Udhëtari e shkurton namazin nga katër rekate në dy rekate.
Gjykimi: shumica e dijetarëve thonë që është i pëlqyer shkurtimi i namazit nga katër rekate në dy rekate.
Ibn Uthejmin rahimehull-llah thotë: ‘’Ajo që është më e sakta duke u bazuar në atë që kam hulumtuar, është se shkurtimi i namazit nuk është detyrë. Argument është veprimi i sahabëve të cilët e kanë plotësuar namazin pas Uthmanit radiAll-llahu anhu kur ai u fal ne Mina katër rekate, dhe nuk e kanë përsëritur namazin. Sikur të ishte detyrë shkurtimi i namazit, ata do e përsëritnin namazin dhe nuk do e pasonin Uthmanin radiAll-llahu anhu kur fali katër rekate. Shkurtimi i namazit është sunnet shumë i fortë. Plotësimi i namazit është mekruh (i qortuar) dhe jo haram.’’
Imam Shafiu rahimehull-llah thotë: ‘’Sikur të ishte obligim falja e namazit dy rekate në udhëtim, nuk do e plotësonte Uthmani, as Aishja dhe as Ibn Mesudi RadiAll-llahu anhum. Si dhe nuk do lejohej që udhëtari kur të falet pas imamit vendas, ta pasonte imamin duke falur katër rekate.’’
Shejkh Bin Bazi rahimehull-llah thotë: ‘’Saktësohet nga Aishja radiAll-llahu anhe e cila e plotësonte namazin kur ishte në udhëtim dhe thoshte: kjo nuk është e vështirë për mua. Porse më e mira është që të pasohet Profeti ﷺ, i cili e shkurtonte namazin. Shkurtimi i namazit është sunnet.’’
Një pjesë e konsiderueshme e dijetarëve thonë që është obligim shkurtimi i namazit nga katër rekate në dy rekate.
El Khatabi (prej dijetarëve të mëdhenj Shafii) thotë: ‘’Mendimi më i përhapur tek dijetarët e selefit në vende të ndryshme është se shkurtimi i namazit në udhëtim është obligim. Ky është mendimi i Umerit, Aliut, Ibn Umerit, Xhabirit, Ibn Abbasit etj. Po ashtu nga Umer ibn AbdulAziz, el Katade, el Hasen (tabiinë). Hamad ibn Sulejman (Shejkhu i Ebu Hanifes) thotë: ‘Ai i cili e fal namazin e plotë në udhëtim, duhet t’a përsërisë atë.’’
Prej dijetarëve tjerë që e kanë këtë mendim është Ebu Hanife, e-Sheukani, Imam Albani etj.
Shejkh Albani thotë: ‘’Shkurtimi në udhëtim sipas fjalës më të saktë, është obligim dhe nuk lejohet të falet katër rekate.’’
Aishja radiAll-llahu anhe thotë: ‘’Kur u bë obligim namazi, ka qenë dy rekate. Qëndroi ashtu e pandryshueshme në udhëtim dhe u shtua për atë që është vendas (katër rekate). Pastaj, pas emigrimit është bërë obligim katër rekate dhe namazi i udhëtarit qëndroi i paluajtshëm (dy rekate).’’ [Bukhari & Muslimi]
Aishja thotë: ‘’Kur All-llahu e bëri detyrë namazin, e obligoi dy rekate. Si kur je në udhëtim, ashtu edhe vendas. Ka qëndruar i palëvizshëm për udhëtarin dhe u shtua për vendasin, përveç akshamit, i cili është vitri i ditës dhe përveç sabahut, pasi në të është i gjatë recitimi.’’ [Bukhari]
Imam Albani rahimehull-llah thotë se nuk është saktësuar në asnjë vend që Profeti ﷺ ka falur katër rekate në udhëtim, por i qëndroi origjinës e cila është dy rekate. Hadithi i cili thotë që Profeti e ka plotësuar namazin në udhëtim është jo i saktë. Ibn Tejmijeh rahimehull-llah thotë që është hadith i kotë.
Umeri radiAll-llahu anhu thotë: ‘’Namazi i xhumasë ka dy rekate. Namazi i Fitrit (Fitër Bajrami) ka dy rekate. Namazi i Kurbanit ka dy rekate. Namazi i udhëtarit është dy rekate. Kështu kanë qenë.’’ [Nesaiu & Ibn Maxheh]
Shejkh Albani rahimehull-llah: ‘’Origjina është se ajo që obligohen namazet është dy rekate, përveç namazit të akshamit. Të qenurit obligim dy rekate përforcohet më tepër nga hadithi i mëposhtëm:
Një burrë e ka pyetur Umerin radiAll-llahu anhu: ‘’Po ta kisha arritur Profetin ﷺ do t’a pyesja për diçka. Për ç’farë do e pyesje? Për fjalën e All-llahut ku thotë: ‘Nuk ka gjynah për ju t’a shkurtoni namazin nëse keni frikë prej kufarëve. Do ti thoja Profetit ﷺ: Pse po e shkurtojmë, ndërkohë që tashmë ne jemi të sigurtë dhe nuk kemi frikë prej kufarëve. Umeri i tha: E kam pyetur unë këtë gjë dhe Profeti ﷺ më është përgjigjur: ‘Është sadaka që All-llahu e ka bërë për ju. Pranojeni sadakanë e Tij!’’
Fjala e Profetit ﷺ ‘..pranojeni sadakanë e Tij!’ e përforcon këtë kuptim dhe na obligon neve që t’a shkurtojmë namazin dhe argumentohemi me këtë urdhër për t’a shkurtuar namazin, i cili tregon obligim. Kur vjen diçka në formë urdhërore, ajo tregon obligim, përveç kur ka argument i cili e kundërshton atë.
Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Fakti që Profeti ﷺ gjithmonë e ka shkurtuar dhe ai është i cili ka thënë ‘udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit ﷺ’, dhe nuk e ka plotësuar asnjëherë namazin në udhëtim, është argument në vetvete dhe shtesa e namazit në udhëtim është e pa pranuar.”
Abdurrahman ibn Auf transmeton: ‘’Kush e plotëson namazin duke qenë udhëtar, është sikur ai i cili e shkurton duke qenë vendas.’’ [Nesaiu]
Fakti që këtë e thotë një prej dhjetë të përgëzuarve me xhennet, tregon rëndësinë e madhe që ka shkurtimi i namazit në udhëtim dhe se plotësimi në udhëtim ka të njejtën peshë gjynahu si shkurtimi i namazit nga katër rekate në dy rekate për atë që është vendas. Të dyja këto nuk lejohen!
Për këtë arsye, ne themi në mënyrë të prerë, se shkurtimi i namazit në udhëtim është obligim dhe nuk i lejohet muslimanit t’a plotësoje atë.’’
Ibn Umeri radiAll-llahu anhu ka thënë: ‘’Shkurtimi i namazit në udhëtim është sunnet. Kush e lë sunnetin, ka bërë kufër.’’
Profeti ﷺ thotë:
‘’Kush e lë sunnetin tim, nuk është prej meje.’’
Shejkh Albani thotë se te hadithi më sipër për qëllim është rruga e Profetit ﷺ dhe jo dalja nga feja. Të njejtin qëllim ka edhe Ibn Umeri tek fjala e tij më sipër duke qenë se rruga e Profetit ﷺ në udhëtim ka qenë shkurtimi i namazit dhe ai i cili e plotëson atë, ka dalë nga menhexhi ose rruga e Profetit .
Mendimi i dytë që e bën obligim shkurtimin e namazit në udhëtim është më afër të vërtetës.
Është pyetur Ibn Abbasi nga dikush: ‘’Pse kur jemi në udhëtim falemi me dy rekate, ndërsa pas imamit vendas falemi katër rekate? Ibn Abbasi iu përgjigj: Sunneti i Ebul Kasimit (Profetit ﷺ).’’
Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: ‘’Kjo sepse kur falemi me imam është detyrë ndjekja e tij. Duke u bazuar te fjala e Profetit ﷺ:
Me të vërtetë imami është bërë që të pasohet dhe mos të kundërshtohet.’’
Kjo përforcohet akoma më shumë tek fjala e Profetit ﷺ ku thotë:
‘’Nëse imami falet ulur, faluni edhe ju ulur.’’
Qëndrimi në këmbë është prej shtyllave të mëdha të namazit, ama pasimi i imamit është më parësor. Prandaj pasimi i imamit për të fal katër rekate kur jemi në udhëtim është akoma më parësor.