Teuhidi Esma ue Sifat është Njëhsimi i All-llahut në emrat dhe Cilësitë e Tij. Kjo do të thotë se All-llahu ka emra të bukur dhe cilësi të larta me të cilat ne e njëhsojmë Atë.
Ky teuhid ka 2 shtylla bazë:
1) Pohimi i të gjithë emrave dhe cilësive që All-llahu ﷻ ka pohuar për veten e Tij apo ka pohuar për Të Profeti ﷺ.
Në këtë dalin katër çështje në të cilat duhet të ruhemi në mënyrë që ky teuhid të jetë i pastër, i plotë, i paprekshëm dhe i saktë që të realizohet si duhet. Ato janë:
2) Mohimi i çdo lloj sifati që All-llahu ﷻ e ka mohuar për veten e Tij apo e ka mohuar për Të i Dërguari i Tij ﷺ.
Për shembull: ajeti kursij është ajet i madh. Pse? Sepse pohon shumë emra dhe cilësi të All-llahut dhe gjithashtu mohon sifate të tjera.
Pse është surja El-Ikhlas një e treta e Kur’anit? Sepse pohon shumë cilësi për All-llahun dhe mohon cilësi të tjera gjithashtu.
Flasin të gjitha për All-llahun ﷻ.
All-llahu mohon që e kap kotja apo që lodhet te ajeti kursij.
All-llahu mohon që ka lindur dikë apo që është i lindur prej dikujt.
Mohon që ka shok te surja El-Ikhlas.
Ndërkohë kemi diçka tjetër: janë disa cilësi të cilat as nuk i mohojmë dhe as nuk i pohojmë nga frika se ato mund të ekzistojnë.
Për shembull: veshët. Ne nuk e pohojmë që All-llahu ka veshë sepse nuk ka tekst dhe të thuash po, ndërkohë që nuk ka tekst do të thotë të flasësh për All-llahun pa dije. Në të njejtën kohë nuk e mohojmë sepse mundet që All-llahu të ketë veshë siç thotë shejkh Ibn Uthejmin rahimehull-llah.
Ne mohojmë që All-llahu ka dhëmbë apo dhëmballë edhe pse nuk ka tekst sepse këto janë të mangëta edhe te njerëzit e jo më te All-llahu. Kjo sepse ky sifat kërkon diçka tjetër që të funksionoje siç është ushqimi, dhe i pa të meta është All-llahu nga këto mangësi.
Janë disa sifate për të cilat nuk mund të themi që janë sifate në përgjithësi, por as nuk mund t’i mohojmë.
Për shembull: kurthi, mashtrimi, tallja etj. Ne i gjejmë këto lloj sifatesh në Kur’an të cilat nuk i pohojmë sic i pohojmë sifatet e plota dhe as nuk i mohojmë sic i mohojmë sifatet e mangëta që kanë mangësi apo të meta. Porse këto sifate lidhen sipas gjendjes ku përmenden. Nëse përmenden në një gjendje të mirë atëherë janë sifate të plota të All-llahut, por nëse nuk përmenden në një gjendje të mirë atëherë janë sifate të mangëta.
Thonë shejkh Ibn Seadi dhe Ibn Uthejmini e të tjerë prej dijetarëve: ”Gjithmonë kur i përmend All-llahu këto sifate i përmend vepruesit apo armiqtë e Tij për të cilët All-llahu tregon për to, dhe All-llahu ua kthen atyre nëse mund të shprehemi në të njejtën mënyrë.”
Për këtë arsye, këto sifate si: tallja, kurthi, përqeshja, mashtrimi etj; nuk i përmend All-llahu përveçse duke iu referuar asaj që kanë vepruar armiqtë e Tij. Thotë All-llahu ﷻ:
‘’Kur ata të cilët mohuan thurnin plane kundër teje (o muhamed) për të të burgosur, për të të vrarë apo për të të larguar nga qyteti. Ata bënin kurthe, dhe All-llahu bën kurthe’’.
Këtu është për qëllim kthimi i shpërblimit sipas llojit të veprës, sepse në realitet këto sifate si kurthi, përqeshja, tallja; nëse përmenden në vendin e mirë ose për hajr, ato janë sifate të mira dhe të lavdëruara.
Për shembull: kur i thur kurth armikut dhe me planin apo kurthin që bën, ti mbron popullin nga sulmi i armikut, atëherë kjo është e lavdëruar sepse shpëton njerëzit. Në rast të kundërt, ato nuk janë të lavdëruara.
Pra, ato varen në varësi të situatës ku përdoren.
Për këtë arsye, All-llahu ﷻ gjithmonë kur i përdor këto sifate i përdor si shpërblim ndaj veprës së armiqve të Tij, të cilët thurin kurthe ndaj pejgamberëve apo besimtarëve, ndaj njerëzve të dashur të All-llahut, dhe All-llahu ﷻ i përdor këto sifate duke ua kthyer në të njejtën monedhë.
Asnjëherë All-llahu ﷻ nuk i përdor si sifate të plota, pasi ka situata në të cilat ato janë të mangëta dhe nuk na takon t’a thërrasim All-llahun ﷻ përveç se me sifate të plota, siç e ka cilësuar All-llahu veten e Tij. Porse këto përmenden përballë asaj vepre të armiqve të All-llahut ﷻ.
Kur përmendet tallja e munafikunëve ndaj Profetit dhe besimtarëve, All-llahu ﷻ e përmend duke thënë:
‘’Ata tallen me All-llahun. All-llahu tallet me to.’’
Tregohet në një ether nga Abdull-llah ibn Mes’udi i cili thotë: ”Në xhehenem All-llahu do të tallet me munafikunët, veçanërisht me to, sepse ata u tallen me Pejgamberin dhe besimtarët. All-llahu do u hape një derë në xhehenem ashtu që ata të dalin dhe ata vrapojnë për të dalur dhe pastaj u mbyllet sa shkojnë aty. Pastaj All-llahu hap një derë tjetër dhe kur ata afrohen te dera, All-llahu ua mbyll atë dhe kështu vazhdon.”
Kjo tallje këtu është për qëllim kthimi i shpërblimit dhe ndëshkimit mbi bazën e veprës që ata bënë ndaj All-llahut dhe Pejgamberit të Tij.
Ata thurin kurthe ndaj besimtarëve dhe për këtë All-llahu ﷻ thotë:
”Ata thurin kurthe. All-llahu thur kurthet e Tij.”
Kurthi i All-llahut në këtë rast është për qëllim asgjësimi i asaj që ata dëshirojnë të bëjnë ndaj të Dërguarit të Tij dhe dhënia sukses e të Dërguarit dhe besimtarëve ndaj tyre duke i shkatërruar ata totalisht apo duke u dhënë një ndëshkim në këtë botë apo duke e ruajtur atë për në botën tjetër.
Kjo është pak a shumë ajo çka mund të themi për këto sifate; sifate të cilat nuk mund t’i pohojmë për All-llahun siç i pohojmë sifatet e plota dhe as nuk mundemi t’i mohojmë ato në përgjithësi sepse janë lloj sifatesh që varen në varësi të situatës ku vendosen dhe në varësi se ku përmenden.
Po u përmendën për hajr ato janë sifate të plota siç vepron për shembull një komandant apo gjeneral i një ushtrie i cili arrin t’i bëje kurth një ushtrie tjetër në luftë dhe e asgjëson të keqen e saj. Me një kurth, me një plan apo me një taktikë që përdor dhe në këtë rast është sifat i mirë pasi tregon fuqi, dinakëri, zgjuarsi dhe strategji. Njeriu lavdërohet dhe këto komandantë zakonisht ngrihen në grada për këto strategji dhe lavdërohen edhe prej popullit, pasi shpëton popullin dhe qëllimi në këtë rast është i mirë.
Por, nëse një gjeneral i bën kurth popullit të vet, atëherë ky është veprim i shëmtuar.
Prandaj, gjithmonë kur All-llahu i përmend këto sifate, i përmend në varësi të gjendjes apo situatës ku përdoren, si shpërblim ndaj atyre që thurin kurthe, të cilët duan të tallen dhe të mashtrojnë.
Mënyra e lutjes me emrat dhe cilësitë e All-llahut ﷻ
Thotë Profeti ﷺ:
”All-llahu ka 99 emra, 100 pa 1. Kush i mëson ato, hyn në xhennet.”
Imam Ibn Kajjim el Xheuzije thotë: ”Prej këtij hadithi dalin tre kategori:
Siç thotë All-llahu ﷻ:
”All-llahu ka emrat më të bukur. Luteni Atë me ato emra.”
All-llahu nuk madhërohet dhe nuk lutet përveçse me emrat dhe cilësitë e Tij. Për këtë arsye, All-llahu ﷻ ka përmendur për veten e Tij shumë emra dhe cilësi, që ne t’a adhurojmë Atë, t’a madhërojmë dhe t’i lutemi Atij me ato emra. Allahu ﷻ ka thënë:
‘’Xhamiat janë për All-llahun dhe mos lutni askënd tjetër përveç Tij.’’
Lutja nuk është vetëm të lutemi duke thënë: ‘O All-llah më fal, o All-llah më ndihmo, o Allah më largo të keqen etj. Jo! Nuk është vetëm kjo formë e lutjes për të cilën All-llahu flet në ajetin më sipër, por lutja e All-llahut me emrat dhe cilësitë e Tij ka dy kategori:
1) Duaja e lavdërimit dhe ibadetit
Për shembull kur themi: Subhaneke All-llahume ue bi hamdike, Subhane Rabijel ea’la etj; me të cilat ne vetëm e lavdërojmë All-llahun ﷻ dhe e madhërojmë Atë duke përfshirë dhikrin, leximin e kuranit dhe namazin, por siç thotë shejkh Salih Ali Shejkh: ”ka prej atyre adhurimeve që janë dua lavdërimi dhe dua lutjeje njëkohësisht.
Për shembull: namazi apo agjërimi, në të cilat ne edhe e lavdërojmë All-llahun ﷻ dhe në të njejtën kohë kërkojmë shpërblim prej Tij. Në rastin e namazit ne e lavdërojmë All-llahun ﷻ dhe kërkojmë shpërblim prej Tij, ndërsa te agjërimi ne e madhërojmë All-llahun ﷻ, por nuk kërkojmë shpërblim me gojë si në rastin e namazit, sepse në këtë rast të agjërimit, shpërblimi nënkuptohet pasi robi agjëron që të arrije kënaqësinë e All-llahut ﷻ dhe të ruhet nga ndëshkimi i Tij.
2) Duaja e kërkesës dhe e lutjes
Kjo shoqërohet me emra dhe cilësi dhe bëhet në dy mënyra:
a) kur e përmend emrin dhe sifatin e All-llahut ﷻ në lutje, përpara asaj që kërkon. Për shembull: Ya Rrahman, Er-Rhamni (o Mëshirues, më fal), Ya Rrezak, Er-Rrzukni (o Furnizues, më furnizo).
b) kur e përmend emrin dhe sifatin e All-llahut ﷻ në lutje, në fund. Për shembull: ‘Gfirlii , uer-rhamnii, inneke entel Gafurrun Rrahim (Më fal, më mëshiro. Ti je Falësi, Mëshiruesi). Gfirlii, ya Rrahman (Më fal, o Mëshirues).
Emrat dhe Cilësitë që gjenden tek All-llahu ﷻ, por edhe tek krijesat!
Ka emra dhe cilësi me të cilat emërtohet All-llahu ﷻ, por edhe krijesat e Tij.
Për shembull ka njerëz që quhen Alim (i dijshëm), ama edhe vetë All-llahu ﷻ është Alim. Si shpjegohet?
Robi kur quhet Alim është i mangët sepse kjo lloj dije që robi ka është e krijuar nga All-llahu ﷻ, është dije të cilën ia ka dhënë All-llahu robit, njeriu nuk e ka prej vetes së tij dhe është dije e cila ka fund.
Ndërsa dija e All-llahut ﷻ është pa fillim dhe pa mbarim, nuk ia ka dhënë askush All-llahut atë dije, por dija buron nga Vetë All-llahu ﷻ.
Prandaj këto janë dallimet mes emërtimit (Alim) që kanë njerëzit dhe emërtimit që All-llahu ﷻ i bën Vetes së Tij duke e quajtur Alim.
Apo Malik (pushteti, mbretëria). Robi e ka këtë pushtet nga All-llahu ﷻ dhe e ka që i mbaron. E ka të kufizuar dhe të mangët pushtetin apo mbretërinë e tij.
Këto lloj cilësish janë që ngjasojnë vetëm në emërtim dhe janë komplet të ndryshme në realitetin e tyre, në kuptimin që ato kanë.
Te All-llahu ﷻ këto cilësi janë:
1. të Plota
2. pa Mangësi,
3. pa Fillim dhe pa Mbarim
4. të Gjithmonshme.
Te Robi këto cilësi janë krejt të kundërta nga ato që u thanë më sipër për All-llahun. Janë:
1. të kufizuara
2. të mangëta,
3. nuk i ka nga vetja e tij por ia ka dhënë All-llahu
4. kanë fillim dhe kanë mbarim.
Nëse dikush thotë për dikë që ai ka një lloj dije të gjithmonshme që nuk i humbet asnjëherë, atëherë ai ka bërë kufër sepse e përngjasoi me dijen që ka All-llahu ﷻ.
Duhet të kemi kujdes edhe shprehjen që ne u bëjmë emrave dhe cilësive në mënyrë që të ruhemi nga përngjasimi!