A e prish agjërimin gëlltitja e pështymës?

:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد

Nëse e mbledh pështymën në gojë dhe e gëlltit me qëllim, nuk e prish agjërimin.
[Neueuiu, Ibn Kudameh, Bin Bazi, Albani, Ibn Uthejmin etj]

Disa thonë se e prish agjërimin, por më e sakta është që nuk e prish, sepse nuk ka argument.

Nëse e nxjerr pështymën jashtë te buzët, dhe e fut përsëri brenda dhe e kalon poshtë me qëllim, atëherë e prish agjërimin sipas mendimit të Shafive dhe Hanbelive.

Ndërsa Hanefitë thonë se nuk e prish agjërimin, përpos nëse shkëputet nga goja, e fut përsëri në gojë dhe pastaj e kalon poshtë me qëllim.

Këtu është për qëllim kur e mbledh pështymën në gojë dhe e nxjerr.

Dhe jo ajo që del me gjuhën dhe futet me gjuhën, apo me buzët.

Nëse fut diçka në gojë, si p.sh.misvakun, dhe pastaj e nxjerr nga goja duke qenë me pështymë, pastaj e fut përsëri në gojë dhe e kalon poshtë me qëllim pështymën që ishte në misvak është prishur agjërimi. Sepse konsiderohet diçka që po hyn në gojë, edhe pse doli prej saj.
[IBN UTHEJMINI]

Në lidhje me këtë ka unanimitet.

Por kushti është të jetë e konsiderueshme, jo thjesht lagështirë. Sepse lagështira nuk konsiderohet pirje (dmth: nuk konsiderohet që ke pirë diçka).

Zakonisht misvaku nuk mban pështymë, por thjesht lagështirë. Gjithsesi duhet të kemi kujdes.

All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.

————

و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم

Shpërndaje: