Fjala ‘La Ilahe il All-llah’ eshte fjala përmbledhëse e Teuhidit – Njëhsimit të Allahut, për të cilin ne jemi krijuar, që t’a njohim Atë, t’a madhërojmë, t’a njëhsojmë Atë në adhurim dhe të mos i bëjmë Atij ortak asgjë. Pra ‘La ilahe il All-llah’ është kjo fjalë e madhe e cila e përmbledh në një fjali të shkurtër të gjithë qëllimin e krijimit. Kemi thënë se fjala ‘La ilahe il All-llah’ ka kushtet e saj, domethënë se ai i cili e thotë këtë fjalë nuk i pranohet dhe nuk i bën dobi, derisa të plotësohen shtatë kushtet e saj.
Kushti i Parë: Dituria
Dituria – e kundërta e së cilës është injoranca (xhehli).
Duhet t’a njohim këtë fjalë, domethënien dhe përmbajtjen e saj.
‘La ilahe il All-llah’ – Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut جل جلاله.
Kjo fjalë është e përbërë nga dy pjesë të cilat janë kushtet e kësaj fjale:
1) Mohimi i çdo adhurimi që i bëhet dikujt tjetër.
2) Pohimi se adhurimi i vetëm me të drejtë dhe me meritë i takon vetëm All-llahut.
Ky është kuptimi i fjalës ‘La ilahe il All-llah’. Ne e dimë se të adhuruar ka shumë, që adhurohen pa të drejtë dhe pa meritë, sepse ato janë krijesa që nuk kanë në dorë as dëm dhe as dobi. Ndërsa adhurimi i vetëm me të drejtë dhe me meritë i përket vetëm All-llahut جل جلاله sepse Ai është i vetmi i Cili posedon dëmin dhe dobinë.
Është gabim të përkthehet dhe interpretohet fjala ‘La ilahe il All-llah’ si ‘Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut’. Thënësi i kësaj fjale, me këtë kuptim: ‘Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut’ apo ‘Nuk ka Krijues tjetër përveç All-llahut’ apo ‘Nuk ka Gjykatës tjetër përveç All-llahut’, nëse e thotë këtë fjalë me këtë kuptim dhe e beson atë me këtë kuptim, thënësi i tillë nuk është besimtar dhe as nuk i bën dobi kjo fjalë, sepse këtë fjalë e thonë dhe e kanë thënë më përpara edhe mushrikunët (idhujtarët) dhe nuk u bëri dobi atyre. E sulmuan Pejgamberin صلى الله عليه وسلم dhe e sulmuan fenë e tij.
‘’Nëse ata i pyet se kush i krijoi qiejt dhe tokën? Ata do të thonë: All-llahu.’’
Pra, idhujtarët e besonin se All-llahu është i vetmi Krijues, i vetmi Sundues apo të tjera prej Teuhidit Rrububije apo Esma Ue Sifat, por ata mohonin se All-llahu është i vetmi që meriton të adhurohet dhe si të tillë ata u konsideruan jobesimtar, idhujtar, vendi i të cilëve është zjarri i xhehenemit dhe aty do të jenë përgjithmonë.
Vini re! Fjala ‘La ilahe il All-llah’ do të thotë ‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut’ dhe jo ‘Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut’, sepse të gjithë thonë ‘Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut’ dhe kjo nuk i pengon që të adhurojnë të tjerë përveç All-llahut جل جلاله. Ata adhurojnë idhuj, statuja, puta, varre, teqe, baballarë, dërvishlerë, pejgamberë, melek, hënën apo diellin, e të tjera si këto.
Kjo ndodh sepse ata thonë: ‘Nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut’ ama për të adhuruar adhuro kë të duash dhe si të duash. Afroju All-llahut me ç’farë të duash ti, por kjo është gabim.
Ky është shkaku se përse All-llahu جل جلاله ka dërguar të dërguarit dhe ka shpallur librat, që t’ua qartësoje njerëzve këtë gabim fatal dhe të madh dhe t’u mësoje se ‘La ilahe il All-llah’ do të thotë: ‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut’ dhe ashtu siç besoni se All-llahu është i vetmi Zot, Krijues, Furnizues, ashtu edhe adhurimin bëjeni vetëm për Të dhe mohoni të tjerët që adhurohen përveç Tij, distancohuni dhe braktisini ato.
Por shumica e njerëzve nuk dëgjuan dhe vazhduan me idhujtarinë e tyre. Edhe sot e kësaj dite, shumica vazhdojnë me idhujtarinë e tyre.
Pra, ‘La ilahe il All-llah’ do të thotë: ‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut të Madhëruar’. Mohore dhe pohore. Mohon adhurimin që i bëhet dikujt tjetër përveç All-llahut me pa të drejtë dhe pa meritë dhe pohon adhurimin që i bëhet All-llahut, të vetmit që e meriton adhurimin me të drejtë dhe me meritë.
Kushti i Dytë: Siguria
Siguria – e kundërta e së cilës është dyshimi.
Pasiqë njeriu e di kuptimin dhe përmbajtjen e fjalës ‘La Ilahe Il All-llah’, ai duhet të jetë i sigurtë dhe të mos dyshoje aspak. Të mos dyshoje se All-llahu جل جلاله e meriton adhurimin dhe të mos dyshoje se këta që adhurohen sot, kushdo qofshin, adhurimi i tyre është i pa drejtë dhe i pa meritë. Të mos dyshoje dhe të mos hezitoje t’i refuzoje ato, t’i mohoje dhe t’i braktise me të madhe.
Ai i cili dyshon, mundet që t’a adhuroje All-llahun dhe mundet që të fale edhe namaz apo ndoshta edhe agjëron, ama dyshon kur i thuhet që filani, fisteku apo filan teqe apo filan tyrbe e ‘madhe’, apo njerëz të ‘mëdhenj’ kanë dhënë ‘prova’. Ai hesht, nuk ka ç’farë thotë dhe mund të thotë: ‘‘Për Zotin nuk e di. Ndoshta edhe mundet.’’ I tilli është mohues, qafir sepse besimi nuk pranon dyshim.
Besimi është se gjithçka që adhurohet në vend të All-llahut është e kotë. Kjo është e prerë. Në momentin kur asaj i hidhet dyshimi sado i vogël qoftë, ai e shkatërron atë dhe nuk konsiderohet më besim.
Prandaj ti duhet që t’a mohosh dhe t’a refuzosh me të madhe çdo të adhuruar që adhurohet sot me të pa drejtë. Ç’do fe përveç fesë islame është fe e kotë. Nuk të shpie tek Allahu, nuk të afron tek Ai, nuk të shpëton prej zjarrit dhe as nuk të lumturon dhe gëzon me xhennetet e gjithmonshme të All-llahut. Pra, të jesh i sigurtë në këtë fjalë, në përmbajtjen e kësaj fjale dhe të mos dyshosh aspak në të.
Kushti i Tretë: Pranimi
Pranimi – e kundërta e së cilës është refuzimi.
Ka njerëz që e besojnë ‘La ilahe il All-llah’ dhe e dinë kuptimin e saj, nuk dyshojnë, ashtu siç ka ndodhur me shumë prej idhujtarëve të cilët ishin të sigurtë se ajo në të cilën thërret Muhamedi صلى الله عليه وسلم apo edhe të dërguarit e tjerë para tij është e vërtetë, por e refuzonin, siç është rasti i xhaxhait të Muhamedit صلى الله عليه وسلم, Ebu Talibit.
Ai e dinte se nipi i tij, Muhamedi صلى الله عليه وسلم është i dërguar i All-llahut, e dinte se ‘‘La ilahe il All-llah’’ është e drejtë dhe e vërtetë, është ajo për të cilën ne jemi krijuar, por atë e kapi euforia apo dëshira ose turpi që të mos ndryshoje fenë e baballarëve, siç është zakoni i shumë njerëzve apo edhe i disa prej muslimanëve sot, të cilëve edhe kur u vjen argumenti prej Muhamedit صلى الله عليه وسلم, vazhdojnë me atë të falmen e tyre siç i kanë gjetur baballarët e tyre, vazhdojnë me ato bidatet dhe risitë e tyre, vazhdojnë me atë fanatizmin e tyre dhe kur i pyet pse? Ata thonë: ‘’Kështu i kemi gjetur baballarët tanë’’ dhe i refuzojnë argumentet qe iu vijnë atyre.
E keqja e tyre është më e vogël se e keqja e idhujtarëve të cilët e refuzojnë komplet fjalën ‘’La ilahe il All-llah’’ edhe pse e dinë se ajo është e vërtetë. All-llahu جل جلاله thotë:
”Ata i mohuan argumentet e All-llahut me mizori dhe me mendjemadhesi, edhe pse thellë në zemrat e tyre ishin të bindur dhe nuk kishte dyshim tek ata se këto janë prej Allahut. Nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Tij.’’
‘’A pretendon ky që t’i bëje të adhuruarit një të adhuruar dhe ne t’i braktisim ato e të adhurojmë Allahun?! Kjo është gjë e çuditshme.’’
U habitën mushrikunët (idhujtarët) në kohën e Pejgamberit صلى الله عليه وسلم. Ata e kuptuan fjalën ‘La ilahe il All-llah’ refuzimin dhe mohimin e të gjithë të adhuruarve të tjerë dhe urdhërin që të adhurohet vetëm All-llahu, e të mos adhurohet askush tjetër përveç Tij. Ata e kuptuan shumë mirë këtë, por e refuzuan, nuk e pranuan, u ngritën dhe ikën prej Pejgamberit صلى الله عليه وسلم. Ata i thanë: ‘’A këtë kërkon prej nesh ti?!’’
Pra, ne duhet t’a pranojme fjalën ‘La ilahe il All-llah’ pasiqë e dimë dhe nuk dyshojmë, të mos e refuzojmë atë por t’a pranojmë dhe të refuzojmë gjithçka që refuzon kjo fjalë prej shirkut dhe besëtytnive të kota.
Ai i cili e pranon besimin në All-llahun e Madhëruar, e pranon adhurimin e Tij, por nuk i refuzon këto besëtytni apo fe të tjera të kota dhe thotë: ‘’Mirë teqja, mirë kisha, mirë varret, mirë dervishlerët, secili t’i afrohet Zotit të tij si të doje dhe si të dije, e rëndësishme është që besimin t’a ketë në zemër’’, ky është mushrik (idhujtar), nuk ka dyshim në kufrin e tij dhe në faktin që ai do të jetë përgjithmonë në zjarrin e xhehenemit, pasiqë atij i ka ardhur e vërteta dhe ai ka vdekur në të.
Kushti i Katërt: Vërtetësia
Vërtetësia – e kundërta e së cilës është gënjeshtra.
Ai i cili e thotë fjalën ‘’La ilahe il All-llah’’ duhet t’a thotë sinqerisht nga zemra, zemra të përkoje me gjuhën e tij.
Pra, ’’La ilahe il All-llah’’ duhet të jetë në zemër para se t’a shprehesh me gjuhë. Mos të kundershtoje gjuha, zemrën e tij si në rastin kur e thotë personi ’La ilahe il All-llah’’ me gojë, ndërsa në zemrën e tij mbillet apo kultivohet shirku (idhujtaria). All-llahu i Madhëruar thotë:
‘’Prej njerëzve ka që thonë kemi besuar në Allahun dhe në botën tjetër, por këto nuk janë besimtarë. Ata duan të mashtrojnë All-llahun me shfaqjen e besimit me gjuhë dhe fshehjen e kufrit në zemër.’’
Ata mendojnë se po mashtrojnë All-llahun me këtë gjë, por ata nuk e kuptojnë se po mashtrojnë vetëm veten e tyre, por ata nuk e ndiejnë.
‘’Në zemrat e tyre kanë sëmundje. Allahu ua shton edhe më shumë sëmundjen. Për të tillët ka ndëshkim të dhembshëm.’’
Për shkak të gënjimit që ata bënë, duke thënë ‘’La ilahe il All-llah’’ me gjuhë, ndërsa në zemrat e tyre kultivohej shirku, ata do kenë dënim të dhembshëm. Thotë Pejgamberi صلى الله عليه وسلم:
‘’Allahu ia ka bërë haram zjarrin, atij personi i cili dëshmon se nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç All-llahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij dhe e thotë këtë sinqerisht, me vërtetësi nga zemra e tij’’ [Bukhari & Muslimi]
Kushti i Pestë: Nënshtrimi
Nënshtrimi – e kundërta e të cilit është lënia/braktisja.
Ai i cili e thotë këtë fjalë duhet t’i nënshtrohet kësaj fjalë dhe asaj ç’farë përmban kjo fjalë.
Duhet t’i nënshtrohet dispozitave dhe normave të cilat dalin prej kësaj fjale. Duhet t’i nënshtrohet fesë së All-llahut të Madhëruar dhe të braktisë gjithçka që e kundershton këtë fe apo e kundërshton këtë fjalë, prej shirkut dhe llojeve të shumta të tij, prej besimeve të kota dhe besimeve në fetë e tjera.
Personi i cili thotë ‘’La ilahe il All-llah’’, por nuk i nënshtrohet kësaj fjale në adhurimin e Allahut të Madhëruar dhe nuk e braktis të kundërtën e kësaj fjale prej shirkut dhe besëtytnive dhe besimeve të kota, sado që ky person të thotë ‘’La ilahe il All-llah’’ ajo nuk do i bëje dobi atij. All-llahu جل جلاله thotë:
‘’Ai i cili i nënshtrohet dhe i dorëzohet All-llahut dhe është njëhsues bamirës, dhe bën vepra të mira, i tilli është kapur për fjalën La ilahe il All-llah.”
Sa i përket nënshtrimit të kësaj fjale dhe asaj ç’farë kërkon kjo fjalë, ai është dy lloje:
1) Nënshtrimi me të cilin saktësohet fjala ‘’La ilahe il All-llah’’, e kundërta e të cilit është shirku. Njeriu konsiderohet besimtar, thënës i kësaj fjale dhe do të ketë dobi prej kësaj fjale nëse ai vdes në këtë besim, edhe pse ai mund të dënohet për aq sa ka caktuar All-llahu. Ky është ai i cili e ka saktësuar këtë fjalë.
Ne kemi saktësimin dhe plotësimin dhe e lusim All-llahun جل جلاله që të na e plotësoje sepse të gjithë kemi mangësi, por sa i takon saktësimit, që të konsiderohet personi njëhsues dhe besimtar duhet qe t’a besoje të gjithë atë që All-llahu جل جلاله urdhëron të besojmë:
2) Nënshtrimi me të cilin plotësohet fjala ‘’La ilahe il All-llah’’, e kundërta e te cilit është mëkati. Kjo nuk e bën personin banor të zjarrit përgjithmonë, ndërsa e para që kërkon saktësimin e bën personin banor të zjarrit përgjithmonë nëse ai nuk i nënshtrohet kësaj fjale siç kërkohet dhe nuk e saktëson atë.
Ndërsa me këtë të dytën saktësohet fjala ‘’La ilahe il All-llah’’ dhe personi është besimtar, por nganjëherë falet dhe nganjëherë nuk falet, nganjëherë agjëron dhe nganjëherë nuk agjëron, por i beson. Bën mëkate dhe gjynahe edhe pse e di se nuk duhet me i vepru ato vepra të këqija.
I tilli sa më shumë të plotësoje prej urdhëresave dhe sa më shumë të largohet prej ndalesave, aq më shumë e plotëson fjalën ‘’La ilahe il Allah’’, aq më vlerë merr ajo, aq më shpërblim të madh ka dhe aq më i shpëtuar prej zjarrit dhe i suksesshëm dhe me grada të larta do të jetë në xhennet.
Fjala ‘’La ilahe il All-llah’’ saktësohet me atë që e përmendëm më sipër dhe plotësohet me veprimin e veprave të mira dhe largimin nga veprat e këqija e të ndaluara. Kjo është ajka e besimit.
‘’La ilahe il All-llah’’ është ajo që i bën njerëzit banorë të xhennetit, me të ngrihen njerëzit në grada, prej braktisjes së saj ulen në grada te ulëta derisa bie personi dhe bëhet banor i zjarrit të xhehenemit përjetë.
Sa më shumë t’a shtoje robi këtë fjalë, t’a zbukuroje dhe plotësoje atë me veprimin e veprave të mira, sa më shumë të largohet nga të këqijat, aq më të larta i ka gradat te All-llahu جل جلاله dhe është shumë më larg kërcënimit dhe hidhërimit të Tij. Ky person do jetë më i ruajtur nga sëmundjet, dhimbjet dhe sprovat që e mundojnë njeriun.
Kushti i Gjashtë: El Ikhlas
El Ikhlas – e kundërta e së cilës është syefaqësia.
El Iklhas është kthjelltësia, pastërtia apo pastrimi i kësaj fjale dhe pastrimi i adhurimit nga të gjitha llojet e shirkut.
Ai i cili thotë ‘’La ilahe il All-llah’’, e beson atë, e vërteton atë, i nënshtrohet asaj, ai duhet që t’a pastroje atë nga të gjitha njollat e shirkut dhe llojet e saj.
Përndryshe ai i cili thotë ‘’La ilahe il All-llah’’ dhe e adhuron All-llahun, ndërkohë e bën pis këtë fjalë me papastërtinë e shirkut (e beson All-llahun, por shkon edhe në teqe, i lutet All-llahut por i lutet edhe dervishlerëve, vjen në xhami por shkon edhe në kishë e të tjera si këto) të tillit nuk i bën dobi fjala ‘’La ilahe il All-llah’’ dhe as nuk i bën dobi adhurimi me të cilin ai e adhuron All-llahun جل جلاله. Thotë All-llahu جل جلاله:
‘’Vini re! All-llahut dhe vetëm Atij i takon adhurimi i pastër.’’
I pastër nga çdo njollë e shirkut dhe e idhujtarisë dhe besimeve të kota.”
‘’Ata të gjithë: pejgamberë dhe pasues të tyre, njerëz dhe xhinë, nuk u urdhëruan për tjetër përpos që të adhurojnë All-llahun, vetëm atë t’a njëhsojnë, të pastër, të kthjellët në adhurimin e tyre, duke e pastruar atë nga papastërtitë e shirkut.’’
Pra, jemi urdhëruar të adhurojmë All-llahun جل جلاله, adhurim i cili është i pastër nga çdo njollë prej besimeve të kota. Është urdhëri i All-llahut për të cilin ai na ka krijuar dhe është kushti i kësaj fjale madhore. Ai i cili e thotë këtë fjalë, ndërkohë e përzien duke lutur të tjerë përveç All-llahut, duke besuar të tjerë përveç All-llahut dhe duke besuar në fe tjetër përveç fesë Islame, atij nuk i bën dobi adhurimi dhe as kjo fjalë.
Ai i cili e thotë fjalën ‘’La ilahe il All-llah’’ dhe e adhuron All-llahun e Madhëruar, duhet të kërkoje dhe të jetë qëllimi i tij fytyra e All-llahut جل جلاله, shikimi i Tij në botën tjetër, kënaqësia e Tij dhe largimi nga hidhërimi i Tij, shpërblimi me xhennet dhe shpëtimi nga zjarri i xhehenemit.
Nëse personi i tillë e thotë këtë fjalë, e adhuron All-llahun, por qëllimi i tij është syefaqësia tek të tjerët ose thjesht qe t’i ecë mbarë siç ndodh te disa njerëz të cilët e besojnë All-llahun dhe nuk e besojnë botën tjetër, falen me ne dhe nuk e besojnë botën tjetër. Thjesht kërkojnë t’iu ecë mbarë në këtë botë. Të tillët janë mohues në fjalën ‘’La ilahe il All-llah’’, nuk iu bën dobi dhe janë banorë të zjarrit të xhehenemit përgjithmonë. Thotë Pejgamberi صلى الله عليه وسلم:
‘’All-llahu ia ka bërë haram zjarrin atij i cili dëshmon ‘’La ilahe il All-llah’’ dhe kërkon me të fytyrën e All-llahut, kënaqesinë e Tij dhe shpërblimin e botës tjetër’’ [Bukhari & Muslimi]
Thotë Allahu جل جلاله:
‘’Ai i cili kërkon shpërblimin e botës tjetër, atij do ia shtojmë shpërblimin. Ai i cili kërkon shpërblimin e kësaj bote, atij do i japim aq sa dëshirojmë. Në botën tjetër nuk ka pjesë.’’
Kur All-llahu جل جلاله thotë: ‘’Ai i cili kërkon shpërblimin e botës tjetër…’’ kuptimi është ai i cili me veprat e mira që bën kërkon shpërblimin e botës tjetër.
Ndërsa ‘’..Në botën tjetër nuk ka pjesë.’’ domethënë nuk është prej banorëve të xhennetit.
Kushti i Shtatë: Dashuria
Dashuria – e kundërta e së cilës është urrejtja.
Ai i cili thotë ‘’La ilahe il All-llah’’ duhet t’a doje këtë fjalë, duhet t’a doje All-llahun جل جلاله, duhet t’a doje atë që kërkon kjo fjalë prej adhurimit të All-llahut جل جلاله, prej zbatimit të dispozitave, t’a doje fenë e All-llahut, t’a doje Pejgamberinصلى الله عليه وسلم, t’i doje besimtarët, t’i doje normat dhe dispozitat të cilat All-llahu i ka vendosur edhe pse duken nganjëherë sikur janë të rënda dhe të vështira. T’i doje dhe të jetë i kënaqur me to. Kështu ka gjykuar Zoti ynë.
Ai i cili thotë ‘’La ilahe il All-llah’’ duhet të urreje atë ç’farë All-llahu e urren, të urreje shirkun, besëtytnitë e kota, mëkatet dhe gjynahet, edhe pse i bën ato.
I bën sepse njeriu është krijuar që të gaboje, por jo që të vazhdoje në gabim sepse ka dallim mes njeriut i cili është krijuar të gaboje dhe njeriut i cili është krijuar të vazhdoje në gabime. E para është e vërtetë, ndërsa e dyta është totalisht e gabuar dhe është i shëmtuar mendimi i atyre që e mendojnë diçka të tillë. Thotë Pejgamberi صلى الله عليه وسلم:
‘’Me të vërtetë njeriu bie në gabim. Nëse ju nuk do të mëkatonit, All-llahu do t’iu largonte ju dhe të sillte popuj që mekatojnë dhe i kërkojnë falje All-llahut dhe All-llahu i fal.’’
Pra, kjo është për qëllim me njeriun i cili bie në mëkat sepse është natyrshmëria e njeriut që të bie në mëkat, por kurrë nuk është natyrshmëria e njeriut të vazhdoje në mekate. Ndoshta bie njeriu në zina njëherë, por jo të vazhdoje gjithmonë në zina. Jo ti ndjeke gjithmonë gratë dhe të shkoje pas tyre, pasi kjo tregon se ky është njeri i ulët, nuk i vlerëson këto norma dhe dispozita të All-llahut جل جلاله, nuk i urren ato.
Ai që e urren mëkatin, kurvërinë e të tjera si kjo, ndodh që e bën, ndodh që bie në të, por pendohet dhe kjo si pasojë e urrejtjes që ai ka për këtë mëkat.
Andaj, dashuria është kusht prej kushteve të kësaj fjale. Pra, t’a duash All-llahun جل جلاله, t’a duash fjalën ‘’La ilahe il All-llah’’, t’a duash Pejgamberin صلى الله عليه وسلم, t’a duash Islamin, t’a duash këtë fe të pastër, t’i urresh fetë e tjera, besëtytnitë e kota, t’i duash normat dhe dispozitat e kësaj feje edhe pse ndodh që të biesh në mëkat, por menjëherë pendohesh dhe e urren atë mëkat, t’i vlerësosh mirësitë dhe veprat e mira pasi kjo fjalë e kërkon këtë dashuri për këto vepra të mira që të afrojnë te fjala ‘’La ilahe il All-llah’’, e plotëson dhe e lartëson këtë fjalë.
Të jetë origjina e urrejtjes për shkak të kësaj fjale madhështore, të urresh çdo mëkat që e venit dhe e dobëson këtë fjalë, prandaj dashuria për veprat e mira është dashuri për këtë fjalë ashtu siç urrejtja për veprat e këqija është urrejtje për shkak të kësaj fjale.
E lusim All-llahun جل جلاله qe t’ia kemi qëlluar në përmbledhjen e këtyre argumentave. Nëse ka gabim ajo është prej vetes dhe shejtanit, e nëse është e saktë ajo është vetëm prej Rrahmanit (Të Gjithëmëshirshmit).