Gjykimi i Kurbanit

الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me gjykimin e kurbanit.

● Shumica e dijetarëve thonë se bërja kurban është e pëlqyer, nuk është obligim (farz)

Ky është mendimi i Ebu Bekrit dhe Umerit -radijall-llahu anhuma-, siç transmeton Taberani nga Huthejfe bin Usejd [Imam Neueuiju thotë zinxhiri është i saktë, po kështu edhe shejh Albani].
Ky është mendimi i shumë tabi’inëve prej tyre: Seid bin Musejjeb, Alkameh, Ataa etj.
Ky është mendimi i Malikive dhe Shafive.
Ky është mendimi i shumë Hanbelive.
Ky është mendimi i Bin Bazit, Ibn Uthejminit, Feuzanit, AbdulMuhsin el Abbad etj.


Thotë Imam Neueuiju:
“Shumica e dijetarëve thonë së bërja kurban është sunnet, (nuk është obligim). Nëse nuk bën kurban, nuk ka gjynah.”
[Sherh Sahih Muslim. 13/110]


Shejh AbdulMuhsin el Abbad (All-llahu e ruajt) ka thënë:
“Bërja kurban nuk është obligim, por është e pëlqyer, duke u bazuar në hadithin:
((إذا دخل العشر ذو الحجة و أراد أحدكم أن يضحي…))
((Kur të hyje dhjetëditëshi i Dhul Hixhxhes dhe ndonjëri prej jush dëshiron të bëjë kurban…))
[Muslimi]


Thotë shejhu:
قوله : (( أراد )) يدل على أنه ما فيه وجوب؛ لأنه لو كان واجبا ما فيه حاجة لذكر الإرادة”.
“Fjala e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ((Dëshiron)) tregon se nuk është detyrë, sepse sikur të ishte detyrë, nuk do ishte e nevojshme përmendja e dëshirës.”

Dmth: nëse do ishte obligim, nuk do lihej në dëshirën e robit, ku thotë: ((dhe dëshiron))

● Disa dijetarë tjerë thonë se bërja kurban është obligim për atë që ka mundësi

Ky është mendimi i Rabiah Er-Ra’j, tabi’in, shejhu i Imam Malik (v 136.h).
Ky është mendimi i Lejth bin Sead, prej tabi tabi’inëve, dijetar i madh, bashkëkohës i Imam Malik.
Ky është mendimi i Ebu Hanifes.
Ky është mendimi i Ibn Tejmijes.
Këtë mendim ka edhe shejh Albani (All-llahu i mëshiroftë të gjithë).


Shejh Albani (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
“الذي يستطيع أن يضحي فقد وجبت عليه الأضحية”
“Ai që ka mundësi të bëje kurban, e ka obligim të bëje kurban.”
[Silsiletul Hude uen-Nur 1029. alathar net]


Këta dijetarë bazohen në disa argumente, prej tyre:

1) All-llahu -Subhanehu ue Teaala- ka thënë:
{فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ}
{Falu vetëm për Zotin tënd dhe ther kurban (vetëm për Të)}


2) Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((من وجد سَعَةً [ و في رواية:  مالا] و لم يُضَحِّ فلا يَقْرَبَنَّ مصلانا))
((Ai i cili ka mundësi (në një transmetim: ka pasuri) dhe nuk bën kurban, mos t’i afrohet vendfaljes tonë))
[Ahmedi, Albani e konsideron Sahih]


Thonë këta dijetarë: “Fjala e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ((Mos t’i afrohet vendfaljes tonë)) tregon se bërja kurban është obligim, sepse kjo fjalë (formë shprehje kaq qortuese) nuk thuhet përveçse për atë që len diçka që është obligim.
Sikur të ishte me dëshirë, siç mendon shumica, nuk do fliste me këtë fjalë qortuese të fortë.”


3) Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((من ذَبَح قبل أن يصلي فليُعِدْ مكانها أخرى و من لم يذبح فَلْيَذْبَح))
((Kush e ka ther kurbanin para se t’a fale Bajramin, le të ther një tjetër në vend tij. Dhe kush nuk ka ther (kurban), le të ther))
[Buhariu dhe Muslimi]


Thonë këta dijetarë: “Urdhëri i Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem që të ther kurban tjetër në vend të atij që e theri para namazit, tregon se është obligim. Sepse sikur të ishte me dëshirë nuk do e urdhëronte të bënte kurban tjetër, ngase kjo është shpenzim pasurie.”


Ndërsa sa i përket argumentimit të atyre që e konsiderojnë bërjen kurban të pëlqyer me fjalën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem: ((dhe dëshiron të bëjë kurban)), fjala ((dëshiron)) do të thotë që është me dëshirë.. ky argumentim nuk është i saktë, nuk qëndron, sepse kemi shumë raste ku përmendet dëshira për një gjë dhe ajo gjë është obligim.


Thotë All-llahu – Subhaneh:
{وَ مَنْ أراد الآخِرَةَ و سَعَى لَها سَعْيَها}
{Dhe kush dëshiron Ahiretin}

A mund të thuhet që kërkimi i Ahiretit është me dëshirë?! Është i pëlqyer?!


Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((من أراد الحج فليتعجَّل))
((Kush dëshiron të bëjë haxhin, le të nxitoje))
[Ebu Dawudi, etj. Albani e konsideron Hasen]

A mund të thuhet që haxhi është me dëshirë?!

Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem këtu ka patur për qëllim haxhin farz.


Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
((إذا أراد أحدكم أن يأتي الجمعة فليغتسل))
((Kur dikush dëshiron të shkojë në namazin e xhumasë, le të lahet -të marre gusël-))
[Buhariu, Muslimi]

A mund të themi se namazi i xhumasë është me dëshirë, është i pëlqyer?

Jo. Namazi i xhumasë është obligim.


Prandaj, fjala ((dhe dëshiron të bëje kurban)) nuk do të thotë që është me dëshirë.


Une anoj te ajo që të qenurit obligim (për atë që i ka mundësitë, duke mos lënë mangut nevojat familjare) është më afër se sa të qenurit i pëlqyer.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: