellit. Kur ne shohim një pjesë të diskut të diellit në horizontin lindor, qoftë ai mal, kodër, fushë apo det, atëherë ka lindur dielli dhe me lindjen e tij përfundon koha e namazit të sabahut.

Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Koha e namazit të sabahut është prej kur qartësohet agimi deri pa lindur dielli. Me daljen e një pjese të diskut të diellit, ka lindur dielli dhe me lindjen e tij ka mbaruar koha e sabahut.’’ [Muslimi]

Hadithi ka për qëllim shfaqjen e diskut të diellit dhe jo rrezet e tij të cilat mund të bien në pjesë tjera të vendit ku jeton. Nuk ka argument sheriatik që tregon se koha e sabahut përfundon me rënien e rrezeve të diellit në një pjesë të vendit, por argumenti për mbarimin e kohës së sabahut ka të bëjë me shfaqjen e diskut të diellit dhe shikimin e tij me sytë tanë.

Koha e faljes së sabahut është nga qartësimi i agimit deri para lindjes së diellit. Pëlqehet të falet në fillim të kohës së agimit të vërtetë dhe jo të vonohet deri në fund të kohës.

Imam Neueuei thotë: ‘’Është i qortuar (i pa pëlqyer) vonimi i faljes së namazit të sabahut pa arsye deri kur të dale e kuqja, e cila është para lindjes së diellit.’’

Personi i cili arrin t’a fale një rekat të namazit para se të lind dielli (para se të dale koha e namazit), ai e ka falur namazin në kohën e tij.

Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Kush arrin të fale një rekat të sabahut para se të lind dielli, e ka arritur sabahun. Kush e fal një rekat të ikindisë para se të perëndoje dielli, e ka arritur ikindinë.’’ [Bukhari, Muslimi, etj]

‘’Kush e arrin një rekat para lindjes së diellit, le t’a plotësoje namazin e tij.‘’ [Bukhari]

Imam Sheukani rahimehull-llah thotë: ‘’Një rekat përfshin tekbirin fillestar, leximin e fatihasë, rukunë, ngritjen nga rukuja dhe dy sexhdet.’’

Kur e shohim që jemi në limit të kohës së sabahut dhe pak kohë ka ngelur nga lindja e diellit, fillojmë namazin duke bërë tekbir fillestar. Themi ‘Eudhu bil-lahi minesh-shejtani rraxhim’, pastaj lexojmë suren el Fatiha direkt, pa lexuar duatë hapëse të namazit (Subhaneke All-llahume ue bihamdike..). Pas leximit të sures el Fatiha biem direkt në ruku pa lexuar sure tjetër pas saj, në mënyrë që të shpejtojmë dhe të kapim një rekat në kohë, pa lindur dielli. Pasi biem në ruku, themi një herë ‘Subhane Rabijel Adhim’ me qetësi, pa u ngutur. Ngrihemi nga rukuja duke thënë ‘semi All-llahu limen hamide’ dhe qëndrojmë në këmbë drejt aq sa të themi me qetësi dhe pa u ngutur ‘Rab-bena ue lekel hamd’ dhe biem në sexhde ku themi me qetësi, pa u ngutur një herë ‘Subhane Rabijel eala’. Ngrihemi nga sexhdja për në pushimin mes dy sexhdeve ku themi me qetësi ‘Rab-bi Gfirli, Rab-bi Gfirli’ dhe pastaj biem përsëri në sexhde ku themi një herë me qetësi ‘Subhane Rabijel eala’. Nëse arrijmë t’a mbyllim edhe sexhden e dytë pa lindur dielli, atëherë e kemi arritur faljen e namazit të sabahut në kohë.

Specifikuam disa herë duke thënë ‘me qetësi, pa u ngutur’ sepse në këto situata shumë prej muslimanëve nxitojnë në faljen shpejt të namazit, pa i dhënë hakun që i takon çdo pjese të namazit. Ka prej muslimanëve që kur ngrihet nga rukuja thotë ‘semi All-llahu limen hamide’ dhe pastaj nuk rri fare drejt në këmbë, por duke rënë për në sexhde thotë ‘Rabena ue lekel hamd’. Personi i tillë nuk ka namaz. E njejta vlen dhe për pjesët tjera të namazit.

Qëndrimi në pozicionet e namazit aq sa të thuhet një herë ajo gjë e cila duhet thënë në atë pozicion është kusht i namazit.

Thotë Profeti صلى الله عليه وسلم:

‘’Kush e fal një rekat të ikindisë para se të perëndoje dielli dhe fal rekatet e mbetura
pas perëndimit të diellit, atij nuk i ka ikur ikindia (e ka arritur në kohë).’’ [Muslimi]

Edhe pse namazi i tillë është në kohë, nuk lejohet që të vonohet pa qëllim deri në këtë kohë në të cilën vetëm një rekat e arrin në kohë dhe rekatet tjera jashtë kohe.

Janë përmendur namazet e sabahut dhe ikindisë në hadithe pasi të dyja kanë të bëjnë me shikimin e diellit dhe personi është i qartë se kur del koha. Kur e shikon diskun e diellit atëherë ka dalur koha e sabahut dhe kur zhduket disku i diellit atëherë ka dalur koha e ikindisë dhe kjo është e qartë për të gjithë.

 

Çështja e dhjetë: vonimi i namazit për t’a falur me xhemat

Nëse ka hyrë koha e namazit dhe muslimani është i vetëm, atëhere ai ndodhet mes dy situatave:

  1. Falet vetëm, pasi ka hyrë koha, kur e di që nuk pritet të vije dikush tjetër. Ka unanimitet tek dijetarët në lidhje me këtë situatë, përveç në rastet kur pëlqehet që të vonohet si në rastin e namazit të jacisë, apo drekës kur është vapë dhe në rastin kur dikush mund të jetë në rrezik (e ndihmon për t’ia larguar atë rrezik që ka dhe pastaj falesh).
  2. Situata kur personi e di që mund të vijnë njerëz të tjerë për t’u falur më vonë. Në lidhje me këtë situatë ka mospajtim tek dijetarët dhe ata janë ndarë në tre mendime:
  • Është më i mirë vonimi i faljes së namazit, që t’a falësh me xhemat. [Ibn Tejmije, Imam Neueuiu, ibn Uthejmin etj]
  • Është më e mirë falja vetëm në fillim të kohës sesa falja me xhemat në fund të saj. [el Hatabi i cili është prej dijetarëve më të mëdhenj Maliki]
  • Lejohet të falet namazi dy herë. E fal me nijetin a namazit farz, vetëm, në fillim të kohës dhe e fal me nijetin nafile, me xhemat, në fund të kohës.

Imam Neueuiu në lidhje me nënçështjen e tretë thotë: ‘’Ajo që ne përzgjedhim është që të veprojmë atë që na ka urdhëruar Profeti صلى الله عليه وسلم dhe ajo është falja e namazit dy herë. Një herë në fillim të kohës dhe një herë në fund të saj.’’

Imam Neueuiu, lidhur me mendimin e mësipërm, është bazuar në disa hadithe.

Profeti صلى الله عليه وسلم i tha Ebu Dherrit: ‘’Si do të jetë gjendja jote kur do ketë prijësa që do e vonojnë namazin
nga koha e tij? Ebu Dherri i tha: Ç’farë më urdhëron? Profeti صلى الله عليه وسلم i tha: Fale namazin kur të hyje koha e tij, dhe nëse arrin t’a falesh me xhemat, falu me ta. Dhe kjo për ty është nafile (vullnetare).’’ [Imam Ahmedi, Muslimi, Nesaiu etj]

‘’Do t’iu udhëheqin juve pas meje, prijësa të cilët i preokupojnë çështjet e dunjasë derisa t’u kaloje koha e namazit. Ju faluni në fillim të kohës (me nijet farz). I tha dikush: A të falem me ata? Profeti صلى الله عليه وسلم i
tha: Falu nëse dëshiron (me nijet vullnetar).‘’ [Ebu Daudi, Imam Ahmedi]

Nga këto hadithe kuptohet se është e pëlqyer falja e namazit në fillim të kohës, edhe nëse nuk ka njerëz për t’u bërë xhemat. Nëse më vonë, vijnë njerëz dhe bëhen xhemat për t’u falur dhe ti ndodhesh në xhami, atëherë përsërite namazin me ta (si namaz nafile, jo farz). Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

‘’Mos falni një namaz, në një ditë, dy herë.’’

Pra, nuk lejohet që të falet namazi farz apo vullnetar, dy herë. Lejohet që herën e parë e fal me nijet të namazit farz dhe herën e dytë me nijet nafile.

Ka prej muslimanëve të cilët ngatërrohen në namaz dhe pastaj dalin prej namazit edhe e përsëritin atë. Kjo nuk lejohet! Lejesa është vetëm në rastet kur ka argument. Për shembull kur kujtohesh që nuk ke abdes, del nga namazi për të marr abdes. Apo kur dikush është në rrezik, del nga namazi për t’a ndihmuar atë që t’i largohet ai rrezik apo vështirësi në të cilën ndodhet. Ama të dalësh nga namazi vetëm pse u ngatërrove gjatë faljes së tij, apo për shkak se nuk arrin të përqendrohesh dot në të, kjo është e ndaluar.

 

Çështja e njëmbëdhjetë: koha e namazit, për personin të cilit i ka ikur nga gjumi apo harresa, është në momentin që i kujtohet

Thotë Profeti صلى الله عليه وسلم:

‘’Ai i cili e harron një namaz, t’a fale atë kur të kujtohet. Nuk ka shpagim për të përpos
faljes së namazit.’’ [Bukhari & Muslimi]

‘’Ai i cili fle gjumë në një namaz dhe i ka dalë koha, t’a fale atë kur të ngrihet.’’

Kur robi harron dhe i kujtohet pas disa ditësh që nuk e ka falur një namaz, atëherë ai e fal sapo t’i kujtohet, edhe pse kanë kaluar ditë. E njejta vlen edhe për rastin kur ngrihet nga gjumi dhe koha e namazit është sapo të ngrihet nga gjumi.

Shejkh Bin Bazi thotë: ‘’Atij të cilit i ik namazi për shkak të gjumit, është detyrë për të falja e tij sapo të ngrihet nga gjumi. Po ashtu, ai i cili harron, është detyrë për të falja e namazit sapo të kujtohet. Është detyrë për të falja në atë çast kur është zgjuar apo kujtuar. Edhe nëse është zgjuar paradite, në drekë apo në ikindi. Nuk ka për të kohë të ndaluar.’’

Ka prej njerëzve të cilët thonë se nëse ngrihet nga gjumi në kohën kur lind dielli, duhet të pritet derisa të ngrihet dielli një shtizë për tu falur pasi ka ndaluar Profeti صلى الله عليه وسلم nga falja e namazit në kohën kur lind dielli. Kjo është e vërtetë, për namazet nafile, por jo për namazet farz. Sikur tha shejkhu më sipër, nuk ka kohë të ndaluar për personin të cilit i ka ikur koha e namazit (prej gjumit apo harresës).

Në një udhëtim me sahabët, Profetit صلى الله عليه وسلم i ka ikur koha e namazit të sabahut për shkak të gjumit. Kur u doli gjumi, dielli ishte ngritur. I pari është ngrit nga gjumi Profeti صلى الله عليه وسلم dhe pastaj i ka ngritur shokët e tij. I ka larguar kafshët nga vendi ku kishin fjetur dhe tha: ‘’Ai është vend ku ka prezantuar shejtani.’’

I spostuan kafshët në një vend tjetër, i lidhën ato dhe menjëherë filluan duke u falur. Ka prej njerëzve që bazohen tek ky hadith dhe e lejojnë vonesën e faljes së namazit pasi ngrihet robi nga gjumi. Por kjo nuk është e saktë, pasi Profeti صلى الله عليه وسلم e sqaroi arsyen e kësaj vonese e cila kishte të bënte me spostimin e kafshëve dhe me faktin se aty ka qenë shejtani. Pastaj u fal menjëherë.

Nëse personi ngrihet nga gjumi, nuk falet menjëherë, por merret me diçka tjetër (kafe apo muhabete) sipas Shejkh Albanit rahimehull-llah, ky person nuk ka namaz sepse koha e namazit për të ishte sapo u ngrit nga gjumi apo sapo iu kujtua nëse e kishte harruar. Kur nuk falet menjëherë në këtë kohë, atëherë ai konsiderohet që e ka lënë namazin pa falur pa arsye dhe ka bërë mëkat të madh.

Këto janë dy rastet e vetme kur falet namazi pasi i ka ikur koha. Rasti i parë është nga harresa dhe rasti i dytë nga gjumi. Në rastet e tjera nuk ka justifikim. Ka prej muslimanëve që për shkak të punës së tyre, nuk falen dot aty dhe i falin namazet kaza në fund të ditës kur ikin në shtëpi në darkë. Nuk ka namaze kaza, përveç se në këto dy situata që kanë të bëjnë me gjumin dhe me harresën.

Shpërndaje: