Kur shkurtohet namazi?

Para apo pas daljes nga vendi?

Me unanimitet të të gjithë dijetarëve, kufiri i vendit janë banesat e fundit të atij vendi (qytet apo fshat).

Shumica e dijetarëve thonë se dispozitat e udhëtarit fillojnë pasi personi kalon banesat e fundit të vendit ku ai jeton. Kjo është e vërtetë!

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Tek hadithi i Enesit ka dobi tjetër e cila është: shkurtimi i namazit fillon prej kur del nga qyteti dhe ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, siç e ka përmendur këtë Sheukani në librin e tij Nejlil Eutar.’’

Imam Sheukani rahimehull-llah thotë: ‘’Një pjesë e dijetarëve të Kufes mendojnë se ai i cili do të udhëtoje, bën që t’a shkurtoje namazin në shtëpinë e tij. Prej tyre ka që thonë se bën ta shkurtoje pasi të hipe në makinë dhe niset për udhëtim. Ndërsa Ibn Mundhir e të tjerë mendojnë se mendimi i shumicës së dijetarëve të cilët thonë se bën të shkurtohet namazi pasi kalohen banesat e fundit të vendit është më i sakti. Unë nuk di argument që Profeti e ka shkurtuar namazin e tij para se të dilte nga Medina.’’

Shejkh Ibn Uthejmin thotë: ‘’Nuk lejohet shkurtimi i namazit derisa të dalësh nga qyteti. Duke u bazuar tek fjala e All-llahut të Lartësuar ku thotë:

‘’Kur ecni në Tokë, nuk është gjynah për ju që t’a shkurtoni namazin.’’

Pra, All-llahu e ka lidhur shkurtimin e namazit me ecjen në Tokë dhe jo duke qenë në vendin tënd.

Enesi radiAll-llahu anhu thotë:

‘’Profeti e ka falur drekën në Medine katër rekate dhe e ka falur ikindinë në dhil khulejfe (mikati) dy rekate.’’ [Bukhari & Muslimi]

Profeti i ka lajmëruar besimtarët para dreke qe do udhëtojnë, ama namazi i drekës i zuri akoma në vendin e tyre, në Medine. Ai nuk e shkurtoi namazin e tij në Medine.

Ai i cili është udhëtar, i lejohet shkurtimi i namazit deri te banesat e fundit të qytetit. Pasi futet te banesat e para te qytetit, ai duhet t’i plotësoje namazet e tij. Kjo e përforcon akoma më tepër argumentin që nuk lejohet shkurtimi i namazit në vendin tënd kur ke nijet udhëtimi apo kur kthehesh nga udhëtimi.

Të katër medhhebet e bëjnë kusht, daljen nga qyteti, për shkurtimin e namazit.

Të gjitha këto janë argumente që tregojnë se nuk duhet të shkurtohet namazi duke qenë në vendin tënd, por pasi të dalësh nga kufinjtë e tij.

Shpërndaje: