Ky lloj i teuhidit përbën edhe kuptimin e vërtetë të fjalës ‘’ La ilahe il All-llah’’.
Me teuhidin Uluhije është për qëllim veçimi i All-llahut me adhurim, përkushtimi i fesë vetëm All-llahut dhe refuzimi i idhujtarisë dhe idhujtarëve. Siç thotë All-llahu ﷻ:
‘’E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveç se që t’a adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.’’
‘’Medoemos se feja e vërtetë është vetëm për All-llahun.’’
‘’Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër përveç Tij.’’
‘’Ne dërguam në cdo popull të dërguar që t’u thonë: Adhuroni vetëm All-llahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!’’
‘’Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.’’
Ajetet të cilat përmbajnë këtë kuptim janë të shumta. Me Teuhidin Uluhije është për qëllim përkushtimi i fesë vetëm All-llahut ﷻ dhe veçimi i All-llahut me adhurim.
Pra, të mos i lutemi askujt tjetër përveç All-llahut ﷻ, të mos i kërkojmë ndihmë askujt tjetër përveç All-llahut, të mos presim kurban për askënd tjetër përveç All-llahut, të mos betohemi për askënd tjetër përveç All-llahut, të mos kërkojmë mbështetje, përkrahje, sukses dhe shpëtim te askush tjetër përveç All-llahut ﷻ.
Ashtu siç All-llahu është i Vetmi i Cili na ka krijuar, na furnizon dhe përkujdeset për ne, ashtu edhe ne duhet që vetëm Atë t’a veçojmë me adhurim. Thotë Allahu ﷻ:
‘’Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua.’’
Ashtu siç All-llahu është i Vetmi Zot, i pa shok në zotërimin e Tij, ashtu edhe ju adhurojeni vetëm Atë. Ashtu siç All-llahu nuk ka ortak në krijim, furnizim, në dhënien e jetës, përcaktimin e vdekjes dhe sistemimin e çeshtjeve; ashtu edhe gjatë adhurimit nuk duhet t’i shoqërohet Atij ortak.
A është e logjikshme që All-llahu të krijoi dhe tjetërkush të adhurohet në vend të Tij?!
A është e logjikshme që All-llahu të furnizoi, ndërsa furnizimi të kërkohet prej dikujt tjetër?!
A është e logjikshme kur dihet se All-llahu është Ai i Cili shëron, ndërkohë që shërimi të kërkohet prej dikujt tjetër?!
I Dërguari i All-llahut ﷺ në njërën prej duave thotë:
‘’O All-llahu im! Zoti i njerëzve! Largoje dhimbjen dhe më shëro! Ti je Ai që shëron! S’ka shërim përveç se prej Teje!’’
Ndërsa Ibrahimi alejhi selam, miku i All-llahut, prijësi i njëhsuesve thotë:
‘’Dhe kur të sëmurem, Ai më shëron.’’
Pra, me Teuhidin Uluhije është për qëllim veçimi i All-llahut ﷻ me përulje ndaj Tij, me nënshtrim, bindje, adhurim, namaz, haxh, dua, kurban, betim; si dhe me të gjitha bindjet dhe adhurimet tjera.
Ndërsa ‘adhurimi’ është term i përgjithshëm i cili përfshin çdo gjë që All-llahu do dhe është i kënaqur me të, qoftë ajo gjë fjalë apo vepër, e dukshme apo e fshehtë. Adhurimi është e drejtë absolute e All-llahut ﷻ.
Ai i cili adhurimin ia kushton dikujt tjetër përveç All-llahut, ai i ka shoqëruar shok All-llahut ﷻ.
Asnjë krijesë, cilado qoftë ajo, nuk e meriton të adhurohet. Allahu ﷻ thotë:
‘’O ju njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve si dhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm. Ai, i Cili për ju e bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm. Dhe prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju. Pra mos i përshkruani All-llahut shok, duke qenë se ju e dini (që ai nuk ka shok).’’
Le të fokusohemi te pjesa
‘’Pra mos i përshkruani All-llahut shok..’’
Kujt i tërhiqet vërejtja me këtë ajet? I tërhiqet vërejtja idhujtarit i cili i shoqëron All-llahut ﷻ shok.
Pastaj thotë All-llahu ﷻ:
‘’..duke qenë se ju e dini.’’
C’farë është ajo që ata e dinë?
Ibn Abasi (radiAll-llahu anhu) ka thënë: ‘‘Mos i përshkruani All-llahut ortak në adhurim, duke qenë se ju e dini që Ai është Krijuesi juaj i Vetëm.’’
Përderisa ti e di që Krijuesi yt, Furnizuesi, Mirëbërësi, Sistemuesi i çeshtjeve është vetëm All-llahu ﷻ, atëherë mos i shoqëro Atij shok në adhurim duke dashur që t’iu lutesh, t’iu përgjërohesh e të kërkosh nga ata, gjëra të cilat duhen kërkuar vetëm e vetëm nga All-llahu ﷻ.
Pra, është detyrë mbi të gjithë ne që Teuhidit t’i japim hakun që i takon, t’a ngrejmë atë në pozitën që e meriton dhe t’i japim përparësi ndaj çdo gjëje tjetër.
Le të ruhemi prej atyre të cilët thërrasin për në humbje, prej prijësve të së kotës, prej atyre të cilët i hutojnë njerëzit dhe i futin në dyshime lidhur me fenë e tyre, si dhe t’a mbrojmë Teuhidin pasi ai përbën themelin e fesë tonë, qëllimin tonë parësor dhe çeshtjen tonë më madhore për të cilën All-llahu na ka krijuar.
Le t’a mbrojmë atë me një mbrojtje të mirë dhe të përkujdesemi për të me një përkujdesje dinjitoze, ashtu që të dalim para All-llahut ﷻ si njëhsues dhe zbatues të sunnetit, pa bërë kurrfarë ndryshimi apo tjetërsimi.