Namazi kaza

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Namazi Kaza është namazi i cili falet pasi i ka dalë koha e tij

Në realitet nuk ka namaz kaza, pasi namazi falet në kohën e tij dhe nuk ka asnjë argument i cili e lejon faljen e namazit jashtë kohës së tij pa justifikim sheriatik.

Namazi falet jashtë kohës së tij në tre kohë të ligjëruara:

  • Kur bashkohen namazet: dreka falet në kohë të ikindisë dhe akshami në kohë të jacisë.
  • Kur ka kaluar koha duke qenë në gjumë.
  • Kur ka kaluar koha për shkak të harresës.

Namazi në këto raste nuk quhet kaza, sepse në realitet këto namaze janë në kohën e tyre. Profeti صلى الله عليه وسلم thotë për personin të cilit i ka ikur koha e namazit duke qenë në gjumë:

“T’a fale atë kur të zgjohet dhe nuk ka kohë tjetër përveç kësaj kohe.”

Pra, në rastet kur kalon koha për shkak të gjumit apo harresës, falen sapo të zgjohesh apo kujtohesh dhe këto nuk quhen kaza, sepse Profeti صلى الله عليه وسلم tha ‘nuk ka kohë tjetër..’ dmth e quajti kohë.

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: “Kaza – në termin sheriatik e ka kuptimin: kryerje!

All-llahu جل جلاله thotë:

Kur të kryhet namazi shpërndahuni në tokë.

Kur ti kryeni ritet e haxhit, përmendeni All-llahun siç i përmendni baballarët tuaj, madje edhe më shumë.

Pra, bëhet fjalë për kryerje të adhurimeve në kohën e tyre dhe jo jashtë kohës së tyre.”

Kaza nuk ka në sheriat! Ata që e lejojnë faljen e namazit pasi i ka dalur koha për arsye të ndryshme (përjashtuar gjumi dhe harresa), nuk kanë argument.

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: “Profeti صلى الله عليه وسلم thotë:

Kush e kap një rekat para se të lind dielli, e ka kapur namazin e sabahut.

Domethënë: nëse nuk e kap një rekat brenda kohe, nuk ka namaz. Sikur të kishte namaz kaza (pas kohe), Profeti صلى الله عليه وسلم nuk do t’a thonte këtë fjalë sepse si e kapi një rekat si nuk e kapi, ai gjithsesi do e plotësonte namazin. Kazaja në këtë lloj kuptimi të fukahave të mevonshëm nuk ka bazë në islam. Hadithi të cilin e përmenda qëparë është i qartë në atë se atij të cilit i ik namazi, ai nuk ka sesi t’a fale atë jashtë kohës së tij të ligjëruar. Nuk ka se si t’a fale jashtë kohe, porse ai duhet të shtoje shumë prej namazeve nafile, ashtu që All-llahu جل جلاله me rahmetin e Tij të madh t’ia plotësoje këtë namaz farz që i iku pa justifikim, me këto namaze nafile.

Kjo çeshtje e namazit kaza është prej gabimeve më të mëdha që kanë hyrë në fikhun islam.” [Silsiletu el hude ue nur, Kaseta 144]

Sunnetet Kaza

E njejta vlen edhe për sunnetet. Kur nuk i fal ato me neglizhencë në kohën e tyre, nuk mund të falen jashtë kohës së tyre.

Shejkh Albani rahimehull-llah thotë: “Kur muslimani e le namazin të dale nga koha e tij me qëllim, atëherë nuk ka se si t’a fale jashtë kohe, qoftë farz apo sunnet.”

Nëse personi ka arsye atëherë insha All-llahu mundet me i fal sunnetet edhe jashtë kohe. Për shembull fal dy sunnetet e drekës në kohën pas ikindisë, apo dy sunnetet e akshamit i fal në kohën e jacisë.

Duhet ruajtur namazi në kohën e tij sepse ka kërcënim të madh për atë i cili e fal namazin jashtë kohës së tij pa justifikim.

Ibn Kethiri rahimehull-llah në tefsirin e tij thotë: “Ka transmetuar Euzai nga Ibrahim ibn Jezid dhe ky nga Umer ibn AbdulAziz i cili ka lexuar ajetin:

Pas tyre erdhën breza të cilët e humbën namazin dhe ndoqën pasionet dhe më vonë do hyjnë në gaje (luginë në xhehenem).

Umer ibn AbdulAziz vazhdon duke thënë: Humbja e namazit tek ata nuk ka qenë duke e lënë fare, por duke e falur jashtë kohe.”

All-llahu جل جلاله thotë:

“Mjerë për ata namazli të cilët ndaj namazit të tyre janë harraçë”

Thotë Shejkh Seadi rahimehull-llah: “Kuptimi i këtij ajeti është se ata e falin namazin jashtë kohe, nganjëherë edhe e lejnë fare dhe kjo është për shkak të mospreokupimit ndaj urdhërave të All-llahut. Namazi është prej adhurimeve më të rëndësishme që të afrojnë tek All-llahu. Ai i cili është harraç ndaj namazit e meriton përçmimin, qortimin dhe dënimin.”

و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: