Nëse personi e bashkon namazin e ikindisë në kohën e drekës dhe pastaj futet në qytet pa hyrë akoma koha e ikindisë aty, lejohet që të bashkohet për aq kohë sa personi është udhëtar. E njejta vlen për namazin jacisë kur e bashkon në kohën e akshamit.
Ibn Kudame thotë: ‘’Kur e bashkon namazin e dytë (ikindi, jaci) në kohën e namazit të parë (drekë, aksham), dhe futet në qytetin e tij pa hyrë akoma koha e namazit të dytë, atëherë personi nuk obligohet me përsëritjen e namazit të dytë në kohën e vet. Sepse ai e ka kryer këtë farz në kohën kur ishte i justifikuar (udhëtar).’’
Rast i tillë është kur personi falet në anije dhe anija po i afrohet portit të qytetit të tij. Ai i bashkon namazet para se anija të ankorohet në port. Kur shkon në port, në vendin e tij, akoma nuk ka hyrë koha e namazit të dytë (ikindisë apo jacisë). Kur të futet koha, personi nuk duhet t’a përsërisë namazin e dytë.
Shejkh ibn Uthejmin thotë: ‘’Kur njeriu kthehet për tek vend ii tij dhe nuk ka mbetur vetëm se pak distancë për t’iu afruar kufirit të vendit, ndërkohë ka hyrë koha e akshamit. A i lejohet që t’a bashkoje akshamin me jacinë? Themi: Po. Për aq kohë sa nuk ka hyrë në qytet, ai është udhëtar.’’
Komision i përhershëm thotë: ‘’Nëse në udhëtimin tend e bashkon jacinë me akshamin dhe e shkurton, nuk ka problem. Edhe nëse hy në qytet në kohën e jacisë.’’
Ky është edhe mendimi i ibn Tejmijes rahimehull-llah.