Koha e lejuar për të bashkuar dhe shkurtuar namazin është nga momenti që kalon kufinjtë e qytetit dhe deri kur të kthehet tek kufinjtë e qytetit, por pa u futur brenda tyre. Në momentin që kalon kufinjtë dhe futet në qytet, atëherë aty mbaron udhëtimi i personit siç thotë Shejkh Bin Baz, Ibn Uthejmin etj.
AbduRrezaku ka transmetuar nga Ibn Umeri RadiAll-llahu anhume, se ai ishte i cili e shkurtonte namazin kur dilte nga shtëpitë e Medines (periferia e Medines) dhe vazhdonte t’a shkurtonte deri pa u futur në shtëpitë e fundit të Medines.
‘’Dolëm me Aliun nga Kufe, ndërkohë që ne e shikonim qytetin. Aliu i fali dy rekate (që aty filloi shkurtimi i namazit). Pastaj kur u kthye, fali dy rekate, ndërkohë që po e shihte Kufen. I thane: a nuk po i fal katër? Tha: Jo! Derisa të hyjmë.’’
Pra, derisa të futet brenda kufinjve të qytetit apo fshatit. Për shembull: një person i cili është 1 milje pa u afruar në qytetin e tij, lejohet që ai t’a shkurtoje aty namazin.
Shejkh Bin Baz rahimehull-llah thotë: ‘’Për aq kohë sa udhëtari nuk ka hyrë në qytetin e tij, i lejohet t’a shkurtoje namazin.’’
Shejkh ibn Uthejmin rahimehull-llah thotë: ‘’Për aq kohë sa ai nuk ka hyrë në qytet, ai konsiderohet udhëtar dhe i lejohet t’a shkurtoje dhe t’a bashkoje namazin.’’
Po të njejtin mendim kanë ibn Tejmijeh dhe imam Neueuiu.