:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
■ PËLQEHET SHPEJTIMI I IFTARIT SAPO TË PERËNDOJE DIELLI
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((لاَ يَزالُ النَّاسُ بخَيْرٍ مَا عَجلوا الفِطْرَ))
((Njerëzit do të jenë në mirësi përderisa e shpejtojnë iftarin))
[Buhariu dhe Muslimi]
Imam Neueuiju All-llahu e mëshiroftë thotë:
وَمَعْنَاهُ لا يَزَال أَمْر الأُمَّة مُنْتَظِمًا وَهُمْ بِخَيْرٍ مَا دَامُوا مُحَافِظِينَ عَلَى هَذِهِ السُّنَّة , وَإِذَا أَخَّرُوهُ كَانَ ذَلِكَ عَلامَة عَلَى فَسَادٍ يَقَعُونَ فِيهِ ا
“Domethënë: çeshtja e umetit do të vazhdojë të jetë e rregullt dhe ata do të jenë në mirësi përderisa e ruajnë këtë sunet. E nëse e vonojnë atë, kjo është shenjë e një prishjeje (devijimi) në të cilën do të bien.”
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((Jehudët dhe të krishterët e vonojnë çeljen e iftarit))
[Ebu Daudi / Albani thotë: Hasen]
Dmth: shpejtojeni iftarin dhe mos përngjasoni me jehudët dhe të krishterët.
Prej sunnetit është që sapo të perendoj dielli, të çelet iftari.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((إِذا أَقْبَلَ اللَّيْلُ مِنْ ههُنَا وأَدْبَرَ النَّهَارُ مِنْ ههُنا، وغَرَبتِ الشَّمسُ، فَقَدْ أَفْطَرَ الصائمُ))
((Kur të vije nata nga kjo anë (dmth: nga ana e lindjes), dhe të largohet dita nga ajo anë (dmth: nga ana e perëndimit), dhe perëndon dielli, atëherë ka hyrë koha për t’a çel agjëruesi))
[Buhariu dhe Muslimi]
Thotë Imam Shafiu (All-llahu e mëshiroftë) në librin e tij [El Umm]:
تعجيل الفطر مستحب
“Shpejtimi i iftarit është i pëlqyer.”
Ibn Hazmi (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
“وَمِنْ السُّنَّةِ تَعْجِيلُ الْفِطْرِ وَتَأْخِيرُ السُّحُورِ ، وَإِنَّمَا هُوَ مَغِيبُ الشَّمْسِ عَنْ أُفُقِ الصَّائِمِ وَلا مَزِيدَ”
“Prej sunnetit është shpejtimi i iftarit dhe vonimi i syfyrit. Koha e Iftarit është kur të fshehet (të ike) dielli nga horizonti i agjëruesit, dhe nuk shtyhet më tepër (p.sh: të pritet errësira e plotë).”
[El Muhal-la 4/380]
Dmth: kur të bie disku i diellit pas horizontit (qoftë ai det, mal, apo fushë) ka perënduar dielli, dhe ka hyrë koha e iftarit.
Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e shpejtonte çeljen e iftarit sapo të perëndonte dielli, aq sa tregon transmetuesi se sikur dikush të hipte mbi devenë e tij, do e shikonte diellin.
حتى لو أنا أحدنا ركب على ناقته لرأى الشمس
Kjo tregon se sa shpejt e ka çelur. Menjëherë sapo ka rënë dielli pas horizontit.
Thotë Bin Bazi (All-llahu e mëshiroftë):
السنة للصائم أن يعجل الإفطار حين تغيب الشمس.
“Sunneti është që agjëruesi t’a shpejtoje iftarin sapo të perëndoje dielli.”
[Binbaz.org]
Pëlqehet dalja për të parë perëndimin e diellit.
Mbështetja në kalendar për atë që ka mundësi t’a shohe perëndimin e diellit është gabim.
Kjo tregon mos interesim në zbatimin e sunnetit, neglizhim dhe mos interesim për atë që është më e mira.
Ata të cilët e shohin diellin që perëndoi dhe presin me pretendimin që të jenë më të sigurt, kanë kundërshtuar sunnetin. Ky veprim i tyre, nuk është aspak i lavdëruar, por është i qortuar.
Pëlqehet shfaqja e këtij sunneti dhe përhapja e tij, si dhe nxitja e të tjerëve në zbatimin e tij.
Nëse je në një vend, ku nëse e shfaq behet fitne, atëherë veproje fshehurazi.
Nëse nuk e sheh dot diellin, në këtë rast bën të mbështetesh në kalendar.
■ SI VEPROHET NE RASTIN KUR E ÇEL IFTARIN PARA KOHE GABIMISHT?
Ai që gabon dhe e çel iftarin para se të perëndoje dielli, obligohet t’a ndërpresë ushqimin dhe pijen menjëherë derisa të perendoje dielli, nëse i bëhet e qartë kjo gjë para se të perëndoje dielli.
Ndërsa sa i përket asaj që a i është prishur kjo ditë dhe a obligohet t’a zëvendësoje apo jo, ka mospajtim.
Shumica e dijetarëve, prej tyre Imamët e katër medhhebeve thonë:
“Agjërimi i tij është i prishur, dhe obligohet t’a zëvendësoje atë ditë.”
Këta bazohen në atë se:
“Origjina (parimi bazë) është se akoma është ditë, derisa të bëhet i qartë perëndimi i diellit.”
Pra, në çështjen e agjërimit, njeriu konsiderohet ende në ditë dhe nuk i lejohet t’a çele agjërimin derisa të sigurohet qartë se dielli ka perënduar. Vetëm kur të sigurohet për perëndimin e diellit lejohet iftari.
Në këtë rast, ky nuk është siguruar për perëndimin e diellit, dhe si pasojë obligohet t’a zëvendësoje këtë ditë.
Një pjesë e dijetarëve, prej tyre Ibn Tejmije, thonë:
“Agjërimi i tij është i saktë, dhe nuk obligohet t’a zëvendësoje atë ditë.”
Ibn Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
أن كل من أفطر وأكل وشرب ظاناً أن الشمس قد غربت ثمّ تبين أنها لم تغرب فإن صومه صحيح ولا يجب عليه إعادة ذلك اليوم، وإنما يجب عليه الامتناع عن الأكل والشرب من حين يعلم أنه في نهار، أقول لايجب عليه قضاء ذلك اليوم لأنه ثبت في صحيح البخاري من حديث أسماء بنت أبي بكر رضي الله عنها وعن أبيها قالت: ((أفطرنا في عهد النبي صلى الله عليه وسلم في يوم غيم ثمّ طلعت الشمس))، ولم يأمرهم النبي صلى الله عليه وسلم بقضاء ذلك اليوم إذ لو أمرهم لنقل”
“Kushdo që ha ose pi duke menduar se dielli ka perënduar, pastaj bëhet e qartë se dielli nuk ka perënduar akoma, agjërimi i tij është i saktë dhe nuk e ka obligim t’a zëvendësoje atë ditë.
Ai duhet të ndaloje menjëherë nga ngrënia dhe pirja sapo të dije se dielli akoma nuk ka perënduar.
Unë them se nuk e ka detyrë t’a kompensoje atë ditë, kjo sepse është vërtetuar në Sahihun e Buhariut nga Esma bint Ebi Bekr -radijall-llahu anhuma- e cila ka thënë:
((“Ne e çelëm agjërimin në kohën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem në një ditë me re, pastaj doli dielli”))
Profeti alejhis-selam nuk i urdhëroi ata t’a zëvendësonin atë ditë, sepse po t’i kishte urdhëruar, kjo do të ishte transmetuar.”
[Fetawa Ramadan libn Uthejmin]
Ibn Tejmije ka përmendur në [Hakikatus-Sijaam] se Hisham bin Ur’ueh njëri nga transmetuesit e hadithit ka transmetuar nga babai i tij Ur’ueh i cili është biri i Esmas, transmetueses së hadithi, se ka thënë:
“Ata nuk janë urdhëruar t’a zëvendësojnë atë ditë.”
Kjo do të thotë se agjërimi është i saktë.
Shejh Albani e lidh këtë çeshtje me atë se sa i justifikuar është mendimi i tij që ka hyrë koha.
Dmth: jo çdo kush që mendon se ka hyrë koha, mendimi i tij është i justifikuar.
Për shembull: një person i cili kur është vranët mendon se ka hyrë koha, dhe nuk e shikon orën fare, duke pasur mundësi me e shiku orën dhe me u orientu me të, mendimi i tij në këtë rast nuk është i justifikuar. Kështu që obligohet t’a zevendesoje atë ditë.
■ PËLQEHET ÇELJA E AGJËRIMIT, PASTAJ FALJA, PASTAJ NGRËNIA E IFTARIT
Thotë Shejh Albani:
“Prej sunnetit është që t’a çelësh agjërimin, pastaj të falesh dhe pastaj të hash iftarin, sepse Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka nxitur që të shpejtojmë faljen e namazit të akshamit, dhe mos t’a vonojmë.”
■ SI VEPROHET KUR E ÇEL IFTARIN NË AEROPORT PASI KA HYRË KOHA, AMA KUR NGRIHET AVIONI E SHIKON DIELLIN?
Shejh Bin Bazi thotë:
الذي يظهر أن إفطاره صحيح؛ لأنه أفطر بغروب الشمس الذي في بلده؛
لأنه انتهى إلى جو رفيع ليس جوه, بل جو آخر، ليس جوا له، فلا يضره إفطاره، فهو مفطر صحيح و صومه صحيح.
“Iftari i tij është i saktë. Agjërimi i tij është i saktë. Sepse ai e ka çel kur perëndoi dielli në vendin e tij, dhe sepse ai tani është lart në një kohë e cila nuk është koha e tij.”
Lind pyetja:
Tani që e shikoi diellin, a i lejohet të vazhdoje të haje apo duhet t’a ndërpresë derisa të perëndoje dielli?
Ajo që kuptohet nga fjala e shejkh Bin Bazit është se lejohet të haje.
Lexhnja në lidhje me këtë thotë:
أما إذا أفطر بالبلد بعد انتهاء النهار في حقه،فأقلعت الطائرة، ثم رأى الشمس،فإنه يستمر مفطرا لأن حكمه حكم البلد التي أقلع منها ،و قد انتهى النهار و هو فيها.
“Ai mund të vazhdoje të jetë joagjërueshëm (dmth: të haje nëse do), duke qenë se ai e ka çelë në kohë, në vendin e tij.”
[Mexhmu fetava el-lexhneh 10/ 136-137]
■ DUAJA E IFTARIT
Thotë Ibn Umeri (radijall-llahu anhuma):
“I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, kur çelte iftar thonte:
(( ذهب الظمأ و ابتلت العروق و ثبت الاجر ان شاء الله.))
(( Dhehebedh- dhameu ueb teletil uruuk ue thebetel exhru insha All-llah))
(( U largua etja, u mbushen venat dhe u arrit shpërblimi insha All-llah))
Ka mospajtim në lidhje me kohën se kur thuhet:
Më e sakta është kur e çel, kur ha, ose kur pi, e thua këtë dua, sepse kjo përkon më atë që përmban lutja.
Lutja thotë: (( U largua etja…)), dhe etja largohet pasi t’a çelësh.
Disa dijetarë e kushtëzojnë këtë dua vetëm kur është nxehtë dhe ndjen etje, dhe jo në kohë të ftohta kur nuk ke etje. Këtë mendim e ka Ibn Uthejmini.
Shumica e dijetarëve thonë se është e përgjithshme, në çdo lloj kohe, si në dimër ashtu edhe në verë. Kështu thotë shejkh Feuzani, Abbadi, Ruhejli etj.
Kjo është më e sakta, sepse Ibn Umeri thotë:
“Ishte qe kur çelte iftarin thonte … (duanë)”
Kjo tregon vazhdimësi, dhe nuk e kufizon me kohën.
Disa dijetarë Shafii e lidhin me faktin kur e çel me ujë.
Kjo nuk është e saktë, sepse hadithi nuk e kufizon as me kohën dhe as me çeljen me ujë.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم