A është Ajeti Kursij – dhikër i mëngjesit dhe mbrëmjes?

الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me leximin e Ajetit Kursij në mëngjes dhe në mbrëmje.

Disa dijetarë e konsiderojnë leximin e Ajetit Kursij prej dhikreve të mëngjesit dhe mbrëmjes.

Ndërsa disa të tjerë nuk e konsiderojnë leximin e Ajetit Kursij prej dhikreve të mëngjesit dhe mbrëmjes.


Ata që e konsiderojnë leximin e Ajetit Kursij prej dhikreve të mëngjesit dhe mbrëmjes bazohen në disa hadithe të cilat shumica e dijetarëve i konsiderojnë të dobëta. Prej tyre, hadithi:

مَنْ قَرَأ {  حم}  المُؤْمِنَ إلى {  إِلَيْهِ المَصِيرُ } وآية الكُرسيِّ حينَ يُصبِحُ حُفِظَ بِهِما حتى يُمسيَ، ومَنْ قَرأهُما حينَ يُمسي حُفِظَ بِهِما حتى يُصبِحَ))
((Kush lexon {HA MIIM} deri te ajeti {ILEJHIL MESIIR}, (dmth: tre ajetet e sures Gafir) dhe ajetin Kursij në mëngjes, mbrohet deri në mbrëmje. Dhe kush i lexon në mbrëmje, mbrohet deri në mëngjes))

Transmeton [Termidhi. 2879]
[Ibn Es-Sunnij – Amelul Jeumi uel Lejleh 76]
[Ebu Nuajm – Teerikh Esbhaan 1/281]
[dorar.net]


Shumica e dijetarëve e konsiderojnë këtë hadith të dobët. Prej tyre:

  • Ibn Haxheri në [El Futuhaat Er-Rabbaanijjeh 5/108]. Ndërsa në [Hidejetur – Ruwaat.2/376] e konsideron hasen.

  • Es-Sekhauij në [El ibtihaaxh. 14] e konsideron të dobët.

  • Ed-Dimjati në [El Metxher Er-Raabih. 222] e konsideron të dobët.

  • Albani në [Daiif Et Termidhi 2879] e konsideron të dobët. Ndërsa në [Hidejetur Ruwaat 2082] e konsideron shumë të dobët.

Transmetohen edhe hadithe të tjera, por të gjitha janë të dobëta.


Ka disa hadithe të sakta në transmetim që përmendin leximin e Ajetit Kursij.

Në disa rrugë transmetimi përmendet leximi i tij në mëngjes dhe në mbrëmje, si hadithi i Ebu Hurejres -radijall-llahu anhu- që tregon se një xhin vinte të vidhte prej hurmave të sadakasë…

Në një prej transmetimeve të këtij hadithi përmendet se xhinni i tha: “T’a lexosh Ajetin Kursij në mëngjes dhe në mbrëmje.”

Baza e hadithit është e saktë, e transmeton Buhariu dhe Muslimi, por shtesa që përmend leximin e tij në mëngjes dhe në mbrëmje është e dobët.

Prandaj Buhariu dhe Muslimi në Sahihet e tyre kur e transmetojnë këtë hadith të Ebu Hurejres, e transmetojnë pa shtesën “Në mëngjes dhe në mbrëmje”.

Po ashtu hadithi i Ubej Bin Keab -radijall-llahu anhu- i cili tregon se një xhin hynte në shtëpinë e tij dhe vidhte nga hurmat e tij. Ubeji pasi e kapi i tha: ç’farë na mbron nga ju? Ai tha: “Ajeti Kursij. Nëse e thua në mëngjes, mbrohesh deri në mbrëmje. E nëse e thua në mbrëmje mbrohesh deri në mëngjes.”

Ubeji i tregoi Profetit për këtë, dhe Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem tha:
((Të vërtetën e ka thënë i poshtri))


Ky hadith është i saktë në gjykimin e disa dijetarëve, prej tyre shejh Albanit, siç thotë në [Sahih Et-Tergib uet Terhib]

Por, shtesa ku përmend “leximin e Ajetit Kursij në mëngjes dhe mbrëmje”, shumica e dijetarëve e konsiderojnë jo të saktë.

Thotë shejh Abani në [Silsiletu es-Sahihah 3245] pasi përmend këtë hadith dhe sjell rrugët e transmetimit të tij:
و هي على كل حال زيادة شاذة
“Kjo shtesë (në mëngjes dhe mbrëmje) është e dobët.”

Shumica e dijetarëve këtë shtesë e konsiderojnë të dobët.


Shumë libra të njohur të dhikreve dhe duave, si libri:

  • [Amelul Jeumi uel Lejleh] i Ibn Es-Sunnij, prej librave më të mëdhenj dhe më të mirë në lidhje me dhikret.
  • [Amelul Jeumi uel Lejleh] I Nesaiut.
  • [Edhkeer] i Neueuijut – edhe ky prej librave më të mirë në lidhje me dhikret – nuk e përmendin këtë hadith. Që jep të kuptohet se ndoshta nuk e kanë konsideruar të saktë.


Ibn Es-Sunnij në [Amelul Jeumi uel Lejleh] dhe Neueuiju në [El Edhkeer] e konsiderojnë leximin e Ajetit Kursij prej dhikreve të mëngjesit dhe të mbrëmjes. Por ata për këtë nuk bazohen në këtë hadith, por bazohen në hadithin që përmendëm në fillim:

((Kush lexon {HA MIIM} deri te ajeti {UE ILEJHIL MESIIR} dhe Ajetin Kursij…))

Ama, ky hadith, siç u përmend më lart, konsiderohet i dobët te shumica e dijetarëve.


Pra, më e përafërta është se leximi i Ajetit Kursij nuk është prej dhikreve të mëngjesit dhe mbrëmjes, sepse nuk ka hadith të saktë që e vërteton këtë.

Shejh Bin Bazi, Ibn Uthejmini, Feuzani, Salih El Usajmi etj, thonë se nuk ka hadith të saktë që vërteton leximin e Ajetit Kursij në mëngjes dhe mbrëmje.


All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: