Çeshtja e tretë: Ndërtimi i xhamive mbi varre

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në shumë hadithe ka ndaluar të bëhen varret vendfalje.

Thotë:
ألا و إن من كان قبلكم كانوا يتخذون قبور أنبيائهم و صالحيهم مساجد ، ألا فلا تتخذوا القبور مساجد إني أنهاكم عن ذلك .
Kuptimi:
“Ata që ishin para jush i bënin varret e profetëve të tyre dhe njerëzve të devotshëm vendfalje (xhamia).
Kujdes! Mos i bëni varret vendfalje. Unë ju ndaloj nga kjo.”
[MUSLIMI etj.]


Ndalesa nga bërja e varreve vendfalje, përmban (përfshin):

– Ndalesën e faljes në varre (varreza).
Dmth: nuk lejohet të falim namaz në varre (varreza).

– Ndalesën e faljes në drejtim të varreve (apo varrit).
Dmth: nuk lejohet të falim namaz në drejtim të varreve (apo ndonjë varri).

– Ndalesën e ndërtimit të vendfaljeve (xhamive) mbi varre.
Dmth: nuk lejohet ndërtimi i xhamive mbi varre, apo në varreza.

 


▪ URTËSIA E NDALESËS


Urtësia dhe qëllimi i ndalesës është frika se kjo mund të shpie në shirk.


Thotë Ibn Uthejmini All-llahu e mëshiroftë:
الحكمة من ذلك أن الصلاة في المقبرة أو الى القبر ذريعة الى الشرك ، و ما كان ذريعة الى الشرك كان محرما ؛ لأن الشارع قد سد كل طريق يوصل الى الشرك.
“Urtësia e kësaj është se falja në varreza, apo në drejtim të varrit është rrugë, shkak që të shpie në shirk.
Dhe çdo rrugë (dhe shkak) që të shpie në shirk është haram (të merret, të veprohet, të behët).” -F-


Ndërtimi i xhamisë mbi varr (apo varre) me synimin e faljes në atë varr, nuk lejohet, konsiderohet mëkat i madh, dhe ata që e bëjnë këtë, janë të mallkuar.

Ndalesa nga ndërtimi i vendfaljeve në varre do të thotë: ndalesa nga falja në varre, sepse qëllimi i ndërtimit të xhamive, është për shkak të faljes së namazit në to.

 


▪ XHAMITË QË NDËRTOHEN MBI VARRE JANË DY LLOJE


1) Xhami të cilat janë ndërtuar mbi varr (apo varreza), pa e ditur që ka varre poshtë, apo që është varrezë.

2) Xhami të cilat janë ndërtuar mbi varr (apo varreza), me vetëdije dhe me qëllim që ka varr poshtë.


1) Xhamia që është ndërtuar mbi varr, apo në varreza pa e ditur që ka varr poshtë, apo që është varrezë, nuk ka problem, përderisa nuk ka shenja dhe gjurmë varresh. Namazi në këtë xhami lejohet.


Thotë Shejh Albani All-llahu e mëshiroftë:
القبور المزعومُ وجودُها في المسجد الحرام غير ظاهرة و لا بارزة و لذلك لا تُقْصد من دون الله ، فلا ضرر من وجودها في بطن ارض المسجد،
العبرة في هذه المسألة بالقبور الظاهرة ، و ان ما في بطن الأرض من القبور فلا يرتبط به حكم شرعي من حيث الظاهر ،
و من البين الواضح أن القبر إذا لم يكن ظاهرا معروفا مكانه فلا يترتب على ذلك مفسدة كما هو مشاهَد.
“Varret që supozohet se janë në xhaminë e shenjtë, nuk janë të dukshme, të shfaqura, dhe për këtë nuk synohen nga askush që t’i adhurojnë krahas All-llahut, dhe në këtë rast ekzistenca e tyre në brendësi të tokës nuk dëmton. Ajo që merret në konsideratë në këtë çeshtje janë varret e shfaqura të dukshme.
Ndërsa varret që janë brenda tokës (dmth: që nuk shihen, nuk dallohen për varre) nuk lidhet me ato ndonjë gjykim sheriatik. Dhe dihet qartazi se varri, nëse nuk është i dukshëm dhe i njohur vendi i tij (dmth: që të njihet se ky është varr) nuk paraqet dëm.” -F-

[Disa pretendojnë se në xhaminë e shenjtë është varri i Ismailit (alejhis selam), dhe i disa tjerëve, por kjo nuk është e saktë siç thotë shejh Albani dhe dijetarët e tjerë para tij]

Shejhu thotë që varret nëse janë në brendësi të tokës, por nuk janë të shfaqura, të njohura, dhe njerëzit nuk e dinë që ka varre aty, atëherë nuk ka problem nëse falesh aty, apo nëse është ndërtuar xhami aty.


2) Lloji i dytë i xhamive që janë ndërtuar mbi varre: xhami, të cilat janë ndërtuar mbi varre, me vetëdije dhe qëllim, dhe varri (apo varret) aty janë të dukshme. Ky lloj janë haram.

Xhamitë e ndërtuara mbi varre, me qëllim dhe vetëdije:

– Ose janë ndërtuar me pretendimin se nuk është problem të ndërtohet xhami mbi varre, siç mendojnë disa.
– Ose janë ndërtuar me qëllim madhërimi ndaj atij varri.

Në të dyja rastet është haram ndërtimi i xhamive mbi varre.
Në rastin e dytë, harami është më i madh, dhe janë të mallkuar ata që e bëjnë këtë.


Xhamitë e ndërtuara mbi varr, kur varri është i dukshëm aty:

– Ose duhet të hiqet varri. Të nxirret i vdekuri nga aty, nëse është akoma trup, dhe të hiqet varri. Apo të rrafshohet varri, nëse është tretur trupi dhe të humbe çdo lloj shenje dhe gjurmë e varrit.

– Ose duhet shembur xhamia.


Thotë Ibn Tejmije All-llahu e mëshiroftë:
وإن كان المسجد بني بعد القبر. فإما أن يزال المسجد و إما أن تزال صورة القبر.
“Nëse xhamia është ndërtuar pas varrit (dmth: është ndërtuar mbi varr):
Ose duhet hequr (shembur) xhamia.
Ose duhet të hiqet forma e varrit.” -F-
[MEXHMU EL FETAWA]

Dmth: të rrafshohet, dhe të pastrohet, që të mos mbetet asnjë shenjë dhe gjurmë varri.


Thotë Ibn Uthejmini:
إذا كان المسجد قد بني على القبر فإن الصلاة فيه لا تجوز و هذا المسجد يجب هدمه ،
و قال الله للرسول عليه الصلاة والسلام عن مسجد الضرار( لا تقم فيه أبدا ) ؛ لأن مسجد الضرار يجب أن يهدم ،
فكذلك كل مسجد يجب أن يهدم فإن الصلاة فيه محرمة قياسا على مسجد الضرار.
“Nëse xhamia është ndërtuar mbi varr, namazi në të nuk lejohet. Kjo xhami është detyrë të shembet.
All-llahu i thotë Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem për (mesxhid dirar) xhaminë dëmtuese (të sherrit): ((Mos u fal aty asnjëherë))
Xhamia dëmtuese (e sherrit) është detyrë të shembet.
Dhe çdo xhami, shembja e së cilës është detyrë, namazi në të është haram.” -F-


Thotë shejhu (në një vend tjetër):
إذا كان المسجد مبنيا على القبر فالصلاة فيه لا تصح لأن هذا المسجد محرم يجب هدمه.
“Nëse xhamia është ndërtuar mbi varr namazi në të nuk është i saktë, sepse kjo xhami është e ndaluar dhe është detyrë shembja e saj.”


Thotë:
فالواجب نبش القبر و إخراج الميت منه و دفنه مع الناس.
“Eshtë obligim zhvarrosja e të vdekurit dhe nxjerrja e tij (nëse nuk është tretur) që të varroset me njerëzit (e tjerë në varreza).” -F-
[مجموع فتاوى ابن عثيمين ج ١٢]


Pra, ndërtimi i xhamisë mbi varr është i ndaluar.

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar të bëhen varret vendfalje (xhamia) duke thënë:
ألا و إن من كان قبلكم كانوا يتخذون قبور أنبيائهم و صالحيهم مساجد، ألا فلا تتخذوا القبور مساجد إني انهاكم عن ذلك،
Kuptimi:
((Ata që ishin para jush i bënin varret e profetëve të tyre dhe njerëzve të devotshëm vendfalje (xhamia). Kujdes mos i bëni varret vendfalje (xhamia). Unë ju ndaloj nga kjo))
[ MUSLIMI etj..]


Profeti i ka mallkuar ata që i bëjnë varret vendfalje (xhamia).
[BUHARI, MUSLIMI etj]


Kjo tregon se bërja e varreve vendfalje dhe ndërtimi i xhamiave mbi varre është prej mëkateve të mëdha.


Thotë shejh Albani:
اتخاذ القبور مساجد من الكبائر .
“Bërja e varreve vendfalje (xhamia) është prej mëkateve të mëdha.”
Thotë: “Ky është mendimi i Shafive.” -F-
[Tehdhir Es-Sexhid]


Të gjitha medhhebet bien dakord se bërja e varreve vendfalje është haram. [ALBANI]


– Xhamiat që ndërtohen mbi varr me qëllim madhërimi, janë xhamia sherri (mesxhid dirar – dëmtuese).

– Xhamia dëmtuese (sherri) është detyrë të shembet.

– Xhamia që është ndërtuar mbi varr, dhe varri është prezent, është detyrë ose të rrafshohet varri dhe të largohet çdo gjurmë e tij. Ose të shembet xhamia.

—————
Shënim: shembja e xhamisë është detyrë e shtetit. Nëse shteti nuk e shemb, nuk i lejohet individit, apo ndonjë grupi të çohen dhe të shembin xhaminë.
—————



● DISA MENDOJNË SE LEJOHET NDËRTIMI I XHAMIVE MBI VARRE


Disa mendojnë se lejohet ndërtimi i xhamisë mbi varr, dhe bazohen për këtë në disa argumente të pasakta.
Prej tyre:

Pretendimi se Ismaili alejhis selam është varrosur në Qabe.
Dijetarët e hadithit, prej tyre shejh Albani thonë:
“Nuk është e saktë. Nuk ka argument të vërtetë që e dëshmon diçka të tillë.”
[ALBANI – Tehdhir Es-sexhid]


Hadithi i cili thotë:
في مسجد الخيف قبر سبعين نبيا.
Kuptimi:
((Në xhaminë khaif (apo khiif) është varri i shtatëdhjetë profetëve))
Dmth: janë varrosur shtatëdhjetë profetë.


Thotë Shejh Albani në [Tehdhir Es-sexhid] :
لا صححه أحد ممن يوثق بتصحيحه من الأئمة المتقدمين.
“Nuk e ka saktësuar këtë hadith asnjë prej imamllarëve të parë të cilët kanë autoritetin dhe janë të besueshëm në saktësimin e haditheve.” -F-


Prej tyre: historia e Sahabiut Ebu Xhendel i cili ka ndërtuar një xhami mbi varrin e Ebi Besirit.
بنى أبو جندل رضي الله عنه مسجدا على قبر أبي بصير في عهد النبي صلى الله عليه وسلم.
“Ebu Xhendel ka ndërtuar një xhami mbi varrin e Ebi Besirit në kohën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.”


Thotë Shejh Albani:
ليس له إسناد تقوم به الحجة و لم يروه أصحاب (( الصحاح)) و (( السنن)) و (( المسانيد )) و غيرهم.
إنما أورده ابن عبد البر في ترجمة أبي بصير من (( الاستعياب )) مرسلا … مدار هذه القصة على الزهري فهي مرسلة اعتبار أنه تابعي صغير.
[ تحذير الساجد ]
“Kjo histori nuk ka zinxhir transmetimi. Nuk e kanë transmetuar dijetarët e librave të hadithit, as në (Sihah), as në (Sunen), as në (Musnede), e të tjera.” -F-


Pra, ndërtimi i xhamive mbi varr nuk lejohet, është haram i madh.
Kjo gjë është rrugë që të shpie në shirk (All-llahu na ruajt).

Ndërsa pretendimi i atyre që thonë se bën të ndërtohet xhami mbi varr, është pretendim i kotë, pa bazë, pa argumente të sakta.
Dhe si i tillë hidhet poshtë dhe nuk lejohet të mirret në konsideratë.
Sidomos kur argumentet e sakta tregojnë të kundërtën.

 


● NDALESA PËRFSHIN SI NJË VARR, ASHTU EDHE DISA VARRE


Nëse xhamia ndërtohet qoftë edhe mbi një varr (si një apo si shumë varre), gjykimi është i njejtë.

 


● VENDI NË TË CILIN NDODHET VARRI NË XHAMI


Nuk ka dallim, dhe nuk ndryshon gjykimi se në cilin vend të xhamisë gjendet varri.
Si në pjesën para, si në pjesën mbrapa dhe si anash. Apo qoftë edhe në holl të xhamisë, e njejtë është.

Madje edhe në oborr të xhamisë. Nëse oborri është i dedikuar që në fillim për xhaminë, ka gardh rrethues dhe derë nga ku hyhet dhe dilet.


Thotë Shejh Albani:
الأحاديث التي جاءت تنهى عن اتخاذ المساجد على القبور هي مطلقة لم تفرق بين أن يكون القبر في جهة القبلة أو في دبر القبلة أو في أي جهة أخرى.
“Hadithet të cilat ndalojnë bërjen e xhamive mbi varre janë të përgjithësuese, nuk bëjnë dallim ndërmjet të qenurit varri në anën e kibles apo, apo mbas, apo në çdo anë tjetër.” -F-
[سلسلة الهدى و النور 543]


Thotë shejhu në të njejtën kasetë:
لا تجوز الصلاة في مسجد مبني على القبر ، و لا فرق بين يكون ( القبر ) في داخل المسجد مما يسمى بالحرم ، أو خارجه مما يسمى بصحن المسجد.
“Nuk lejohet namazi në një xhami e cila është ndërtuar mbi varr, dhe nuk ka dallim ndërmjet të qenurit varri, brenda xhamisë, apo jashtë xhamisë (në atë që e quajnë holli i xhamisë).” -F-

Holli i xhamisë është pjesa e zbuluar e saj.

 


● DALLIMI NDËRMJET XHAMISË E CILA ËSHTË NDËRTUAR MBI VARR, DHE XHAMISË NË TË CILËN ËSHTË FUTUR VARRI BRENDA PASI ËSHTË NDËRTUAR


Ka dijetarë të cilët bëjnë dallim ndërmjet xhamisë e cila është ndërtuar mbi varr, dhe xhamisë në të cilën është futur varri në të pasi është ndertuar.

Prej dijetarëve që e bëjnë këtë dallim është shejkh Ibn Uthejmini All-llahu e mëshiroftë.


Ndërtimi i xhamive mbi varr është veprim i ndaluar (haram), madje haram i madh.

Ka mallkim për ata që e bëjnë këtë.


Te kjo xhami:

– Ose duhet të nxirret i vdekuri dhe të varroset në varreza kur trupi akoma nuk është tretur. Apo të nxirren eshtrat e tij nëse trupi është shpërbërë.

– Ose duhet të shembet xhamia.


Thotë shejh Bin Bazi All-llahu e mëshiroftë:
إذا وُجد في المسجد قبر وجب أن يُنبَش و تنقل رفاته الى المقبرة.
“Nëse gjendet në xhami varr, është detyrë që eshtrat (çdo gjë që ka mbetur pas tretjes së trupit) të nxirren dhe të çohen në varreza.”


Thotë:
أما ان كان القبر هو القديم و بني عليه مسجد وجب هدم المسجد و أن لا يصلى فيه ، و أنه لا يبقى ،بل يهدم؛ لأنه بني على معصية الله
“Nëse varri është i vjetër (dmth: ka qenë aty para ndërtimit të xhamisë) dhe është ndërtuar mbi të xhami, është detyrë të shembet xhamia.
Dhe nuk lejohet falja (namazi) në të, si dhe nuk lejohet të qëndroje xhamia, por duhet shembur, sepse është ndërtuar në kundërshtim të All-llahut.” -F-
[El feteua El Bazijjeh]


Në rastin kur xhamia është ndërtuar si duhet, por më vonë është futur varr në të:

– kjo xhami nuk shembet, por duhet të nxirret i vdekuri nga aty, dhe të rrafshohet varri.

– Përveçse nëse ajo xhami synohet vetëm për t’iu lutur atij varri, atëherë duhet të shembet (dhe insha All-llahu nuk futet te dëmtimi i xhamisë, i vakëfit dhe pasurisë).

Sepse është frika se edhe nëse hiqet varri, ata do mendojnë se kanë ngelur gjurmët dhe bereqeti i tij.

Kështu që në këtë rast, e keqja e mos prishjes së kësaj xhamie është më e madhe se dëmtimi i xhamisë, i vakëfit dhe pasurisë.


— Dallimi tjetër është te namazi.
Ka prej dijetarëve që bëjnë dallim në lidhje me namazin në xhamitë të cilat janë ndërtuar mbi varr, dhe ato në të cilat është futur varri më pas.

(Do përmendet më poshtë)

 

● VARROSJA E TË VDEKURIT NË XHAMI


Varrosja e të vdekurit në xhami nuk lejohet, është haram.


Thotë Bin Bazi:
أما الدفن في المسجد فلا يجوز. يجب أن يكون القبور خارج المسجد ؛ لأن الدفن فيها يجعل القبور مساجد .
“Varrosja e të vdekurit në xhami nuk lejohet…
Thotë: “Sepse varrosja e të vdekurit në xhami i kthen varret në vendfalje (xhamia).” -F-
[ El Fetava El Bazijjeh]


U pyet shejh Albani: “A lejohet varrosja e shehidit në xhami?”
Tha:
دفن الشهيد في المسجد لو كان مشروعا لكان أولى بهذا المشروع دفن الأنبياء، و من المعلوم بطريق التواتر عن النبي صلى الله عليه وسلم أنه حرم تحريما شديدا دفن الأنبياء و الأولياء و الصالحين في المساجد.
“Sikur të ishte e lejuar varrosja e shehidit në xhami, lejimi që të varrosen Profetët, eulijatë dhe të devotshmit në xhami, do ishte më parësor.
Por Profeti e ka ndaluar me ndalesë të ashpër varrosjen e Profetëve, e eulijave dhe të devotshmëve në xhamia (vendfalje).” -F-

 

———–
Shënim: Sa i përket thënies ‘filani Shehid’ ka mospajtim. Më e sakta është se nuk lejohet t’i thuhet dikujt në veçanti filan shehid [Albani, Ibn Uthejmini, Feuzani, etj…]

Shejhu e ka përmend këtu si përgjigje e pyetjes, në kuptimin e përgjithshëm, dhe jo atë specifik dhe të veçantë, sepse shejhu është prej atyre që e konsiderojnë të ndaluar të specifikohet filan person që është vrarë në luftë si shehid.
———–


Thotë Ibn Uthejmini All-llahu e mëshiroftë:
الدفن في المساجد نهى عنه النبي صلى الله عليه وسلم، و نهى عن إتخاذ المساجد على القبور و لعن من اتخذ ذلك…و لأن هذا وسيلة الى الشرك بالله…
“Varrosja e të vdekurit në xhami nuk lejohet. Ka ndaluar Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nga kjo.
Ai ka ndaluar të bëhen xhamitë mbi varre dhe e ka mallkuar atë që e bën këtë.
Sepse kjo gjë është rrugë (mjet, formë, mënyrë) që të shpie në shirk.” -F-
[Fetava El Akideh f:26]


Xhamitë janë për All-llahun, që të adhurohet All-llahu, të falet namazi dhe të përmendet All-llahu. Xhamitë nuk janë që të varrosen të vdekurit.


Thotë All-llahu:
(( و أن المساجد لله فلا تدعوا مع الله أحدا ))
Kuptimi:
((Me të vërtetë xhamitë janë për All-llahun (të adhurohet All-llahu dhe të përmendet ai).
Dhe mos adhuroni krahas All-llahut asnjë.))


Thotë Ibn Uthejmini:
فيجب أن تكون المساجد لله سبحانه وتعالى خالية من مظاهر الشرك.
“Është detyrë që xhamitë të jenë vetëm për All-llahun. Të boshatisura nga çdo shfaqje e shirkut.” -F-


–Pra, nuk lejohet varrosja në xhami e asnjë personi kushdo qoftë ai: qoftë mbret, dijetar, i thjeshtë, apo personi që e ka bërë xhaminë.


–Nëse varrosja e dikujt në xhami bëhet:


– për t’a nderuar, si për shembull: mbretin apo personin që e ka bërë xhaminë, kjo është haram i madh.

– me pretendimin se ka qenë njeri i mirë, dhe varrosja e tij në xhami ia shton bereqetin vendit, dhe veprave të mira që bëhen në të, atëherë ky është shirk i vogël, dhe portë e madhe për te shirku i madh.

– me pretendimin se filani ndërmjetëson te All-llahu, ashtu që njerëzit t’i luten, ky është shirk i madh (All-llahu na ruajt).


Thjesht varrosja e të vdekurit në xhami nuk është shirk. Është haram i madh, por jo shirk.

Po ashtu thjesht ndërtimi i xhamisë mbi varr nuk është shirk. Është haram i madh, por jo shirk.

Nuk ka argument, dhe as fjalë dijetarësh që tregon se thjeshtë ndërtimi i xhamisë mbi varr është shirk, apo futja e varrit në xhami është shirk.

Është shirk vetëm në rastet që u përmendën më lart.

— Varrosja e te vdekurit në xhami përfshin të gjithë xhaminë, bashkë me hollin e tij dhe oborrin e tij.


All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: