Falja e drekës në udhëtim, pas imamit i cili është vendas dhe po fal ikindinë

Si veprohet?

Personi udhëtar shkon në xhami në kohën e ikindisë dhe e shikon imamin vendas që po fal namazin e ikindisë. Si duhet të veproje ai?

Më e sakta është që duhet të fale katër rekate të drekës, pas imamit i cili po fal katër rekate të ikindisë.

Shejkh Bin Bazi thotë: ‘’Nëse personi e arrin xhematin i cili po fal ikindinë dhe ky akoma nuk e ka falur drekën, i bashkohet xhematit dhe falet me to me nijetin e drekës katër rekate. Pasi mbaron namazi, ai ngrihet dhe fal ikindinë dy rekate.’’

Nëse personi futet në xhami në kohën e ikindisë dhe ai akoma nuk ka falur drekën, dhe akoma nuk është thirrur ikameti i ikindisë, atëherë duhet t’a fale namazin e drekës dy rekate. Kur të thirret ikameti, personi duhet t’a mbaroje namazin të cilin po fal si udhëtar (drekën) dhe pastaj i bashkëngjitet imamit për të falur ikindinë pas tij.

 

Ndodh që personi e fal namazin e drekës dhe qëndron duke pritur ikametin për të falur namazin e ikindisë. Pra, nuk e bashkon ikindinë direkt pas selamit të namazit të drekës. A ka problem?

Nuk ka problem nëse ka pak distancë kohore mes namazeve, sepse tolerohet vonesa kur i bashkon namazet në fund të kohës.

Kur bashkohet namazi i drekës në kohën e ikindisë tolerohet pak vonesë, apo namazi i akshamit në kohën e jacisë.

Por jo e kundërta, që të bashkohet namazi i ikindisë në kohën e drekës apo namazi i jacisë në kohën e akshamit.

Profeti në Muzdelife, e fali akshamin, rregulloi kafshët dhe pastaj fali jacinë me sahabët. Pra, i bashkuan namazet edhe pse kishte një periudhë kohore ndërmjet.

 

Nëse personi nuk e ka falur akshamin dhe ai e gjen imamin vendas që po fal namazin e jacisë, ai i bashkohet imamit, por me nijetin e faljes së namazit të akshamit.

Në lidhje me këtë, ka tre mendime:

  1. I bashkohet imamit i cili po fal jacinë, por vetë fal namazin e akshamit, nuk ka problem nëse ndryshojnë nijetet. Ibn Uthejmin thotë: ‘’Ajo që është më e sakta, kur njeriu vjen dhe futet me imam në namazin e jacisë, sikur atëherë kur është vetëm apo me tjerë, kjo aspak nuk e dëmton nijetin (pse imami fal jacinë, ndërsa personi fal akshamin) sepse Profeti thotë që veprat vlerësohen sipas nijetit. Nëse e kap imamin në rekatin e dytë, personi i cili po fal akshamin e përfundon namazin me imamin, jep selam bashkë me të. Dhe nuk e dëmton aspak personin fakti që bën teshehud në rekatin e parë për të. Nëse e kap imamin në rekatin e parë, atëherë personi qëndron ulur kur imami ngrihet nga rekati i tretë për në rekat të katërt, duke thënë teshehudin, salavatet dhe duatë, jep selam dhe pastaj ngrihet për të kapur dicka prej jacisë me imamin.”
  2. Imami fal namazin e jacisë, po ashtu edhe personi falet me nijetin e jacisë dhe jo të akshamit. Pasi t’a fale jacinë, ngrihet personi dhe fal namazin e akshamit. Tolerohet prishja e rradhës së namazit, për shkak që të ruhet xhemati (falja me xhemat).
  3. Fal akshamin vetë dhe pastaj i bashkohet imamit për të kapur namazin e jacisë me të.

Tek dy mendimet e fundit ka gjëra të ndaluara:

  • Rradha e namazeve është detyrë dhe nuk duhet prishur ajo.
  • Nuk lejohet të ketë me një xhami, dy xhemate. Kjo është përçarje!

Më i sakti është mendimi i parë në të cilin zbatohet rradha e namazeve dhe ka vetëm një xhemat në xhami.

Një person i tha Ibn Uthejminit që edhe tek mendimi i parë nuk ka gjë të ndaluar, pasi personi jep selam para imamit. Ibn Uthejmin iu përgjigj: ‘’Në realitet nuk ka këtu ndalesë. Është transmetuar dhe saktësuar shkëputja e personit nga imami pas të cilit po falet, në shumë vende në sunnetin e Profetit.

Për shembull tek namazi i frikës. Xhemati ndahen në dy grupe. Xhemati i parë falen pas imamit një rekat dhe pastaj shkëputen nga ai dhe e plotëson secili në vete rekatin e dytë. Pastaj vijnë xhemati tjetër të cilët falin një rekat pas imamit dhe shkëputen duke falur rekatin tjetër vetëm.

Po ashtu një burrë është falur pas Muadh ibn Xhebel. Muadhi pasi falej pas Profetit shkonte tek njerëzit e tij dhe falte me to namazin e jacisë. Por ai e zgjaste namazin dhe në një rast kur ai filloi të recitonte suren el Bekare, një prej xhematit u shkeput nga imami dhe e plotësoi namazin vetëm. Personi shkoi tek Profeti dhe Profeti ia aprovoi këtë veprim dhe e qortoi Muadhin që të mos ua zgjaste namazin.’’

Dijetarët kanë thënë se kur personi ka shumë gazra ne organizmin e tij ose dhimbje të mëdha barku, por nuk e prish abdesin dhe është duke u falur pas imamit, nuk ka problem që ai të shkëputet nga imami dhe t’a përfundoje namazin vetëm.

Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah thotë: ”kur personi e gjen imamin duke falur namazin e jacisë dhe ai vet nuk e ka falur akoma namazin e akshamit, lidhet pas imamit me nijetin për namazin e akshamit. Kur imami të ngrihet për në rekat të katërt, personi qëndron në teshehud dhe e pret imamin, në mënyrë që të jape selam pas imamit.

Shejkh Feuzani (All-llahu e ruajt) thotë: ”Personi kur qëndron në teshehud, mund të jape selam dhe të lidhet përsëri me imamin për të kapur namazin e jacisë, ose mund të qëndroje në teshehud pa dhënë selam dhe pret imamin që të jape selam pas tij.”

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: “Personi duhet të jape selam dhe të lidhet shpejt me imamin që të arrije namazin e jacisë me të.”

Pra, këto janë raste të nevojshme, kur lejohet shkëputja e besimtarit nga imami pas të cilit po falet.

Shpërndaje: