:الحمد لله و صلى الله و سلم على نبينا محمد! أما بعد
Ka mospajtim ndërmjet dijetarëve në lidhje me gëlltitjen e gëlbazes me qëllim duke qenë agjërueshëm.
Te dijetarët e medhhebit maliki, një pjesë prej tyre thonë se e prish agjërimin, një pjesë thonë nuk e prish.
Po ashtu edhe dijetarët shafi, dhe dijetarët hanbeli.
Disa dijetarë bëjnë dallim ndërmjet gëlbazes që është në fyt dhe asaj që mbërrin në gojë nga sekrecionet që bien nga hunda, apo nga koka.
Thonë se nëse mbërrin në gojë nga sekrecionet e hundës dhe kokës, dhe i kalon poshtë me qëllim e prish agjërimin. E nëse është e fytit, nuk e prish.
Më e sakta është se nuk e prish agjërimin, sepse nuk ka argument.
Ky është mendimi i Ibn Uthejminit, Albanit etj.
Shejh Albani thotë:
“Gëlbaza është diçka e brendshme. Prishja e agjërimit lidhet me atë që futet nga jashtë.”
Ata që kanë mendimin e kundërt thonë:
“Është i vërtetë rregulli që thotë se prishja e agjërimit lidhet me ç’farë futet nga jashtë. Ama në rastin konkret gëlbaza (sekrecionet) që vijnë nga koka apo hunda dhe hyjnë në gojë, ato kanë dalë tashmë nga trupi (nuk janë më brenda trupit), sepse goja futet te pjesët jashtme të trupit, me argumentin se lejohet të fusim ujin në gojë gjatë agjërimit. Dhe meqenëse tani janë në gojë, dhe goja është pjesë e jashtme, ato konsiderohen sikur janë jashtë, dhe nëse i gëlltit është sikur e ke gëlltitur diçka nga jashtë.”
Mendimi më i saktë është se gëlbaza edhe pse ka dalur në gojë, ajo konsiderohet përsëri brenda.
Ajo ka dal nga brenda, dhe nuk është futur në gojë nga jashtë.
Prishja e agjërimit lidhet vetëm me ato që futen brenda, nga jashtë.
Pra nëse e kalon gëlbazen poshtë me qëllim, nuk është prishur agjërimi.
All-llahu e di më së miri.
Ai është më i Dijshmi.
————
و الحمد لله رب العالمين
و صلى الله على نبينا محمد وعلى آله و صحبه و سلم