Si veprohet kur del për udhëtim, ama dreka të zë në vendin tënd?

A i shkurton kur është në udhëtim apo i fal të plota?

Personi bën nijet të udhëtoje dhe duke qenë akoma në shtëpi dëgjon që thirret ezani i drekës ose ikindisë ose jacisë (pasi te këto namaze shkurtohen rekatet). Si vepron ai në këtë rast? A i shkurton kur është në udhëtim? Apo i fal katër rekate te plota sepse koha e namazit e zuri në vendin e tij?

Ibn Kudame thotë: ‘’Shumica e dijetarëve Hanefi, Maliki dhe Shafii thonë që personi e fal namazin e shkurtuar. Ndërsa shumica e dijetarëve Hanbeli thonë që e fal namazin e plotë (katër rekate).’’

Ajo që duket me afër të vërtetës është mendimi i shumicës së dijetarëve që thonë se e fal të shkurtuar namazin në udhëtim edhe pse të zuri koha e tij në vendin tënd. Kjo për këto arsye:

  • Në realitet nuk ka argument specifik në lidhje me këtë çeshtje.
  • Shumica e dijetarëve thonë që e fal namazin e shkurtuar kur është në udhëtim.
  • Kur je udhëtar dhe kthehesh në vendin tënd, namazin e fal të plotë edhe pse të zuri koha e namazit në udhëtim.

Shejkh Bin Bazi dhe Ibn Uthejmini thonë: ‘’Ajo që merret për bazë është koha kur kryhet adhurimi dhe jo koha kur hy namazi.’’

U pyet shejkh Bin Bazi rahimehull-llah për personin të cilin koha e drekës e zë në vendin e tij dhe niset për udhëtim dhe tha: ‘’Niset për udhëtim dhe atje e fal namazin e drekës të shkurtuar dy rekate. Kjo sepse ajo që merret në konsideratë është koha e veprimit (koha kur personi fal namazin dhe kjo është në udhëtim) dhe jo koha kur fillon adhurimi.’’

Shejkh ibn Uthejmin thotë: ‘’Kur njeriu udhëton pasiqë ka hyrë koha, falet gjatë udhëtimit të tij. Kur falet gjatë udhëtimit, ai e shkurton namazin. Ashtu si personi i cili është në udhëtim dhe koha e namazit e zuri atje. Kur ai nuk e fal namazin në udhëtim, por kthehet ne vendin e tij, ai duhet ta plotësoje katër rekate. Sepse ajo e cila merret në konsideratë është koha kur personi e fal namazin dhe jo koha kur ka hy namazi.’’

Ama, nëse ezani të zë në vendin tënd dhe xhaminë e ke afër, është detyrë falja në xhami me xhemat. Përjashtim bëjnë rastet ekstreme, për shembull: kur mund të ik treni, makina, anija, avioni etj.

Shpërndaje: