Dhjetë ditët e Dhul Hixh-xhes

الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

● Vlera e dhjetë ditëve të Dhul Hixh-xhes

Thotë All-llahu – Subhanehu ue Teaala:
{لِّيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَّعْلُومَاتٍ}
{Që të prezantojnë në ato gjëra të dobishme për ta, si dhe të përmendin emrin e All-llahut në ditët e njohura}


Ibn Abbas dhe Ebu Musa el Esharij prej sahabëve, Hasen el Basriu, Muxhahidi, Ibn Xhubejri, Dahhaak, Ataa etj prej tabi’ineve thonë: “Ditët e njohura janë dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes.”
[Ibn Kethiri në Tefsirin e tij]


Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((أفضل أيام الدنيا أيام العشر))
((Ditët më të mira të dunjasë janë dhjetë ditët)) – dmth: dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes
[El Bezzar, etj. Albani e konsideron të saktë]


Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((ما من أيام أعظم عند الله و لا أحبُّ إليه العملُ فيهن من هذه الأيام العشر))
((Nuk ka ditë më të mëdha tek All-llahu, dhe që puna (adhurimi) në ato të jetë më i dashur tek All-llahu sesa në këto dhjetë ditë))
[Ahmedi. Albani dhe Ahmed Shakir e konsiderojnë të saktë]


Të gjithë dijetarët bien dakord se dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes janë ditët më të mirat të vitit.

Ibn Haxheri All-llahu e mëshiroftë ka thënë:
قال الحافظ ابن حجر رحمه الله في (الفتح): “والذي يظهر أن السبب في امتياز عشر ذي الحِجَّة؛ لمكان اجتماع أمهات العبادة فيه؛ وهي الصلاة والصيام والصدقة والحج، ولا يتأتى ذلك في غيره”
“Arsyeja e dallimit të dhjetë ditëve të Dhul Hixhxhes (nga ditët e tjera të vitit) qëndron te vlera e bashkimit të adhurimeve më kryesore në këto ditë, që janë: namazi, agjërimi, sadakaja dhe haxhi, të cilat nuk gjenden të bashkuara në kohë tjetër.”
[Fet’hul Baarii]


● Ndërsa sa i përket netëve të këtyre ditëve ka mospajtim: a janë këto më të mira apo dhjetë netët e fundit të Ramazanit?

– Disa dijetarë thonë:“Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë të mira, për shkak të natës së Kadrit.”

– Disa tjerë thonë: “Netët e dhjetë ditëve të Dhul Hixhxhes janë më të mira.”

Mendimi më i përafërt është mendimi i atyre që thonë se dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të mira, për shkak të natës së Kadrit e cila eshtë më e mirë se një mijë muaj.
Ky është mendimi i Ibn Tejmijes, Ibnul Kajjimi, Ibn Kethirit, etj.

● Vlera e punëve të mira në dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixh-xhe

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
مَا مِنْ أَيَّامٍ الْعَمَلُ الصَّالِحُ فِيهَا أَحَبُّ إِلَى اللَّهِ مِنْ هَذِهِ الْأَيَّامِ يَعْنِي أَيَّامَ الْعَشْرِ ، قالوا يا رسول الله: ولا الجهاد في سبيل الله؟ قال: وَلَا الْجِهَادُ فِي سَبِيلِ اللَّهِ، إِلَّا رَجُلٌ خَرَجَ بِنَفْسِهِ وَمَالِهِ فَلَمْ يَرْجِعْ مِنْ ذَلِكَ بِشَيْءٍ؟
((Nuk ka ditë në të cilat puna e mirë (adhurimi) është më i dashur tek All-llahu se sa në këto dhjetë ditë))
I thanë: o i Dërguari i All-llahut, as lufta në rrugën e All-llahut?
Tha: ((As lufta në rrugën e All-llahut, përpos ai i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre)) – dmth: vritet në rrugë të All-llahut – Subhaneh.
[Ebu Dawudi, dhe Buhariu me pak ndryshim]


Në një transmetim te ed-Daarimij (All-llahu e mëshiroftë) thotë:
ما من عمل أزكى عند الله عز وجل، ولا أعظم أجراً من خير يعمله في عشر الأضحى
((Nuk ka vepër (adhurim) më të mirë tek All-llahu dhe që ka shpërblim më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet në dhjetë ditët e Kurban Bajramit)) – (dmth: dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes).
[Albani e konsideron Hasen]


Ky hadith tregon për vlerën e madhe të punëve të mira (të adhurimeve) në këto ditë.


Ibn Rexheb (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
العمل في عشر ذي الحجة أفضل من جميع الأعمال الفاضلة في غيره، ولا يُستثنى من ذلك سوى أفضل أنواع الجهاد؛ وهو أن يخرج الرجل بنفسه وماله، ثم لا يرجع منهما بشيء، فهذا الجهاد بخصوصٍ يفضُل على العمل في العشر، وأما سائر أنواع الجهاد مع سائر الأعمال، فإن العمل في عشر ذي الحجة أفضل منها”؛ [فتح الباري شرح صحيح البخاري (9/12)]
“Punët e mira në dhjetëditëshin e Dhul Hixh-xhes janë më të mira se të gjitha veprat e mira që bëhen në ditët e tjera të vitit, me përjashtim të llojit më të lartë të xhihadit (përpjekjes në rrugën e All-llahut), që është: kur njeriu del për të luftuar në rrugë të All-llahut me veten e tij dhe pasurinë e tij, pastaj nuk kthehet më me asgjë (dmth: vritet në luftë në rrugë të All-llahut). Vetëm ky lloj xhihadi është më i vlefshëm se veprat që bëhen në këto dhjetë ditë.
Ndërsa llojet e tjera të xhihadit, si dhe të gjitha veprat e tjera, veprat në dhjetë ditët e Dhul Hixhes janë më të mira se ato.”
[Fet’hul Baarii i Ibn Rexheb]


Si farzet ashtu dhe veprat vullnetare, shpërblimi për to në këto ditë është më i madh se në ditët tjera.

Farzet në këto ditë kanë shpërblim më të madh se në ditet tjera.

Po ashtu veprat vullnetare kanë shpërblim më të madh se në ditët tjera.


Ndërsa sa i përket asaj që a mundet që një vepër vullnetare në këto ditë të ketë shpërblim më të madh se një vepër obligim që e vepron jashtë dhjetëditëshit?

Parimi bazë në lidhje me këtë thotë: Lloji (xhinsi) farz është më i dashur tek All-llahu sesa lloji (xhinsi) vullnetare.

Ibn Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
وقال الشيخ ابن عثيمين رحمه الله: “جنس العبادة: إذا كان فريضة، فهو أفضل من نافلتها؛ لما ثبت في الحديث الصحيح أن الله تعالى يقول: “ما تقرب إليّ عبدي بشي أحب إلي مما فرضت عليه”،
“Lloji i adhurimit: nëse është farz (obligim), atëherë ai është më i vlefshëm se nafilja e të njëjtit lloj; sepse në hadithin sahih është vërtetuar se All-llahu i Lartësuar thotë:
((Nuk më afrohet robi Im me ndonjë gjë më të dashur tek Unë sesa ajo që ia kam bërë obligim))


Imam Neueuiju (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
قال النووي رحمه الله في “شرح مسلم” (7/92): “ومعلوم أن أجر الفرض أكثر من أجر النفل؛ لقوله عز وجل: (وما تقرب إلي عبدي بشيء أحب إلي من أداء ما افترضت عليه) رواه البخاري
“Dihet se shpërblimi i farzit është më i madh se shpërblimi i nafiles; duke u bazuar në fjalën e All-llahut të Lartësuar në hadith kudsij:
((Robi Im nuk më afrohet me ndonjë gjë më të dashur tek Unë sesa me atë që ia kam bërë obligim -farz-))
[Sherh Sahih Muslim. 7/92]


Pra, farzi është më i mirë sesa nafilja (vepra vullnetare) nëse janë të një lloji. Për shembull: sunetet e Sabahut me farzin e Sabahut, farzi është më i mirë sesa sunneti.

E nëse janë lloje të ndryshme, atëherë mundet që një vepër nafile të jetë më e mirë se sa një vepër që është farz – siç e përmend këtë Es-Sujuuti, ku thotë:
قال السيوطي رحمه الله: ” القاعدة المستقرة في أن الفرض أفضل من النفل في الجنس الواحد، أما في الجنسين: فقد تختلف.
“Rregulli është se farzi është më i vlefshëm se nafilja kur janë nga i njejti lloj. Ndërsa kur janë nga dy lloje të ndryshme, atëherë mund të ndryshoje.”


Kanë përmendur disa dijetarë, prej tyre Ibn Nuxhejm, El Karrafi se ka disa raste përjashtimi nga rregulli i përgjithshëm kur një vepër nafile ka shpërblim më të madh se një vepër që është obligim, dhe kanë përmendur rastin e pritjes së borxhliut dhe faljes se borxhit.

T’ia shtysh afatin borxhliut i cili nuk ka mundësi me e pagu borxhin është detyrë, ndërsa nëse ia fal borxhin është e pëlqyer. 

Falja e borxhit (edhe pse është e pëlqyer) ka shpërblim më të madh sesa t’ia shtysh afatin (edhe pse është obligim).

Pra, mund të ketë raste ku një vepër vullnetare ka shpërblim më të madh se një vepër obligim (farz), por, e përgjithshmja është se vepra farz (obligim) është më e vlefshme dhe ka shpërblim më të madh se vepra nafile.


Ibn Rexheb (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
وقال ابن رجب، رحمه الله: ” وأداء الفرائض أفضلُ الأعمال، كما قال عمرُ بنُ الخطاب – رضي الله عنه -: أفضلُ الأعمال أداءُ ما افترضَ اللهُ.
“Kryerja e obligimeve (farzeve) është vepra më e mirë, ashtu siç ka thënë Umer ibn al-Khattab (All-llahu qoftë i kënaqur me të): Veprat më të mira janë kryerja e asaj që All-llahu e ka bërë obligim.”
[Xhemi el Ulum uel Hikem 3/1072]


Ajo që thuhet se një vepër vullnetare në dhjetë ditët e Dhul Hixhxhes është si një vepër farz jashtë këtyre dhjetë ditëve, unë nuk di argument për këtë.


Thotë Ibn Rexheb në librin e tij [Fet’hul Barii]:
لكن فرائض عشر ذي الحجة أفضل من فرائض سائر الأعشار، ونوافله أفضل من نوافلها، فأما نوافل العشر فليست أفضل من فرائض غيره،
“Farzet e dhjetëditëshit të Dhul-Hixhes janë më të vlefshme se farzet e të gjitha dhjetëditëshave të tjera, dhe nafilet e tij janë më të vlefshme se nafilet e tyre.
Ndërsa nafilet e këtij dhjetëditëshi (të Dhul-Hixhxhes) nuk janë më të vlefshme se farzet jashtë dhjetëditëshit të Dhul Hixhxhes.”


Duke qenë se në këto ditë puna e mirë është më e dashur tek All-llahu sesa në ditët tjera, pëlqehet që robi të shtoje veprat e mira në këto ditë. Pëlqehet shtimi i çdo lloj adhurimi në përgjithësi.

Ndërsa sa i përket ndonjë adhurimi në veçanti nuk ka argument, përveç ato vepra të veçanta të njohura që bëhen në këto ditë, siç janë: haxhi, i cili është adhurimi më i mirë në këto ditë, bërja kurban, falja e namazit të Bajramit, agjërimi i ditës së Arafatit, shpeshtimi i fjalëve La ilahe il-lall-llah, All-llahu Ekber, Elhamdulil-lah.
Dhe thënja e tyre me zë në tregje apo diku tjetër nganjëherë, jo gjithmonë. Siç transmetohet nga Ibn Umeri dhe Ebu Hurejre -radijall-llahu anhuma-.


Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
(( ما من أيام أعظم عند الله و لا أحب إليه العمل فيهن من هذه الأيام العشر، فأكثروا فيهن من التهليل و التكبير و التحميد))
((Nuk ka ditë më të mëdha tek All-llahu dhe që puna e mirë të jetë më e dashur tek Ai, sesa këto dhjetë ditë. Prandaj shtoni në këto ditë fjalët La ilahe il-lall-llah, All-llahu Ekber, dhe Elhamdulil-lah))
[Ahmedi, Albani dhe Ahmed Shakir thonë: hadith Sahih]


Forma e tekbirit e cila i përmban këto tre fjalë të përmendura në hadith është ajo që transmetohet nga Ibn Mes’udi (radijAll-llahu anhu):
All-llahu Ekber, All-llahu Ekber, All-llahu Ekber (transmetohet me dy në fillim dhe me tre tekbire në fillim) La ilahe il-lall-llah, All-llahu Ekber, All-llahu Ekber, Ue Lil-lahil hamd.

Ajo që kërkohet në këto ditë është shtimi i vepra te mira në përgjithësi.
Hadithi i temës nxit besimtarët t’i shtojnë veprat e mira në këto ditë.

Dijetarët thonë: “Pëlqehet shtimi i veprave të mira në këto ditë, qoftë agjërim, qoftë namaz vullnetare,  qoftë sadaka, qoftë lexim Kur’ani, qoftë dhikër, dua, e të tjera.”

 

● Sa i përket një hadithi ku thotë:
(( يَعْدِل صيام كل يوم منها بصيام سَنَةٍ و قيام كل ليلة منها بقيام ليلة القدر ))
((Agjërimi i çdo dite prej tyre (dhjetë ditëve) është si agjërimi i një viti, dhe namazi i çdo nate (dmth: namaz nate) prej netëve të tyre është si namazi i natës në Natën e Kadrit))
Ky hadith është i dobët, siç thotë El Begauij (v. 416.h), Ibn Tejmije, Ibn Haxheri, dhe Albani.
Ibn Rexhebi e konsideron hadith të shpikur.

● Tekbiret në dhjetë ditët e muajit Dhul Hixh-xhe

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
ما من أيام أعظم عند الله و لا أحب إليه العمل فيهن من هذه الأيام من هذه الأيام العشر فأكثروا  فيهن من التهليل و التكبير و التحميد
((Shtoni (shpeshtoni) në këto ditë fjalën LA ILAHE IL-LALL-LLAH, ALL-LLAHU EKBER dhe ELHAMDULIL-LAH.))
[Ahmedi, Albani dhe Ahmed Shakir thonë: Sahih]


Ky hadith nxit që të shpeshtojmë në këto ditë këto fjalë.

 

Ka përmend BUKHARI në Sahihun e tij se Ibn Umeri, dhe Ebu Hurejre  رضي الله عنهما

قال البخاري كان ابن عمر و ابو هريرة يخرجان الى السوق في أيام العشر يكبران و يكبر الناس بتكبيرهما.

në dhjetë ditët e Dhul Hixh-xhes dilnin në tregje dhe bënin Tekbire me zë. Njerëzit kur dëgjonin Tekbiret e tyre bënin edhe ata Tekbire.

në dhjetë ditët e Dhul Hixh-xhes dilnin në tregje dhe bënin Tekbire me zë. Njerëzit kur dëgjonin Tekbiret e tyre bënin edhe ata Tekbire.

Pëlqehet shpeshtimi i Tekbireve në dhjetë ditët e Dhul Hixh-xhe

 

■ Forma e Tekbireve

Nuk është transmetuar diçka në lidhje me këtë nga Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem.

Është transmetuar nga shokët e tij. Më e sakta është ajo qe transmetohet nga Ibn Mes’udi:

ALL-LLAHU EKBER
ALL-LLAHU EKBER
ALL-LLAHU EKBER

LA ILAHE IL-LALL-LLAHU

ALL-LLAHU EKBER
ALL-LLAHU EKBER

UE LIL- LAHIL HAMD.


Kjo formë është forma e cila ka përmbledhur ato fjalë që Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem nxit t’i shpeshtojme në këto ditë.


Nëse i thua veçantë secilën:

LA LAHE IL-LALL-LLAHU

ALL-LLAHU EKBER

ELHAMDULIL-LAH

Shumë mirë, s’ka problem.

Nëse i thua me zë nganjëherë, shumë mirë.

Thuhen ne çdo kohë. Nuk lejohet t’i veçojmë në kohë të caktuara.


Disa dijetarë i ndajnë në:

– TEKBIRE të përgjithshme.

– TEKBIRE të veçanta.


Tekbire të përgjithshme i quajnë këto të dhjetë ditëshit të Dhul Hixh-xhes.

Kurse të veçantat janë ato që thuhen pas namazeve në ditët e Teshrikut.

Shejh Albani thotë se kjo ndarje është pa argument.

Veçimi i tekbireve vetëm pas namazit është bidat sipas shejh Albanit.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: