Nijeti dhe distanca kur konsiderohesh udhëtar

Kushtet që të quhesh udhëtar

Që njeriu të konsiderohet udhëtar duhet të plotësohen kushtet e mëposhtme:

  1. Nijeti
  2. Distanca
  3. Koha e qëndrimit

Me nijet kuptohet kur personi vendos që do të udhëtoje në një vend të caktuar. Ai del nga vendi i tij me nijetin për të udhëtuar në një vend, fshat apo qytet tjetër. Në shembullin e mëposhtëm do tregohet rëndësia e nijetit që personi të konsiderohet udhëtar.

Nëse ne dalim nga shtëpia për të blerë një pjesë makine në një pikë shitje dhe aty nuk e gjejmë, por shitësi na orienton për të shkuar në periferi të Tiranës tek një pikë tjetër. Shkojmë atje, por përsëri nuk e gjejmë dhe shitësi na orienton për një pikë tjetër tek QTU. Shkojmë te QTU, ama edhe atje nuk ka pjesë dhe shitësi na orienton për në Vorë. E njejta gjë dhe në Vorë dhe na orienton shitësi atje për në Sukth apo Durrës. Kur të shkojmë në Sukth apo Durrës ne nuk mund t’i shkurtojmë dhe bashkojmë namazet, sepse nuk jemi udhëtarë!

Nijeti ishte për të blerë pjesën sa më afër dhe jo për udhëtim deri në Durrës, edhe pse përfunduam atje.

E njejta gjë vlen edhe për çobanin, të cilin e udhëheq kullota deri në fshatra tjerë. Ai nuk kishte nijet udhëtimin në këto fshatra! Kjo është ajo ç’farë përmend shejkh Albani rahimehull-llah në lidhje me nijetin.

Kushti tjetër është distanca. Shejkh Albani rahimehull-llah thotë që muslimanët janë ndarë në njëzet mendime sa i takon përcaktimit të distances së udhëtarit.

Shumica e dijetarëve të medhhebit Maliki, Shafii dhe Hanbeli thonë që distanca për t’u konsideruar udhëtar duhet të jetë sa udhëtimi i personit 2 ditë (pa netët e tyre), që i bie 48 milje (rreth 80 km). Këto bazohen tek hadithi i dobët në të cilin thuhet:

‘’O ju banorë të Mekës! Mos e shkurtoni namazin në më pak se katër burrud prej Mekës në Asfan (qytet 80 km në veri të Mekes)’’ [Dobëson ibn Haxher el Askalani etj]

Katër burrud është 48 milje dhe sot distanca me makinë nga Meka në Asfan është 95 km.

Argumentimi me këtë hadith bie pasi hadithi është i dobët.
Po ashtu argumentohen dhe me veprimin e Ibn Abasit dhe ibn Umerit (radiAll-llahu anhume) të cilët e kanë shkurtuar namazin në distancë udhëtimi prej 4 burrud.

Argumentimi në këtë rasti bie për dy arsye:

  1. Kjo është vepër e disa sahabëve, ndërkohë që ka sahabë të tjerë të cilët e kanë shkurtuar në distancë më të shkurtër. Rregulli thotë: ‘’Kur nuk ka kundërshtim tek një vepër e një sahabiu, merret si argument! Po ashtu, kur ka kundërshtim tek një vepër e një sahabiu, bie si argumentim.’’
  2. Ka argument të saktë që vetë ibn Umeri e ka shkurtuar namazin në distancë më të shkurtër se 4 burrud.

Mendimi i medhhebit Hanefi në lidhje më udhëtarin është distanca e udhëtimit me ecje tre ditë dhe tre netë.

Ecja është për qëllim ecja e devesë së ngarkuar apo ecja normale e njeriut. Ndërsa në det është për qëllim lundimi i anijes me erëra normale.

Medhhebi Hanefi bazohet tek hadithi i Aliut radiAll-llahu anhu i cili thotë:

‘’Profeti e ka përcaktuar kohën e mes’hit për udhëtarin tre ditë dhe tre netë. Ndërsa për vendasin një ditë dhe një natë.’’ [Muslimi]

Hadithi bie si argumentim pasi në të tregohet koha e mes’hit dhe jo distanca.

Po ashtu bazohen dhe tek një hadith tjetër

‘’Nuk i lejohet gruas e cila beson në All-llahun dhe ditën e fundit që të udhëtoje me ecje tre ditë, përveç se nëse ka mahrem.’’ [Muslimi & Bukhari]

Ky hadith bie si argument, pasi ka hadithe tjera që flasin për distancë më të shkurtër se tre ditë.

‘’Nuk i lejohet gruas e cila beson në All-llahun dhe ditën e fundit që të udhëtoje me udhëtim një natë dhe një ditë, përveç se nëse ka mahrem.’’ [Muslimi]

Shejkh Albani rahimehull-llah përmend hadithin e Enesit radiAll-llahu anhu, në të cilin thotë:

‘’Ishte Profeti i cili kur dilte në një ecje prej tre miljesh apo tre ferrasikh, e shkurtonte namazin.‘’ [Muslimi]

Shejkh Albani thotë se ferrsekh është distancë e barabartë me tre milje. Milja është distanca deri aty ku përthyhet shikimi ose distanca qe shikon njeriu në një tokë të rrafshët dhe shikon një njeri dhe nuk e dallon dot a është duke ardhur apo duke u larguar siç ka përmendur ibn Haxheri rahimehull-llah. Një milje është i barabartë me 1680m ose 1700m apo 1800m.

Ibn Haxheri thotë se hadithi i Enesit është më i sakti që na tregon distancën për shkurtimin e namazit në udhëtim. Shejkh Albani thotë se ka transmetime tjera që tregojnë për distancë më të shkurtër se tre ferrasikh për shkurtimin e namazit.

Ibn Ebi Shejbeh thotë se Ibn Umeri ka thënë: ‘’Shkurtohet namazi në udhëtim prej tre miljesh.’’ [zinxhiri i transmetimit i saktë sipas shejkh Albanit]

Përsëri Ibn Ebi Shejbeh thotë se Ibn Umeri ka thënë: ‘’Unë udhëtoj një pjesë kohe dhe e shkurtoj namazin.’’ [zinxhiri i transmetimit i saktë sipas shejkh Albanit]

Përsëri Ibn Ebi Shejbeh thotë se Ibn Umeri qëndronte në Meke dhe kur dilte për në Mina e shkurtonte namazin. Zinxhiri i transmetimit është i saktë sipas shejkh Albanit dhe këtë e përfocon akoma më tepër me faktin se sahabët kur dolën në haxhin e lamtumirës me Profetin nga Meka ne Mina e kanë shkurtuar namazin. Shejkh Albani rahimehull-llah thotë se mes Mekes dhe Minas janë 3 milje ose rreth 5 km.

Shejkh Albani përmend një transmetim në të cilin Ibn Umeri thotë: ‘’Do ta shkurtoja namazin edhe po te udhëtoja një milje.’’ [Përmend dhe saktëson Ibn Haxheri]

Fakti që Ibn Umeri në disa raste e ka shkurtuar namazin pas 40 miljesh e në raste tjera në 3 milje, nuk tregon që e ka kufizuar atë. Veprimi i dickaje nuk tregon përkufizim apo kufizim të asaj gjëje. Kufizimi bëhet në rastet kur kemi shprehje të qartë që kufizohet dicka. Për shembull: ‘nuk lejohet shkurtimi i namazit ne me pak se 10 milje apo 20 milje’ Ama shprehje të qartë kufizimi nuk ka dhe veprimi nuk tregon kufizim.

Dijetarët të cilët kanë mendimin se duhet të bëhet shkurtimi i namazit pas 45 miljesh, hadithin e Enesit e komentojnë duke thënë se për qëllim me distancën 3 milje është fillimi i distancës ku lejohet shkurtimi i namazit, por jo fundit i udhëtimit. Sipas tyre, Profeti ka synuar të udhëtoje gjatë, ama ka filluar shkurtimin e namazit pas 3 miljesh edhe pse nuk e kishte arritur vendin e synuar. Kjo nuk është e vërtetë!

Në hadith, Profeti kishte si synim shkuarjen në Mina dhe kjo ishte fundi i udhëtimit që ishte në distancën prej tre miljesh.

Ka transmetuar Ibn Ebi Shejbeh nga Seij ibn Musejib (tabiin i madh, prej fukahave të mëdhenj të Medines) i cili është pyetur në lidhje me shkurtimin e namazit ne Berridu Medine (distancë në të cilën ka mospajtim se sa është: 2 milje, 3 milje apo 5 milje) dhe ka thënë: ‘’Po. All-llahu e di më së miri.’’ [Zinxhiri i transmetimit i saktë sipas shejkh Albanit]

Ibn Ebi Shejbeh transmeton nga Laxhlaxh (tabiin) i cili ka thënë: ‘’Udhëtonim me Umerin në një udhëtim i cili ishte në distancë prej 3 miljesh. E shkurtonim namazin dhe e çelnim agjërimin nëse ishim agjërueshëm.’’ [Zinxhiri i transmetimi është i mundshëm të jetë i mirë sipas shejkh Albanit]

Shejkh Albani thotë: ‘’Këto transmetime tregojnë se lejohet shkurtimi i namazit në distancë edhe më të shkurtër se ajo që u përmend në hadith (3 milje ose 3 ferrasikh / dyshon transmetuesi). Kjo është ajo që kanë kuptuar sahabët dhe ata e dinin se udhëtimi nuk ishte me distancë të kufizuar. Ata e kanë shkurtuar namazin aty ku ata kanë menduar se janë udhëtarë dhe për këtë janë bazuar te fjala e All-llahut të lartësuar ku thotë:

‘’Kur të udhëtoni në Tokë nuk është për ju gjynah që ta shkurtoni namazin.’’

Te ajeti Kuranor duket qartë që nuk ka kufizim të distancës se kur duhet shkurtuar namazi. Nuk ka kundërshtim mes hadithit të Enesit dhe veprës se sahabëve që përmendëm më sipër, sepse hadithi nuk e mohon që lejohet të shkurtohet namazi në një distancë më të shkurtër se 3 milje/3 ferrsakh.

Hadithi tregon veprim të Profetit dhe nuk tregon kufizim apo përcaktim se në ç’farë distance duhet shkurtuar namazi. Kështu që hadithi lejon që të shkurtohet namazi në distancë edhe më të shkurtër se ajo që përmendet aty dhe pikërisht këtë kanë vepruar sahabët e nderuar.

Në një hadith përmendet se Profeti kur dilte në distancë një ferrsakh (3 milje) e shkurtonte namazin dhe nëse ky hadith është i saktë, atëhere hiqet dyshimi i transmetuesit dhe merret për bazë distanca prej 3 milje.

Ibn Tejmijeh rahimehull-llah thotë: ‘’Fjala më e saktë prej dy fjalëve është se lejohet shkurtimi i namazit në një udhëtim, i shkurtër apo i gjatë qoftë ai, ashtu siç e kanë shkurtuar banorët e Mekës pas Profetit, në Arafat dhe Mina, ku mes Arafatit dhe Mekes është 1 berrid (4 ferrsakh ose 19 km).’’ [el fetaua muxheledi fq. 24]

  • 1 Berrid = 4 Ferrsakh
  • 1 Ferrsakh = 3 Milje
  • 1 Milje = 1,7 Km

Ibn Kajimi rahimehull-llah thotë: ‘’Profeti nuk ua ka kufizuar distancën se kur lejohet shkurtimi i namazit apo çelja e agjërimit për agjëruesit, por ua ka lënë të hapur muslimanëve në të përgjithshmen e udhëtimit dhe të ecjes në tokë. Dhe ajo ç’farë është transmetuar prej tij, në kufizimin në një ditë apo në dy ditë apo në tre, nuk ka diçka të saktë në lidhje me këtë.’’

Ibn Tejmijeh rahimehull-llah thotë: ‘’Çdo emër i cili është i përgjithshëm në kuptim dhe nuk ka kufizim nga ana gjuhësore, kuptimi i tij kthehet tek urfi (ajo që njihet te populli si udhëtim).’’

Shejkh ibn Uthejmin rahimehull-llah thotë: ‘’Ka prej dijetarëve të cilët e kufizojnë distancën në të cilën shkurtohet namazi në 80 km, ndërsa disa dijetarë tjerë e kanë kufizuar në atë që njihet te njerëzit si udhëtim, edhe nëse nuk i arrin 80 km. Nëse njerëzit thonë se nuk është udhëtim, atëherë nuk konsiderohet udhëtim edhe nëse distanca arrin në 100 km. Dhe kjo e fundit është mendimi i shejkhul Islam Ibn Tejmijeh rahimehull-llah. Arsyeja është sepse All-llahu nuk e ka kufizuar distancën se kur lejohet shkurtimi i namazit. Dhe ky mendim i Ibn Tejmijes është më i afërti tek e sakta. Nuk ka problem kur ka kundërshtim tek njerëzit, nëse e merr me përcaktim.’’

Kur flasim për kthim tek urfi, duhet që të bazohemi tek më të diturit e popullit të cilët e njohin dispozitën sheriatike të udhëtimit dhe gjykimet fetare në lidhje me të. Ama ecja me argumentat sheriatike të përmendura më sipër është më parësore!

Shpërndaje: