Agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheual

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد


■ PËLQEHET TË AGJËROHEN GJASHTË DITË NGA MUAJI SHEUAL

■ AGJËROHEN DITËT E MBETURA TË RAMAZANIT FILLIMISHT, PASTAJ FILLOHET ME AGJËRIMIN E SHEUALIT

 

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
من صام  رمضان ثم أتبعه ستا من شوال كان كصيام الدهر
((Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason me gjashtë ditë nga muaji Sheual është sikur të ketë agjëruar gjithë kohën))
[MUSLIMI]


Ai që nuk e ka plotësuar Ramazanin duhet t’a plotësoje Ramazanin, t’i zëvendësoje ditët e pa agjëruara, pastaj të agjëroje gjashtë ditët e Sheualit.

Shumica e dijetarëve thonë:
“Lejohet të agjërosh gjashtë ditët e Sheualit para ditëve të Ramazanit që ke për të zëvendësuar.”

Mendimi më i saktë është:
“Nuk bën të fillohet me agjërimin e gjashtë ditëve, por duhet të plotësohet Ramazani fillimisht, sepse Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem thotë:

((Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason…))

Personi i cili ka ditë për të zëvendësuar, nuk e ka agjëruar Ramazanin, pasi ka ditë të pa plotësuara. Kështu që duhet t’i zëvendësoje ditët e ramazanit, t’a plotësoje atë, dhe pastaj të filloje me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit.

Argument tjetër shtesë është fakti që farzi është më parësor se vullnetarja dhe i jepet përparësi farzit.

Ky është mendimi i shejh Albanit, Ibn Bazit dhe Ibn Uthejminit.

 

■ AI QË KA DITË NGA RAMAZANI PA AGJËRUAR, A I LEJOHET T’I SHTYJE PËR MË VONË?


Shumica e dijetarëve thonë:
“Lejohet t’i vonoje (t’i shtyje) për t’i agjëruar më vonë, por me kushtin para Ramazanit tjetër.”

Disa dijetarë thonë:
Është detyrë t’i agjëroje menjëherë sapo t’i jepet mundësia.”
Ky është mendimi i Hasan el Basriut, Ibrahim Nekhit prej tabiinëve, Ibn Hazmit, Sheukanit, Albanit etj.

Këta dijetarë, veprimin e Aishes (radijall-llahu anha), e cila i ka zëvendësuar ditët e mbetura nga Ramazani, në muajin Shaban, e komentojnë me faktin se ajo ka patur arsye.
Arsyeja e saj ka qenë preokupimi me të Dërguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.

Pra, nëse ka arsye bën t’a vonoje, e nëse jo, nuk bën t’a vonoje, por t’i agjëroje menjëherë.

E përforcon këtë një transmetim tjetër nga Aishe (radijall-llahu anha) e cila thotë:
((إن كانت احدانا لتفطر في زمن رسول الله صلى الله عليه وسلم فما تقدر على أن تقضيه مع رسول الله حتى يأتي شعبان))
((Ndodhte që dikush nga ne (gratë e Profetit) NUK MUNDEJ t’i zëvendësonte ato ditë që kishte prej Ramazanit derisa vinte Sha’bani, për shkak të angazhimit me të Derguarin e All-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem))
[Muslimi]

Fjala e saj ((nuk mundej)) tregon që ka patur arsye, siç thotë shejh Albani etj.

Personi i cili ka mundësi të agjëroje, nuk është mirë t’a shtyje agjërimin e ditëve të mbetura nga Ramazani pa arsye.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: