A lejohet bërja kurban me një bagëti e cila shitet me kile mishi pasi të theret?

الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد


Prej kushteve të kurbanit është që bagëtia të jetë pronë e atij që dëshiron të bëjë kurban me të.
Për këtë ka unanimitet.

Kjo lloj forme kurbani: “Që të zgjedhë një bagëti dhe pastaj t’a ther, dhe pasi t’a ther, t’a peshoje se sa kile është, dhe mbi bazën e kileve caktohet se sa i bën haku bagëtisë dhe sa do paguaj, kjo lloj forme, nuk konsiderohet kurban pa fije dyshimi.

Kjo sepse, prej kushteve të kurbanit është që bagëtia të jetë pronë e atij që bën kurbanin, dhe për këtë ka unanimitet të plotë, jo vetëm te dijetarët, por te të gjithë njerëzit. Të gjithë e dimë se kurbani nuk bëhet me bagëtinë e huaj.”

Në rastin konkret personi nuk e posedon akoma këtë bagëti, sepse akoma nuk e ka blerë, akoma nuk është realizuar blerja.

Që të realizohet blerja, dhe bagëtia të konsiderohet pronë e atij që don të bëje kurban, duhet që shitblerja të jetë e saktë (e vlefshme).

Që shitblerja të jetë e saktë (e vlefshme) duhet të plotësohen kushtet e saj.

Prej tyre është njohja e çmimit dhe dakordësia.


Thotë Ibnul Mundhir në [El Ixhma] dhe Ibnul Kattan në [El Iknaa] – All-llahu i mëshiroftë:
قال ابن المنذر في الإجماع، وابن القطان في الإقناع: ” وأجمعوا على أن من باع سلعة ‌بثمن ‌مجهول غير معلوم، ولا مسمى، ولا عينا قائما، أن البيع ‌فاسد”
“Dijetarët kanë rënë dakord se kush shet një mall me një çmim të panjohur, të papërcaktuar, atëherë shitblerja është e pavlefshme.”


Ibn Hazmi (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
قال ابن حزم رحمه الله في “المحلى” (7/ 512) :
“وَلَا يَصِحُّ الْبَيْعُ بِغَيْرِ ثَمَنٍ مُسَمًّى”
“Nuk është e vlefshme shitblerja pa një çmim të caktuar.”
[El Muhal-la. 7/512]


Ibn Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:
وقال ابن عثيمين رحمه الله :
” جهالة الثمن تؤدي إلى بطلان البيع ؛ لأن من شروط البيع العلم بالثمن “
انتهى من “الشرح الممتع”(8/233)
“Mosnjohja e çmimit çon në pavlefshmërinë e shitjeblerjes (dmth: konsiderohet e pavlefshme), sepse prej kushteve të shitblerjes është që çmimi të jetë i ditur.”
[Esh Sherh el Mumti. 8/233]


Pra, që shitblerja të konsiderohet e vlefshme, dhe produkti (malli) të kaloje në pronësi të blerësit duhet që produktit (mallit) t’i dihet çmimi, dhe pas kësaj blerësi të bie dakord.

Në rastin konkret çmimi se sa do paguaj nuk dihet. Dihet thjeshtë se si do shitet – dmth: dihet se do shitet me kile, dhe kilja është kaq, ama çmimi përfundimtar nuk dihet derisa të theret.

Kur te theret dhe të peshohet, atëherë dihet çmimi përfundimtar, pastaj bie dakord për kilet dhe i jep paratë.


Një argument i thjeshtë që e vërteton këtë është se nëse ndodh që bagëtia ngordh para se me e ther, për shembull: i ikën nga duart dhe bie në kanal uji dhe mbytet.. kush dëmtohet dhe kush e paguan?

— Nëse themi: shitësi, atëherë bëhet e qartë se bagëtia nuk ka qenë e atij që donte të bënte me të kurban.

— Nëse themi: e paguan ai që donte të bëjë me të kurban, atëherë sa do të paguaje ai? Bagëtia tashmë është e ngordhur, as nuk theret, as nuk peshohet.


Më këtë arrijmë të kuptojmë se ndërmjet shitësit dhe blerësit nuk ka ndodhur shitblerje, dhe si rezultat bagëtia nuk ka kaluar në pronësi të personit që donte të bëjë kurban më të.

Dhe me këtë bëhet e qartë se bagëtia nuk është e atij që don të bëje kurban me të.
Thënë ndryshe nuk është pronë e tij.

Dhe përderisa nuk është pronë e tij, me pronën e huaj nuk bëhet kurban.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: