:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Kjo çeshtje është shumë e rëndësishme.
Rreth saj ka keqkuptim dhe keqinterpretim të madh.
Prandaj, është i nevojshëm sqarimi i saj.
Shkurtimisht:
Leximi i Kur’anit në namazet me xhemat pëlqehet që të jetë ai lexim i cili është transmetuar nga Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((Faluni siç po më shikoni duke u falur))
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((Kur dikush ju prin të tjerëve, t’a shkurtoje (mos t’a zgjase) sepse pas tij (mund) të falet ai që është i sëmurë, i dobët (nuk e përballon shumë), nevojtari, i moshuari dhe ai që është i vogël. E nëse falet vetëm, të falet si të doje -dmth: t’a zgjase sa të doje-))
[Buhari, Muslimi etj]
Tregohet në disa transmetime, se arsyeja pse Profeti e tha këtë është se një person erdhi te ai dhe u ankua për një imam i cili e zgjaste shumë namazin e sabahut.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem u hidhërua shumë dhe tha atë që tha.
Ajo që pëlqehet është që t’a zgjase aq sa është prej praktikës së Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Disa e konsiderojnë namazin e Profetit të gjatë dhe të papërballueshëm.
Dhe thonë që namazi duhet të falet shumë më shkurt se namazi i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Dhe argumentohen me fjalën e Profetit që imami t’a shkurtoje namazin kur iu prin të tjerëve.
Shejkh Albani (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
“Fjala e Profetit që t’a shkurtoje, dhe mos t’a zgjase, ka kuptimin që mos t’a zgjase më shumë se sa namazi i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe jo ajo që mendojnë një pjesë e madhe e njerëzve.”
Me argumentin, se nëse do ishte siç thonë kjo shumicë, i bie që Profeti të jetë kontradiktor. Tjetër ka thënë dhe tjetër ka vepruar vetë. Por Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem është i pastër dhe larg kësaj.
Në shumë transmetime, tregohet se pas Profetit faleshin të sëmurë dhe të dobët, dhe ndërkohë namazi i Profetit është ai namaz që na transmetohet.
Pra, namazi në të cilin falen të sëmurët, të dobëtit, të moshuarit etj është namazi i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Nëse fal namazin e Profetit, e ke shkurtuar dhe nuk e ke zgjatur.
Nëse imami e zgjat më shumë se namazi i Profetit, atëherë ai e ka zgjatur dhe e ka tepruar.
Ndërsa sa i përket moskuptimit të sureve nga ana e xhematit kur imami lexon Kur’an, kjo nuk është justifikim për të shkurtuar namazin.
Sepse namazi ka edhe gjëra tjera shumë të rëndësishme, të cilat arrihen edhe nëse nuk e kupton Kur’anin.
Njerëzve duhet t’iu mësohet rëndësia dhe vlera e namazit.
Nëse ata e kuptojnë, do arrijnë lehtësisht të falin namazin e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.
Dhe kjo është e provuar. Ka vëllezër, madje edhe pleq, qe edhe pse nuk e kuptojnë Kur’anin, qëndrojnë lehtësisht në një namaz të gjatë, edhe pse imami fal dy rekate që mund të zgjasin më shumë se 30 minuta.
Kjo për shkak se ata ia kanë kuptuar vlerën dhe rëndësinë namazit.
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم