:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Ka mospajtim mes dijetarëve në lidhje me hixhamen se a e prish agjërimin apo jo?
Një pjesë e dijetarëve thonë se hixhamja e prish agjërimin.
Ai që bën hixhame dhe atij që i bëhet e kanë prishur agjërimin, duke u bazuar në fjalën e Profetit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
أفطر الحاجم و المحجوم.
((E ka prishur agjërimin ai i cili bën hixhame dhe ai të cilit i bëhet hixhamja -duke qenë agjërueshëm-))
[Ebu Dawudi etj. Buhari e konsideron të saktë siç thotë Termidhiu në (Ilel el Kebiir)]
I këtij mendimi është Ibn Tejmije, Bin Bazi, Ibn Uthejmini etj.
Ndërsa shumica e dijetarëve, prej tyre Hanefitë, Malikitë, Shafi’itë, thonë se bërja e hixhames nuk e prish agjërimin, dhe kjo duke u bazuar në disa argumente.
عنِ ابنِ عبَّاسٍ رَضِيَ اللهُ عنهما ((عن النبيِّ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم أنَّه احتجَمَ وهو صائِمٌ )) .
((Ibn Abassi radijall-llahu anhuma tregon se Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem ka bërë hixhame duke qenë agjërueshëm))
[Buhari dhe Muslimi]
عن أنسِ بنِ مالكٍ رَضِيَ اللهُ عنه أنَّه سُئِل: ((هل كُنتُم تَكرهونَ الحِجامةَ؟ فقال: لا، إلَّا مِن أجلِ الضَّعفِ )
“U pyet Enesi: a e konsideronit hixhamen të qortuar (gjatë agjërimit)?
Tha: jo. Përpos për shkak të dobësisë. (dmth: përpos nëse të dobëson në agjërim)”
[Buhari]
Enesi (radijall-llahu anhu) thotë:
ثم رخَّص النبيُّ ﷺ بعد في الحجامة للصائم، وكان أنس يحتجم وهو صائم.
((Pastaj Profeti alejhis-selam, më vonë dha leje për (bërjen e) hixhames për agjëruesin. Enes bin Malik bënte hixhame ndërsa ishte agjërueshëm.))
[Albani e konsideron të saktë ose të mirë si hadith]
Ebu Seid El Khudri (radijall-llahu anhu) thotë:
((رخص النبي صلى الله عليه وسلم في الحجامة للصائم
((Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem e lejoi bërjen e hixhames për agjëruesin.))
Kjo tregon se lejohet hixhamja gjatë agjërimit; sepse lejesa vjen pas ndalesës. Thotë Ibn Hazmi: “Lejimi vjen pas ndalesës.” dmth: dikur e ka ndaluar Profeti sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe pastaj e ka lejuar.
Ky hadith është argument se bërja e hixhames nuk e prish agjërimin, siç thotë shejkh Albani (All-llahu e mëshiroftë).
Të njëjtin gjykim ka edhe nxjerrja e gjakut nga venat ( الفصد el fesd).
Fesd është prerja e damarit për të nxjerrë gjakun.
Shumica e dijetarëve Hanefi, Maliki dhe Shafi’i thonë se nuk e prish agjërimin, dhe e krahasojnë me hixhamen.
Ky është mendimi më i saktë.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم