Teuhidi Rububije

Njëhsimi i All-llahut në Zotërim

Me të është për qëllim të pohosh me bindje të thellë dhe me besim të plotë se vetëm All-llahu është Krijuesi, Furnizuesi, Mirëbërësi, Drejtuesi dhe Sistemuesi i të gjitha çështjeve të cilat kanë të bëjnë me krijesat e Tij.
Nuk ka krijues tjetër përveç Tij. S’ka zot tjetër përveç Tij. S’ka kush jep jetë dhe përcakton vdekje përveç Tij. S’ka kush komandon në gjithësi përveç All-llahut të LartMadhëruar.
All-llahu ﷻ thotë në Kuran:

Thuaj: ‘’Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës?’’ Thuaj: ‘’All-llahu.’’

‘’Falenderimi i takon All-llahut, Zotit të botërave’’.

‘’Ky është All-llahu, Zoti juaj..’’

‘’O ju njerëz adhuroni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve si dhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai, i Cili për ju e bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju. Pra mos i përshkruani All-llahut shok, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shok).’’

Krijoi, bëri, dhuroi, dha jetë, kontrolloi; që të gjitha këto janë shprehëse të njëhsimit në zotërim (rububije), si dhe të besuarit në to është prej besimit në Zotërimin e All-llahut.
Këtë lloj të teuhidit, politeistët (idhujtarët) e pranonin dhe nuk e refuzonin. All-llahu ﷻ thotë:

‘’Thuaj: E kujt është toka dhe çdo gjë që ka në të, nëse jeni që e dini?
Ata do të thonë: E All-llahut. Atëherë thuaju: Përse pra nuk mendoni?
Thuaj: Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit të madh?
Ata do të thonë: All-llahu. Atëherë thuaju: Përse pra nuk frikësoheni?’’

Pra idhujtarët e pohonin Zotërimin e All-llahut. E pohonin që All-llahu është Zoti i qiejve, Zoti i tokës, Zoti i Arshit, Zoti i gjithçkaje dhe Zotëruesi i saj. Ata e pohonin dhe e aprovonin një gjë të tillë. Madje aprovimi i këtij teuhidi është i ngulitur në zemrën e robit dhe All-llahu e ka bërë prej natyrshmërisë së njeriut që ai të besoje se All-llahu është Zoti i gjithçkaje. Këtë e mohojnë vetëm inatçarët, të mllefosurit dhe kryeneçët.

Madje edhe faraoni i cili tha: ‘’E cili është ai Zot i botëve (që ju dërgoi)?’’ Ai në vetveten e tij dhe brendësinë e tij e pohonte se Zoti i botëve është All-llahu. Po ashtu e pohonte se ai ishte i nënshtruar dhe krijesë e All-llahut . Siç përmendet në fjalën e All-llahut ﷻ :

‘’Ai (Musai) tha: ‘’Po ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër përveç Zotit të qiejve dhe tokës, që të shërbenin si argument, dhe unë besoj se ti o faraon je i shkatërruar.’’

Musai (alejhi selam) i tha faraonit: ‘’Po ti e di..’’ , pra në vetveten dhe thellësinë e zemrës tënde e ke të qartë se Ai i Cili i zbriti këto mrekulli është Zoti i qiejve dhe i tokës.
Atëherë ku qëndron refuzimi i faraonit meqë ai e dinte se All-llahu është Zoti i gjithçkaje?
All-llahu ﷻ thotë:

‘’Dhe, edhe pse ishin të bindur në to (se ishin nga Zoti), i mohuan në mënyrë të padrejtë dhe me mendjemadhësi.’’

Ajo që duhet të kemi parasysh nga këto ajete, është fakti se pohimi i këtij Njëhsimi, Teuhidit Rububije, nuk mjafton për arritjen e shpëtimit dhe për përmbushjen e Njëhsimit (Teuhidit).
Duhet të veçohet All-llahu ﷻ me të tre llojet e Njëhsimit, që robi të jetë besimtar.
All-llahu duke treguar për idhujtarët thotë:

‘’Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe All-llahun, vetëm se duke i shoqëruar (dikë tjetër).’’

Thonë selefët duke e komentuar këtë ajet: ‘’Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe All-llahun ..’’ – pra, si Zot, Krijues, Furnizues, Mirëbërës, Drejtues i kësaj gjithësie…, ‘’vetëm se duke i shoqëruar (dikë tjetër)’’. Do me thënë që i shoqërojnë Atij dikë tjetër në adhurim. Ky është kuptimi i drejtë i këtij ajeti.
Kjo ka qenë gjendja e Kurejshitëve dhe kjo është gjendja e njerëzve në kohët e sotme që adhurojnë teqe, varre, dërvishlerë dhe e besojnë All-llahun si Zot. Për to thotë All-llahu ﷻ:

‘’Dhe nëse atyre u thuhet: ‘’Përse adhuroni çka nuk sjell dobi e as nuk bën dëm, as nuk jep jetë e as nuk pengon nga vdekja, as nuk ngre e as nuk lëshon dhe nuk posedon fuqi fare, dhe e lini adhurimin e All-llahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit?’’

‘’Ata thonë: Ne e dimë që e tillë është gjendja e idhujve; nuk sjellin dobi, nuk japin e as nuk pengojnë, e të gjitha këto ne i dimë’’ – Atëherë përse i adhuroni?

‘’Thonë: ne nuk i adhurojmë ata për asgjë tjetër, por vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut.’’

Pra, ata zgjodhën t’i afrohen All-llahut më atë vepër e cila i largon më së shumti prej Allahut – shirkun.

Shpërndaje: