Vlera e namazit me xhemat në xhami

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Argumentet që flasin për vlerën e namazit me xhemat në xhami janë të shumta.
Prej tyre:


Thotë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
((صلاة الجماعة تَفْضُل صلاة الفذ بسبع و عشرين درجة))
((Namazi me xhemat është njëzet e shtatë shkallë (gradë) më shumë se namazi vetëm))
[Buhari dhe Muslimi]


Në një transmetim tjetër:
و في رواية : صلاة الجماعة أفضل من صلاة الفذ بسبع و عشرين درجو))
((Namazi me xhemat është 27 shkallë/gradë me shumë se namazi vetëm))


Thotë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
((الصلاة في جماعة تعدل خمسا و عشرين صلاة))
((Namazi me xhemat në xhami është i barabartë me njëzet e pesë namaze))


Thotë Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
((صلاة الرجل في جماعة تَضْعُف على صلاته في بيته و في سوقه خمسا و عشرين ضِعْفا ، و ذلك أنه إذا توضأ فأحسن الوضوء ثم خرج الى المسجد لا يُخرِجه إلا الصلاة لم يَخطُ خُطوَة إلا رُفِعت له بها درجة و حُطَّ عنه بها خَطيئة
فإذا صلى لم تزل الملائكة تُصلي عليه ما دام في مصلاه، اللهم صل عليه اللهم ارحمه، و لا يزال أحدكم في صلاة ما انتظر الصلاة))
((Namazi i burrit në xhami është njëzet e pesë fish më shumë se namazi i tij në shtëpinë e tij apo në vendin ku shet (punon). Kjo sepse kur ai merr abdes mirë, dhe pastaj del për në xhami, me qëllimin që të fale namazin, për çdo hap që hedh i ngrihet me të një grade (shkallë) dhe i fshihet (i falet) një mëkat.
Dhe kur kryen faljen, melaiket (engjëjt) vazhdojnë te luten për të, pa ndërprerë, për sa kohë ai qëndron në vendin e tij të faljes, duke thënë: O All-llah! Fale atë! O All-llah! Mëshiroje atë!))
[Buhari dhe Muslimi]


Në lidhje me atë se pse në një hadith thotë 27, ndërsa në hadithe tjera thotë 25?
Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve.
Ndoshta më e përafërta është ajo që thonë disa dijetarë, prej tyre shejh Bin Bazi i cili thotë:
فضل من الله، كانت خمس و عشرون ثم زادهم سبحانه، فضلا من الله جل و علا.
“Kjo është mirësi prej All-llahut. Ishte njëzet e pesë, dhe e shtoi këtë mirësi për besimtarët dhe e bëri njëzet e shtatë.” -F-

Xhemati këtu është për qëllim Xhemati në xhami dhe jo Xhemati jashtë xhamie.

 

● Namazi me xhemat në vende tjera nuk është si namazi me xhemat në xhami.

Disa dijetarë thonë:
“Xhemati jo në xhami është si xhemati në xhami, në aspektin e shumëfishimit të shpërblimit si namaz.”
Ndërsa mirësitë e tjera si: shkuarja në xhami, hapat, qëndrimi në xhami dhe lutja e Melaikeve; kjo është e veçantë për xhematin në xhami.

Këta dijetarë bazohen në disa argumente, ku prej tyre (ndoshta më i forti si argument) është hadithi:
((الصلاة في جماعة تعدل خمسا و عشرين صلاة ، فإذا صلاها في فلاة فأتم ركوعها و سجودها بلغت خمسين صلاة))
((Namazi me xhemat është i barabartë me njëzet e pesë namaze.
Nëse e fal atë në një vend të shkretë, (pa banorë) duke e plotësuar rukunë e tij dhe sexhden e tij, arrin pesëdhjetë namaze))
[Ebu Daudi / Albani thotë: Hadith Sahih]

Thonë:
لو كان من شرط التضعيف المسجد، لما ضَعُفَت في الفلاة.
“Nëse do ishte kusht i shumëfishimit falja me xhemat në xhami, nuk do i shumëfishohet namazi atij i cili falet në vende të shkreta (të pa banuara, dmth: në udhëtim).”

Fjalën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ((Në vend të shkretë, pa banorë))..
disa dijetarë, prej tyre shejh Albani e komentojnë duke thënë: “është për qëllim në udhëtim.”

 

Disa dijetarë të tjerë thonë:
“Xhemati jo në xhami nuk është si xhemati në xhami, në aspektin e shumëfishimit të namazit.”

Këta bazohen në hadithin që përmenda në fillim të temës:
((Namazi i burrit me xhemat është njëzet e pesë fish më shumë se namazi i tij në shtëpinë e tij, apo në tregun (punën) e tij. KJO SEPSE kur ai merr abdes dhe del për në xhami…))

Ky hadith tregon qartë se shumëfishimi i namazit është për shkak të faljes në xhami.

Thotë Ibn Haxheri në [El Fet’h]:
بل الظاهر أن التضعيف المذكور يختص بالجماعة في مسجد.
“Ajo që kuptohet qartë nga ana sipërfaqësore e hadithit është se shumëfishimi i përmendur është i veçantë për xhematin në xhami.” -F-

Ndoshta më e përafërta është se xhemati në vende tjera (jo në xhami), nuk është si xhemati në xhami.


Ndërsa sa i përket argumentimit me hadithin e lartpërmendur (hadithin e atij që falet në vende të shkreta), ky argumentim nuk qëndron për disa arsye:

  • Këtu nuk flitet për xhemat, por për individ.
  • Këtu flitet për një gjendje dhe situatë, e cila është: të qenurit në udhëtim.
    Sepse sipas mendimit më të saktë, rasti në hadith, është për qëllim personi në udhëtim.
  • Shumëfishimi këtu është si plotësim i namazit në një situatë jo të zakonshme.
    Sepse siç e dimë, në përgjithësi ata që janë udhëtarë, sidomos në vende të shkreta, e shpejtojnë namazin.
    Dhe kur përsoni e plotëson namazin, nuk ngutet, edhe pse gjendja në të cilin ndodhet e shtynë personin të ngutet. I tilli për shkat të këtij plotësimi arrin shpërblimin e pesëdhjetë namazeve.
    [Siç e permend këtë El Mubarekfuri]


Në rastin e xhematit jashtë xhamie: nëse vendi ku falen është afër xhamisë, e kanë detyrë të vijnë në xhami kur e dëgjojnë Ezanin, dhe nuk iu lejohet të falen në vendin e tyre, edhe pse janë xhemat.

Argument për këtë është hadithi te [Buhari dhe Muslimi] ku tregon se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ((ka menduar të djegë shtëpitë e atyre që nuk prezantojnë në xhami))

Në shtëpia ka që falen me xhemat, por Profeti nuk bëri përjashtim për këta.
Që do të thotë se nuk lejohet xhemati në shtëpia, apo diku tjetër, kur xhamia është afër.

E nëse ata e kanë xhaminë larg, ose është falur namazi në xhami dhe falin namazin me xhemat, atëherë namazi i tyre është i rregullt, dhe se shpërblimi i faljes me xhemat ka shpërblim të madh.

Kjo duke u bazuar në hadithin:
(( صلاة الرجل مع الرجل أزكى من صلاته وحده،
و صلاته مع الرجلين أزكى من صلاته مع الرجل،
و ما كان أكثر فهو أحب الى الله تعالى)).
((Namazi i një burri bashkë me një burrë tjetër (dmth: vetë i dyti) është më i mirë sesa të falet vetëm.
Ndërsa namazi i tij me dy burra (dmth: vetë i treti) është më i mirë se falja me një burrë (dmth: vetë i dyti).
Dhe sa më i madh të jetë numri i atyre që falen bashkë, aq më i dashur është te All-llahu -Teaala-))
[Bejhakiu / Albani thotë: Hadith Hasen (i mirë)]

Unë anoj te ajo se xhemati në vende tjera ka shpërblim të madh, padyshim që shumëfishohet.
Porse nuk është si xhemati në xhami.

All-llahu e di më së miri.


Ndoshta mund të ndodhë në ndonjë rast, apo situatë që namazi me xhemat jo në xhami është si namazi në xhami, ose ndoshta edhe më shumë se në xhami.

Si rastin të cilin e përmend shejh Albani, ku tregon se: Imam Ahmedi ka qenë duke mbajtur mësim dhe të pranishëm kanë qenë njerëz të mëdhenj te dijes, si Jahja bin Meiijn, Ali bin Medini etj. U thirr ezani i drekës, dhe një person tha: ejani të ikim për në xhami. Imam Ahmedi tha (diçka të cilën shejh Albani nuk e mbante mend) por me kuptimin që imam Ahmedi mexhlisin e dijes e konsideroi justifikim.
Ose me kuptimin e bashkimit ndërmjet namazit me xhemat dhe kërkimit të diturisë. Bashkim ndërmjet dy të mirave.

Shejh Albani tregon për veten e tij se: kur e ka lexuar këtë transmetim nga Imam Ahmedi, prej asaj kohe, kur shejhu ka qenë në mexhlis dije, nuk është ngritur për të shkuar në xhami kur është thirrur Ezani, por është falur me xhemat aty.
[Silsiletul Hude uen-Nur. Kaseta 162]

Kjo tregon, se te këta dijetarë, namazi me xhemat në shtëpi, apo në vendin ku po mbajnë mësim është i vlefshëm si në xhami, dhe kjo për shkak të vlerës së madhe që ka vazhdimi i mësimit, dhe mos ndërprerja e tij. Sepse sikur te ikin për xhami, do të ndërpritet, dhe do ishte e vështirë të mblidhen përsëri.

Dhe në mendimin e tyre, namazi që do e falin aty, për shkak të kesaj arsyeje është i vlefshëm si në xhami.
Dhe vlerën namazit në këtë rast, e ngre dhënia dhe kërkimi i diturisë, nga ata njërez të mëdhenj të diturisë.

Kjo është ajo që kuptohet, sepse sikur te ata namazi me xhemat në xhami të kishte më vlerë, atëherë ata do shkonin në xhami.

Por, ata mendonin se: nëse faleshin aty, ashtu që mos t’a ndërpresin mësimin, dhe t’a vazhdojnë atë pas namazit, ka vlerë më të madhe.
Kjo dhënie dhe kërkim diturie në këtë rast do ia ngrejë vlerën namazit me xhemat në vendin në të cilin ndodhen.
Duke pasur parasysh se kërkimi dhe dhënia e diturisë është prej adhurimeve të mëdha.
Dituri, pa të cilën edhe vetë namazi, nuk mund të arrij vlerën e tij.

Kjo në mendimin tim (dhe All-llahu e di më së miri) nuk mund të përgjithësohet, dhe të thuhet:
“Kjo vlen për çdo mexhlis dije. Jo.”
Vlen në mexhlise ku mësohet dija e saktë, prej njerëzve të saktë të dijes, të cilat sot janë shumë të rralla.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: