:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Drejtimi i rreshtit (i Safit) është obligim.
Ibn Uthejmini thotë:
“Ky është mendimi më i saktë siç thotë Ibn Tejmije.”
Drejtimi i rreshtit (safit) është për qëllim që të qëndrojnë trupat (supet) drejt, paralel, mos të dale dikush para apo dikush pas, por të jenë të gjithë në një vijë, aq sa nëse e vendosim një litar nga cepi i safit në cepin tjetër, të jenë të gjithë në një vijë me supet e tyre.
Ibn Uthejmini thotë:
“Ajo që merret në konsideratë në lidhje me drejtimin, janë supet dhe kyçet e këmbëve. Dhe jo gishtat e këmbëve, sepse siç e dimë, ato ndryshojnë në varësi të personit. Dikush e ka këmbën e madhe, dikush e ka më të vogël.”
[Esh-Sherh El Mumti 7/3]
Dmth: supet të jenë drejt me supin e tjetrit, dhe kyçet e këmbëve të jenë drejt me kyçin e tjetrit.
Thotë Ibn Uthejmini:
“Prej drejtimit të rreshtave (Safeve) është që safet të jenë afër njëri-tjetrit. Distanca ndërmjet dy safeve të jetë aq sa të mund të bëje sexhden (lirshëm) dhe të ketë pak distancë bosh.”
[Esh-Sherh El Mumti]
Ndërsa sa i përket afrimit (bashkimit) ngjit me njëri-tjetrin (التراص), ka mospajtim.
Disa dijetarë, prej tyre Ibn Uthejmini, thonë se është sunnet, jo obligim.
Ndërsa një pjesë thonë se është obligim, prej tyre Bin Bazi dhe Albani, duke u bazuar në hadithin ku Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem thotë:
(( رُصُّوا صفوفكم ))
و في رواية(( راصُّوا صفوفكم )).
يقول بعض العلماء : اي: صِلوها بتواصُل المناكب كأنها بنيان مرصوص.
((Lidhini -bashkoni- safet tuaja))
Disa dijetarë thonë:
“Kuptimi i ((lidhini (ngjitini, bashkoni) safet tuaja)) është: duke lidhur (bashkuar) supet me njëri-tjetrin.”
Bin Bazi, dhe Albani thonë se është detyrë që të bashkojnë supet me supet, dhe kyçet me kyçet.
Thotë Nu’man bin Beshir:
فرأيت الرجل يلزق منكبه بمنكب صاحبه و ركبته بركبت صاحبه و كعبه بكعبه )
“E pashë se si burri ngjiste supin e tij me supin e shokut në krah, gjurin e tij me gjurin e shokut, dhe nyjen e këmbës (kyçin) e tij, me kyçin e shokut të tij në krah”
[Ebu Dawudi / Albani thotë: Sahih]
Bashkimi i supeve dhe kyçeve në saf është i kërkuar. Nuk bën të neglizhohet, siç bëjnë shumica.
Në fillim bëhet bashkimi i supeve, pastaj i kyçeve të këmbës.
Disa i hapin këmbët shumë, dhe kjo bën që mos të mundet tjetri me bashku supin.
Në fillim bashkohen supet, pastaj këmbët.
Këmbët hapen me gjerësinë e supeve. Aq sa ke supet hap këmbët, jo më shumë.
Nëse hap këmbët më shumë se supet, kjo bën që mos të bashkohen dot supet me tjetrin ngjitur.
Nëse tjetri nuk i hap këmbët sa duhet, ti nuk ke pse e afron këmbën tënde që t’a bashkosh me të, sepse në këtë mënyrë i hap këmbët më shumë se supet.
Në këtë rast mjafton bashkimi i supeve.
Ai duhet t’i hape këmbët me gjerësinë e supeve. Nëse ai nuk i hap, ti nuk ke pse i hap. Kjo sepse:
E para: nuk ka argument.
E dyta: të krijon mundim në namaz.
Nëse ti, ndodhesh nga ana e imamit, ti e ke detyrë të bashkohesh me atë që është nga ana e imamit.
Nëse dikush që është nga ana tjetër, rri larg, ti nuk ke pse hapesh shumë që të afrohesh me të.
Ti bashkohu me atë që është nga ana e imamit. Hapi këmbët me gjerësinë e supeve dhe kjo mjafton.
Nëse ka boshllëk, boshllëkun e ka bërë ai që rri larg. Ti nuk bën që të hapesh tej masës së duhur, me qëllimin se po mbyll boshllëkun. Kjo nuk bën.
Edhe nëse e bën, ti maksimumi i bashkon këmbët, ama supet që janë më kryesore, ti nuk i bashkon dot.
Shejkh Albani thotë:
“Nëse falesh vetëm, nuk ka argument sesa duhen hapur këmbët.”
Mund t’i hapësh pak, mund t’i hapësh një pëllëmb. Ama jo më shumë se gjerësia e supeve.
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم