:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Disa të cilët e lejojnë faljen në xhami ku ka varr, argumentohen me varrin e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në xhaminë e tij.
Ky argumentim pa dyshim që është i kotë, nuk është i vërtetë, dhe si i tillë nuk qëndron.
Sepse Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nuk është varrosur në xhami.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem është varrosur në shtëpinë e tij.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, aty ku ka vdekur, aty është varrosur.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem thotë:
ما قبض الله نبيا إلا في الموضع الذي يحب أن يدفن فيه
[الترمذي و غيره ، صححه الالباني]
Kuptimi:
“All-llahu çdo Profeti ia ka marrë shpirtin në vendin në të cilin dëshiron të varroset.”
[Transmeton Termidhiu etj. / Albani thotë është hadith i saktë]
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka vdekur në shtëpinë e tij, në dhomën e Aishes radijall-llahu anha. Që do të thotë se aty ka dëshiruar të varroset.
Prej urtësisë së varrosjes së Profetit në shtëpinë e tij është se ai ka pasur frikë se nëse do varrosej jashtë, me njerëzit, ata do e bënin varrin e tij vendfalje.
Thotë Aishe radijall-llahu anha:
“Sikur mos të ishte frika se varri i tij do bëhej vendfalje, do u varroste jashtë (me njerëzit).”
[Transmeton BUHARI]
Shtëpia e Profetit (dhoma e Aishes radijall-llahu anha) ka qenë shumë afër xhamisë.
Pas vdekjes së Sahabëve radijall-llahu anhum, pas viteve 80 Hixhri, Halifi i asaj kohe El Uelid Bin Abdul Melik urdhëroi zgjerimin e xhamisë së Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe urdhëroi që zgjerimi të jetë edhe nga ana lindore.
Zgjerimi në anën lindore do të thotë që të futet varri i Profetit brenda xhamisë.
Dijetarët e asaj kohe e këshilluan, duke i thënë se kjo nuk bën, por ai refuzoi.
Dhe kështu u fut varri i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në xhami.
Sahabët pothuajse të gjithë kishin vdekur, sidomos në Medine.
Që do të thotë se nëse do u bënte kjo gjë duke qenë disa prej tyre gjallë, dhe ata do heshtnin, atëherë mund të merret për argument.
Ne shohim se në kohën e tyre, në kohën e Umerit dhe Uthmanit, ata e kanë zgjeruar xhaminë, ama varrit të Profetit nuk i janë afruar.
Madje është transmetuar se Umeri thonte:
“Vetëm nga ajo anë jo.”
(dmth: mos të zgjerohet xhamia nga ana e varrit të Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem).
Sahabët e kanë ditur që kjo nuk bën.
Po ashtu edhe tabiinët pas tyre.
Shumë prej tyre e kundërshtuan vendimin e Halifes, dhe e këshilluan mos t’a bëje.
Që do të thotë se nuk ka argument, as fjalë Sahabësh, që e lejon varrosjen në xhami, dhe futjen e varrit në xhami.
Ky qe një veprim i gabuar i Halifes së asaj kohe (All-llahu na faltë ne dhe atë).
Duke qenë kjo, një vepër e gabuar e një personi, në kundërshtim të argumentit, si mund të bazohesh në këtë, dhe t’a marrësh për argument atë që është në kundërshtim me argumentin?!
Megjithatë, edhe pse varri i Profetit u fut në xhami, ai është anash nga muri lindor i xhamisë. Njerëzit falen nga ana perëndimore e varrit, ndërsa nga ana lindore është muri i xhamisë, dhe nuk falet njeri.
Varri është i ndarë me tre mure në forme pesë-këndore siç thotë Shejh Suhejmi (myftiu i Medines), plus murit kryesor.
Kështu që, edhe ata që falen nga ana e pasme, që i bie t’a kenë varrin nga kibla, ndërmjet tyre dhe varrit janë më shumë se tre mure ndarës.
Pra, ata që pretendojnë se lejohet falja në xhami ku ka varre me këtë argument, pretendimi i tyre është i kotë, i pa bazë.
Është në kundërshtim me argumentat e sakta dhe të qarta, dhe në kundërshtim me realitetin e varrit të Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në xhami.
——————-
Kudo që ia kam qëlluar është prej All-llahut, ndërsa aty ku kam gabuar është prej vetes time dhe shejtanit.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم