Hanbelitë dhe Shafiitë thonë se personi i tillë e fal namazin e plotë, katër rekate, sepse i është kujtuar gjatë kohës kur ishte vendas. Këtë mendim ka edhe Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah.
Hanefitë dhe Malikitë thonë se ai e fal të shkurtuar dy rekate, sepse ai duhet të fale atë namaz i cili i ka ikur dhe këtij personi i ka ikur namazi i udhëtimit i cili është dy rekate.
Këtë mendim kanë shejkh Albani dhe ibn Uthejmin rahimehumeAll-llah.
Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Namazi falet siç ka ikur (nëse ka ikur namazi i udhëtarit me dy rekate, atëherë aq duhet të falet kur të kujtohet).’’
Shejkh Ibn Uthejmin rahimehull-llah thotë: ‘’Personi i cili ka harruar të fale një namaz kur ishte në udhëtim, dhe i kujtohet pasi është kthyer në vendin e tij, ai duhet t’a fale atë të shkurtuar dy rekate. Them këtë duke u bazuar te fjala e Profetit i cili thotë:
Ai i cili fle (gjumë) dhe i ikën namazi, apo e harron atë, t’a fale atë kur t’i kujtohet.’’
Ibn Uthejmin thotë se pjesa ‘t’a fale atë’ do të thotë t’a fale namazin i cili ka qenë i obliguar në kohën kur ai e ka harruar. Udhëtari e ka pat detyrë faljen me dy rekate, kështu që ai duhet t’a fale dy rekate edhe pse është në vendin e tij. E njejta vlen për personin i cili ka harruar të fale namazin e drekës në vendin e tij dhe i kujtohet kur është udhëtar. Ai duhet t’a plotesoje atë katër rekate edhe pse është në udhëtim.
Ajo që duhet të falet është namazi i cili është harruar. Kur harrohet namazi i drekës i udhëtarit, atëherë duhet të falet dy rekate. Kur harrohet namazi i drekës i vendasit, duhet të falet katër rekate.