Tekbiret në Namazin e Bajramit

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Tekbiret shtesë në namazin e Bajramit janë sunnet, nuk janë obligim. Nëse nuk i thua, namazi është i saktë.
[Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve]


Sa është numri i tyre?

Ka mospajtim:

— Disa thonë janë 7 (shtatë) tekbire bashkë me tekbirin fillestar në rekatin e parë.
Dhe 5 tekbire në rekatin e dytë.

— Disa thonë thuhen 7 (shtatë) tekbire, pa tekbirin fillestar në rekatin e parë.
Dhe 5 tekbire ne rekatin e dytë pa tekbirin e zhvendosjes.
Ky është mendimi i shejh Albanit etj.


Kur thuhen?

Ato thuhen para leximit të sures el Fatiha në rekatin e parë, po ashtu edhe në rekatin e dytë thuhen para leximit të sures el Fatiha.
[Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve]

Thënia e tyre në rekatin e dytë pas leximit të Kur’anit dhe para rukusë është gabim.


A ngrihen duart kur i themi këto tekbire?

Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me ngritjen e duarve kur i themi këto tekbire:

— Shumica dijetareve thonë: “Pëlqehet ngritja e duarve kur i themi këto tekbire.”

— Një pjesë e dijetarëve, prej tyre Shejh Albani thonë: “Nuk ka argument që tregon se ngrihen duart në këto tekbire.”


Më i saktë është mendimi i pakicës së dijetarëve që thonë se nuk ngrihen duart, pasi nuk ka argument.

Ndërsa i përket mendimit të shumicës, ata argumentohen duke u bazuar në hadithet që tregojnë për ngritjen e duarve në namazet tjera.

Ky argumentim i tyre nuk qëndron.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: